Albspirit

Media/News/Publishing

Një ditë e keqe për Kosovën

Sulmi publik i kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj Ambasadores Vlora Çitaku tingëllon si një akt i papjekurisë së Kosovës si shtet, në një kohë kur kushtet kërkojnë përgjegjshmëri të lartë historike.
Ndryshe nga vende të tjera që mbase e kanë luksin të vulgarizojnë retorikën e tyre publike, Kosova nuk e ka mbaruar ende luftën për ekzistencë.
Ka një vend fqinj që punon çdo ditë për t’ia anulluar pavarësinë, si dhe një aradhë shtetesh të fuqishme në botë që e shohin ekzistencën e saj, si një bezdi, në mos si një precedent të rrezikshëm për veten e tyre.
Shqiptarët kanë pasur fatin që në përkrahje të tyre është radhitur SHBA, NATO, dhe Bashkimi European. Mirëpo angazhimi amerikan në botë është shumë i gjerë dhe Kosova nuk është në ndonjë pikë nevralgjike për interesat e drejtpërdrejta kombëtare amerikane. NATO dhe BE ndonëse thellësisht në favor të Kosovës, si administrata janë të paralizuara nga një pakicë shtetesh që po përdorin të drejtë e vetos që ta ngadalësojnë dhe vështirësojnë lidhjet me Kosovën.
Në këto kushte, Kosova duhet të mësojë të veprojë me mençuri dhe urtësi. Udhëheqësit e saj, duket të masin fjalët që thonë në publik, të ruhen prej rënies në dashuri me veten dhe qendrimet e tyre, të karakterizohen nga modestia që imponon pozita jo e lehtë e Kosovës.
Asgjë nuk po e dëmton më shumë kauzën në këtë periudhë sesa paaftësia e udhëheqësve të Kosovës për të harmonizuar qendrimet e tyre.
Akoma më keq, nga frustrimi i dështimit, po e dëmtojnë Kosovën me deklarata të nxituara, që në vend që të fshikullohen nga publiku, përkrahen e duartrokiten si patriotike. Sigurisht, shqiptarët vrerin më të keq e ruajnë për njëri-tjetrin, jo për të huajt. Edhe këto deklarata janë shumë dëmtuese me efekte që nuk kufizohen në punët e brendshme. Disa prej këtyre mund të kenë pasoja afatgjata, shumë më vonë se kur mbajtësit e posteve të mos jenë më aty.
Kur Haradinaj thotë se Vlora Çitaku nuk përfaqëson Kosovën, ai nuk është duke dëmtuar Vlorën, po duke ia ulur peshën ambasadës më të rëndësishme të Kosovës jashtë vendit. Edhe sikur të ishte e vërtetë që Ambasadorja Çitaku të përfaqësonte vetëm Hashim Thaçin dhe jo Kosovën, një kryeministër që ndjen përgjegjësi për vendin e tij mund t’ua komunikonte këtë shqetësim amerikanëve e figurave të Kuvendit. Ai vendosi ta bëjë publike për kënaqësinë dhe interesin në radhë të parë të diplomacië, propagandës dhe lobimit serb në Kosovë. Ku do të ishin këto të fundit pa autogolat e politikës së Kosovës.
Në fakt, Ambasadorja Çitaku ka dëshmuar një kujdes të jashtëzakoshëm që puna e saj në Washington të qendrojë përtej politikës së brendshme. Ajo është karakterizuar pikërisht nga ajo që duket se i mungon thellësisht kryeministrit Haradinaj, durimin për të punuar me aleatët.
Në SHBA, Amvasadorja Çitaku si rrallëkush edhe mes kolegeve të saj të vendeve shumë më të njohura se Kosova, ka treguar një aftësi të habitshme për të përqafuar klimën dhe frymën e kohës në Washington, duke dëshmuar aftësinë për të drejtpeshuar marrëdhëniet me rrymat liberale të kohës, me miqësinë dhe marrëdhëniet profesionale të një administrate reaksionare e populiste.
Unë besoj se Kosova ka qenë me fat që e ka zgjedhur si ambasadore. Them me fat edhe se e kuptoj shqetësimin e natyrshëm se të gjitha emërimet nga vendet në tranzicion e pa tradita të mëdha diplomatike, mbeten subjektive. Nuk kam dyshim se do të kishte qenë e pamundur që të emërohej Ambasadore pa aprovimin e Hashim Thaçit. Mirëpo, duke e reduktuar dhe denoncuar si “ambasadore të Hashim Thaçit”, pas kaq vitesh punë të lavdërueshme, Haradinaj përveçse e ka fyer pa të drejtë, i ka bërë një nder jo vetes po pikërisht Hashimit.
Se nëse Hashim Thaçi është përgjegjës për sjelljen e Vlorës në Washington, atëhere të shkon mendja se më mirë t’i zgjedhë ai edhe ambasadorët e tjerë sesa Ramushi.
Të mbash gojën në publik është një virtyt i humbur në botën shqiptare. Nëse Ramush Haradinaj nuk eshte i kenaqur me punen e ambasadores, do të ishte shume me vend qe te zhvillonte nje debat privat me te dhe me drejtues te qeverise, sesa keto shfryrjet amatore ne publik.
Jeta nuk është e lehtë për një ambasadore të Kosovës në ditët tona. Sidomos pas vitit 2016, kur gjendja në Washington ndryshoi jashtëzakonisht dhe kur drejtuesit e diplomacisë dhe të shtetit me një njohje të gjatë të Kosovës filluan të zëvendësoheshin nga zyrtarë e diplomatë që nuk ishin e nuk janë entuziastë për përfshirjen e Amerikës në një rajon si Ballkani. Një bezdi e mbetur nga një gërshetim i shqetësimeve liberale dhe ambicjeve neokonservatore. Amerika e re, gjysëm nacionaliste e gjysëm progresive nuk ka kohë për dramat e Ballkanit.
Nuk është e lehtë të jesh ambasadore e Kosovës është sepse kjo republikë ka një realitet politik të copëzuar. Partitë vuajnë për të krijuar shumica qeverisëse. Politikanët në mos janë të korruptuar janë xhelozë e mendjemëdhenj. Kur kanë të drejtë refuzojnë çdo kompromis. Kur janë të korruptuar ose të pafuqishëm shiten për pak gjë. Këto probleme kanë filluar të rrjedhin në politikën e jashtme. Nuk i kënaq dot të gjithë drejtuesit sot sikur çfarëdo të bësh. Nëse nuk je me njërin udhëheqës, duhet të jesh patjetër e tjetrit. Nuk mbijeton dot në realitetin shqiptar pa një padron politik. Këto nuk janë kushte për të punuar. Kjo domosdoshmëri për t’u kategorizuar politikisht është problm i ditës për çdo gazetar të pavarur si unë. Po të paktën unë nuk përfaqëoj zyrtarisht atdheun. Për një ambasador e diplomat sfida është e jashtezakonshme.
Vlora Çitaku ëshë përballur në këto vite disa herë me ministrin e Jashtëm serb në Këshillin e Sigurimit. Me shumë sukses. Po ajo përballet çdo ditë me sulme fyese dhe denigruese nga serbë e filoserbë në rrjetet sociale. Është diçka që vjen bashkë me detyrën si përfaqësuese e Kosovës në botë. Po ajo vuan nga një nivel më i lartë sulmesh abuzuese, pikërisht sepse ka qenë shumë e suksesshme në përfaqësimin dhe promovimin e Kosovës.
Në këtë situatë është abursde që i duhet të mbrohet edhe nga kryeministri i saj.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, është akoma edhe më e vështirë sepse është femër. Për arsye politike e personale, ajo ka qenë prej vitesh një nga femrat dhe një nga njerëzit publikë më të ofenduar në rrjetet sociale. Për vite me radhë kam parë gjëra nga më të turpshmet të shkruara në adresë të saj.
Kjo është dukur e njohur në botën shqiptare. Po edhe në diplomaci. Gjatë muajit të kaluar një furi ofendimesh të pabesueshme seksiste vërshuan ndaj Ambasadores së Shqipërisë, në Nju Jork, Besiana Kadare. Çfarë filloi si një valë ankesash se pse nuk i ishte dhënë fjala Ambasadores së Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, gjatë një veprimtarie për hebrenjtë, degjeneroi në sulme me terma të cilat nuk i meriton askush. Sigurisht në mendjen e çoroditur të anonimëve të internetit nuk mund të kritikosh dikë pa kaluar në fyerje personale. Po sidomos kur sulmohet një femër, atëhere vreri ka një poshtërsi të paparë.
Këta sulmues janë shpesh askushër. Mirëpo, kur fryma e misogjinizmit vjen nga figura drejtuese të vendit e të kombit atëherë shqetësimi duhet të bëhet alarmant. Një ambasadore apo politikane apo çfarëdo figure publike femër duhet të jetë patjetër “e dikujt”, e një autoriteti mashkull sigurisht, përndryshe ajo nuk mund të ekzistojë. Nëse nuk ia gjejnë pronarin në botën shqiptare, atëhere identifikohet një personazh i huaj, ndërkombëtar. Shoqëritë tona vetëm mund të humbasin nga ky vulgaritet i normalizuar.
Në fund, ia vlen të kujtohet se askush nuk është i pazëvendësueshëm. As Vlora e as Ramushi. As i përjetshëm. Herët a vonë, dy njerëz të tjerë do të jenë në postet e tyre. Nisur nga deklaratat e sotme, kush do të zëvendësojë Vlorën do të ketë krenari për sjelljen dhe përgjigjen që erdhi nga posti i saj sot. Kush do të zëvendësojë Ramushin, do të përpiqet ta harrojë këtë ditë.

Please follow and like us: