Albspirit

Media/News/Publishing

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë: Ndryshimi i konceptit Vestfalian të shtetit

Dr. Sylë Ukshini

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë u riaktualizua debati mbi intervenimin ushtarak për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Operacioni “Allied Force” kundër Jugosllavisë së mbetur filloi me 24 mars 1999 dhe zgjati 78 ditë, deri me suspendimin e tyre me 10 qershor 1999. Intervenimi ushtarak në luftën e Kosovës ishte ndërhyrja e parë e NATO-s ndaj një shteti pa mandatin e OKB-së dhe ky moment shtroi pyetjen, deri në çfarë mase intervenimet ushtarake janë legjitime në aspektin e të drejtës ndërkombëtare? Ky diskutim është formësuar nga çështja e ligjshmërisë dhe legjitimitetit.

Intervenimi 78 ditor ushtarak NATO-s në luftën e Kosovë, që ndodhi me 24 Marsit 1999, në shumë pikëpamje paraqet një pikë kthese në historinë e Aleancës dhe anëtarët e saj. Ishte hera e parë në historinë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut që ndërmerrte një veprim ushtarak jashtë territorit të shteteve anëtare të NATO-s, madje pa një mandat paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mbi të gjitha aksioni ushtarak i NATO-s nuk ishte as mbrojtje në një luftë ndërshtetërore në kuptimin klasik, por një përgjigje e NATO-s ndaj dëbimit të popullatës shqiptare nga Kosova. Pra, lufta ajrore e NATO-s ishte ndërhyrje ushtarake ndaj një vendi të tretë për të parandaluar krizën humanitare dhe si intencë për ta frenuar fushatën e forcave të tij ushtarake dhe policore e paraushtarake serbe kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë. NATO e ndërmori operacionin “Allied Force” përfundimisht, jo vetëm se Milosheviçi nuk e kishte pranuar Planin e Rambujesë, por se forcat e tij ushtarake, policore dhe paramilitare prej kohësh kishin r planifikuar të dëbonin popullsinë shqiptare nga Kosova. Por sesi do të arriheshin qëllimet e NATO-s përmes operacioneve ajrore, ishte një pikëpyetje e madhe. Nëse qëllimi kryesor i operacionit, nga fillimi ishte mbrojtja e shqiptarëve të Kosovës, megjithatë vuajtja dhe dëbim i popullatë shqiptare vazhdoi më tej, kjo objektivë do të realizohet në fazën finale. Kështu operacionet ajrore fituan qartësi në objektiva gjatë kampanjës ajrore dhe flota ajrore u dyfishua me më shumë se 900 aeroplanë ushtarak, Milosheviçi në fillim të qershorit pranoi një zgjidhje diplomatike dhe braktisi diskursin e tij të konfrontimit me Perëndimin. Deri më sot nuk ka qenë e mundur të thuhet me saktësi se çmasë operacionet ajrore kanë kontribuar që Milosheviçi të lëshonte, apo efekt vendimtar kishte marrja në konsideratë e opsionit të dërgimit të trupave tokësore ushtarake të NATO, që në fakt do të nënkuptonte edhe okupim ushtarak të Jugosllavisë së mbetur. Sidoqoftë, angazhimi ushtarak i NATO-s në luftën e Kosovës është ndeshur nga vlerësime pro dhe kundra, madje një pjesë vazhdojnë ta cilësojnë si agresion ndaj Jugosllavisë së mbetur. Sipas të drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, një ndërhyrje, pra ndërhyrja në çështjet e brendshme të një shteti, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) , është e ndaluar ). Ndalimi i ndërhyrjes është i lidhur ngushtë me parimin e barazisë sovrane ndërmjet shteteve. Sovraniteti nënkupton pavarësinë ligjore në ushtrimin e pushtetit shtetëror, dhe për këtë arsye pavarësinë e rendit të brendshëm. Në parim, pavarësia përjashton ndërhyrjen, që është, ndërhyrja në punët e brendshme. Por ushtrimi i sovranitetit gjithashtu nënkupton marrjen e përgjegjësisë për punët e brendshme. Kjo korrespondon me kuptimin themelor të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore. Në kontekstin e periudhës së pas Luftës së Ftohtë, përgjegjësia shtetit ndaj qytetarëve të saj dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetet më qenësore në raport me sovranitetin e një shteti. Ndaj, tani e tutje sovranitetit shtetëror nuk mund të përdoret deri në pakufi si mburojë për abuzimin e të drejtave të njeriut brenda një shteti të caktuar. Që nga fillimi i viteve 1990, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka nxjerrë një varg rezolutash për konfliktet e brendshme në të cilat janë shkelur në masë dhe sistematikisht të drejtat elementare të njeriut duke i ekspozuar situata të tilla si kërcënim për paqen botërore dhe sigurinë ndërkombëtare (në pajtim me nenin 39 të Kartës së OKB -së).

