Ilir Levonja: Pak rrugë me asfalt
Janë fjalët e një shqiptari nga fshati Debcë i Preshevës. Më bëri përshtypje në një nga ato kronikat televizive të gazetarit Idro Seferi. Shtëpi gjysmë të rrëzuara, bagëtia, balta dhe ajo më dëshpëruesja mbi 70% të pa punësuar gjëkundi. Të paktën na asfaltoni një copëz rrugë. Një nga fshatrat të skajit më verior të truallit shqiptar, pjesë e komunës së Preshevës e cila sot ndodhet jashtë territorit të Kosovës. Dhe që është pjesë e asaj të të ashqujturës marrëveshje për shkëmbim a korrigjim kufijsh midis Hashim Thaçit dhe Vuçiçit. Një nga ato marrëveshje që edhe pse nuk është bërë publike, na ka futur në debate pa krye. Dhe krejt normale duke patur parasysh temperamentin tonë prej gjaknxehti, të cilin nuk e shtron dot as fati i atdheut. Kësisoj as nuk i afrohemi dot mundësisë që të bisedojmë me njëri-tjetrin. Përkundrazi, e bastardojmë me një arsenal pështymash e sharjesh nga gjirizet e stomakut të qenies shqiptare.
Që qeveritë në Serbi ta lënë ashtu, në një mjerim total një fshat malor, për më tepër me shqiptarë, është më se normale. Varfëria sjell për së pari braktisjen, më pas rrënimin e shtëpive etj. Dhe asfalt afërmendësh nuk kanë përse të hedhin rrugicave të një katundi shqiptarësh. Për më tepër që egoja e qytetarit serb karshi nocionit shqiptar është e mbushur me tone përçmimi. Këtë e pohoi edhe presidenti aktual kur tha pak ditë më parë se tek ne është gati e pamundur të shtron një çështje shqiptarësh, askush nuk pranon të dëgjojë. Mirëpo çështja është se çfarë bëjmë ne? Çfarë bëjnë qeveritë tona për këta shqiptarë që jetojnë nën Serbinë dhe varret i kanë këtej. Si tha njëri prej tyre, me gjysëm zëri e tha. Jo prej frikës, por se nuk donte të fajësonte kënd matanë, a këtej nga ne. Nuk donte t’i bënte pis pasi për veshët e tij, për qenien e tij, boll i bërë pis është shqiptari nga i huaji. Të paktën qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, të na shtrojnë një copë rrugë…, të shpëtojmë nga balta.
Ajo që është e trishtueshme në politikat rajonale si Shqipëria dhe Kosova e kanë vdekur plan buxhetin për pakicat kombëtare. Shqipëria në anën e saj demaskon vazhdimisht politikat e qeverisë greke përshembull, në investimet që bëjnë për minoritarët. Siç ishte rasti i vitit të kaluar (tetor 2018) kur nga një debat parlamentar në tokën helene, midis ministrave, atij të mbrojtjes dhe të jashtëm, plasi i ashtuquajturi skandali i fondit sekret me financimet. Greqia edhe pse në krizë jepte për interesat kombëtare. Pa dyshim që këtë e bën edhe Serbia, Maqedonia e Mali i Zi, kurse qeveritë tona, sidomos ajo e Tiranës, nxjerr përditë një zhigolo si kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, që bën lyerje muresh a fasadash të dala boje.
Çështja kombëtare tek ne është veç një rrahje gjoksi, jo mençuri e urtë, pa fjalë dhe shumë punë, shumë largëpamësi. Kosova sot edhe pse me një koalicion të brishtë, është totalisht e mbytur nga lufta për pushtet dhe korrupsioni. Politikat kombëtare dhe afatgjata janë propogandë e të të ashqujtura mbledhje të të dy qeverive sa këtu e sa aty. Ajo që është më e trishtueshmja, është pikërisht shpresa. Flitet për bashkim, bashkangjitje, shkëmbime. Nga ana tjetër çfarë do paguajnë shqiptarët, çfarë gjobe apo çfarë territori do të falin? Në një farë mënyre dhe tema e reportazhit duket si propogandë. Bashkimi ngjall shpresë. Një soj atmosfere e tillë që i shkon për shtat palës që po rreh gjoksin se do i bashkoj shqiptarët. Dhe po u bie në kokë atyre që nuk e duan Thaçin…
Nuk gjë më të pështirë se të ngjallësh shpresën në dhomë plot mjerim. Megjithëse thonë, ëndrrat më të bukura shihen aty. Përpos kësaj, përpos të gjithave, do ishte më udhës që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës të bënin atë që tha ai burri i Karadakut, na shtroni një copë rrugë se na mbyti balta. Ta dini, strategji të tilla janë më të forta se çdo plan propodande, sepse nuk janë flluska, a kakofoni rutinë shqiptare, por realitet njerëzor.