Emil Asdurian: MBI LIBRIN E KADARESË “Kur sunduesit grinden” (2)
II. MEDITIM MBI LIBRIN E ISMAIL KADARESË “Kur Sunduesit Grinden” version II
POEZIA E NJË PROZE) Pjesa e Dytë
(Ku mund të gjendet, veç mes poetëve)
“Në të shkuarën e largët, e mbaj mend mirë, jeta ime ish një gosti ku të gjitha zemrat ishin të hapura, ku verërat ridhnin lumë.
Një mbrëmje Bukurinë ula mbi gjunjë—e athet ish— Dhe e fyeva.
Armët mora kundër Drejtësisë.
Fluturova. O shtriga, mjerim, urrejtje, thesarin tim iu desova”.1
… e megjithatë do duhet ta lexosh edhe një herë, sepse është disi më e komplikuar se sa një bisedë e përsëritur, nga persona të ndryshëm në kohë të ndryshme, me aludime dhe kundëraludime. Nuk do të flas as për teoritë e Eco-s për leximin që në fakt asnjë nuk do çajë kokën të mësojë kur një lajm i shkruar mbi ekran kërkon përgjigje. Kush ka kohë të meret me një libër, si ky që ngjan dhe me një novelë “thrill” me ankth pezull apo dhe me një bashkëbisedim filozofik me shumë poetë njëherësh! Kadaresë, më shumë se kujtdo tjetër, i përshtatet thënia e John Fowles: “Puna ime është te shkruaj, e juaja është të lexoni”. Dhe për arsyet e përmendura në pjesën e parë dhe të tjerat, po aq, në mos më shumë, tek ky më i fundit.
Poezia e një vepre është në ndjesitë që përcjell, se pa dyshim është pikërisht ajo e cila bashkon të gjitha llojet e artit, madje dhe përtej mendimit të shprehur me fjalë dhe kur është edhe e shkruar, ku nuk ka se si t’i shpëtoj vargonjëve të tij. Ja që është. Ndoshta, ngaqë me sa duket lexojmë dhe me nëngjegje, pjesën e mendjes, që është aq afër instinkteve sa fle e përqafur me to aty ku ngjizen ëndrrat, mitet dhe kujtimet. Kuptohet siç shkruhet nëpër fjalorë në mënyre të përmbledhur poezia përcaktohet si: “vepër letrare ku shprehjes së ndjenjave dhe ideve i është dhënë forcë-thellësi me një stil dhe ritëm të veçantë, për të krijuar një përgjigje të caktuar emocionale”.2 Fjalët kyç: ndjenja, ide, forcëthellësi=intensitet, ritëm. Pa njohur mirë shkollën ruse të letrave, mësoj nga hulumtimet, se proza poetike u krijua ne fillim të shekullit të 19-të nga një farë Lui-Zhak-Napolon-Bertrand, nga Piemonti i Italisë në veprën Gaspari i Natës, ide të cilën më pas ia rrëmbyen të etur, simbolistët dhe surrealistët. Unë nuk mundem, ndoshta për një arsye fare pa rëndësi, si sytë dhe pamja fëminore, të mos përzgjedh Arthur Rimbaud-in me prozën e tij, jo aq sa për të bërë aludim-krahasim, se sa për t’i provuar vetes çka shpreha pak më lart. Dhe pa u ndalur në të gjithë çfarë mund të zbulohet në veprën e tij, korife i denjë i letërsisë franceze, më bie ndërment ai ndryshim rrënjësor, që Kumuna e Parisit, me thonj të përgjakur, gërvish tek ai. Jo aq në ide, siç mund të mendohet nga të çarturit e partisë, se sa në formë, një çlirim individual të saj. Një ndodhi që e theu dhe për aq pak sa zgjati, kurrë aq gjatë dhe aq thellë sa Pasternaku. Si ndodhi, po ashtu me Lermontovin pas ngjarjeve të Dhjetorit anticarist. Atë mospërgjigje kur duhej përgjegjur, deri sa mbylli sytë në tjetrin shekull. Se mos vetëm ai. Cili nga poetët e përmendur në libër dhe jo vetëm rusë, nuk patën një tërmet besimi, një revoltë që veten e bëri të shpërthejë kundër shtypjes së çdo forme në çdo tirani? Si Lermontovi me Dhjetoristët kundër carit të paftë e të pafuqi (impotent). Grindja nuk qe për të mbijetuar përjetësinë, por veten. Ndaj monumenti i Pushkinit s’ish si duhej, as ai i Nolit si trung, ndoshta i asnjërit, se ai bronz i ngrirë, s’kërkon tjetër veç t’i ngulë në tokë. Është pikërisht këtu, që shfaqet, thikë me dy presa, Dhimbja. Për ne, brezin tim, them se kjo ndodhi në vitet 70-të, atëherë kur u shkrua ‘Ura me Tri Harqe’ dhe poema ‘Pashallarët e Kuq’, me “thrillin” e Kamares së Turpit, që ende vret. Ku më tepër se në një lëngim Dostojevskian, ‘Krim e Ndëshkimi’, nuk mund të ndjehet forca e penës, e cila shkruan me një vel bryme me aftësinë e një kronikani tashmë në atë moshë, kur nuk i bën më përshtypje asgjë, veç e vërteta dhe ajo në skutat më të errta të shpirtit. Të gjithë personazhet, nëse i quajmë të tillë, tregojnë diçka, për të mos thënë atë që nuk duhet të thuhet. Është këtu, që mjeshtërisht u thurr gjëagjeza e “Kur Sunduesit Grinden”. Se dhe nëse, ndonjëherë, dinakërisht ata poetë të mjerë, të cilët jetonin në apartamente komunalka e menduan të mposhtnin tiranin me turma lexuesish besnikë, fronit rrethuar me mure betoni, me grusht t’i binin në gjoks ta thyhenin, se s’bënë tjetër veç se kërkuan lirinë, revoltën, drejtësinë, të çliroheshin prej dhimbjes dhe përbuzjes së fshehur si mirësjellje a përkujdesje dhe si Rimbaud ndjenja renditen në rreshta, thjeshtë, me më të zakonshmen gjuhe, në prozë.
Ritmi, një trokth i matur rreh në çdo pjesë dhe version-krye të librit. Herë më i përshpejtuar dhe herë më i shtruar, në varësi të personazheve, të cilët, jo si ata të Turgenievit nuk janë krijuar enkas për veprimin e dramës, por janë të vërtetë, fare të vërtetë, me kujtimet e shkruara, siç po shkruaj e zezë mbi të bardhë, një studim i mirëfilltë, ku të thënat dhe të pathënat, faktet, zhurmat dhe kotësitë janë pjesë e një mozaiku shumëfigurësh dhe shumëgjyrësh. S’është trokitja e patkonjve të historisë së përshkruar në libër, e cila s’është më shumë se pesë a gjashtë rreshta dialogu por në lëkundjen e mendimit lavjerës rreth një boshti dhimbjeje e faji, mbrujtur në një. Është në goditjen e pandalë të vetëdënimit që e bënte ish-studentin Rodion Raskolnikov të dorëzohej në polici, të dalë jashtë caqeve brenda të cilave së pari u ngjiz si personazh, siç thotë Joseph Frank, lakuriq përpara vetes dhe dilemave të saj mendore dhe morale. Si të gjithë ne. Qoftë dhe pse krimi qe një mosmbrojtje, mohim njohje apo dhe aprovim me heshtjen asnjanëse.
Mund të thuhet si për një frazë melodi që përsëritet në ngritje variacionesh të ndryshme, por jo s’është një Bolero si e Ravelit, sepse nuk është asnjëherë e njëjta, (dhimbja po, por ajo është e pathëna), por më shumë një koncert për piano dhe orkestër ku:
“…. lufta ndërpritet nga armëpushime…bashkëpunime miqësore… por prapë se prapë një përplasje. Shpesh armët janë të njëllojta për të dyja palët— temat kryesore kthehen në solo dhe përsëri gjithëbashkë; aty këtu secila ka të vetën—tema te ruajtura vetëm per solon (individin) dhe të tjera që i përkasin orkestrës (instrumentave njerëz)… të gjithëbashkë (tutti) mund të kenë një fitore të përkohshme dhe me zë buçitës shprehin triumfin e tyre…Por, cilado qoftë ajo kalimtarja, ne e dimë që në fund të fundit askush nuk do të fitojë…”.(4)
Veçori të tjera, të prozës poetike, sipas përkufizimeve (2,3) janë dhe ngjeshmëria e ndjenjave dhe e të dhënave, e shprehur në ngjarjet, këndvështrimet e aktorëve, bashkëlidhjet dhe bashkëpunimet ndërmjet tyre, që shkojnë përtej lidhjeve martesore, miqësore, të mjeshtrisë, rrymave letrare dhe përtej emrave të tyre në një ngastër thuajse të plotë për letërsinë botërore, në një luftë titanike ndërgjegjësimi përballë diktaturës më të ashpër që ndoshta ka parë njerëzimi, në një “weltshmerz”(5) (botëdhimbje) ku dëshpërimi, dështimi, trishtimi dhe nënshtrimi nuk janë shkaqet por shenjat e dukshme të saj, të cilat rrinë varur si një mjegull e dendur mbi këtë mjedis psikologjik shkatërimi, sa të çartur aq dhe të vërtetë.
Të gjithë mendojnë se i gjithë ky trishtim, e gjithë kjo melankoli, ka të bëjë, siç e shpjegon Freudi, me thyerjen nga humbja e një dashurie ideale edhe pse shkaqet që e shpërthyen mund të jenë të ndryshme, madje edhe nëse objekti i kësaj dëshire të zjarrtë, nuk ka vdekur ende. Apo rrjedhojë e faktorëve shoqërorë, si lëvizjet e mosbindjes kundër diktaturës dhe dogmës, siç ish Komuna apo lëvizja Dhjetoriste, por edhe nga ndodhi fare të parëndësishme, si një telefonatë më 1934, ku heshtja dhe ndoshta ajo që mbeti pas saj në formën e një çarje kaq të thellë, sa të gjithë ata në dramë si dhe ata jashtë saj, edhe në një shekull të ri ende s’e kanë marrë veten.
Please follow and like us: