Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: AUTOKRITIKA

 

Tregim

 

 E martë, 10 tetor 1972.

Kam vetëm shtatë muaj që punoj redaktor në gazetën lokale të rrethit, por sot në mëngjes, mbeta i habitur përse kryeredaktori mua më veçoi nga të tjerët: “Dëgjo, më tha, ka një porosi nga Komiteti i Partisë për ty; duhet të shkosh të bësh autokritikë në organizatën bazë të partisë së fshatit S. Ka lidhje me shkrimin që ke botuar për firmëtarin e Shpalljes së Pavarsisë. Komunistët e fshatit i kanë shkruar një letër udhëheqjes lart dhe aty është vënë shënimi: “Redaktori të përgjigjet dhe të bëjë autokritikë para organizatës bazë të partisë së fshatit S. Një këshillë nga unë: Hiq dorë nga kokëfortësia në se do të ruash vendin e punës. Fati yt varet çfarë do të vendosë ajo organizatë për ty”.

Nuk kuptova përse duhet të bëja autokritikë, ishte shkrim i rremë? Mos Firmëtari ishte armik apo tradhëtar i atdheut, apo çfarë? Mos vallë ishte një kolaboracionist? Atë shkrim e kishte sjellë në redaksi një nga bashkëpunëtorët tanë më të mirë, drejtori i muzeut të qytetit. Atij ne nuk ia verifikonim artikujt. Përse duhet të përgjigjesha pikërisht unë? Thjesht e kisha lexuar, kisha ndrequr nja dy gabime drejtshkrimore, kisha hequr tri fraza dhe e kisha firmosur për botim.

Ishte 60- vjetori i Pavarësisë dhe ne kishim hapur një rubrikë të veçantë për të cilën përgjigjesha unë. Nga toni i shefit tim kuptova se ai nuk kishte asgjë në dorë, pra unë isha në zgrip të sakrificës. Shefi nuk ishte më pak përgjegjesi se sa unë. Mirëpo ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë. E gjithë rrufeja ishte shkarkuar përmbi mua. Kurrë nuk e kam mësuar se si funksionojnë këto zyra. Kryeredaktori më sqaroi se ishin marrë masat e transportit. Duhet të nisesha herët në mëngjes me një makinë të ndërmarrjes së tregtisë e cila furnizonte dyqanët e krahinës me artikuj ushqimorë.

Fshati S. ishte dy orë larg nga qyteti, në kufi me Greqinë dhe shteti bënte kujdes që atyre banorëve të brezit kufitar të mos u mungonte asnjë ushqim në dyqan. Me të qeshur ne i quanim “fshatra vitrinë përballë kapitalizmit”. Ata ishin më të përkëdhelurit e sistemit komunist. Për të përgatitur autokritikën kisha kohë deri nesër. Duhet të formuloja tekstin. Po si? Unë nuk po kuptoja qartë ku kisha gabuar. Nisën të më rrahin tëmthat dhe ndjehesha i tëri i kontraktuar. Duhet të bëja autokritikë përballë disa njerëzve që nuk i njihja. Më dridheshin duart duke rrëmuar dosjet e dorëshkrimeve.

Gjeta artikullin origjinal dhe u nisa me ngut për të kërkuar bashkëpuntorin, drejtorin e muzeut. Këtu niste zanafilla. E kapa atë në zyrë. Ishte duke lexuar një libër me faqe të zverdhura në gjuhën frënge. Ai është një ish liceist, një burrë me kulturë dhe i përkushtuar për historinë. Kur i tregova çfarë është shënuar në letrën e dërguar nga Komiteti Qendror, atij i ra pena nga dora.

U hutua aq shumë sa pa dashur goditi me brryl shishen e bojës mbi tavolinë dhe ngjyra blu u përhap mbi librin e vjetër që po lexonte. “Ters…” mërmëriti nëpër dhëmbë. Hoqi syzet, i fshiu me një letër të hollë dhe unë vura re se sytë i ishin njomur. Nuk di, nga lodhja apo nga keqardhja për mua. Kaq ligsht duhet të ishte situata dhe unë nuk po arrija ta kuptoja? Mos vallë ai e dinte çfarë defekti ka pasur ky shkrim? Nuk më la kohë të mendohesha.

“Dëgjo këtu, më tha, jo për t’u trembur, por kur vihen shënime të tilla, nga eksperienca ime, puna është shumë keq, jo vetëm për ty, por edhe për mua dhe kryeredaktorin tënd. E kupton ti që na ke në dorë edhe ne? Varet se si do të të presë organizata e partisë e fshatit dhe çfarë do të shkruajë në letrën përcjellëse. Varet se sa të thellë do ta bësh ti autokritikën. Kujdes, ajo është zonë kufitare, Partia ka interes ta ketë mirë me ata kooperativistë. Redaktorë si ti gjenden plot”, bëri sikur më ngushëlloi drejtori i muzeut.