Me rezolutën mbi Somalinë në vitin 1992, Këshilli i Sigurimit për herë të parë ka evidentuar shkeljen serioze të të drejtave të njeriut në një konflikt të brendshëm si një kërcënim për paqen, duke shënuar kështu një ndryshim në praktikën e forumeve të OKB-së. Rezolutat e mëvonshme të Këshillit të Sigurimit për luftërat Ruanda, Haiti, pastaj në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë, në të cilat u konstatua rreziku i paqes dhe siguria ndërkombëtare përmes situatave të konfliktit të brendshëm që përfshijnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, kanë kontribuar në transformimin e konceptit të Këshillit të Sigurimit.

Ndryshimi i vlerave në të kuptuarit e të drejtës ndërkombëtare ishte një premisë e re dhe një moment i rëndësishëm i zhvillimit të mëtutjeshëm i të drejtës ndërkombëtare. Megjithatë në aspektin legal parakusht për intervenimin ndërkombëtar mbetej vendimi formal i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, i cili edhe në rrethanat e reja mbetej peng i rivalitetit të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ku duhet pranuar se Rusia mbetej kampione e keqpërdorimit të vetos së saj. Në të kundërt, ndërhyrjet ushtarake të njëanshme kundër shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut që nuk ishin të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit, nuk ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë rrethanë Rusia, e cila deri në fund të vitit 1998 me gjysmë zemre kishte votuar rezolutat për Kosovën, iu rikthye metodave të vjetra, të bllokimit të Këshillit të Sigurimit. Fillimisht ajo doli kundër Marrëveshjes së Rambujesë dhe kundërshtoi sidomos aneksin ushtarak të kësaj marrëveshje, dhe në të njëjtën kohë bëri me dije se do të kundërshtonte operacionet e NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe represive të Jugosllavisë së mbetur.

Në këtë rrethanë, vendet tjera anëtare të Grupit të Kontaktit dhe NATO-ja ose duhej ta shikonin përsëritjen e një “Bosnjë të dytë” në Kosovë, të mbyllin sytë para dëbimit, spastrimit etnik dhe vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb i Beogradit, ose duhet të reagonin ushtarakisht dhe të evitonin gjenocidin mu në zemër të Evropës. Kur ishin shterur të gjitha përpjekjet diplomatike dhe kur Serbia e kishte bërë të qartë se ishte e vendosur të ndiqte metodat e saj të njohura në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur me përmes forcës ushtarake shteti jugosllav zhbëri rezistencën shqiptare ndaj rianeksimit të Kosovës dhe vazhdoi politikën represive dhe si rifilloi zbatimin e politikës së vjetër për shpërnguljen e shqiptarëve për në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe vende të tjera.

