Studiuesit shqiptarë jashtë vendit, letër të hapur Komisionit Europian
Studiuesit Shqiptarë jashtë vendit, Letër të Hapur Komisionit Europian mbi nevojën e një reforme të thellë dhe cilësore në kërkimin shkencor dhe sistemin arsimor të lartë në Shqipëri!
26 studiues Shqiptarë që punojnë në universitetet në vendet si Portugali, Zvicër, Norvegji, Holandë, Gjermani, Itali, Hungari, Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dërguar më 8 Janar 2019 një letër drejtuar presidentit të Komisionit Europian z. Jean Cluade Juncker, në lidhje me gjendjen e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Në letër studiuesit shqiptarë ngrejnë shqetësimin mbi cilësinë dhe profesionalizmin e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë në vend. Studiuesit shqiptarë, në letrën e tyre, shprehen se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë të nevojshëm në nxitjen e proceseve demokratike, zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të nevojshme për të udhëhequr zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e një edukimi konstruktivist, bashkëpunues dhe të një sistemi të bazuar në meritokraci. Në letrën dërguar Komisionit Europian shprehen problematikat lidhur me infrastrukturën dhe abuzimet me fondet e alokuara. Studiuesit shqiptarë shprehen se që nga rënia e sistemit komunist në fund të viteve ’90, ka patur dhe ende ka investime të pamjaftueshme në universitetet publike, madje edhe mungesë në elementët bazik siç janë tavolinat, dërrasa e zezë, system i ngrohjes dhe ftohjes ose sistemi sanitar. Ekziston gjithashtu një nevojë e rëndësishme për laboratorë eksperimentale dhe pajisje laboratorike- shhprehen studiuesit shqiptarë në letër. Studiesit shqiptarë shprehen se “ne besojmë se mungesa e infrastrkturës kërkimore ka qenë një nga arsyet kryesore pse studentët dhe stafi akademik mbeten të paekspozuar punën kërkimore”. Më tej studiuesit ngrejnë problematikën me gradat shkencore dhe titujt akademik të dhënë në mënyrë të pamerituar në 10-20 vitet e fundit. Mbi 58% e profesorëve në universitet shqiptare nuk kanë publikime në revistat me faktor impakti sikurse edhe ligji kërkonte për marrjen e titullit profesor dhe profesor i asociauar. Studiuesit shprehen se numri më i lartë i titujve akademikë është dhënë në vitet kur ka patur fushatë elektorale në Shqipëri, fakt që mund të sygjerojë ndikimin politik në progresin akademik dhe se titujt e alokuar janë dhënë si shënjë mirënjohje për kontributin politik të kandidatëve. Gjithashtu studiuesit ngrejnë shqetësimin për plagjiaturat që janë bërë publike deri më sot dhe përfshijnë zv. ministra, ministra, deputetë dhe përfaqësuesin e parlamentit shqiptarë për negociatat me BE, deputetin Taulant Balla. Deri më sot- shprehen studiuesit shqiptarë- nuk ka asnjë masë nga qeveria shqiptare apo universitetet për heqjen e titullit akademik, apo pranim të problemit nga personat e akuzuar. Gjithashtu, një tjetër shqetësim që shprehet në letër është largimi i trurit nga Shqipëria dhe mungesa e politikave që stimulojnë kthimin e trurit në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të UNESCO-s, më shumë se 30% e shqiptarë të mirëarsimuar largohen nga vendi. Pavarësisht këtij fakti me pasoja për shoqërinë Shqiptare, nuk ka politika nga shteti shqiptarë që të nxisë dhe mbështesë kthimin e shqiptarëve të edukuar jashtë.
Duke konsideruar problemet e mësiprme, studiuesit shqiptare rekomandojnë 16 pika që mund të nxisin fillimin e një procesi cilësor në reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri.
1. Reformim të Akademisë së Shkencave. Kriteret për anëtarët e Akademisë së Shkencave duhet të përfshijnë një numër minimal botimesh në revista ndërkombëtare të indeksuara (ose WoS) dhe libra të botuar nga botuesit me standarde ndwrkombwrare (peer-review).
2. Të ngrihet një komision me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për të verifikuar dhe shqyrtuar legjitimitetin e gradave shkencore/titujve akademikë të dhënë në 10-20 vitet e fundit.
3. Prezantimi dhe zbatimi i masave dhe mekanizmave të kontrollit të plagjiaturës në çdo Institucion të Arsimit të Lartë.
4. Publikimi i profilit përkatës akademik të stafit akademik në të gjitha universitetet shqiptare. Aktualisht, vetëm një pjesë e vogël e stafit akademik publikon CV-të e tyre në faqen e internetit të universiteteve shqiptare.
5. Vendosja e kritereve të reja për rektorët, dekanët, drejtuesit e departamenteve dhe për kryetarët e komisioneve që japin grada shkencore/tituj akademikë të cilët duhet të kenë dokumentim të punës shkencore në revista “peer-review” dhe me standarde ndërkombëtare. Për shembull, kandidatët për pozita të tilla mund të jenë akademikë të cilët kanë të paktën një botim si autori i parë dhe i fundit në revista me faktor impakt mbi një prag (në varësi nga fusha e kërkimit), dhe një indeks H mbi 5-15 në varësi të fushë së hulumtimit.
6. Të monitorohet dhënia e titujve të rinj akademikë në të gjitha nivelet (PhD, Profesor i Asocuar dhe Profesor me kohe të plotë) në përputhje me ligjet, rregulloret dhe udhëzimet të integruara në Etikën e Kërkimit dhe Integritetit Shkencor.
7. Rishqyrtimi i kritereve të reja ligjore për titujt akademikë të botuar në Shkurt të vitit 2018 nga qeveria aktuale. Kriteret e reja ligjore nuk sigurojnë meritokraci në ndarjen e titujve akademikë. Si shembull sjellim vlerësimin njësoj të organizimit të një publikimi për konferencë me botim të një artikulli në revista me faktor impakti, ose vendosjen e kritereve të ngjashme për çdo departament pavarësisht fushës së kërkimit. Kjo është një praktikë që nuk gjendet në Universitetet e BE-së.
8. Një fushatë gjithëpërfshirëse nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të informuar dhe bërë akademikët Shqiptarë të vetëdijshëm për revistat grabitqare. Ministria mund të publikojë çdo vit një listë të revistave peer-review (siç është lista në Ëeb of Science) në të cilat shkencëtarët shqiptarë inkurajohen të botojnë.
9. Zhvillimi i politikave të fitimit të trurit dhe krijimi i stimujve që mund të nxisin programe të kthimit të trurit për të ruajtur burimet ekzistuese njerëzore dhe për të tërhequr shkencëtarët shqiptarë që studiojnë dhe punojnë jashtë vendit dhe janë të gatshëm të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri.
10. Sigurimi ose integrimi i bursave dhe granteve aktuale të doktoratës dhe kërkimit shkencor për kualifikim të mëtejshëm të studentëve / akademikëve premtues shqiptarë për t’u kualifikuar në një fushë specifike me detyrimin për t’u kthyer në Shqipëri për një periudhë të caktuar për të dhënë kontributin e tyre.
11. Vendosja e udhëzimeve etike dhe të një kodi të sjelljes për integritet në fushën shkencore, si dhe ngritja e një organi monitorues (p.sh. Komiteti Etik Akademik Kombëtar). Duhet të vendosen udhëzime të përcaktuara dhe institucione të rregulluara me ligj për të monitoruar ose ndjekur rastet e mundshme të shkeljes së integritetit shkencor në të ardhmen.
12. Sigurimi i aksesit në revistat shkencore dhe mundësive të financimit për botim në revistat e indeksuara “open access“ (të indeksuara në Thomson Reuters / Clarivate Analytics).
13. Organizimi i trajnimeve dhe kurrikulave për shkrimin, leximin dhe komunikimin shkencor. Kur ekzistojnë, të përmirësohen dhe shqyrtohen kurrikulat.
14. Raportime periodike (ndoshta raporte vjetore) nga Ministria për sjellje në kundërshtim me integritetin shkencor
15. Mbështetje për krijimin e revistave akademike “peer-review” në Shqipëri.
16. Themelimi i Këshillit Shqiptar të Doktoratës (KSHD) si një shoqatë e pranuar ligjërisht e universiteteve në Shqipëri me misionin për të ofruar një forum për universitetet shqiptare për të artikuluar nevojat dhe mendimet e tyre në lidhje me: trajnime doktorature dhe kërkimit shkencor, arritjen e konsensusit në problematika të ndryshme të lidhura me ciklin e tretë të studimeve dhe në dhënien e titullit “doktor shkencash” dhe titujve akademikë. Gjithashtu, të ketë një vend për të diskutuar dhe propozuar parimet dhe formulën e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me nevojat dhe shpërndarjen e granteve të financuara nga qeveria (p.sh. bursa dhe shpenzime kërkimore) për studentët e doktoraturës ndërmjet universiteteve, dhe zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një databaze të dhënash standarde, të përditësuara, publike dhe transparente të të gjitha shkollave të doktoraturës, mbikëqyrësve dhe studentëve të doktoraturës në Shqipëri.