“Më siguro për një gjë, i thashë unë, çfarë qëndrimi ka mbajtur Firmëtari në Luftën Nacional-Çlirimtare”?

Ai buzëqeshi dhe nga raftet zbriti një dosje, e hapi, rrëmoi në të dhe gjeti një qarkore të Ballit Kombëtar ku në një letër, pak të grisur në cepa, thuhej se Firmëtari është nacionalist, por ka dy djem partizanë dhe për hir të tyre ka refuzuar të bashkëpunojë me Ballin.

“Pra, ai nuk është bashkuar me armikun?”, u sigurova unë.

“Jo vetëm që nuk është bashkuar, por njëri nga bijtë e tij sot është përfaqësues i Shqipërisë në OKB. E ke këtë shans, po të pushuan nga puna, drejtohu atij. Paç fat!”. Gjysma e së keqes, nuk qenka armik, kjo kishte shumë rëndësi për mua, mirëpo letrën e qarkorit të Ballit nuk mund ta përdorja si argument sepse ajo kishte një fjalë të rrezikshme “nacionalist”. Dhe OKB-ja për mua ishte shumë larg.

“Autokritikë”, çfarë dreq fjale është kjo? Kush e ka shpikur? Dmth duhet të pranoj gabimin, t’ia fut vetes me shpullë apo kërbaç dhe po qe se kooperativistët që më ndjekin, gëzohen, mund ta ruaj vendin e punës, mund ta shpëtoj jetën, po qe se janë të pakënaqur dhe nuk u pëlqen autondëshkimi, një instancë tjetër superiore më fut njëqind pashë nën dhe. Nuk thotë kot një shoku im poet “Autokritikë? Hap më mirë varrin me duart e tua!”.

Jam shtrirë për të fjetur, por gjumi nuk më zë. Ndjej se nuk ngopem me ajër, ndjej se diçka është shkëputur brenda meje. Ndjej sikur po eci brenda një kënete dhe këmbët po më zhyten në baltë e nuk i tërheq dot. Pse pikërisht unë duhet të shkoj të bëj autokritikë!? Si mund të them e të pranoj se jam fajtor kur nuk ndjehem i tillë? Me ketë metodë, me këtë stil, me këtë llogjikë botimi, kam kaluar qindra shkrime. Dhe ja tani letra nga lart me atë shënim ogurzi. Si mund të bëj autokritikë për një firmëtar të Pavarësisë, për një patriot, për një atdhetar? Po ndoshta banorët e fshatit S. duhet të na zbulojnë diçka tjetër që as unë e as drejtori i muzeut nuk e kemi ditur, ndoshta…

Po pse u trondit aq shumë kryeredaktori kur shënimi më është adresuar mua!? Çfarë fshihet pas atij shënimi me bojë të kuqe? Ndoshta e marrim vesh nesër. Po afron mesnata. Këtu po e mbyll ditarin. Natën e mirë i dashur ditar!

E mërkurë, 11 tetor…

Sot ka qënë një ditë intensive, si në një maratonë. U ngrita herët në mëngjes. Edhe shoferi i gazit “Molotov” i ndërmarrjes tregtare ishte çuar qysh në ag. Makinën e kishte ngarkuar me artikuj ushqimorë gjatë mbrëmjes. Ai më priste tek dera e magazinës me motorin e makinës të ndezur. “Mos ke harruar lejen kufitare, më tha i merakosur, sepse është zonë e thellë dhe gjatë rrugës ka kontrolle policorë”. I tregova lejen ku shkruhej emri im. “Bukur!”, tha. Ishte moshatar me mua, por zeshkan i theksuar. Më parë qyteti u thoshte evgjitë, por tani, për të mos I fyer, u thonë “racë egjyptiane”. Socializmi është barazi për të gjithë. U nisëm, pas gjysmë ore dolëm në rrugë të paasfaltuar. Shoferi ishte i gojës, por kur pa se unë nuk i përgjigjesha, bëri ç’bëri dhe ia mori një kënge të lashtë popullore “Ç’ bën moj ti atje përposh”. Pastaj një tjetër e një tjetër… Nuk ndalonte dhe u detyrova t’i them se nuk i pëlqej këto lloj këngësh. Nuk e priste prej meje dhe e vura re që u prek në sedër, megjithatë heshti dhe mua më dha mundësi të mendoja për autokritikën. Kur hymë në zonën kufitare “i erdhi përsëri goja” dhe po më tregonte për karakteristikat e çdo fshati. “Vajzat më të bukura i ka ky fshat ku do shkojmë”, tha ai duke qeshur. Nuk e shtyva më tej këtë temë sepse sa më shumë i afroheshim qendrës së fshatit, aq më shumë mendoja për autokritikën, por nuk mund t’i tregoja atij, ky nuk ishte thjesht një sekret profesional, por i lidhur kryekëput i lidhur me shënimin e vendosur nga udhëheqja e lartë e Partisë. Ai mendonte se unë po shkoja në atë zonë për të shkruar një reportatazh të gjatë ku shpresonte t’i përmendej emri, prandaj përpiqej të më argëtonte duke fituar simpatinë time…

Sa zbrita nga “gazi”, kërkova sekretarin e organizatës së Partisë. Më thanë se duhet ta gjeja në zyrën e tij e cila ishte aty afër, pas dyqanit ushqimor. Deraishte e hapur dhe unë hyra pa trokitur. Sekretari ishte një burrë rreth të dyzetave, shtatshkurtër dhe me flokë që i rrinin përpjetë si gjëmba iriqi. Ai ishte njoftuar për mbërritjen time sepse më përshëndeti duke më përmendur emrin.

– Ti qënke shumë i ri, – më tha, pasi heshti pak, vazhdoi – pse me ty do ta bëjmë betejën? Sa vjet ke që punon në gazetë?

– Shtatë muaj, – iu pëgjigja me ndrojtje.

– Dhe merresh me Pavarësinë? Nuk ka më të vjetër se ty redaksia?

– Është edhe një agronom, por ai merret me sektorin bujqësor.

– Nejse, ti erdhe, ti do t’i hash grushtat, këtë fat pate, – tha ai shumë serioz duke përplasur buzët fort. Kjo nuk më pëlqeu aspak, por nuk kisha nga t’ia mbaja. Ende nuk po kuptoja se çfarë e lidhte Firmëtarin e Pavarësisë me këtë fshat të humbur në krye të luginës, kufi me Greqinë.

Sekretari më tha se duhet të prisnim gjer sa të vinin anëtarët e byrosë së partisë, pastaj duhet të fillonim mbledhjen. Duhet të merrej një vendim kolegjial ndaj meje. “Ndërkohë, tha ai, po përfundoj një relacion. Lexo ndonjë nga këto gazetat që janë mbi tavolinë, megjithëse janë të vjetra”. Pa pritur të marrë miratimin tim, ai uli kokën mbi fletore dhe atëherë unë vura re se pas tij, në mur, ishte e “balsamosur” një kasafortë hekuri e mbyllur me një dry të madh. Muret ishin të pistë dhe nuk merrej vesh kur ishin lyer. Dritaret ishin pa perde dhe në njerën prej tyre zgjatej tubi i një sobe me dru që ishte vendosur në mes të zyrës. Tavani vende-vende ishte i rrjepur; suvaja kishte rënë nga lagështia. Dyshemeja ishte shtruar pa kujdes me çimento, si dorë ustai amator më ngjau. Kishte kaluar rreth gjysmë ore dhe pas derës së jashtme dëgjoheshin disa zëra, disa pëshpërima, por sekretari ende nuk kishte mbaruar së shkruari relacionin. Më në fund ai shtriu lapsin mbi tavolinë, ngriti kryet dhe më pyeti se si e kisha shkrimin. Deri diku të mirë, iu përgjigja. “Mirë, tha ai, kopjoje bukur këtë relacionin se nesër do ta nisim në Komitetin e Partisë. Po ke ndonjë fjalë që nuk kupton, më pyet mua”. Ishte një shkrim tmerrësisht i keq. Prit, i thashë, do ta bëjmë ndryshe, ti fol dhe unë po shkruaj. Ashtu vepruam. Disa fjali të tij unë i redaktova gjatë shkrimit, hoqa disa përsëritjet dhe në fund i propozova t’ia lexoj tekstin. Më dëgjoi me vëmendje duke mbështetur mjekrën në pëllëmbën e dorës. Kur mbarova tha: “Uauu, çfarë bën shkolla, si e rregullove ashtu duke ma marrë frazën nga goja. Nuk e ke kot atë vend pune”. Vura re se tiparet e fytyrës iu zbutën dhe flokët sikur iu shtruan. Edhe vështrimin sikur e ëmbëlsoi, u bë më njerëzor. E firmosi relacionin plot kënaqësi. Pastaj në mënyrë miqësore, me zë të ulët, më tha të mos mërzitesha kur ai do të më kritikonte “fort” në mbledhje. Nuk e kuptova ku do dilte me ato fjalë. Hynë katër vetë njëri pas tjetrit. Midis tyre ishte edhe një grua. Duhet ta shihje me vëmendje e ta merrje vesh se ajo ishte një femër. Ishte veshur me pantallona e çizme, një lloj si burrat, veç flokët i kishte pak më të gjatë, por të yndyrshëm. Ata zunë vend rreth sekretarit dhe nuk thanë asnjë fjalë. Njëri prej tyre u caktua për të mbajtur proces-verbalin.

-Dëgjoni, shokë, – tha sekretari – me porosi të Komitetit Qendror të Partisë ka ardhur këtu përpara nesh gazetari i cili mban përgjegjësi të plotë për botimin e shkrimit “Një nga firmëtarët e Pavarësisë”, ish agait të fshatit tonë, beut, këtij krimineli, këtij gjakpirësi që ka shtypur e shfrytëzuar bujqit e krahinës. Siç e dini, gazeta në fjalë i ka rezervuar një faqe speciale së bashku me fotografinë e agait. Me vite të tëra e kemi pasur në kurriz atë kriminel. Prindërit tanë kanë hequr prej tij të zitë e ullirit. Lavdi zotit që nuk janë gjallë se po të kishin parë të botuar këtë shkrim do t’ia hiqnin vetes.

Nuk po u besoja veshëve. Ky fshat paska qenë pronë e Firmëtarit? Po si nuk e paska ditur këtë kryeredaktori!? Si nuk ma tha drejtori i muzeut!? U ndjeva vërtetë ligsht. Unë paskisha lejuar të botohej në gazetë një ish çifligar i tmerrshëm!? Një gjakpirës, një kuçedër. Mbledhja vazhdonte. Çdo fjalë e tyre ishte një shuplakë në fytyrën time. Anëtarët e byrosë e mbështetën të gjithë sekretarin. Ata treguan abuzime të tjera të agait, dëgjuar nga prindërit e tyre. Unë mbaja vetëm shënime dhe dora herë pas here më dridhej mbi bllok. Për një moment ndërhyri sekretari:

– Thërrisni xha Sotirin të hyjë në zyrë, – dha urdhër ai. Dera u hap dhe brenda hyri një plak rreth të shtatëdhjetave duke u mbajtur pas një bastuni. Ai çalonte nga këmba e djathtë. Përshëndeti dhe deshi të ulej, por sekretari i tha të rrinte më këmbë sepse do t’i bëheshin disa pyetje.

– Sa vite ke me atë këmbë që çalon, xha Sotir?

– Ohuu, kam 37 vjet që kur më qëlloi agai.

– Po ku, si, pse? – pyeti sekretari.

– Më qëlloi me çifte, me saçme, më pandehu derr.

– Mirë, kaq, ulu xha Sotir, po të kemi pyetje të tjera do t’i bëjmë, – tha sekretari.

– Kam unë një pyetje, – tha gruaja e cila qënkej edhe brigadiere – mos kishe hedhur ndonjë rrobë të zezë në kokë që agai të mori për derr, xha Sotir?

– Po, isha duke ndjekur dhitë dhe kisha hedhur një kaçule të zezë në kokë, – u përgjigj ai.

– Ke ndonjë pyetje, gazetar? – m’u drejtua mua sekretari.

– Jo, nuk kam, por nuk kuptoj si iu ngjit kupa e gjurit, këtu u tha se i kishte thyer kockën, si nuk iu infektua, si është e mundur, qyteti prej këtej është larg!? – pyeta unë sinqerisht.

– Ishte i mirë agai, – tha papritur xha Sotiri – më çoi me makinën e tij urgjent në Janinë. Më qëndroi tek koka. Pagoi të tëra shpenzimet e pastaj, kur u shërova, më mbajti roje tek kulla e tij.

– Nxirreni jashtë, ky edhe me gjurin e thyer dhe me përgjigjet e tij po na zbut luftën e klasave, madje po na ngatërron. Ne e thirrëm për tjetër gjë këtu. Dhe ti gazetar nesër do të japësh llogari para gjithë organizatës bazë të Partisë, mos e harro këtë. Mos më bën mua të paditurin, ti e dije që Firmëtari e ka ndihmuar për ta mjekuar?

– Dale, shoku sekretar, – tha brigadierja, çfarë faj ka këtu gazetari, pyetja e tij ishte normale, ti vetë i dhe leje të fliste.

– Po ti, moj shoqe nuk di që ai aga ka aplikuar këtu ligjin mesjetar “e drejta e natës së parë!?” – bërtiti ai duke i rënë me grusht tavolinës. Dhe mbylli mbledhjen pa pritur e pa kujtuar. Mua nuk më dha mundësi të them autokritikën.

– Do të vazhdojmë nesër mbasdite, – bëri njoftimin.

Kur dolëm jashtë zyrës ngado kishte rënë errësira, ca drita të zbehta ishin përhapur rreth e rreth kodrinës. Pas çdo drite fshihej një shtëpi banimi. Ky fshat kishte një vit që ishte elektrifikuar i gjithi. Në qiell, si fshesa gjigande lëviznin ca re të bardha të cilat duke vrapuar zbulonin apo fshihnin yjet në qiellin e errët blu dhe hënën e plotë. Drita e saj në tokë na ndihmonte për të gjetur rrugën. Sekretari, sikur të mos kishte ndodhur gjë, më futi krahun, u tha natën e mirë byroistëve dhe eci me kujdes midis dy gardhe kopshtesh. Diku do të bujtnim për darkë dhe për të fjetur. Më pyeti në se isha beqar apo i martuar, nga isha dhe në se më pëlqente ky zanat. Ishte i përzemërt dhe njerëzor, krejt ndryshe nga ai sekretari i mbledhjes. Me siguri, mendova, po më çon nga shtëpia e tij. Nuk qenka njeri i keq. Ndalëm përpara një shtëpie dykatshe. U hap lesa e hekurt dhe dikush nga errësira thirri: “Mirëseardhët!”. Ky zë, mendova, është i njohur për mua dhe nuk mund ta ngatërroj me asnjë tjetër. Ishte zëri i mësuesit tim të dashur në shkollën e mesme, Vasilit. Unë e dija se ai banonte në qytet, po pse po ndodhej këtu!? Sikur mbiu nga dheu. Në fund të fundit ky është fat, mendova dhe zemra po më shkonte në vend. Thuajse u qetësova. Mësuesi im nuk mund të më linte në baltë.

Mësuesi i matematikës, Vasili, ishte një komunist i vjetër, por unë pikërisht tani e mësova se ai paska pasur prindërit nga ky fshat. Kishte shumë për zemër filozofët e lashtësisë, sidomos Epikurin dhe Aristofanin. Prindërit i kishin vdekur dhe mësues Vasili kishte dalë në pension. Kishte riparuar shtëpinë e vjetër dhe në shumicën e vitit banonte këtu. Rrjedhimisht jetën e partisë e bënte me këta kooperativistë. Ai kishte mbaruar shkollën “Zosimea” në Janinë. I gjithë brezi im e kemi të shenjtë këtë shkollë sepse aty ishin arsimuar disa nga Rilindasit e mëdhenj, sidomos vëllezërit Frashëri. Matematika ka qenë nga lëndët e mia të dashura e të preferuara. Mësues Vasili kur më çonte në dërrasë të zezë, për mua kishte një kërkesë specifike: duhej të gjeja rrugën, mënyrën e dytë për ta zgjidhur problemin apo ekuacionin. Në shumicën e rasteve e gjeja, por qëlloja që edhe jo dhe ai triumfues më ofronte zgjidhjen e tij. Atëherë unë isha “i munduri”. Këtë “lojë” ai nuk e bënte me asnjë nxënës tjetër. Pra, ishim miq. Edhe këtë radhë duhet të ma tregonte ai rrugëzgjidhjen sepse unë kisha ngecur keq në lëmshin e kokolepsur të kësaj ngatërrese. Ah, autokritika!

U shtrua darka. Gatimet i kishte përgatitur bashkëshortja e mësuesit, por servirjen e bëri e bija. Unë as nuk pyeta se çfarë shkolle vazhdonte vajza, madje as pyeta edhe për emrin e saj. Nga veshja dukej që ishte një qytetare e mirëfilltë. Ngritëm dolli dhe midis të tjerëve sekretari mori një shëndet për vajzën e mësues Vasilit duke thënë se ishte një maturante e shkëlqyer që do t’ia kalonte edhe të atit.

– Lëre, – thashë unë – nuk ka më “Zosimea”. Vajza rrudhi vetullat e zeza.

– Po qe se do të botosh në gazetë, – i tha Vasili së bijës – ja ku e kemi mikun, apo jo gazetar?

– Në shpëtofsha nga ky sekretari, – i thashë unë seriozisht. Vasili qeshi me të madhe, edhe vajza dhe sekretari qeshi. Unë jo.

– Po ky është nipi im, djali i vëllait, unë e kam mësuar edhe këtë, por në matematikë ka qenë xhorre, jo si ti.

Nuk mbaj mend se çfarë u diskutua e u tha më tej sepse unë e ndërpreva pijen. Më duhej të përgatitesha për autokritikën e nesërme. Kishin dalë fakte të reja që unë nuk i dija më parë. Mora leje. Më përcollën në dhomën e gjumit në katin e dytë, por nuk u shtriva menjëherë. Shkrova këto radhë dhe ndjeva se u shkarkova emocionalisht. Ditari është miku im më i mirë tek i cili zbraz çdo sekret.

E premte, 14 tetor…

Hapa dritaren dhe prej andej kundrova gjithë panoramën që shtrihej përpara. Një lumë i kaltër gjarpëronte përmes luginës. Nga zalli i bardhë që kishte hedhur anash kuptohej që gjatë dimrit kishte shumë prurje. Ishin përfunduar mbjelljet e vjeshtës dhe gruri i ri, i sapombirë nën brazda,kishte kuturisur duke dalë në sipërfaqe. Ishin miliona gjilpëra jeshile që shpërthenin çdo ditë mbi tokën e murme e të lagët nga shirat e vjeshtës. Rrushi ishte mbledhur e hedhur në fuçi të mëdha nga ku përhapej era e mushtit që mbushte rrugicat e fshatit S. Fëmijët e shkollës, gati të gjithë, i kishin mollëzat e gishtërinjve të ngjyer nga lëvozhgat e arrëve që u dilnin përpara të flakura nga era nëpër rrugë apo rrëzë gjerdheve. Ata nuk i rezistonin dot tundimit për t’i mbledhur kokrrat e arrëve duke i xhveshur nga lëvozhgat. Pastaj bënin gara kush kishte mbledhur më shumë.

Zbrita shkallët e drunjta që kërcisnin nën këmbët e mia dhe u gjenda në tavolinën e kuzhinës ku më priste vetëm i zoti i shtëpisë me mëngjesin përpara, ish mësuesi im. Ndjehej aroma e qumështit të freskët, i sapozier. Mësues Vasili doli drejt e në temë:

– Ka diçka anormale në këtë ardhjen tënde këtu, mor bir. Ti nuk ke asnjë përgjegjësi, po përse është shënuar nga lart në letër “redaktori të japë llogari…?”. Mos ke ndonjë problem biografik dhe me këtë rast duan të të sakrifikojnë?

– Po, kam një kushëri të parë të babait të arratisur në Greqi qysh më 1945.

– Duhet të bësh kujdes, bir, unë do të bëj çmos që ty të mos të të hyjë gjemb në këmbë nga kjo histori. Të paktën për kaq sa kemi në dorë ne këtu. Dhe e kam bindje se nuk ke asnjë faj, madje nuk duhet të vije fare në fshat për këtë sebep. Me sa duket ishte e thënë të takoheshim përsëri së bashku pas kaq vjetësh. E ndjej se ka një hile. Por duhet të flasësh sot në byro ku do të jem edhe unë, me kujdes. Mos merr përsipër më shumë nga çfarë të takon. Nuk ka rëndësi se çfarë flitet aty, por çfarë do të shkruhet në letrën që do të dërgojmë lart. Duhet të bësh autokritikë.

Autokritikë, autokritikë… po më çmend kjo fjalë. Me të jetoj gjithë ditën, me të po fle, me të përcillet çdo bisedë. Mezi pres të fillojë mbledhja e organizatës bazë të partisë. Minutat po më duken orë dhe orët ditë. Mësues Vasili më këshilloi të mos vë asnjë pikë alkooli në gojë. Ai hyri në mbledhjen e byrosë ku mua nuk më kanë ftuar. Aty do të vendoset se si unë do të jap llogari. Mezi i duroj tundimit për të pirë një gotë verë apo një dopio raki të sapodalë nga llullaja e kazanit. U vu përpara dreka në klubin e fshatit, por mua nuk më hahet, mezi i kapërdij kafshatat. Kam pirë shumë ujë. Sekretari më njoftoi se nuk do ta bëj autokritikën në organizatën bazë të partisë, por në byronë e saj. Kjo ishte gjysma e së keqes. Më në fund hyra në zyrën e sekretarit. Era e tymit të duhanit më djeg sytë e më shpon mushkëritë, sidomos mua që nuk e kam pirë kurrëduhanin. Ulem në karriken e fundit. I shikoj me radhë anëtarët e byrosë së partisë. Më duken si një trup gjykues. Brigadierja ngjan krejt tjetër, është larë e ndërruar, flokët i ndritin dhe i ka krehur baluke. Ia nis sekretari i Partisë, nipi i mësues Vasilit:

-Shokë dhe shoqe, byroja vendosi që autokritika e gazetarit të mbahet këtu, në mbledhjen tonë. Nuk bëjmë mbledhje të hapur partie sepse problemi është delikat, prishen familje, përgojohen. Po e shpjegoj më qartë. Gazetari duhet të dijë se Firmëtari i Pavarësisë ka bërë një krim që nuk tregohet. Po martohej një bashkëfshatri ynë. Ju e dini kush është se disa nga ju këtu e keni kushëri. Agai dëgjoi muzikë dasme dhe pyeti kush martohej. I thanë Vangjeli. Iu kujtua problemi i pazgjidhur i borxhit që kishte prej dy vjetësh me të. Dërgoi qehajain për ta thërritur. Dasma kishte mbaruar dhe ishte nata e parë kur dhëndëri do të flinte me nusen e re. Agai, po i thërres ashtu si quhej atëherë, dërgon qehajain ta shoqërojë Vangjelin për t’u paraqitur në kullë së bashku me nusen e re. Dhëndërr i ri nuk e hap derën. Qehajai i bie kanatës me kondak të pushkës, por Vangjeli refuzon ta hapë. Maskarai, si i djallëzuar që ishte, hipën nga çatia, heq një vatër tjegullash dhe hap vrimën sa të zbresë poshtë në dhomë. Me armë në dorë kërcen në dhomën e dhëndërisë. I vë grykën e pushkës në kokë Vangjel ziut dhe i thotë eja se të kërkon agai në kullë. Vangjeli përsëri refuzon. Ai e merr me dhunë, me pahir, me grykën e pushkës në kokë. I thotë se natën e parë ka të drejtë agai të shkojë me nusen e tij. Vangjeli gati sa nuk çmendet. Ulëret e çirret. “Jo, i thotë duke qarë, sa të jem unë gjallë nuk e lejoj, vetëm po më vrave mua, po kalove mbi trupin tim!”. Agai urdhëron qehajain ta xhveshë dhe ta lidhë Vangjelin në hekurat e parmakut të katit të dytë të kullës. I thotë ose nusja jote atje ku ka vendin, ose ti sonte do ta hash nga mbrapa. Kjo është poshtërsia e tij, për këtë jemi të revoltuar ne sot si Parti. A duhet të dilte ky njeri në gazetë? Tani le të na flasë gazetari.

Asnjë nuk pipëtinte. U habita nga çfarë dëgjova. E ndjeva se vërtetë paskisha bërë faj që e botova këtë shkrim. Ishte një mësim i madh për mua. Kjo ngjarje më ra si bombë, më shokoi. Nuk kisha dëgjuar ndonjë rast tjetër ku në Shqipëri të aplikohej “e drejta e natës së parë” ose siç thuhet latinisht “jus primae noctis”. Ishte e drejta e fisnikëve lokalë të shfrytëzonin nuset e fshatarëve në natën e tyre të parë të dasmës. Këtë e dija nga historia. Ky ishte një zakon mesjetar, një zakon barbar. Ia nisa kështu autokritikës sime:

– Është për mua një mësim i vyer ky rast që të mos botoj tjetër herë shkrime të paverifikuara, apo në mirëbesim, për cilindoqoftë. Ju më dhatë një mësim të madh që do të më vlejë në tërë jetën time se si duhet t’i trajtoj shkrimet përpara se sa t’i botoj, – këtu pushova pak; një lëmsh i madh m’u ngjit deri në fyt dhe më pengonte të vazhdoja. Nga sikleti më nxori një tjetër anëtar i byrosë, më i moshuari, i cili mori fjalën pa lejë:

– Shokë, ne kemi përpara një djalosh të ri, pa eksperiencë pune, por ka dy të tjerë, me shumë përvojë që e kanë lënë të kalojë shkrimi, drejtori i muzeut që e ka përpiluar dhe kryeredaktori i gazetës që e ka firmosur. A del gazeta pa firmën e kryeredaktorit? Jo. Lenini ka thënë se kryeredaktori është diktator. Aty është përgjegjësia, – tha ai dhe u ul duke përplasur karriken në dysheme. Pastaj u ngrit mësues Vasili.

– Dëgjoni vëllezër, – e nisi ai me një zë të qetë e të sigurtë – unë jam këtu komunisti më i vjetër dhe disa nga ju i kam pasur nxënës përpara se sa të transferohesha në shkollën e mesme në qytet. Unë jam edhe partizani i parë i këtij fshati. Po, apo jo?

– Pooo, – thanë të gjithë në një zë.

– Ju treguat këtu çfarë keni dëgjuar nga goja në gojë, ama asnjë prej jush nuk ka qenë në ngjarje. Ju e dini që unë bëj jetë edhe fshati, edhe qyteti. Më pëlqen të banoj më shumë këtu, por nuk rastisa kur ju keni vendosur e shkruar letër në Komitetin Qendror të Partisë, prandaj tani kam të drejtë të flas më shumë se ju. Sot nuk kemi të gjallë as aga, as Vangjelin dhe as nusen e tij, por kemi gjashtë fëmijë të tyre. Keni dëgjuar ju ta tregojë këtë ngjarje ndonjë nga fëmijët e Vangjelit? Jo. Po pse unë e di mirë ngjarjen dhe jo ju? Sepse ishte celula jonë e partisë, atëherë në ilegalitet, që e sajoi këtë incident. Ne donim që fshati të ishte i gjithi në anën tonë, në anën e Partisë. Ne ishim kundër borgjezëve dhe çifligarëve; për këtë kishim rrëmbyer armët dhe kishim vënë kokën në rrezik. Duhet t’i merrnim tokat agait dhe t’i bënim tonat. Dhe shpikëm këtë histori. Cila është e vërteta? E sajuam ne, aty në mal. Vangjeli i kishte agait dy vjet pa i paguar të tretat, pra nuk i kishte dhënë hakun e tij në natyrë, në mall. Vangjeli bëri dasëm të madhe dhe agai pyeti kush po martohej? Qehajai, një burrë shpirtzi nga fshatrat e Tepelenës, i tregoi se ishte Vangjeli. “Lere të mbarojë dasma dhe ma sill këtu!”, i tha agai. Ca duan të thonë se vetë Vangjeli i propozoi agait ta mbante nusen e tij për një natë dhe të mbyllej puna e borxhit, por as kjo nuk është e vërtetë se pas një viti ai e pagoi borxhin. Ka shumë variante kjo histori. Tani kush duhet të bëjë autokritikë, gazetari apo celula e Partisë, unë dhe dy shokët e mi që janë në Tiranë me poste të rëndësishme, apo ju si organizatë që keni shqetësuar udhëheqjen e Partisë? Asnjeri. Është koha ajo që të detyron të bësh manovra, dredhira, madje edhe shpifje.  Kështu kanë bërë edhe iluministët për të rrëzuar monarkinë, shpiknin, sajonin për çifligarët për të bërë masën me vete. Kjo quhet propagandë.