Në të njëjtën kohë, qendrat ndërkombëtare të vendosjes dhe shërbimet e tyre të inteligjencës qysh para konferencës ndërkombëtare të Rambujesë ishin vënë në dijeni për ekzistencën e planit të koduar “Patkoi”, sipas të cilit kreu politik dhe ushtarak serb në Beograd e kishte përgatitur gjatë rrjedhës së luftës në vjeshtë të vitit 1998. Në fakt, politika e Milosheviçit që nga viti 1989, pothuajse deri në detaj ishte identike me Planet nacionalistit radikal serb, Vasa Çubriloviçit, i cili u hartua në mars të vitit 1937 në Beograd. “Plani “Patkoi”, për argumentet e Qeverisë federale kishte vlerë, për shkak se trondiste tezën e dëbimit “spontan” të kosovarëve nga ana e forcave serbe të sigurisë, siç argumentohej atëbotë nga miqtë dhe përkrahësit e Milosheviçit në Evropë dhe në Gjermani, ” shkruan ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer në kujtimet e tij për luftën e Kosovës.

Duke u bazuar në këto informacione publike, në të cilat kishin qasje vendet kryesore të NATO-s, konfirmohej se spastrimi etnik në Kosovë nuk ishte një reagim spontan i kreut politik dhe ushtarak i serbëve ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion që ishte planifikuar qëmoti dhe me kujdes. Plani për spastrimin etnik të Kosovës ishte një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që ishin kryer përgjatë shekullit 20. Siç ka shkruar Mario Vargasllova, ky krim ishte i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me depërtimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte vendosur në synimin e vet për rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Edhe John G. Stoessinger, autor i librit “Përse kombet shkojnë në luftë”, metodat dhe qëllimet e regjimit të Miloshevçit në Kosovë i krahason me ato të regjimit nazist të Hitleri. “Qëllimi i udhëheqësit serb ishte dëbimi me forcë i shqiptarëve të Kosovës prej shtëpive që kishin pasur me breza. Eksodi do të përshpejtohej nga grabitjet, vrasjet, përdhunimet, djegiet dhe terrori në një shkallë aq të gjerë sa mund të krahasohej me Gjermaninë naziste. Të gjitha dokumentet e identifikimi do të konfiskoheshin me qëllim që shqiptarët të mbeteshin pa shtetësi dhe të bëhej i pamundur rikthimi i tyre në Kosovë. Të vetmen gjë që Milosheviçi nuk e kopjoi nga Hitleri ishin dhomat me gaz të Aushvicit. Në vend të tyre viktimat e tij të mjera do të dëboheshin drejt shteteve fqinje të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruan ai.

Pra qëllimi i vërtetë i luftës agresive të Beogradit në Kosovë nuk ishte vetëm zhbërja e UÇK-së, por para së gjithash ndërrimi i dhunshëm i strukturës etnike dhe i serbizimit të Kosovës, dhe me qëllim që kjo të realizohej, vrasja dhe dëbimi i popullatës shqiptare ishte në funksion të realizimit të idesë për krijimin me forcë të konceptit të Serbisë së Madhe.

Nisur nga kjo për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare ishte tejet e rëndësishme që çdo plan për Kosovën, pra edhe Plani i Rambujesë nuk e përjashtonte mundësinë e një pranie ushtarake të NATO-s si instrument kredibil për implementimin e çfarëdo marrëveshje të mundshme politike. Kjo formulë e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare ishte e motivuar edhe nga përvoja e hidhur që kishin me Beogradin gjatë marrëveshjeve të pa përmbushura në Bosnjë dhe në Kroaci si dhe nga diskreditimi që kishte përjetuar OKB dhe trupat e saj ushtarake në luftërat në pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Edhe sipas John G. Stoessinger, katalizatori që përshpejtoi fillimin e fushatës së bombardimeve ajrore nga NATO-ja ishte i dyfishtë. Së pari, zbulimi i një numri masakrash të forcave serbe kundër shqiptarëve, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, e shtynë NATO-n të merrte vendim. Së dyti, fuqitë perëndimore zbuluan planin e përgjithshëm strategjik të Milosheviçit për të “zgjidhur” problemin shqiptar, i njohur si “Operacioni Patkoi”.

Ndërsa, përllogaritja e qeverisë së Beogradit për shmangien e intervenimit ushtarak të NATO- mbështetej kryesisht mbi tri premisa: së pari, ai shpresonte se delegacioni i Kosovës nuk do të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë dhe në këtë mënyrë do të evitoheshin kërcënimet për sulme ushtarake të NTAO-s ndaj caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur. Së dyti, Millosheviçi shpresonte gjithashtu se brenda NATO-s do të mungonte uniteti ndërmjet shteteve anëtare të Aleancës dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej fillimi i sulmeve ajrore. Së treti, refuzimi i Rusisë dhe paralajmërimi rus ndaj Perëndimit kundër sulmit eventual të NATO-s ndaj Jugosllavisë dhe mbi të gjitha përdorimi i vetos rus në Këshillin e Sigurimit do t’i hidhte në erë planet e NATO-s për intervenim ushtarak.

Por, meqë NATO-ja nuk e mandatoi paraprakisht luftën e saj ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur, e cila zgjati për 78 ditë me radhë si përgjigje ndaj politikës së spastrimit etnik në Kosovë, edhe vazhdon të kontestohet edhe më tej ligjshmëria juridike ndërkombëtar. Derisa kundërshtarët e intervenimit ushtarak të NATO-s e kontestojnë legalitetin e këtyre sulmeve vetëm përse ato nuk morën miratimin paraprak të Këshillit të Sigurimit, duke ngritur pretendimin se një aksion i tillë në të ardhmen mund të shërbejë si precedent negativ në të drejtën ndërkombëtare, që cenon të drejtën dhe sovranitetit shtetëror të garantuar me dokumentet relevante të OKB-së.

Pavarësisht nga kjo, NATO-ja për arritjen e objektivave të saj i diktoi pesë kushtet për dhënien fund të sulmeve ajrore. NATO-ja kërkonte nga Milosheviçi së pari përfundimin e operacioneve luftarake në Kosovë, së dyti tërheqjen e të gjitha trupave ushtarake, policore dhe paraushtarake, së treti miratimin e pranimit të stacionimit të prezencës ushtarake ndërkombëtare, së katërti rikthimin e pakusht të të gjithë të zhvendosurve dhe refugjatëve, si dhe hyrjen e papenguar të organizatave humanitare dhe së pesti pranimin e kornizës politike të bazave të Panit të Rambujesë. Meqë shtetet anëtare të NATO-s intervenuan ushtarakisht për të mbrojtur popullatën kosovare brenda shtetit sovran të Jugosllavisë së mbetur, ndaj bëhej fjalë më shumë për një intervenim me karakter humanitar. Kundërshtarët e intervenimit ushtarak argumentojnë se paraprakisht ka qenë e domosdoshme një rezolutë e Këshillit të Sigurimit si predispozitë e nevojshme e ligjshmërisë ndërkombëtare. Por meqë kjo kishte dështuar, për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, kontestohet ky intervenim ushtarak i NATO-s, por në të njëjtën kohë ata nuk japin përgjigje se si do të duhej qasur fushatës ushtarake të Milosheviçit dhe kërcënimit të hapur për ta përsëritur gjenocidin e radhës si në rastin e Bosnjës.

Pikërisht rasti i intervenimit në luftën e Kosovës, dhe rreziku i përsëritjes së gjenocidit serb si në Bosnjë, shtruan domosdoshmërinë për zhvillimin e mëtejshëm të drejtës ndërkombëtare dhe kornizimin ligjor për legalizimin e ndërhyrjes humanitare, në rast të shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut edhe pa një autorizimi paraprak nga Këshilli i Sigurimit. Por lidhur me këtë temë debati mbetet akoma shumë i ndarë në dy kampe, ata që e justifikojnë një gjë të tillë dhe ata që e kundërshtojnë me frikën se një precedent i tillë mund të përdoret brenda shteteve të caktuara. Para së gjithash, kundërshtarët e këtij intervenimi ushtarak i referohen monopolit të vetëm të fuqisë të Këshillit të Sigurimit, si dhe mundësisë së abuzimit të intervenimit ushtarak nga jashtë, siç ishte rasti i ndërhyrjes arbitrare të Rusisë në Gjeorgji, Ukrainë dhe bashkë me këtë edhe aneksimi i Krimesë, bombardimet e saj në Siri, si dikur intervenimi sovjetike në Afganistan.

Përkrahësit, nga ana tjetër, i referohen cilësisë së ius cogens e të drejtave të njeriut. Në rastin e shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut një intervenim humanitar mund të lejohet nga ndonjë shtet apo organizatë e bashkësisë ndërkombëtare. Me këtë rast, shkelja e të drejtave të njeriut nënkupton gjithashtu lejimin e një përgjigje me instrumente të dhunshme. Në një rend të ri ndërkombëtar, intervenimi humanitar nuk mund të përjashtohet në rast se përdoret për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimit të gjenocidit. Në këtë rrafsh, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare argumentojnë se intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë ishte i drejtë dhe domosdoshëm. Në kontekstin e pas Luftës së Ftohtë, kur të drejtat e njeriut kanë një dimension të avancuar përballë sovranitetit shtetëror, shtetet dhe diktatorët nuk mund të përdorin sovranitetin shtetëror si instrument për aplikimin e politikave të tyre represive dhe të spastrimeve etnike. Në këtë prizëm, pra integriteti territorial nuk mund të jetë vlerë supreme e bashkësisë ndërkombëtare.

Në rastin e shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, kur Këshilli i Sigurimit është i paralizuar nga një anëtar i përhershëm, siç veproi Rusia në rastin e Kosovës, ndalimi i dhunës fiton përparësi në këtë rast.. Sipas ekspertes së drejtës ndërkombëtare Christian Busse, shkeljet më serioze të të drejtave të njeriut të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë, të paktën shtypja e një populli të tërë me mjete mizore, do të mund të cilësohej si fillim i gjenocidit. Po ashtu, argument për intervenimin ushtarak të NATO-s nënvizohet shterimi i të gjitha mjeteve diplomatike dhe përpjekjeve ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit nga viti 1997 e deri në Konferencën e Rambujesë dhe nga ana tjetër fitimi i kohës nga pala serbe për dislokimin e trupave ushtarake në Kosovë si dhe vazhdimi i operacioneve ushtarake. Pra, aty ku shkelet e të drejtave të njeriut kanë për pasojë dëbimin e dhunshëm të një popullsie të tërë, çështja e intervenimit ndërkombëtar bëhet e domosdoshme dhe e ligjshme. Në favor të kësaj përmenden edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përmes të cilave nënvizohej brenga për situatën në Kosovë dhe tërhiqej vërejtja për katastrofën e mundshme humanitare dhe në të njëjtën kohë nga palët në konflikt kërkohej gjetja e një zgjidhje negociuese. Por, këto rezoluta nuk patën ndonjë efekt pozitiv, ndaj Këshilli i Sigurimit në shtator të vitit 1998 miratoj Rezolutën 1199, duke u mbështetur në Kapitullin VII të Kartës ës OKB-së, që konsiderohej si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga Këshilli i Sigurimit, të cila mund të shkonin deri tek intervenimi ushtarak.

Në këtë sfond, operacioni “Allied Force“ – ndërhyrja humanitare e NATO-s në Kosovë – konsiderohet si intervenim i domosdoshëm dhe i ligjshëm, për faktin se Milosheviç nuk ishte i gatshëm për përmbushjen e kërkesave dhe detyrimeve të një varg rezolutave të OKB-së dhe as të heqjes dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë. Ishte fakt, se pas dështimit paraprak shumëvjeçar të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, që u kushtoi me jetë 200 mijë njerëzve, në rastin e Kosovës bashkësia ndërkombëtare ishte më e vendosur që të vepronte edhe ushtarakisht kundër Millosheviqit, madje edhe pa një vendim të Këshillit të Sigurimit. Heinrich August Winkler, njëri prej historianëve më të njohur të Gjermanisë, ka konkluduar se ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999 ka qenë e drejtë. “Kombet e Bashkuara si mësim nga lufta në Kosovë kanë zhvilluar parimin e “responsibility to protect” (“përgjegjësisë për mbrojtje”). Nëse një shtet anëtar kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut intervenimi mund të jetë legjitim. Për shembull në rastin e gjenocidit në Ruandë, ku bashkësia ndërkombëtare ka dështuar tmerrshëm. Edhe ndërhyrja në Kosovë, e cila ndodhi pa mandat të OKB-së, sipas mendimit tim, ka qenë legjitime dhe e domosdoshme”, pohon Winkler.

