Yzedin Hima: Gjaku i të mundurve
“Gjaku i të mundurve” (Il Sangue Dei Vinti)
Libër i Giampaolo Pansas, përkthyer nga Bardhyl Myftiu, në pritje të gjetjes së një shtëpie botuese.
Një fragment nga eseja historike
“Dorëzohuni, jeni të rrethuar” – bërtet Bepe Grillo në këtë vit torturues të 2013. Diktatori i “Pesë Yjeve”, i drejtohet partive politike, të cilat i konsideron në prag të fundit të tyre. Ka të drejtë apo jo? Kjo çështje nuk më intereson. Por britma e tij e betejës, më duket e përshtatshme për të përshkruar një situatë krejt tjetër. Edhe kundërshtarët e librave të mi mbi luftën civile janë në telashe. Ata kanë zgjedhur të mbyllen në vetvete, duke mohuar çdo revizionim mbi Italinë midis 1943 dhe 1945. Por mund t’i hedhin armët. I pari nga këta libra, më i njohuri për lexuesit, është “Gjaku i të mundurve”, publikuar nga “Sperling dhe Kupfer”, në tetor 2003. Dhjetë vjet më vonë , botuesi vendosi ta paraqesë me rastin e këtij përvjetori. Dhjetë vjet është një periudhë kohe e rëndësishme për jetën e njeriut. Kush ishte djalë i ri në 2003, sot është i rritur dhe mund të ketë interes të njohë tekstin, që atëherë s’hynte në horizontin e tij prej lexuesi. Edhe sot dikush me thotë: “S’e kam lexuar ndonjëherë këtë libër. Kam dëgjuar së bëri një bujë të madhe. Si ka mundësi”?
…Megjithatë në atë zonë të Romajas – vazhdoi Livia- vriteshin pa skrupuj. Mund t’i takonte cilitdo, kush ishte fashist, kush ishte prift dhe kush posedonte prona, pra ishte armik i klasës. Janë ngjarje si të dala nga një film, si ai i sulmit vrasës të Guci 500. Historia zhvillohej në zonën e Konselicës, ku nga gjysma e prillit kishte patur disa persona të vrarë ose të zhdukur.
Një libër i Guido Minconit, i titulluar “Trekëndëshi i panjohur” publikuar më 1997 na jep një listë me të paktën 30 të ekzekutuar në Konselice, Sesto Imoleze, Kampoto, Santa Maria në Fabriago, Portonovo dhe Sant Agata në Santerno. Më ka prekur shumë fundi i Anselma Graldit, 25 vjeçe, infermiere në spitalin e Konselices. Ajo kishte dy “faje”: ishte fejuar me një ushtarak të Gnr dhe kishte kuruar të plagosurit gjermanë. Më 16 prill, dy ditë pas çlirimit të Konselices, u rrëmbye në spital dhe u zhduk. U tha se më parë u përdhunua dhe pastaj u vra me një injeksion me helm. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.
Duke u kthyer tek Guci Kuq – vazhdoi Livia – të mërkurën e 9 majit, aty në të ngrysur, mbërriti në Konselice dhe ndaloi para banesës së Anelo Voltas, ekonomat komunal dhe gjeometër, i cili kishte punuar në Afrikën lindore për një ndërmarrje ndërtimi. Një nga 3 partizanët që ishin në motor, hyri në shtëpi dhe kërkoi Voltës letërnjoftimin. E kontrolloi dhe pastaj e vrau gjometrin me breshëri automatiku “Tomson”. Para se të ikte, plagosi edhe babanë plak të Voltës, i cili rendi në ndihm të të birit. Pas këtij krimi të parë, Guci i kuq mbërriti në Spacate Sasateli. Këtu, mbrëmjen e 24 prillit, tashmë ishin bërë tri ekzekutime: Xhulio Telarini, 76 vjeç, një armik, biri i tij Evro, 39 vjeç, fermer në një ndërmarrje bujqësore, regjistruar në fasho dhe një postier në pension, Arturo Mazini 84 vjeç,i cili kishte një nip në milici. Të dy të moshuarit i kishin vrarë dhe pastaj i hodhën në buzë të lumit Silaro. Evro Telarini ishte torturuar në një stallë derrash dhe pastaj qe vrarë me goditje kazme. Në Spazato Sasateli, Guci ndaloi para qelës së priftit, ku paroku don Tizo Galeti 36 vjeç, ishte duke biseduar me të vëllanë dhe me një zonjë e ardhur nga Bolonja. Njëri nga ekzekutorët pyeti priftin: “Ju jeni zoti Tizo”? Prifti u përgjigj, po. Partizani hoqi nga krahu automatikun dhe e vrau me breshëri. Kufoma e don Tizos qëndroi në sheshin e kishës deri ditën tjetër. Më 10 maj ndaloi aty një nga të policisë partizane për të penguar cilindo që do t’i bënte nderim. U desh ndërhyrja e arqipeshkvit të Konselices, don Francesko Xhianstefani, për të lëvizur trupin dhe për ta transportuar në varrezë. Pastaj u tha se don Tizon e kishin vrarë sepse kishte guxuar të qortonte vrasjet që po ndodhnin në zonë.
Por Guci nuk e kishte plotësuar ende sulmin e tij-tregoi Livia. Po atë natë, ata të tre të triçiklit të kuq u kthyen në Konselice. Këtu vranë zdrukthëtarin Albo Negrini, baba i një djali që kishte qenë ushtar i Rsi. Pas tij, i njëjti fat i takoi një tekniku bujqësie, Aristide Olivieri, ndoshta i dyshuar si fashist. Kjo ishte vrasja e katërt e asaj mbrëmjeje.
Tri javë pas fundit të don Galetit, u vra një prift tjetër, don Xhuzepe Galazi, arqipeshk i San Lorencos në Selva, një vend i vogël pranë Lugos. Mëngjesin e 31 majit ishte festa e Korpus Domini. Don Galazi kishte shkuar për të kremtuar meshën në shtëpinë e një bujku në kufi me Famullinë. Ndërsa po kthehej me biçikletë, u ndalua nga dy burra, të cilët e lutën t’i ndiqte pas sepse ishte një person që po jepte shpirt dhe kishte nevojë për bekimin e fundit. Prifti besoi, i ndoqi pas në një rrugë të izoluar, u rrah dhe pastaj mbaroi me një breshëri automatiku. Ishte 55 vjeç.
-Përse e vranë- pyeta.
-Sepse gjatë pushtimit kishte shkuar disa herë në komandën gjermane për të zbutur teprimin e ekzekutimeve. Kjo mjaftoi që dikush nga partizanët komunistë tha se don Galasi kishte bashkëpunuar me nazifashistët.
Mund të vdisje edhe për një dyshim të kotë, në Basa Romanja 1945, mbi të gjitha, po të ishe prift ose pronar. Për të marrë kufomën e don Galasit u desh të kujdesej prapë dhe personalisht me një karrocë don Xhani Stefani, arqipeshk i Konselices. Në funeral shkuan vetëm 20 priftërinj dhe tre famullitare, kaq e madhe ishte frika që mbretëronte në zonë.