Emil Asdurian: ARSYET E PAARSYESHME
(Vetting-Kuajpërzgjedhja)
Nuk kish qenë kurrë nga të shkëlqyeshmit, por dhe mbetës kursesi. Kish, siç mendonte për veten dhe një sens praktik, siç atë të përgjegjësisë ndaj detyrimeve. Jo atyre materiale, se ato ishin aty dhe mjaft të rënda, por më shumë emocionale, veçanërisht ndaj atit të sëmure me tension të lartë që megjithë mjekimin e paguar shtrenjtë, kish tani, siç thoshte mjeku, një zhurmë në zemrën e zmadhuar që si dukej ish lodhur duke notuar kundër rrymës së fortë në përrenjtë e dejeve të saj. E shihte tek venitej, si zinte shtratin dhe ikte, ikte të kthehej veç natën, ta shihte të qetë tek flinte, dorën t’i vinte mbi këmbët e ftohta. Punonte ku të gjente dhe kënaqej që njerëzit e pëlqenin qëndrimin e tij të thjeshtë e të drejtpërdrejtë në sytë kafe të errët, të vegjël por të sy shndritshëm sikur një fryme u frynte nga brenda. Balli i lartë i hapte fytyrën në një dorëzim të paqtë, si goja mesatare vijë hiqte çdo frikë a dinakëri të pritur. I mbante mend këto, ia kish thënë vetë ajo që me gjuhën e fshatit quhej e vluara. Nuk dinte se ngase kish lindur kjo ndjesi e fuqishme, mund të quhej ndjenjë, se në të fundit as donte t’a dinte, por ish e papërmbajtur në qetësinë dhe forcën e saj prej sythi që e dinte se do çelte në diçka të mahnitëshme jete, eh me prekjen e saj. Një puthje ia kish vjedhur nga sytë e mëdhenj të bajamtë dhe buzët, si gjoksin, që i fortë e i bëshëm lëvizte nën bluzë, por një frikë e drithëruar humbjeje e tërhiqte pas, nuk e linte t’i afrohej, gojën i kyçte sa i merrte frymën dëshirën që digjte kur mendja befas e degdiste atje në atë mrekulli pranvere.
“Të rinjtë kërkojnë mbështetjen e ambasadës së SHBA-së për kauzën e tyre. Marshimi drejt ambasadës, sipas tyre, është për shkallëzimin e protestës. Nuk kemi më besim tek klasa politike shqiptare”, shprehen studentët.*
Strategët dhe jo vetëm ata që për një arsye apo një tjetër u ftuan këtu, e dinin fare mirë se përveç arsyeve më të arsyeshme të fakteve objektive, të gjendjes së forcave shoqërore dhe zhvillimit të tyre, pabesisë së shtypësve, të cilët kishin pasur si mësues mendjet më të shquara të kohës, si Arkimedi, apo Makiaveli, Aristoteli, por jo Sokrati malukat, kish dhe të tjera. Rrethinat, gjeografia e fushës së betejës, por edhe ajo me daljen në shesh të kavalerisë dhe mjeteve të blinduara, shpejt ish venitur dhe hequr nga tekstet e akademive ushtarake, ose lënë në fund të listës, në atë, shpesh të harruarën apo ku mihnin vetëm “peshkopët”, rubrikën Leximet e Mëpërtejme, pa vlere dhe për notën në fund të simestrit. Megjithate, siç kish thenë “plaku”, ai dikur gjeneral me njëzetvjet burg mbi shpatulla se: “në luftë për të fituar nuk përjashtohej asgjë, as dielli dhe as hena, as era dhe thatësira, mjaft që fati të anojë nga ty!” Nëse duhen shembuj për këtë, “Kështjella” e Kadaresë, dhe jo aq për ndjenjat që nxiste me metaforën e vet të rrethimit, ish ç’duhej. Për zemër kish kurthin psikologjik po aq sa edhe praktik, të tamburë-daulleve të shiut. Ajo zgjatje enkas e fushatës nga Kastrioti, sa të vinte shiu e kish çuar kont Uranin në dëshpirim dhe kështjellarët të hanin bar, ish gjithashtu dhe një armë e fshehtë, një nëmë apo munxë, siç e quanin selxhukët turq, që mjeshtëri e kishin me tituj shkencorë nga Erdenea. Ajo e bënte të pamundur fitoren, balta rrëmbente jetë për mishin e saj. S’kish tokë më pjellore se ajo vaditur me gjak. Ish ideja e munxës me tambure bubullimash që u priste gjunjët dhe jo numri i kufomave në ledhe që qelbej. Ish ajo arsyeja që hapsira të tilla quheshin “kra-kra”, nga mbledhja mizëri e korbave, sikur me thirrjet e tyre t’i kishin ftuar prapësisht në këtë gosti të vonuar. Tolstoi, kont dhe ai, shkroi për të njëjtin fat që kokën i hëngri Napoleonit dhe më pas Adolfit me tanke kur dëgjuan strategët se as terreni dhe as koha nuk kanë pikë vlere në betejë. Dinin, që në këtë dimër me temperatura tejet të ulta, që zbrisnin deri në fund të gadishullit, zgjatur prane bregut të Afrikës kishte ngrirë, kish mardhur. Jo, ish pikërisht nën ngricë, ku në lëkurën e hollë, si buzë, të një dege, në një hulli plasaritje, fryhej të ngjizej sythi, që gji të akullit pinte të rritej.
“Ky është thelbi i racionalizmit psikologjik: Ne rritemi në arsyetim si vemjet në flutura. Nëse vemja ha gjethe sa duhet, (në të fundit) do rrisë krahë. Dhe nëse femija merr përvojë të mjaftë në ndërrimin e radhës, dhe në ndarrjen e përgjegjësisë në rregulli e sheshit të lodrave, do (më në fund) bëhet një qenie e moralshme, e aftë të përdorë mundësitë e arsyes për të zgjidhur probleme më të vështira”.
Mbas Jean Piaget, Lawrence Kohlberg (më 1960) përveç se arriti të masë nga ana sasiore ndryshimet në zhvillimin e fëmijëve, por e shtriu atë përtej vlerësimit të botës fizike, në atë shoqërore. Tre fazat e tij përputhen me ato të Piaget: 1. Para-marrëveshja formale (dënohet ose jo); 2. Marrëveshja formale (kuptojnë, përshtaten dhe përdorin rregullat); 3. Mbas-marrëveshja formale (respektojnë rregullat por mund t’i thyejnë për një drejtësi të caktuar). Duke iu referuar të dhënave të anthropologjisë psikologjike për personalitetin e popullsive të vogla (kombe, me njejtësinë e gjuhës dhe kulturës me institucionet e saj, si në rastin e Shqipërisë) kuptojmë se në kushte të caktuara, ata sillen si një qenie e vetme, si një “shpirt”a. Dhe nga të dyja këto pohime të zhvillimit shoqëror të çdo individi si dhe të unitetit psikologjik të një populli të vogël, atëherë përfundimi i Kohlberg-ut vlen për grupe, popullsi dhe kombe të vegjël me tre faza zhvillimi (frika e denimit, pranimi dhe përshtatje me rregullat dhe së fundi, thyerja e rregullave për një drejtësi më të gjerë). Per rrjedhojë:
* “Arsyetimi është në natyrën tonë dhe një arsyetim i mirë moral është pika e fundit e zhvillimit.
* Arsyetimi ndryshon me kohë nga një grup rrethanash të vështira morale që kërkojnë zgjidhje në mosha të ndryshme. Fitohet, s’vjen vetiu!
* Piaget u përqëndrua në llojet e gabimeve që bëjnë femijët dhe se është e kotë t’u shpjegosh psenë e tyre, sepse do i kuptojnë vetvetiu kur të arrijnë shkallën e duhur të njohjes (piqen)”b.
Dy studentë u arrestuan dhe më vonë për shkak të “trysnisë” së shokëve studentë i liruan me një qortim mbas krahëve nga kryeministri fisnik, shpalosën atë që e gjithë lëvizja studentore me tetëpikëshin e piste nuk bënë dot për një muaj, duke përfshirë dhe pushimet e fundvitit. Shpalosja e një “çarcafi”, me fare pak gjak në mes e pak në anë më shumë ku shkruhej:
RROFTË RINIA E LIRË/ SOT VENDOSIM NE/ FUNDI i KATOVICËS
Sistemi 26 + 28 = VETING
Që për rastësinë e çuditëshme të nënndërgjegjes së një populli në heshtje të shtirur sikur thuhej: NE KATOVICËS VETING/ SPATRIM
Shumë hynë në klasa, shumë bojkotuan dhe zgjidhja ende mbet e pazgjidhur.
Gjimnazistët i mbajtën mbyllur prindërit dhe edukatorët apo e kundërta, si partitë anëtarët e ndershëm apo e kundërta.
Nuk e dinte se ku do t’a gjente e gjithësesi me të në mendje, ato buzë të bëshme nën ata sy të mëdhenj, oh të ngrohtë e të butë, aq sa dhe të ëmbël, që në dritë të tyre s’guxonte t’i shihte dhe pse ish i humbur pa ta. Donte ta takonte diç t’i thoshte, që sigurisht s’kish të bënte me këtë të ftohtë që shperdau si korbat dhe më trimat, por për një diçka që e ndjente të sapolindur.
*Pamfleti: “Çfarë po ndodh?! Studentët i drejtohen amabasadës së SHBA, policia blindon zonën”. January 8, 2019.
**a,b, The Righteous Mind: Why Good People Are Divided by Politics and Religion Haidt, Jonathan “by Pantheon Books, 2012.