Duke pasur parasysh se intervenim ushtarak i NATO-s ishte ndërmarrë duke u bazuar në vendimin e Këshillit të NATO-s, pjesë e së cilës ishin edhe vendet kryesore të BE-së, mbetej vendimtare ruajtja e kohezionit midis vendeve të NATO-s anëtare të njëkohshme të BE-së dhe bashkë me këtë edhe i relacioneve transatlantike (BE-SHBA). Në këtë mënyrë, vendet kryesore të BE-së iu bashkuan me vendosmëri SHBA-së në vendimmarrjen për operacionet ajrore të NATO-s kundër objektiva e represive të Jugosllavisë së mbetur dhe pavarësisht epërsisë teknologjike amerikane, kjo lufta ajrore nxori si mësim nevojën për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së dhe domosdoshmërinë për më shumë Evropë brenda NATO-s.

Në këtë prizëm intervenim i NATO-s në luftën e Kosovës paraqet pa dyshim një moment kyç në historinë e Aleancës dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Intervenimi humanitar i NATO-s arriti katër qëllime: e para, mundësoi rikthimin e shpejtë në Kosovë të dëbuarve dhe refugjatëve shqiptarë; e dyta, mundësoi stacionimin e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat, nëse jo de jure, de facto, ishte një trup e NATO-s. Më këtë sovraniteti dhe integriteti territorial i Jugosllavisë së mbetur mbi Kosovës praktikisht nuk ekzistonte më. E treta, ky moment shërbeu si shtysë e re për zhvillimin e të drejtës ndërkombëtar, duke bërë të qartë se në rrethanat e pas përfundimit të Luftës së Ftohtë koncepti mbi “sovranitetin” ka marrë karakter kufizuese dhe në qendër të gravitetit do të ketë është të drejtat e njeriut. Pra, lufta e NATO-s për Kosovën shënoi një goditje vendimtare të konceptit vestfalian të shtetit duke afirmuar konceptin e të drejtave të njeriut. E katërta, ky intervenim i NATO-s shërbeu edhe një katalizator për zhvillimin e mëtutjeshëm të Politikës të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe si në aspektin institucional, ashtu edhe në procesin e vendimmarrjes dhe në procedurat e tjera.

Përtej kësaj, angazhimi ndërkombëtar në luftën e Kosovës na sjellë ndërmend angazhimin e koalicionit antifashist, që rezultoi edhe me lirinë e popullit gjerman. Ashtu si dikur që të rinjtë amerikanë dhe evropian që ishin bashkuar në Luftën e Dytë Botërore kundër të keqes së njerëzimit, Hitlerit, ashtu edhe në luftën e Kosovës të rinjtë nga vendet evropiane dhe ShBA me 24 mars deri më 10 qershor 1999 i ishin bashkuar luftës për Kosovën. Ky intervenim ushtarak i NATO-s në Kosovë, jo vetëm hapi shtegun për zgjidhjen s e çështjes së Kosovës dhe njëkohësisht parandaloi përhapjen e një lufte të re në rajon. Në këtë mënyrë, liria e Kosovës gjithashtu krijoi premisat që Ballkani Perëndimor të lëvizte drejt evropianizimit të tij , si dhe të shkëputej nga epoka e nacionalizmit. Ndaj kishte të drejtë filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman, kur në rrjedhën e luftës së Kosovës, do të thoshte se “Evropa lind në një Prishtinë të lirë”./gazeta Shekulli/

Please follow and like us: