Albspirit

Media/News/Publishing

Kthimi i studentit Lasgush Poradeci në vendlindje

Ilirian Agolli

Në 13 prill studenti i sëmurë Lasgush Poradeci u kthye1 në vendlindje, shkroi Shqipëri e Re. Mjekët e këshilluan të shkonte në Shqipëri për t’u përmirësuar nga shëndeti dhe për të kaluar disa ditë të lumtura me nënën dhe me të afërmit e vet, që nuk i shihte prej disa vjetëve. Një shoqërues rasti solli detaje të udhëtimit. Studenti poet erdhi në Durrës2 mbrëmjen e të shtunës më 13 prill pa e marrë vesh kush, shkroi Gazeta e Re. Të nesërmen në orën 10 zuri vend në veturë. Djaloshi shtatmesëm, i veshur thjesht, me fytyrën simpatike por të zbehtë kërkoi të ulej larg shoferit në vendet e pasme. “Kam qenë i sëmurë dhe akoma nuk e kam marrë veten. Shoh një përmirësim në shëndetin tim dhe kam shpresë të bëhem më mirë, kam 6 ditë që udhëtoj. Jam nga Poradeci, student në Austri, në fakultetin e Letrave.

 

Isha i sëmurë në një sanatorium në Gratz, dhe pasi doktorët më këshilluan se vetëm me ndryshimin e klimës mund të shpëtoja, vendosa të kthehem në atdhen e dashur” – i foli Lasgushi bashkudhëtarit. Ai tha se në pak kilometrat e para kishte ndjerë një lodhje të madhe, por udha e keqe mes Durrësit dhe Elbasanit u zhduk dhe poeti e ndjeu veten më mirë, ndaj tregoi disa histori për Malin e Vashës dhe për vende të tjera, që shquhen për legjenda të moçme. Makina mbërriti në Elbasan në një pasdreke, ku për gjysmë ore të gjithë drekuan dhe u shplodhën për 30 minuta në restorantin Adriatik. Poeti tha se po kthehej pas 8 vjetësh në atdhe dhe se vendi kishte ndryshuar shumë qysh nga 1921, kur ish larguar. Makina iu afrua Pogradecit në orën 7 dhe ai tha i mallëngjyer se “ky ishte liqeni më i bukur i botës” dhe se ishte i lumtur që mbërriti gjallë në qytetin e tij të zbukuruar. Automjeti bëri edhe një orë tjetër rrugë deri në Korçë, ku vazhdonin prenotimet3 për vëllimin poetik të Lasgushit. Petraq Katro dha 30 fr.ari sa për 12 kopje libri, Rev. Phineas Kennedy 20 fr.ari, Llambi George, Pandi Nini, ing. J.Adam, Manol Vaçi, Dhimitër Falo, Evelyen Scibolt, Nikolla Mitace, Andon Frashëri dhe zonja, një anonim 5 fr.ari, Gjini Katundi 4, Fareniqi Harallambi, Sotir Kozma, O.Melo 3 fr.ari, Eleni Konda, Elpiniqi S. Kozma, Sali Çaushi, Tile Çarkaradija, Efigjeni Rahall, Andoneta Sarajdari, Athina Dhemi Shqoti, Dhimitra Pano, Th. Trebicka, Pandeli Bogadini, Muharrem Rexhepi, Muharrem Gega, Shaban Ademi, Rini Halle, Fetah Nevruzi dhuruan 2.50, Qani Panariti, Vani T. Botka, Hella Logory, Aleksanda Filçe, Evridhiqi Gllava dhanë nga 2 fr.ari. Po ashtu, Rev. Tackër, Zonja Plumbi, Zonja Gjakoreci, Zonjusha Qamo dhanë nga 7 korona, Nikolla Çeno dhuroi 3 korona, nxënëset Kaliopi Qirjako dhe Marianthi Apari dhanë nga 1 koronë / gjithsej 33 korona dhe 152.50 fr.ari.

Kaq shumë dhurime ndihmash u mbështetën edhe nga shkrime prej studiuesve mbi vlerat e poezive të studentit. “Lasgush Poradeci na hap portën e një jete të re4 në poezinë shqiptare, në lëmin e këngës shqiptare, një stil të ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetë të tjerë shqiptarë, por më kot edhe ndër shkrimtarët e huaj, nga shkaku i origjinalitetit, që e shquan këtë poet djalosh” – shkroi te Gazeta e Re gjuhëtari Eqrem Çabej, edhe vetë një studiues i ri. Ai theksoi se stili modern i Lasgushit ndryshon nga stili i Naimit dhe i Fishtës aq sa ndryshon një pjesë bethoveniane nga një mozartiane. Në një faqe gazete të tërë Çabej e krahasoi Lasgushin me poetë të famshëm botërorë, me shpresën se po lehtësonte kuptimin e poezive të djaloshit, “të cilin një fat i mirë ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës”… Gjuhëtari shprehu shqetësimin se Lasgushi nuk krijonte prej kohësh, ndërsa djalëria i kaloi nëpër një sëmundje të rëndë dhe të pamëshirshme, që po e shtypte tragjikisht. “A është sëmundja shkaku i vuajtjeve të tij, apo vuajtjet e tij u bënë shkaqet e sëmundjes; këto janë probleme tepër të koklavitura. Por letërsia shqiptare do të fitonte shumë, ose do të humbiste shumë me Lasgush Poradecin. Ne duam të parën. Po Fati e ka në dorë” – shkroi Eqrem Çabej nga Grazi në shkurt 1929.

Nga Roma, Kudret Kokoshi i kushtoi Lasgushit një poezi të gjatë5 plot figura letrare, epitete dhe lavdërime, po te Gazeta e Re. Nga Amerika poetit iu kushtua një tjetër shkrim6 në gazetën Albania. Një studiues me pseudonimin Tom Fakiri theksoi se sëmundja e Lasgush Poradecit lidhet me të ardhmen e shqiptarëve të penës, puna e të cilëve është mjaft e rëndë. “Në Shqipëri njeriu i letrave nuk shpërblehet për punën e merituar që bën, por duhet të prishë edhe nga xhepi, që të nxjerrë shkrimet e tij në shesh. Duhet të ketë siguruar rojtjen e tij me një mënyrë tjetër duke punuar dhe nëse i mbetet kohë, mund të marrë penën për gjëra më të larta” – shkroi autori. Disa prej tyre i zuri thesi, siç thonë në Korçë për ata që nuk e kanë bukën e përditshme, aq sa u zhduket nga shpirti çdo shkëndijë për vepra të bukura. Sipas tij, në Greqi dhe shtete të tjera të Ballkanit ata që shkruajnë janë avokatë, nëpunës të qeverisë, ose mësues që kanë siguruar më parë mjetet e jetesës. Në Shqipëri, edhe sikur t’i ketë këto mjete nga një punë tjetër, autori duhet të bëjë sakrifica, që të nxjerrë një vepër. “Nëpër kombet e huaja shumica e njerëzve të letrave dalin nga klasi i parë i shoqërisë, duke lëvruar artet dhe letrat. Parësia në Shqipëri bën të kundërtën. Po të trashëgojë pasuri, bëhet përtace dhe qelbet nëpër kafene dhe nëpër vende të errëta. I mungojnë edhe traditat, që t’i rrëfejë njerëzve rrugën që duhet të ndjekin” – vërejti autori. Ai shtoi se nga pakësimi i analfabetizmit dhe përmirësimi i ekonomisë do të shkruajnë ata që nuk kanë mjete jetese. “Parësia sot për sot mund të bëjë diçka për të përparuar letërsinë shqipe, por mjerisht i mungon shpirti dhe ata që kanë frymë të vërtetë, që ta ngrejnë popullin nëpër qarqe më të larta, ku fryne era e qëruar dhe e kthjelltë, lëngojnë edhe vuajnë se janë të vobektë si Lasgush Poradeci” – shkroi Tomi nga New York-u.

Ministri Abdurahman Dibra dëgjoi ankimet7 e studentëve, që mësonin jashtë vendit dhe u ngriti bursat në shtator 1929, sepse jeta e tyre nëpër qendrat universitare u shtrenjtua, aq sa bursa e vjetër mezi mbulonte gjysmat e harxhimeve të tyre, njoftoi Shqipëri e Re. Sipas vendimit të ministrisë së arsimit, nga 1 tetori studentët morën këto bursa: Në Bullgari – për universitet 140 fr.ari në muaj, në Rumani – për shkolla të mesme 100 fr.ari në muaj, në Stamboll – Robert Kolezh 1200 fr.ari në vit, në Francë – Universiteti Montpelier 190 fr.ari në muaj. Universiteti Paris 210 fr.ari në muaj, Universiteti Trav.Publik 230 fr.ari në muaj, universiteti elektrik 230 fr.ari në muaj, në Angli Universiteti Oxford 450 stërlina në vit, Cambridge 450 stërlina në vit, universitete të tjera 220-240 stërlina në vit, në Itali përgjithësisht 120 fr.ari në muaj, Greqi për Universitete 200 fr.ari në muaj, Austri dhe Gjermani për shkolla të mesme 180 fr.ari në muaj, për universitete filologjikë etj. 250 fr.ari në muaj, për universitetin e mjekësisë etj., 250 fr.ari në muaj, për universitete teknikë etj. 230 fr.ari në muaj. Nga ana tjetër, ministria ndërpreu si çdo vit një mori bursash të studentëve jashtë shtetit, sepse kishin mbetur në provime. Midis tyre ishte edhe Lasgushi, student në Graz të Austrisë, i cili nuk shkoi në provime, sepse po kurohej në sanatorium.

 

Edhe pas një viti shëndeti dhe ekonomia e tij nuk u përmirësuan aspak. Më 22 shtator 1929 Lasgushi i shkroi8 nga Pogradeci mikut të tij Dhimitër Pasko në Konstancë, i cili i propozoi “t’i mbledhë poezitë e përhapura andej-këtej në një volum”, se ai nuk kishte të hante për sot a nesër. “Ministria, duke sjellë si arsye pikërisht sëmundjen time ma preu bursën në fillim gusht. …Gjendja ime materiale është një mjerim i keq. Gazetat, me në krye Shqipërinë e Re, trumbetuan famën time të zezë, thanë se i gjithë populli u vu në këmbë rreth emrit t’im dhe folën, dërdëllitnë se ndihmat “rrjedhin nga çdo anë pa kursim”, – po këto qenë dhe mbetnë vetëm fjalë… fjalë… fjalë… fjalë të kota të fjalosura prej saltimbankëve të modës, prej shfrytëzuesve oportunistë të frymës së kohës ku hiqemi zvarrë… Shqipëri e Re më dërgoi vetëm 4.50 napolona (nuk i bënte dot 5), shoqëria muzikale Lyra e Korçës vetëm 80 fr.ar. …” – shënoi poeti.

Letra e Lasgushit për Zoin dhe dr. Sherkon
Lasgushi i shkroi Zoit9 dhe Mihal Sherkos një letër të gjatë, duke ua qarë hallin e vet; se ishte i sëmurë gati në vdekje, se ishte më shumë në krevat se sa në këmbë, prandaj nuk ishte në rregull me mësime. Ata e botuan letrën10 pjesërisht te Gazeta e Re me shënimin se ministria e arsimit kreu një gabim fatal, duke i prerë bursën Lasgushit në mes të lëngatës së rëndë. “Ministria e arsimit nëse dëshiron të bëjë kursime, mos të qëllojë të mjerin Lasgush, i cili ndonëse i sëmurë, me vjershat dhe shkrimet e tij i ka bërë vendit shërbime të vyera. Le të qëllojë bursistët e pasur dhe të degjeneruar, që nuk e shohin kurrë derën e universitetit” – shkroi gazeta, duke iu lutur ministrit A.Dibra, t’i kthejë bursën Lasgushit. Por çfarë shkroi poeti në rrëfimin e tij?

“U ngjita në mal për të shpëtuar nga e nxehta dhe bëra atje në sëmundje e sipër poezinë “Marshi”. Zbrita prapë në Poradec pas dy muajsh e ca dhe mora vesh lajmin e hidhur se ministria e arsimit, duke sjellë si arsye pikërisht sëmundjen, (dmth. kohën kur njeriu ka nevojë për një përkujdesje më të madhe), më preu bursën në fillim të gushtit. Ky vendim pa vend ma ka thyer zemrën dhe ma ka tronditur më liksht shëndetin, sepse më vjen pikërisht tani në kohë vuajtjeje, kur, si i sëmurë, duhet të kem mjete materiale më të shumta, që të mund t’i bie pas hallit që më ka zënë. Më dhemb, sepse bursa më pritet, kur pas krizës së ndjekur tani, jam përmirësuar dhe po përmirësohem përditë, dhe po prisja që me mjete dhe me qetësi të shpirtit, të vete prapë në Austri, për të vazhduar studimet e këputura. Vendimi i ministrisë, më godet më tepër, duke menduar se unë u sëmura në detyrë e sipër të Atdheut të shtrenjtë, me të cilin, si student bursier, kam nënshkruar një kontratë shërbimi dhe se në rast mjerimi do të kisha përkujdesje…”
“Megjithëse i sëmurë, s’kam dashur të rri pa vepruar: kam dërguar për të shtypur disa krijime origjinale: kam bërë këngën “Dita e Lales” për “Gruan Shqiptare”, mbarova lumturisht “Marshin himn të Djalërisë që përgatitet”, (i ngarkuar nga dega e Pogradecit. Marshi u destinua për Entin Kombëtar. Me këtë vjershë të madhërishme më pat ngarkuar Mbreti Zog I. Titullin e zgjodha vetë); po mundohem të vë në shtyp “Parafjalën”, një tufë poezish organike, që simbolizon triumfin e Dritës së Përjetësisë në lakmimin e një vdekjeje premature… “Parafjalën”, e cila është mbaruar që më 1924, kur shkrojta vjershën e fundit “Rri me shëndet”, e kish filluar ta vë në urdhër shtypi në fillim të këtij muaji në Poradec nga Çervenaka, fshat klimaterik, ku isha ngjitur për t’i rënë pas shëndetit të humbur.

Punoja ngadalë me zell dhe me kthjelltësi qiellore të shpirtit që gëzohet brendërisht, kur ka në perspektivë të afërme punë e mbaruar. Një zyrtar i lartë i ardhur nga Tirana, më ngarkoi t’i bëj një vjershë për kremtimet e 8 tetorit… Punoja me zell, kur më 5 shtator, një shkresë zyrtare e papritur ma nguli thikën në gji: ministria e arsimit më lajmëronte më datë 4 shtator 1929 se ma ka prerë bursën që në fillim të gushtit. Kjo gjë, i dashur doktor, ishte për mua të rinë më tepër se për t’u çmendur. Po e përmbajta veten prapë. Veç më vjen keq se bëra me pahir të pabërën. I thashë vetes: Ata, të mëdhenjtë, më thonë të punoj, porsi një ka i mbrehur, brazdën e thellë në ugarin e shkretuar kombëtar, po… ku është tagjia?! Ku?! Pa zë çbëhet ç’u pat bërë, ç’u godit zë çkatërohet…”
“Gjendja ime materiale është një mjerim i keq. Në Austri, përveç mjekimit privat të shpeshtë dhe të shtrenjtë, u desh të shikohem në shëronjëtoren Sanatorium Pichlschlos, Neumarkt St. dhe “Landes-spital” në Graz për trajtim kurativ, klinik dhe operativ 5 muaj me radhë, duke prishur 4000 fr.ar. Kthimi në atdhe pas urdhërit të ministrisë së arsimit, më kushtoi përmbi 1000 fr.ari gjatë udhëtimit për 10 ditë. Shkresa u dërgua nga Inspektori Paluca. U sëmura dhe në klasën e parë më përcolli një koleg i Austrisë me detyrim pagimi nga ana ime të ngrënies, fjetjes, biletës së udhës së hekurit dhe të vaporit, për itinerarin Graz – Shqipëri dhe kthim. Pasi erdha në qytetin tim lindjak, ku rroj pa asnjë përkujdesjeje materiale prej asnjeriu, mora 400 fr.ar borxh me 50%; këto vetiu u bënë 500 fr.ar, sepse nuk mund t’i laj për një muaj. Në korrik e gusht u shtrëngova të marr 300 fr.ar borxh të tjera (me 30 për qind) dhe vajta në mal së bashku me të vetmen “përkrahje”, që më ka mbetur në këtë mjerim të zi: së bashku me nënën time të adhuruar, e cila ndonëse një plakë 67 vjeçare dhe e munduar nga një sëmundje kronike, po përpiqet me brengë në zemër, tashti në pleqëri të thellë për të shpëtuar jetën e djalit të saj fatzi.
Nga shuma e përgjithshme prej 6000 fr.ar vetëm 3000 u mbuluan me anën e bursës, të ndihmës së kryeministrit dhe të nënshkrimit publik. Të tjerat, afro 3000 të marra borxh në kohë nevoje, rëndojnë mbi vetëdijen time, me barrën, që më imponon besa e dhënë, se do t’i laj sa më shpejt.
Këto janë faktet, kjo është koha e jetës time të mjerë. Pikërisht në këtë kohë, kur po vuaj nga një sëmundje, që kërkon një super-alimentim, kur megjithë shëndetin e tronditur nuk po përtoj së punuari përpara për komb e njerëzi, kur gjendja ime materiale është një mjerim i zi – ministria e gjen për mirë dhe vendos e ma pret bursën, duke ma rrëmbyer kafshoren e bukës nga goja”.
“Shtypi – foli Mbreti – është syri i popullit. Populli (kështu më duket mua të përulurit) ja se ku po bërtet: Syri im le të jetë syri i mbretit tim! I Mbretit tim, që vëren me vërejtje të mprehtë fatin tim. Ndryshe Shqipëria ka humbur kryet: Shqipëria ka vrarë vetveten, duke vrarë Kulturën me vendime pa kuptim… Juaji me besë Lasgush Poradeci”…
Letra ndikoi menjëherë. Ministri i arsimit rivendosi bursën e poetit, duke i shpjeguar11 Gazetës së Re se në listën e studentëve që humbën bursën ishte edhe emri Llazi Gushi, por askush nuk e dinte që ai ishte poeti Lasgush, ndaj bursa e tij iu dërgua në Pogradec si përherë. Një ditë më pas nisën festimet për ditëlindjen e Mbretit Zog, ku zuri vend kryesor12 poezia e Lasgushit “Himni i djalërisë që përgatitet”. Marshi u krijua me porosi13 nga Mbreti Zog prej poetit Lasgush Poradeci. Pesëmbëdhjetë mijë ushtarë dhe paraushtarakë parakaluan me madhështi14 përpara Mbretit. Ministria e arsimit deklaroi15 se bursa e Lasgush Poradecit vazhdoi si më parë dhe këshilli i ministrave i dha Lasgushit 2000 fr.ari si shpërblim për krijimin e poezisë “Himni i Djalërisë që Përgatitet”, e cila mbeti zyrtarisht si e tillë. Ndërsa Dhimitër Pasko i tregoi16 Lasgushit nga Bukureshti më 18 tetor 1929 se kishte takuar Bubanin dhe vendosën të bëjnë një shfaqje teatrale… “I shkrojta gazetës Shqipëri e Re dhe m’u përgjigj se shpejt do të dërgojnë gjësend dhe, përveç kësaj, u bënë ndërhyrje pranë Koço Kottës, kryeministri i Shqipërisë. Shpresoj se së shpejti do të jepet një thërrime satisfaksioni: nga sofra e të nginjurve do të bjenë disa thërrime” – shënoi Kuteli…

… Lasgushi jetoi gati 88 vjeç, deri në 12 nëntor 1987, pranë klimës së mirë të Pogradecit, poezive, përkthimeve të Tiranës dhe heshtjes së thellë, me të cilën e mbështolli diktatura komuniste.

Shënim
17. Nga studentët shqiptarë në Graz. Shqipëri e Re, Konstancë, nr, 369, 12 maj 1929, faqe 2.
2. Nano. A. Pak kohë me poetin Lasgush Poradeci. U kthye nga Austria në Shqipëri. Gazeta e Re, nr. 142, 21 prill, faqe 3.
3. Prenotacionet e Korçës për librin e Lasgush Poradecit. Gazeta e Re, nr. 139, 18 prill 1929, faqe 3.
4. Çabej, Eqrem. Mbi poezinë e Lasgush Poradecit. Gazeta e Re, nr.94, 17/22 shkurt 1929, faqe 3.
5. Kokoshi, Kudret. Lasgush Poradecit. Gazeta e Re, nr.119, 24 mars 1929, faqe 4.
6. Tom Fakiri (Pseudonim). Mendime dhe Gjykime, Lasgush Poradeci. Gazeta Albania, New York, 30 maj 1929, faqe 3.
7. Studentëve të jashtëm u shtohet bursa. Shqipëri e Re, nr. 385, 1 shtator 1929, faqe 2.
8. Poradeci, Lasgush. Korrespondencë, Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli, Vepra IV., Tiranë 2010, faqe 19.
9. Xoxa, Zoi. Kujtimet një gazetari, Tiranë, 2007, faqe 139 – 140.
10. /Poradeci, Lasgush/ Mjerimet e poetit të ri Lasgush Poradeci. Ministria i pret bursën. Letra e Lasgushit drejtuar redaksisë dhe shënim i redaktorit. Gazeta e Re. Nr 280, 4 tetor 1929, faqe 3.
11. Lasgush Poradecit i kthehet bursa. Përgjigja e ministrisë. Letra e Lasgushit. Gazeta e Re, nr.282, 6 tetor 1929, faqe 2.
12. Dita e Lindjes së Mbretit kremtohet me madhëri dhe me entuziazëm, Gazeta e Re, nr.284, 8 tetor 1929, faqe 1.
13. Marshi – Himn i Djalërisë që përgatitet. Shqipëri e Re, nr.390, 6 tetor 1929, faqe 2.
14. Dita e Lindjes së Mbretit kremtohet me madhëri dhe me entuziazëm, Gazeta e Re, nr.285, 9 tetor 1929, faqe 1-2.
15. Për Lasgush Poradecin. Shqipëri e Re, nr. 392, 20 tetor 1929, faqe 2.
16. Poradeci, Lasgush. Korrespondencë, Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli, Vepra IV., Tiranë 2010, faqe 20.

Rezultate imazhesh për poradeci me eqrem cabejn

Cabej me Poradecin

Please follow and like us: