Hushi Agim: Gëzuar 7 Marsin, mësues dhe nxënës shqiptarë kudo që ndodheni!
7 Mars 1887- 7 Mars 2019
Sikur të ishte zgjedhur enkas nga historia ajo ditë e shenjtë e fillimit të rrugëtimit të arsimit shqiptar, në atë fillim pranvere të vitit 1887 do të niste marshimin historia e dijes shqiptare!
Për t’u përshëndetur përjetësisht nga lulet më të bukura dhe gjethet më të njoma të lulëzimit pranveror!
Në Korçën ortodokse, pikërisht korçarët e famshëm Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami dhe Nuçi Naçi do hapnin shkollën e parë kombëtare laike në gjuhën shqipe!
Ajo shkollë që do ishte në themelet e arsimit kombëtar shqip, që do të nxirrte breza shqiptarësh e dijetarësh të mëdhej, luftëtarë të kombit me armët e dijes, që do t’i dilnin zot kulturës dhe historisë tonë të lashtë jo vetëm me dyfekë, por dhe me penë e dije!
Kjo Mësonjtore do të ishte paraprijsja e Universiteteve Shqiptare, katedrave a laboratoreve të shkencës e dijes!
Mësonjësit e asaj godine të thjeshtë në Korçën e 7 Marsit 1887 do ishin pishtarët e parë të asaj plejade të lavdishme pedagogësh e mësuesish të devotshëm të shkollës dhe edukimit shqip!
Në kulturën tonë kombëtare 7 Marsi është një ditë e shenjtë ku të gjithë festojnë mirënjohjen për shkollën dhe mësuesit, këta ‘heronj’ të civilizimit dhe përkushtimit ndaj formimit të brezit të ri të denjë për kombin dhe të ardhmen e tij!
Që nga idea e rilndasve frashërllinj, Naimit dhe Samiut, përpjekjet e tyre për të nxjerrë një lejë për një Shkollë Shqipe nga Porta e Lartë në Stamboll, u desh një përpjekje e madhe!
Ishte Diamant Tërpo, emigranti nga Bukureshti ai që dhuroi shtëpinë e tij ku u hapën klasat e para ku cicëruan nxënësit e parë, zogjt e parë të atij marsi të vitit 1887!
Pandeli Sotiri ishte drejtori i parë i të parës mësonjtore shqipe!
Çdo 7 Mars është koha t’i përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë kësaj pjese të historisë sonë që lulëzon përjetësisht çdo fillim marsi si për të nderuar brezat e mësuesve dhe rrugën e diturisë shqipe!