Gjithë kjo histori më ra si bombë, më shokoi. U hutova, e humba fare toruan. Nuk kisha dëgjuar ndonjë rast tjetër ku në Shqipëri të aplikohej e drejta e natës së parë. Ish mësuesi im vazhdoi:

-Gjithçka bëhet për të arritur një qëllimin të madh. Dhe ne ia kemi arritur. Kemi krijuar ekonominë socialiste, ekonominë tonë të përbashkët. Again sot nuk e mbron dot askush, madje as edhe bijtë e tij. Atë e kemi mundur, prandaj ai nuk duhet të dilte në gazetë, pavarësisht se ishte firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë, por fajtor për këtë nuk është ky djalosh që dridhet si purteka përpara jush. Eshtë ai që e shkroi, autoridhe kryeredaktori që i vuri vulën. Ata duhet të ishin sot këtu dhe të jepnin llogari një më një.

Fjalimi i mësuesit veteran u prit me duartrokitje dhe ovacione. Gjë që tregonte se të gjithë ishin dakord me mendimet e tij. U gëzova, por nuk e dhashë veten. Mesuesi po më lehtësonte mua. E shikova atë me admirim, si shpëtimtar, ashtu si dikur kur zgjidhnim problemet me dy rrugë të ndryshme. Nuk pati më diskutime. Të nesërmen do të nisej një letër tjetër në Komitetin Qendror të Partisë. Atë do ta formulonte ish mësuesi im. Kështu u vendos unanimisht. Ndjeheshim të gjithë të lehtësuar, sidomos unë. Kisha shpëtuar me një gjysmë autokritikë. Dolëm jashtë zyrës ku ende kishte tym duhani e tension. Ajri i pastër i fshatit na hynte drejt e në mushkëri. E ndjenim veten të lehtësuar e të gjallëruar. Ishim të gëzuar që ky problem aq delikat u mbyll me një zgjidhje kaq origjinale si për mua edhe për organizatën e partisë së fshatit S. Dhe kjo për meritë të mësues Vasilit.

Gjithë sa ishim aty, u mbodhëm për darkë tek sekretari i organizatës bazë të Partisë. Ishim të ftuar prej tij. As letrën, as mbledhjet, as autokritikën time nuk i zumë në gojë. Qëndruam deri vonë me humor, këngë e dolli dhe unë nuk pata mundësi ta shkruaj në ditar në kohën e dukur ngjarjen, por një ditë më vonë. Më ishin rënduar kryet nga pija.  Afër mëngjesit u ngjita në dhomën ku kisha fjetur një natë më parë. Tek koka e krevatit, mbi komodinë ishte një tufë me lule të egra fshati. Nuk guxova t’i prek.

Të nesërmen u ktheva në qytet me një makinë “ZIS” që mbartte lëndë druri nga pylli sipër fshatit. I transportonte drejt ndërmarrjes komunale në qytet. Harrova t’ju them se duke u ndarë, mësues Vasili më porositi të ndihmoja të bijën për të botuar në gazetë artikujt e saj. “I jepet për të shkruar shejtanit”, tha ai me përkëdheli e duke qeshur.

Si nuk e kisha parë një natë më parë që ajo ishte aq simpatike? Sy të zez e të mëdhenj, flokët dredha-dredha lidhur në një gërshetë që i zbriste gjer në mes të shpatullave. Kishte veshur një bluzë të bardhë akull të re, fund jeshil dhe këpucë me taka. Dukej sikur ishte gati për të shkuar në një mbrëmje vallëzimi. Ishte në vit të katërt të shkollës së mesme të muzikës, sigurisht në qytet. I buzëqesha. Ma ktheu me të njëjtën mënyrë. Me siguri që do të takoheshm përsëri. Babait të saj unë i kisha një borxh të madh. Dyshoja se atë historinë me celulë partie e luftë klasash ai e ndërtoi qëllimisht për të më shpëtuar nga kthetrat e “autokritikës”. Por kurrë nuk e mësova të vërtetën e saj, as atë në se Firmëtari i Pavarësisë kishte aplikuar në fshatin S. “jus primae noctis”.

 

Fund

 

Toronto, 20 dhjetor 2018.

 

 

Please follow and like us: