Albspirit

Media/News/Publishing

‘KOMPLEKSI ELEKTRA’ & UJËRAT E ÇMËNDURA NË DETIN JON (1)

SOTIR ATHANASI

               ( Paramnezi *) (PJESA E PARË)

Laerti i befasoi studentët e tij me fotot e nxjerra nga mikroskopi. Tejet të zmadhuara si ca përbindsha, ato mikrobe ta shpifnin me lakminë e tyre të kthyer në babëzi për të gllabëruar gjithçka u dilte përpara, të ndjekura pas nga zinxhiri shfarosës i larvave. Dhe të mendosh se ndodheshin në laptopët e çdo granduandi për master në mikrobiologji, të cilët, gjithsesi, e dinin rrezikun e tyre dhe i pastronin herë pas here me solucione asgjësuese aparatet elektronike.
Mikrobiologu u dha studentëve udhëzimet e çastit si detyrë shtëpie dhe la auditorin.
Në kafen përjashta iu desh të qëndronte disa çaste sa të merrte kazanin e mbeturinave qytetase makina e bashkisë. Atje e priste kolegu i tij, Odiseja. Jo vetëm për t’u zëvendësuar prej tij si konsulent për studentët atë javë që ai do të qëndronte në periferi të Athinës, por edhe për të këmbyer mbi problemin profesional, ndodhur tetëmbëdhjetë vjet më parë. Pasojat, plotësisht fatale, tanimë kishin ngjarë.
Çfarë? Rripi që i kishte shkaktuar plagën në sup Oficerit Madhor, përfundimisht, doli se qe infektuar me mikrobin e PLASJES.
Merren me mend pasojat, kur dihet botërisht se asnjë nuk ka shpëtuar nga kjo sëmundje. Nga ana e saj, prokuroria, pas hulumtimeve në dokumentacione, shkonte drejt përfundimit se: laboratori mikrobiologjik, i cili kish lëshuar dokumentin e pastërtisë së lëkurës, mundet të qe firmosur nga ODISEJA. Ky, si specialist i vetëm mbikëqyrës i atij laboratori, duhet të përgjigjej për pasojat dhe me to s’bëhej aspak shaka.
– Të thirri prokurori?
– Po, dhe më paralajmëroi të mos largohem nga qyteti. Kam të drejtën e lëvizjes vetëm nga shtëpia në fakultet, domethënë në laborator, i gatshëm në çdo kohë që do t’u duhet të më thërresin.
– Pse?
– Sepse Oficeri Madhor përfundoi në varreza dhe dikush duhet të paguajë për vleftën e predhave që shoqëruan përcjelljen e tij.
Laertit nuk i pëlqeu aspak ky arsyetim se këtu bëhej fjalë për humbjen e jetës së një njeriu dhe aspak për vlerën e ceremonisë mortore. Por ai vërejti çrregullim në psikikën e tjetrit se: edhe për të s’ishte në rrezik thjesht karriera profesionale, por edhe jeta e tij në liri. Kaq mjaftonte që Laerti t’i shmangej çdo diskutimi. Aq më pak të jepte mendimin tërësisht kundër për ceremoninë protokollare të Oficerit Madhor. Përkundrazi, Laertit iu kujtua batuta e PASTERIT, kur një hamall që shkarkoi qymyrin për laboratorin e tij, i pakënaqur me shpërblimin e pamerituar, u shamatua me të dhe e thërriti në duel. Shkencëtari mikrobiolog që e njeh bota, i tha:
– Dakord. Unë kam të drejtë të zgjedh armët. Kështu?
– Po, – iu përgjigj ky i pagdhendur i bindur në fitore, cilado të ish përzgjedhja e armatimit. Ai qe gati të çonte në botën tjetër vetëm për ca qindarka edhe vetë Zotin (po të mundte), jo më një… farë biologu”, siç i dukej se qe i veçanti LUI PASTER.
– Unë preferoj që tani këto dy strishe*. Dakord?
– Dakord, – u përgjigj në tym qymyrshitësi. Mikrobiologu shtoi:
– Njëra nga ato është menjëherë vdekjeprurëse. Cilën dëshironi ju, zotni?
Fletët e trimit u palosën. Prandaj qeshi dhe u tërhoq.
– Pra, shakaja që bëri dhe i ngjiti me sarhoshin idhulli ynë, LUI PASTER-i, duhet të ketë rënë jashtë me PROKURORIN dhe nuk eci, siç edhe e menduam. Kështu?
– Absolutisht, – tha ai dhe ndërroi temë: – Më duket se këtu ndahemi, miku im, dhe ajo, siç unë mendoj, është përfundimtare.
– Pse?
– Sepse mund të hyj në burg. Festën për përvjetorin e tetëmbëdhjetë të vajzës suaj unë, që përherë kam qenë i pranishëm në kremtimin e saj, do të jem në burg. Uroji edhe nga ana ime njëqind vjet VAJZËS (nuk tha “Asaj”, siç duhet të përmbushte në ligjëratë të drejtë fjalinë. Por përsëriti fjalën: VAJZËS ). Kjo, si të qe akrep iu ngjit në vesh dhe mori rolin e shamisë së Otellos për Laertin, i cili atë çast mendoi:
“Ne duhet të ishim ndarë tetëmbë… , jo, nëntëmbëdhjetë vjet më parë”. Atëherë kur më përcolle për DISERTACION në Harvard.”
Kaq mjaftoi që zgjidhja e kësaj dileme të merrte një tjetër vlerë.
Pas kësaj Laerti nuk i la asnjë detyrë pedagogut të mikrobiologjisë dhe parapëlqeu që të përdorte vetëm uikendin dhe të hënën të rikthehej pranë studentëve në fakultet. Prandaj shprehu diçka të rëndomtë, por ngushëlluese, diktuar nga mirësjellja dhe u largua. Në të vërtetë ndjeu keqardhje kolegësh, se kishin afërsisht dy dekada që bashkëpunonin, ndonëse secili në laborator të veçantë. Veçse korrektesa, sidomos në specialitet, e mjegullonte atë, për të mos thënë se e kthente në të kundërtën. Vdekja e një njeriu nga pakujdesia profesionale për të përbënte Alfën dhe Omegën e gjërave. Por në rastin konkret fliste edhe për mangësi në karakterin e kolegut të tij. Këtu ata ndaheshin pa kthim.

Odiseja zbriti poshtë. Laertit atë çast Odiseja i përngjau me një egërsirë që kërkon strofullën. Tejet e rëndë e megjithatë Laertit edhe ky krahasim nuk ia kënaqte urrejtjen. Në të vërtetë Odiseja qe futur në tunel dhe shkoi aty për të marrë metronë.
Mikrobiologu u ngjit lart për të kapur trolin që sapo mbërriti. Parmaku i hekurit, të cilit iu qep, i kujtoi ganxhën e ngjitur tashmë në vesh dhe u shkëput prej saj me vrullin që të pajis zemërimi si edhe me shpejtësinë që të “shpërblen” dyshimi. Veçse: “Dhen theli kopo, theli tropo”, na këshillon një gojore greke. Dhe në shqip do të thotë: “Nuk do mund, do mënyrë”. Një pëllumb, tërësisht i zi, si të qe artificial e ta kishte vënë dikush me dorë aty, kudronte ngjitjen e nxituar të mikrobiologut. Madje e trazonte jo pak mendjen e tij. Pëllumbi edhe ashtu i ngutur e i turbullt u shndërrua dalëngadalë nga shpend në një përbindësh.
Zëri i brendshëm i tha se duhet të jetë i familjes së pëllumbave. Por meqenëse zmadhimi i tij kapte për të shifrën tetëmbëdhjetë, sikur u shndërrua në një fajkua gjigant. Kaq duhej që një tjetër «mikrob”, si PLASIA në rripin e Oficerit Madhor, të fitonte të njëjtat përmasa e të pajisej (ndonëse në heshtje dhe fshehtësi të plotë) me po ato tipare jetëngrënëse si në rastin e Ushtarakut të Lartë.
Mikrobiologu Laert ishte i ndërgjegjshëm për këtë «infeksion», ashtu siç edhe mbante ende të ndryrë sythin e tij, mbjellë në tru nëntëmbëdhjetë vjet të shkuara dhe që sapo u vadit për t’u rritur e vajtur përpjetë.
Formimi kulturor e aq më pak ai profesional, mund të luanin rolin imun në ndërgjegjen e tij, tashmë të sapodalë nga kalcifikimi (për të folur me gjuhën mjekësore, e barabartë me shprehjen tonë, aq të goditur: zënia kore e “plagës”)

* * * * * *

Në plazhin tek UJËRAT E ÇMENDURA ose MANJAKE,
Laerti, po të themi se shkonte rrallë, ndonëse aty kishte trashëguar shtëpinë e gjyshit, nuk do të ishim të saktë. Megjithatë atë ditë, kur në timon të makinës së tyre ishte vajza dhe pranë saj e ëma, kurse ai mbrapa, qe jo vetëm rast i pazakontë, por ai, i vendosur ashtu si pas shpine, kyçte planin e fshehtë të tij, për të dalë në dritë me zhurmë si ceremonia mortore e Ushtarakut të Lartë.
Sidoqoftë, kaq fjalëpakë, kaq pa të papritura të këndshme që sillnin shakarat e tij karakteristike, sidomos me të bijën, mund të themi se ishte hera e parë dhe siç do të ktheheshin nga uikendi, mund të pranojmë që tani se ishte e fundit.
Një parandjenjë çuditërisht e ligë deri në një shtjellë gjëmëmadhe ia kishte larguar humorin aq karakteristik të tij, si të qe një bobinë e futur në rrymë të alternuar, ia përzinte keqas mendjen. Herë në një drejtim dhe herë në të kundërtën. Por kur vështrimi i së bijës nga pasqyra në timon aq i ëmbël, sapo ndeshej me shikimin e tij, hidhërohej deri në vajtim, atëherë Laerti niste të kthjellohej e përmendej si nga një ëndërr vërtet e ligë e mëkatare. Por s’qe i thjeshtë e aq më pak i njëjtë ndriçimi. I vajzës, me ëmbëlsi të trazuar, tanimë, ai qe. I babait ende dyshimin shpaloste. Sepse: diç të largët në kohë, tepër e largët edhe në mendësi, mbase sa mosha e së bijës, e ngjashme me analizën e gabuar të Odisesë, fajtor direkt për vdekjen e Oficerit Madhor, trazimin tragjik në thellësi ndrynte.
Një ndjesi tejet e ftohtë, e akullt, si e dalë jo nga frigoriferi, por nga një shpellë nga më të thellat e nga më të përtejmet, mbase nga akullnajat në Polin e Veriut, papritmas qe kthyer në llavë vullkani dhe së brendshmi digjte. Ishte dyshim? Mosbesim? Apo frikë? Mundet të tria bashkë. Megjithatë, si një lëndë mjegullante ajo ish. Si zhvendosëse e çdo ideje të njëmendtë, djalli e kish thirrur. Se kështu njollosej e nxihej tërësisht me blozën që mbart: pasiguria, mëdyshja, dyshimi. Por, për çfarë? Për çfarë, o Zot? Kjo ishte dilema. Këtu niste paqartësia. Me këtë gjithashtu fqinjësohej lëkundja. Mungesa e kurajos për t’ia thënë vetvetes në sy atë. Cilën? Të paemrën? Tronditësen nga themelet e fortesës familjare? Ndofta… Dhe s’ishte aspak çudi. Se qe e dhimbshme. Aq sa edhe vetëm sjellja nëpër mend lëndonte.
Ndërkaq, kishin mbërritur tek UJËRAT E ÇMENDURA. Për fatin e mirë, që të shkundej disi nga këto përsiatje ngatërrestare, URA ishte ngritur dhe makinat kishin ndalur përpara saj…

Please follow and like us: