LËVIZJET MOSBINDËSE NË SHQIPËRI
Mbi të gjitha ju falënderoj zotëri i nderuar që morët mundimin dhe e lexuat librin e sapodalë në qarkullim “Kambanat e heshtjes” dhe që ishit ndër të parët që e thyhet heshtjen. Mirënjohës edhe për mendimet tuaja që i mbroni me plot të drejtë. Siç e keni vënë re, libri në fjale eshte nderthurur si një bashkëbisedim dhe pret të njëjtën gjë nga çdo lexues, ashtu siç bëtë ju. Dhe megjithëse ju kaloni herë-herë në planin personal, gjë që nuk para shihet me sy të mirë sot në shoqëritë e qytetëruara, mua kjo gjë më pëlqen. Se duhet të jetë personale pasi flet për ç’është thelbësore të mendësisë sonë si popull, komb, qytetarë apo dhe pjestarë të veçantë te një grupi të caktuar edhe kur flasim në emër të vetes.
Kush është i kulluar?
Nuk e di se si e përcaktoni ju i nderuar patriot të qenët shqiptar? Nga pasaporta, ku përcaktohet në njëfarë mënyre nënshtetësia apo nga emri që mbani dhe mbiemri, që si tek ne dhe në shume vende të botës mbart në vetvete përkatësine fisnore, të vendndodhjes, por dhe atë të prejardhjes. Por edhe këta të fundit shqiptarët i kanë ndryshuar sipas nevojës. Njërin e kanë mbajtur të fshehtë ose kanë ndryshuar prapashtesën si bisht mbijetese. Ose kanë shtuar me krenari atë të mesit, gjysh a katragjysh për të qenë më të fisme dhe, për pasojë, më bashkëkohorë. Gjenetika, edhe ajo, s’bëri gjë për “racën” e përzgjedhur. As doktor Benusi me grupet e gjakut dhe as doktor Mokini i riu. Pra nuk e di si bëhet që si në mesjetë të provohet fisnikëria nëpërmjet gjakut të pastër. Deri ku shkon të fillojë a të ndalet ajo e shkretë “dem baba dem”! Çfarë e bën të ndryshëm nga ju një mërgimtar që u rropat dhe ndahu çdo gjë si ju në dhjetëvjeçarë të tërë, për ta quajtur diasporist?
Liria dhe historia
Duke e vënë të gjorën histori në një kornizë të caktuar, qoftë edhe atë të materializmit dialektik, s’bëjmë tjetër veçse i kufizojmë më shumë lirinë, madje edhe kur flasim për çlirim. Nuk dua të flas edhe një herë për rolin e pranuar të rastësisë në shkencat e natyrës dhe ato shoqërore, por besoj se ka edhe faktorë të tjerë që marrin pjesë, siç është, midis tyre, mendësia e një grupi të caktuar njerëzish apo edhe e një kombi. Pa shkuar larg, këtë e provon gjendja në Shqipëri, kur kushtet objektive kanë kohë që kanë ndryshuar dhe ne ende përpiqemi të bëjmë një shtet të vërtetë kur jemi vetë të parët që shkelim ligjet e tij. Kjo mendësi, si e të gjithë popujve, por veçanërisht atyre të vegjël sa ne, nuk është e përcaktuar plotësisht nga kushtet objektive të zhvillimit, por edhe nga përvoja e ndjesive të përjetuara, edhe pa luftë dhe bëma themeltronditëse. Pyetjen nuk do ta shtroja se kush është parësore dhe më e rëndësishme nga faktorët e sipërpërmendur, por a do kishim një tjetër histori po të kishim dhe të kemi mendësi tjetër? Këtu dhe për këtë nuk ka pse të kthehemi tek Cromwell të krijojmë një shoqëri demokratike, pasi ra mbreti, por duke qenë të porsalindur na jepet mundësia të përdorim përvojën e të tjerëve dhe ta fillojme aty ku jane ata sot a ndoshta ta bejme dhe me mire. Jo gjithmone analiza e te shkuares predikon të ardhmen, aq më tepër kur kemi mbetur mbrapa. Lëvizja fillon me ndryshimin e asaj më të pakapshmes, më pak të perceptueshmes mënyrës si mendojmë. A mund të flasim për liri kur nuk pranojme asnjë mendje që nuk mendon si ne dhe e flakim si të mallkuar si të ish e armikut. Lëvizjet mosbindese janë ndërgjegje mosbindëse.
Kalorësi me Flamur mbi Kalë
Prijësi bajraktar mbi kalë, që nuk zbret nga kali pa e vrarë. Dhe më e keqja nuk është zbritja, se sa ajo që na bëjnë të heqim për të mirën tonë. Pikërisht, mungesa e një mundësie tjetër veç asaj që na e kanë dhënë ata, pa të cilët, sipas tyre do kish ndodhur gjëma. Aq sa as duhet të mendojmë ndryshe. Pra, përveç rrezikut të uzurpimit të së drejtës sonë për vetëqeverisje, kjo mënyrë lehtëson eliminimin e lëvizjes, se duke i prerë kokën ajo pushon së qëni, pa përmendur gjakun që duhet të derdhet për t’mbrojtur mbi kalë. Përvoja e lëvizjeve të shekullit të kaluar dhe shekullit të ri, provon se mënyra të tilla organizimi janë sa të vjetëruara po aq edhe të paefektshme. Nëse do të kthejmë sytë nga mëmëdheu, nuk besoj se ka shembull më të mirë për të provuar sa dëm na kanë bërë edhe të ikur, vazhdojnë. Kjo amulli dhe monopol i ekonomisë nga të njëjtat parti të dështuara politike e bën objektivisht të nevojshme një lëvizje mosbindëse mbarëkombëtare, pa pasur nevojë për asnjë nga këta që thonë “jemi si ju” kur sillen me partitë si t’i kishin prona. Njëri gruas, tjetri të birit e tjetri vetëm vetes e askujt tjetër.
Përmbysja më e mirë ajo e Pambukta
E kuptoj që mbase kemi një traditë historike të dhuneshme. Që nuk mund të grindemi pa duar, pa qëlluar me grushta dhe plumb, por edhe mikun e kemi mbrojtur si të ishte perëndi. Dhuna, sa do pa dashje dhe thellësisht e penduar, pjell urrejtje e dhunë dhe mbi të gjitha të drejtën e kalon automatikisht në anën tjetër. Çdo dhunë eshte e pajustifikuar sa do të jetë në emër të së drejtës. Kur e doni kaq shumë këtë popull lëreni t’ju gjykojë nëpërmjet fakteve dhe jo çirrmash turmash të organizuara enkas për perfitimin e njërës pale ose tjetrës. Ndoshta ka ardhur koha ta ndajmë veten nga një vazhdimësi zhgënjimesh pa fund. Duhet të votojmë programin, veprimet e çdokujt dhe kur të kuptojnë se vjedhin dhe gënjejnë të dime të merremi me ta sipas ligjit edhe pasi u kemi dhënë votën. Të tjerat janë në libër.
Mirëpres çdo mendim dhe koment.