Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta aktorja e njohur durrsake, Vera Urumi

Një lajm i trishtuar është shpërndarë me anë të një statusi në rrjetin social të teatrit ‘Aleksandër Moisiu’, në Durrës. Ditën e sotme, është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare aktorja e njohur durrsake, Vera Urumi. Ndërkaq, në njoftimin e shpërndarët, thuhet se homazhet do të mbahen në hollin e teatrit në orën 12:00.

Postimi i plotë

Me hidhërim të thellë njoftojmë se u shua dhe një tjetër yll i gjirit tonë artistik durrsak e shqiptar. Vera Urumi u nda sot nga kjo jetë. Teatri Aleksander Moisiu Durres shpreh mirënjohjen më të thellë e ngushëllimet më të përzemërta familjes dhe gjithë të njohurve. Homazhet do të mbahen nesër në hollin e Teatri Aleksander Moisiu Durres ora 12:00. Në foto po ju paraqesim një fragment nga komedia PREFEKTI ku znj. Urumi luante rolin e Zonjës përkrah Nikolin dhe Meropi Xhojës dhe në një foto tjetër me kolegun e saj z. Lutfi Hoxha gjatë ceremonisë së Festivalit të Filmit në Durrës në vitin 2012.

Kush ishte Vera Urumi

Vera Urumi lindi më 4 shkurt 1932, por në pasaportë data zyrtare e lindjes së saj është 25 mars 1932. Ditën e sotme, 27 mars 2019, ajo mbylli sytë përgjithmonë, në moshën 87-vjeçare. Aktorja që krijoi mbi 100 role në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” mbante titullin e nderuar “Artiste e Merituar”. Artistja durrsake, Vera Urumi, veterania e skenës së teatrit dramatik “Aleksandër Moisiu”, e lidhi jetën e saj me një artist të shquar si Spiro Urumi dhe e bëri teatrin familjen e saj të dytë. 70 vjet më parë kur u ngjit për herë të parë në skenë, Vera 17-vjeçare nuk ka menduar se do të zbriste prej saj vetëm në fundin e viteve 1980, atëherë kur doli në pension. Do të dilte mijëra herë para spektatorëve dhe do të vishte “kostumin” e gati 100 personazheve të ndryshme, secili krejt i veçantë nga tjetri, po i përgatitur me të njëjtin pasion dhe seriozitet që karakterizon një artist profesionist. “Vera Urumi erdhi si profesioniste në trupën tonë të sapoformuar”,- kujtonte aktori Lutfi Hoxha, një nga veteranët e vitit 1953. Vera Vreshtazi, vajza nga Durrësi, do t’i hidhte hapat e parë në mjeshtërinë e aktorit në kryeqytet, në trupën e Teatrit të Ushtrisë, një nga ansamblet e parë teatrorë të vendit. Strehohej në shtëpinë e Gjikë Kuqalit, një prej shkrimtarëve të njohur të pasluftës, ndërsa shoku i saj më i mirë do të bëhej Spiro Urumi, i cili kryente shërbimin ushtarak pranë së njejtës trupë teatrore. Durrësi nuk kishte ende një teatër profesionist dhe Vera që nuk i kishte mbushur të 20 vjetët iu bashkëngjit trupës së sapokrijuar të Shkodrës, duke perfeksionuar mjeshtërinë artistike mes aktorëve me emër. Një telegram që mbante nënshkrimin e Nikolin Xhojës dhe Tod Thanasit në janar të vitit 1953 e ka risjellë në Durrës aktoren profesioniste Vera Vreshtazi. Kanë mjaftuar fjalët: “Teatri profesionist i Durrësit u aprovua. Të presim!” dhe Vera nuk ka hezituar. Tashmë ajo do të ishte pjesë e pandarë e teatrit profesionist të Durrësit. Ashtu siç do të ishte e pandarë në asnjë moment nga bashkëshorti i saj artist Spiro Urumi. Lutfi Hoxha tregon se roli i Zinës e ka pagëzuar karrierën artistike të Verës në teatrin e Durrësit, i cili deri në vitin 1964 e kishte sallën e tij në ish-kinemanë “14 nëntori”. Më pas rolet kanë qenë të pafund. Disa nga rolet e realizuara nga Vera në skenë janë veprat dramatike e komike “Pulëbardha”, “Dredhitë e Skapenit”, “Sëmundje e rrezikshme” apo “Nota zero në sjellje”. Në fundin e viteve 1970, Vera Urumi nderohet me titullin “Artiste e merituar”. Sipas kolegut dhe mikut të saj Lutfi Hoxha, për Verën nuk kishte role të vegjël e të mëdhenj. Ajo interpretonte me të njejtën dashuri si rolet komikë ashtu edhe ata me forcë dramatike. Komedia “Nusja dhe vjehrra” merrte njëlloj duartrokitje si drama “Mbrapa mureve”; “Dredhitë e Skapenit” vlerësohej me të njejtin seriozitet si “Votra e huaj”, e po ashtu “Familja e peshkatarit” përballë kryeveprës së Gogolit “Martesa”, një komedi që “udhëtoi” për vite me radhë në të gjithë vendin e që u shfaq më shumë se 400 herë. Një triumf për trupën e Durrësit e veçanërisht për dy protagonistët e saj Nikolin Xhoja e Vera Urumi-kujton Lutfi Hoxha. Në familjen me emrin “Aleksandër Moisiu” bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi rritën edhe dy vajzat, Nevianën dhe Lydrën, të cilat shpesh i zinte gjumi në kolltukët e teatrit, teksa prisnin që prindërit të mbaronin provat e radhës.

Një jetë intensive në skenë për Vera Urumin, një shembull për t’u ndjekur nga aktorët e brezit të ri.

Please follow and like us: