Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Qeverisja e dështuar po e vdes bujqësinë

Një fermer i dëshpëruar tregon se si i shkul pemët e mollëve, pasi prej dy vitesh prodhimet e tij nuk gjejnë treg. Ndërsa lidh pemët e rritura me kavon që e tërheq traktori, për ta shklulur me rrënjë, fermeri nga qarku i Korçës i drejtohet kryeministrit të Shqipërisë: “Hajde, o Edi Rama bli mollë tani!’. Mollët e fermerëve tanë nuk shiten, por këtu shiten mollët maqedonase.

Si ky fermeri në Korçë ka me qindra dhe me mijëra sot në Shqipëri. Një javë më parë, ata të Lushnjës, Divjakës dhe Beratit derdhën qumështin në rrugën nacionale, pasi qeveria ndryshoi skemën e rimbursimit të TVSH-së për agropërpunuesit, të cilët nuk kanë më interes ta blejnë qumështin nga prodhuesit vendas, por ta importojnë atë nga fqinjët, duke e rrënuar prodhimin vandas.

Kam folur shpesh për bujqësinë, rrënimin e saj dhe kam prezantuar edhe tezat e mia për ringritjen e saj me subvencione shtetërore të krahasueshme me vendet fqinje dhe me reformat e duhura ekonomike dhe ligjore, ndryshe shumë shpejt do të përfundojmë që të ushqehemi vetëm me prodhime sllave.

Këtë e shpjegova shumë mirë edhe për fermerët e Korçës, në prill 2017, ndërsa atje takova anëtarët dhe simpatizantët e partisë ZGJIDHJA:

“Kriza aktuale është e lidhur me mungesën e thellë të shpresës dhe besimit. Abuzimet e pafundme me pushtetin, varfëria, kriza ekonomike dhe papunësia, rrënimi moral dhe kalbëzimi i gjithanshëm ka shkatërruar shpresat dhe besimin e njerëzve. Të gjithë duan të ikin nga ky vend. Të gjithë duan të emigrojnë. Edhe ata që kanë bërë para e sukses nuk duan të rrinë më këtu. Tashmë janë duke ikur. Ky vend po braktiset dhe po thahet nga njerëzit e zotë. Në vitin ‘97, në krizën e piramidave, njerëzit humbën të gjitha paratë. Në 2017 njerëzit e këtij vendi kanë humbur të gjitha shpresat. Nuk gjejnë më arsye për të ndenjur këtu. Ky konflikt që po e çon popullin ne një përçarje të thellë, në një spirale të re frike e pasigurie, do të nxisë më shumë braktisjen e vendit dhe nga ana tjetër, kjo braktisje do të rrënojë e shkatërrojë edhe më shumë shpresat e njerëzve.

Kjo krizë është e kushtëzuar nga varfëria ekstreme që ndikon këtë degradim të gjithanshëm moral të shoqërisë shqiptare. Ekonomia e vendit është copë-copë. E vetmja gjë e vërtetë janë mashtrimet e qeverisë për rezultatet e mira në ekonomi. Të ardhurat për frymë kanë 10 vite që nuk rriten asnjë dollar. Papunësia është shumë e lartë. Në 10 vitet e fundit Shqipëria nuk ka rritur vendet e punës. Sot ka aq të punësuar sa 10vite më parë. Papunësia mbetet shumë e lartë dhe rrogat shumë të ulëta. Qeveria jep vetëm koncensione korruptive dhe pa asnjë përfitim esencial për shtetin. Borxhet rriten çdo vit. Burimet zvogëlohen. Të gjitha sipërmarrjet vuajnë. Të lumtur janë vetëm një grusht biznesesh të lidhura me qeveritarët. Dje kreu i BERZH-it Mateo Co’langeli tha se “Megjithëse BERZH-i u krijua për të ndihmuar kalimin në ekonomi tregu për vendet ish-komuniste, në Shqipëri 80 për qind e portofolit të kredive shkon për qeverinë…Mos më keqkuptoni, por 20 për qind për sektorin privat janë shumë pak”-shprehet kreu i BERZH.

Sipërmarrjet e vendit sidomos në fushën e bujqësisë janë më të ekspozuarat ndaj rreziqeve dhe më të harruarat. Ngrica e para pak ditëve jua shkatërroi plotësisht plantacionet me mollë, kumbulla dhe qershi fermerëve, më së shumti këtu në Korçë. Ne Dvoran sivjet thuajse janë të falimentuar të gjithë. Po kështu në Polenë dhe në Pirg. Qeveria e ka braktisur edhe bujqësinë edhe fshatin. Ajo di vetëm të marrë borxhe, të japë koncesione në dëm të interesit publik dhe të bëjë tendera korruptivë. Kjo krizë e shumëfishtë ka prodhuar një ushtri të dëshpëruar e agresive që e bën akoma më shpërthyes konfliktin, ndërkohë që konflikti, kriza politike dhe konfrontimi e bën akoma më depresive ekonominë tonë mjerane dhe rrezikon të gjitha projeksionet për vitin 2017 dhe për vitet e tjera”.
#ZgjidhjaPërFermerë

Please follow and like us: