Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: Dom Pali

Fotografia e Djal Golemi

 

Tregim

Fundshtatori. Misri i ri ende nuk ishte vjelë nga arat e Zadrimës. Dielli ishte në të perënduar. Hijet e pemëve ishin stërzgjatur në luginë duke e ndarë dritën e artë me fasha të stërmëdha. Rrezet e fuqishme të diellit binin pjerrtas. Edhe pak dhe lëmshi i zjarrtë do të zhdukej pas kodrës, paralel me vijën bregdetare. Thuajse xhirimet për filmin dokumentar i kishim mbyllur. Na mbeti peng që nuk kishim mundur të siguronim hartën e Dioqezës së Sapës. Dom Pali sikur nuk kishte qejf të bashkëpunonte me ne. I shkreti prift, nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu dhe me sa kuptohej, druhej të na takonte; ishim një grup televiziv shtetëror. Nuk e kishte keq: iu shmangej telasheve. Mua më interesonte ajo hartë për të treguar se deri ku shtrihej popullsia shqiptare katolike në Mal të Zi që përfshihej në Dioqezën e Sapës ku bënte pjesë edhe Zadrima, prandaj tregohesha më i duruar se gjithë të tjerët.

Kishim punuar një javë pa pushim. Gjendeshim ende në fushën e Zadrimës, pikërisht në fshatin Balldren. Kishim ngrënë drekë mirë në Hotelin e Gjuetisë në Lezhë, tavë peshku. Nuk e vrisnim shumë mendjen për vaktin e radhës. Ishim ulur në të vetmin klub-dyqan të atij fshati. Djathtas, afër dritares, ishin sajuar katër karrige dhe një tavolinë e shtrembër. Po prisnim prej rreth dy orësh të na vinte harta. Prifti, si të dëshironte, edhe mund të mos na takonte. Prisnim të mbaronte mësimin e mbasdites e mbesa e Dom Palit, mësuese Irena. Atë e kishim zgjedhur si konsulente të filmit nga që e njihte mirë historinë e Zadrimës. Si të thuash hartën e kishim në dorë duke qenë se ishte mbesa e priftit. Më në fund hapa gojën:

– Piro, – i thashë regjisorit, më i riu në ekip – të lutem, hidhu njëherë tek shkolla 8-vjeçare. Ty sikur të ecën muhabeti me zonjushë Irenën. Ndoshta ka mbaruar mësimin. Me sa duket, atyre të këshillit nuk u shkon fjala tek prifti. Nuk na e siguruan dot hartën. Kemi katër ditë që presim.

Pirua, i cili në ato vite kishte trup atleti, nuk e bëri fjalën dysh. U ngrit nga vendi si me sustë dhe pas dy minutash u zhduk pas portës kryesore të shkollës. Po prisnim në heshtje. Të gjitha fjalët i kishim mbaruar. Ndoshta, i mërzitur nga pritja, më ngjau se edhe ai u vonua shumë.

Kur ja, më në fund doli nga dera kryesore vetë i dytë. Në krah kishte mësuesen e re, Irenën, veshur me një përparëse të bardhë. Ajo ka fytyrë rrumbullake, sy të shndritshëm, flokë të zezë, të prerë shkurt dhe trup mesatar. I binte të ishte moshatare me regjisorin tonë. Kjo vihej re edhe nga intimiteti që kishin krijuar në aq pak kohë sa ishin njohur. Po afroheshin duke biseduar gjallërisht. Irena buzëqeshi ëmbëlsisht dhe më zgjati dorën e saj nazike. Ajo kishte një të qeshur të bukur. Mollëzat e gishtërinjve i kishte ende të zbardhura nga shkumësi me të cilin shkruante emrat dhe datat në dërrasën e zezë. E dinte mirë në çfarë sikleti ishim futur për hartën. Pa pritur të flisnim ne, na tha:

– Po nisem menjëherë tek Dom Pali. Më prisni këtu!

Buzëqeshi si zakonisht duke nxjerrë një sërë dhëmbësh borë të bardhë. Një ngjyrë e purpurtë ia ngjeu faqet duke vështruar me admirim nga regjisori i cili nuk ia ndante vështrimin. Na ktheu krahët dhe mori udhën drejt një rrugice anash shkollës.

Tirana ishte dy orë larg. Nuk e kishim problem vonesën nga që makinën e kishim të re. Nuk kishte shumë kohë që televizioni ishte pajisur me dymbëdhjetë xhipa të tillë, akull të rinj të markës së famshme gjermane “Benz Mercedes”. Në dyqan hynin fare pak njerëz. E pyetëm shitësen se si ishte me xhiron ditore dhe ajo tundi kokën me dëshpërim: “Nuk kanë lekë, ja shiheni këtë fletoren. E kam plot me emra që nuk kanë shlyer borxhet. Ua jap veresie, nuk kam çfarë të bëj ndryshe. Shpesh detyrohem të lë peng rrogën time”, na tha ajo e pezmatuar duke mos pasur dëshirë ta zgjaste më tej këtë bisedë.

Irena po vonohej.

“Ngrihemi, na u mpinë këmbët duke qëndruar këtu, i biem njëherë vërdallë fashatit. Më duket se prifti do të na sorollatë përsëri. Kam një parandjenjë të ligë për atë shërbëtor të Perëndisë”, tha operator Strazimiri.

“Dalim më mirë nga fusha, na ka mërzitur betoni dhe asfalti në qytet”, propozova unë, por mendjen e kisha tek përgjigja përfundimtare e Dom Palit. Kolegët nuk ma prishën.

Ecëm buzë një are të mbjellë me misër. Shirat e para të vjeshtës kishin bërë që ledheve e buzë kanaleve të buiste gjelbërimi i ri i barit. Gjethet e misrit kishin filluar të thaheshin dhe thuajse gjithë kallinjtë kishin kthyer kryet poshtë si të zënë në faj. Zadrima ka toka pjellore dhe misri për atë vit premtonte 70-80 kuintal për hektar, një shifër mjaft e kënaqshme. Pak më tej, heshtas, në fshehtësi, midis shelgjeve të dendur, gjarpëronte lumi Drin. Ujërat e tij ishin të kthjellët e transparent.

– Nuk e dija që lumi qënkishte kaq afër fshatit. Uji rrëshqet pa u ndjerë maskuar pas pemëve. Duhet të ketë shumë peshk. Si nuk mora grepat! – tha regjisor Pirua i befasuar.

– Emri i vjetër i fshatit duhet të ketë qenë Balli i Drinit, Balldrin, Balldren, kështu duhet të ketë evoluar, – thashë unë jo fort i sigurtë.

-Është bindëse, – tha operator Strazimiri.

Në fshat kishte rënë muzgu. U kthyem përsëri në drejtim të dyqanit.

– Nga nuk ju kam kërkuar, ku humbët? – pyeti e alarmuar mësuesja e historisë. Kishte hequr përparësen e bardhë dhe ishte veshur me një bluzë të kuqe dhe fund të shkurtër. Hodha sytë nga regjisori, por ai ishte i përhumbur pas pulpëve të saj të plota e të lëmuara.

-E gjete priftin? – pyeta unë me padurim.

-Po, e gjeta dhe ma dha hartën në mirëbesim. Duhet t’ia ktheni përsëri, – tha ajo dhe shpalosi një karton në madhësinë e një ekran televizori.

Të paduruar, u vërsulëm të katërt përmbi hartë. Ishte e shkruar në latinisht me një kaligrafi të qartë e të bukur. Kufijtë dhe emrat ishin shënuar me bojë kine të zezë. Në disa vende kartoni ishte zverdhur, kishte marrë njolla lagështie të cilat me kalimin e kohës ishin tharë e zverdhur.

– Ikim, hartën e siguruam, – tha shoferi i cili deri atëherë nuk kishte thënë asnjë fjalë.

– Pse nguteni, – tha operator Strazimiri – le të vonohemi edhe ca, hyjmë në Tiranë pas mesit të natës dhe kjo e sotmja na quhet dietë.

Atëherë ishte një rregull: nëse në qendrën e banimit nëpunësat hynin pas mesnate, ajo ditë paguhej gjysmë diete nga institucioni. Këtë synonte operator Strazimiri. Kjo na leverdiste të gjithëve.

-Ju ftoj për darkë nga shtëpia ime, – propozoi mësuesja duke më parë mua drejt e në bebe të syrit. Dorë për dore ajo kishte një avantazh të madh ndaj zadrimorëve: kishte siguruar hartën. Duhet të mos ia prishnim.

Nuk isha i vendosur. Hetova sytë e të gjithëve. Njëherazi m’u duk sikur ata thoshin “prano” dhe unë nuk ua prisha qejfin kolegëve, sidomos Piros i cili sa nuk u hodh përpjetë nga gëzimi. Shtëpia e mësueses nuk ishte larg. Ishte një godinë e vogël dykatëshe, ngritur mbi blloqe betoni e mbuluar me tjegulla të kuqërremta, ndërsa një hajat aty pranë ishte ngritur tej e tej me fleta llamarine.

Hymë në rrugicën e shtëpisë. Një tufë patash që po kullosnin në oborr as e prishën terezinë edhe pse ishim njerëz të panjohur për to. Tek shtegu na priti e zonja e shtëpisë e cila përpara se sa të na jepte dorën, i fshiu ato në përparësen që kishte mbështjellë për mesi. Ishte një grua truplidhur, fytyrëgjerë dhe me vithe pak të dala. Kishte lidhur kryq mbi krye një shami me lule kumbulle nga e cila dilnin ca flokë të zinj kaçurrelë. Dihet, në Zadrimë të gjitha gratë e martuara kështu i mbajnë flokët. Ato i dredhin me tel të nxehtë për të marrë forma me onde. Kishte veshur një mëngore me krahë të gjerë. Dikur duhet të kishte qenë një pëlhurë e bardhë, por tashmë nuk dukej si e tillë. Quhej Prena. Ajo ishte motra e priftit. Bënte lëvizje të sigurta dhe me sjelljet e saj gjysmë mashkullore ishte krejt në kontrast me të bijën delikate. Nuk e zgjati shumë ceremoninë e mirëseardhjes. Madje nuk u interesua fare për emrat dhe profesionet tona. E la të bijën të na udhëhiqte drejt shtëpisë dhe mori diku mbi mur një enë bakri plot me kokrra misri. Hodhi ca prej tyre në tokë me të cilat ndolli tufën e patave. Shpendët u afruan gjithë zhurmë duke iu ngatërruar nëpër këmbë. Ajo nuk e pati të vështirë të kapë për zverku njerën prej tyre. I drodhi qafën pa asnjë lloj keqardhje dhe e hodhi në një kazan me ujë të vluar i cili qysh më parë ishte vënë mbi zjarr për t’u zier.

Ecëm pas mësueses në brendësi të shtëpisë. Kështu u detyruam të humbasim spektaklin që do të ndiqej në vazhdimësi me patën fatkeqe. Ishim të kënaqur që kishim siguruar hartën. U ulëm në kuzhinë mbi disa divanë të holluar nga përdorimi. Një poç elektrik që ndriçonte zbehtë varej drejtpërdrejtë në tavan, i pafuqishëm për të llamburitur dhomën cep më cep. Pyetëm në se kjo shtëpi kishte një mashkull dhe mësuesja na tregoi se i ati, shofer në ndërmarrjen e bonifikimit, pritej nga çasti në çast të mbërrinte, ndërsa i vëllai po kryente shërbimin e detyrueshëm ushatrak në Vlorë. Sytë e saj kishin marrë flakë dhe herë pas here shikonte Piron dhe nuk e vazhdonte fjalën pa marrë aprovimin e tij me krye. Ky i fundit hiqej si i painteresuar. Duke hyrë e dalë, si pa dashur, ajo e cikte me pulpat e këmbëve apo i hidhte dorën në sup kur donte të shpjegonte diçka.

***

Tej dritares u dëgjua një zhurmë makine dhe pas pak tek dera e shtëpisë ia behu një burrë trupvogël, i parruar, veshur me një palë kominoshe të gjera e të gjata për trupin e tij të paktë. Nxori kutinë e duhanit dhe ia zgjati secilit, por vetëm shofer Selimi ia mori. Ne të tjerët nuk e pinim. Na pyeti se nga ishim me origjinë. Folëm me radhë, por atij më shumë i bëri përshtypje Selimi të cilin e pyeti se a e “pranonte” naftën e Ballshit “Benzi” i tij.

– E grin, -iu përgjigj Selimi i vendosur – nuk ia vure re antenën me spirale në fund!? Është makinë usharake e fuqishme. Mund të tërheqë një top kundërajëror. Hyn në rrugë e pa rrugë.

– Ëndërr e kam të ngas një “Benz”, je me fat. Më në fund ia mbushët mendjen Dom Palit, ua besoi hartën!? Ta dini ju sa ka vuajtur ai, pikërisht për atë hartë. Ka hequr të zitë e ullirit, – tha babai i mësueses dhe u largua të ndërronte rrobat e punës. Bisedën, aty ku e la ai, e vazhdoi e shoqja, Prena:

– Hartën e keni prej Irenës. Kurrkujt nuk do t’ia jepte ai. Ai ia ka vënë asaj këtë emën. E ka pikë të dobët vajzën tonë. “Mëso gjuhë të hueja, do të duhen”, i thotë vazhdimisht. Pash zotin, mos ia tretni atë hartë. Ju lutemi shumë!

Ndërkohë mësuesja shtroi mezetë e çastit mbi sofër: qepë të njoma, ullinj dhe djathë. Nuk vura re të kishte ndonjë tavolinë rrotull. Ishim të detyruar të uleshim këmbëkryq rreth sofrës. Unë kisha përballë të zotin e shtëpisë dhe Piron në krah të tij.

Irena shtroi mezetë. Si pa teklif, u ul në krah të regjisorit. Jo vetëm ajo, por të gjithë rrinim shtënguar si fishekët në gjerdan. U bë një copë herë heshtje.

– E dini historinë e Irenës së Zadrimës? – i pyeta unë duke i hetuar me radhë. Asnjë nuk u përgjigj.

– Jo, – tha i pari Selimi.

– As ti mësuese që mban emrin e saj? – e pyeta unë për ta ngacmuar.

– Unë po, e di, ma ka treguar Dom Pali. Ama nuk e kemi bërë në shkollë, – tha ajo si e zënë në faj.

– Irena, – vazhdova unë triumfator, ishte e bija e prijësit të Zadrimës, Lek Dushmani, e bukur peri dhe shumë e zgjuar. Ditën që do të fejohej me princin Lek Zaharia, prijësi i Danjës u zë pritë krushqve në pyllin e Kovinetit. A ka një pyll të Kovinetit këtu?

– Posi jo, – tha i zoti i shtëpisë duke kapsallitur sytë – po sa vjet ka kjo histori?

– Para Skënderbeut kur Zadrima lulëzonte dhe paria jetonte brenda kështjellës. Zadrima gjithnjë ka qenë vendi i bollëkut. Ashtu siç shkruan Frang Bardhi, misër për herë të parë në Shqipëri është mbjellë pikërisht këtu. Sorgos quhej atëherë misri. Ju e dini që ai ka ardhur këtu pas zbulimit të Amerikës.

– Po me Irenën çfarë u bë? – pyeti Pirua me padurim.

– Irenën e mori fisi i Dukagjinëve, ata ishin më të fuqishmit e gjithë Dioqezës së Sapës, – iu përgjigja unë.

– Sigurisht pa dëshirën e saj, – tha Pirua me sy të pikëlluar.

– Një shëndet për Irenën që kemi këtu se edhe kjo është shumë e bukur, – tha Selimi i entuziazmuar.

– Nalu bre burrë, mos u ngut, – tha i zoti i shtëpisë, – ne nuk marrim dolli për femnat. Të mos dalë plumbi huq, pije me mua për shëndetin e Dom Palit që u ktheu gëzimin duke iu dhënë hartën.

– Unë nuk pi shëndete për ata që nuk janë në trapez, – tha Strazimiri. Për ta zbutur, unë thashë:

– Pse jo, pse të mos e pimë, ai na siguroi një dokument shumë të rëndësishëm, – Dhe e rrëkëlleva gotën me fund. Prenës iu bë qejfi. Më shkeli syrin me nënkuptim. Ndërkohë mishi i patës ishte zier. E zonja e shtëpisë e uli në sofër të coptuar çika-çika. Mua më vuri për pjesë më shumë se të tjerët.

Buzëqesha. Edhe Prena u bë pjesë e bisedës. Më bëri përshtypje si qëndronin ashtu, pa teklif femrat zadrimore midis burrave, të barabarta në fjalë dhe qëndrim, pavarësisht se ato nuk pinin alkool. I zoti i shtëpisë gjithë vëmendjen e përqëndroi tek shoferi, ndoshta i dukej më afër formimit të tij kulturor sepse mbaj mend që e pyeti për familjen dhe origjinën e tij.

– Nga Skrapari jemi. Kemi pak vjet që kemi zbritur në Shkozë të Tiranës, – e sqaroi ai.

– Nga Skrapari!? –  tha i habitur i zoti i shtëpisë – Si vjen puna, e ke hallall këtë darkë sonte tek unë, ti dhe shokët e tu. E mbani mend tërmetin e 15 prillit të vitit 1976 që goditi Lezhën e Shkodrën? Fshati ynë u rrafshua krejt. Ka pasur edhe të dekun. As pleqtë nuk mbanin mend të kishin parë tërmet të tillë, tetë ballë. Erdhën vullnetarë nga e gjithë Shqipëria për të na ndihmuar. Ne na qëlluan muratorët prej Skrapari. Me aksion na ngritën këtë shtëpi që shihni, që nga themelet. Ishin njerëz të hapur e zemërbardhë, por të dhënë shumë pas krahinës së tyre dhe rakisë. Kur i mbyllën të gjitha punët, u grumbulluan tok, së bashku dhe bënë kërkesë të padëgjuar kurrë. Donin të ktheheshin në Skrapar me autobuzë të kuq.

– Si është e mundur, kishit autobuzë të kuq? – pyeti Strazimiri.

– Jo, por ata e kërkonin me doemos. Pritën dy ditë dhe kur e panë që nuk iu plotësua kërkesa, u nisën me këmbë drejt Tiranës. Aty do të ankoheshin lart në qeveri. Ishin zemëruar keq. “E duam të kuq si flamuri ynë, si gjaku i dëshmorëve”, thonin.

– E pamundur të kenë mbërritur në Tiranë me këmbë, – thashë unë.

– Më vjen keq, atë e di tërë Lezha. Ata u nisën me flamuj e brohorima. U alarmua udhëheqja. Se nga gjetën dy autobusë të kuq që i arritën tek ura e Milotit.

– Kur kemi të drejtë ne i biem murit me kokë, vrasim veten, unë e besoj – e mbylli atë episod duke qeshur Selimi.

Mësuese Irena as ua vinte fare veshin bisedave tona. Diçka pëshpëriste vesh më vesh me regjisor Piron. Më erdhi rëndë nga i zoti i shtëpisë që ai rrinte aq shtërnguar me bijën e tij dhe për ta kthyer në bisedën e përbashkët, mora një kujtim për babain e tij, mjek radiolog i cili kishte ndërruar jetë një vit më parë, fiks në këtë datë. Ai u prek, më falënderoi dhe u ngrit më këmbë për ta kthyer gjithë gotën e rakisë me fund. Irena psherëtiu. Pastaj me kurrizin e dorës fshiu lotët.

“Ne po pijmë dhe atë e paska zënë rakia”, më pëshpëriti në vesh Strazimiri.

“Merru me Piron sepse po bie keq në sy”, i thashë unë.

Stazimiri ishte lubi i rakisë, si të thuash ishte nga ata që e pijnë me opingë. Me dy tre shëndete me Piron, e bëri të heshtë. Atëherë ai nuk e kishte vëmendjen as nga ne e as nga mësuesja. Rrinte si i përhumbur. Thua se ëndërronte. Edhe të zotit të shtëpisë iu varën kryet. Tha disa herë “Dom Pali, Dom Pali…”, pastaj mezi hapte sytë. Nuk piu shumë, po me sa duket ishte i lodhur dhe “uji i bekuar” e bëri për vete. E shoqja nuk e la më gjatë pranë sofrës. I futi duart nën krahë dhe e ngriti hopa. E çoi në dhomën tjetër. Ai nuk ndjeu asgjë. Ishte bërë dru.

– Nuk e mban shumë rakinë, – na tha ajo kur u kthye. – Është ngritur që në pesë të mëngjesit, u ka rënë vërdallë fushave. Po riparojnë kanalet kulluese. Ai punon me betoniere, shofer autoboti. Ju vazhdoni.

– Si t’ia bëjmë Piros? – pyeta unë. Për çudi, ai sa dëgjoi emrin e tij çakërreu sytë.

– Mos kini merak për mua. Jam mirë, – foli shumë qartë. Nga zëri nuk të jepte përshtypjen se mund ta kishte zënë pija.

– Mos kini merak, kujdesem unë për të, ju vazhdoni në qejfin tuaj, ndoshta së bashku me Dom Palin vijmë në Tiranë dhe ju takojmë atje, – tha mësuesja fare shkoqur. Pastaj ajo u ngrit, preu një kokërr limon, e shtrydhi në një gotë uji dhe ia vuri Piros në buzë. Nuk ke çfarë i thua Zadrimës për mikëpritje. Një krahinë që nuk ka të sharë, mendova unë.

-Qenka thartuar rakia, – tha Pirua. Qeshëm, por Irena jo, vrejti vetëm vetullat e gjata dhe nuk tha asnjë fjalë.

E kuptuam që kolegu ynë ishte “dorëzuar” dhe nuk e ngacmuam më me dolli. Interesant, nga pamja nuk ta jepte fare idenë sikur ishte dehur. Dukej sikur aktronte. Ishte mbështetur i gjithë tek mësuesja. E zonja e shtëpisë as e prishi fare terezinë duke i parë ashtu, aq shtërnguar.

“Të dehunit nuk i vihet re fjala”, tha ajo në kalim e sipër. Mua m’u duk sikur tha të “dekunit”, por jo. Strazimiri e kishte kuptuar drejt dhe ma shkoqiti mirë çfarë deshi të thotë ajo. Ne vazhduam edhe ca. Aty nga mesnata u ngritëm nga sofra dhe njeri pas tjetrit dolëm nga shtëpia. Pirua mbeti i fundit. Freskia e natës po na sillte në vete. Vazhduam bisedat tek shtegu i shtëpisë. Sikur nuk po na bënin këmbët të hynim në makinë.

***

Më në fund hymë brenda “Benzit”. Mugonte Pirua. Mos e kishte zënë gjumi? Si mund të veçohej ai kështu prej ekipit?

– Hidhu, Selim tërhiqe me forcë, – urdhërova unë kur vura re se po teprohej me vonesën.

– Le të flerë këtu, niset nesër me linjën e autobusave, – tha e zonja e shtëpisë me ton lutës. Mendonte si një nënë. Realisht, unë gjykova se ata nuk kishin kushte të përshtatshme që ai të flinte aty, plus që ai jetonte vetëm me të ëmën, mjeke në pension. Me siguri ajo do të bëhej merak. Pirua ishte i perkëdhelur. Ishte rritur krejt ndryshe nga ne të tjerët.

– E ka zënë gjumi, nuk përmendet, – tha i pezmatuar Selimi.

U nxeha keq. Zbrita nga “Benzi” duke turfulluar. U ktheva brenda shtëpisë. E gjeta kolegun të mbështetur në gjoksin e Irenës. Dreqi ta marrë, ajo kujdesej për të sikur ai të ishte fëmijë. As nuk e pyeta fare.

– Kape Irena nga njeri krah, – i thashë me ton urdhërues dhe nga tjetri krah e mbërtheva vetë. Ajo nuk foli, por nga toni i zërit tim e kuptoi se nuk duhet të kundërshtonte. E ngritëm hopthi dhe e mbështetëm në sedilen e pasme të makinës. Le të vazhdonte të flinte aty. Dy gratë që po na përcillnin, nënë e bijë, i falënderuam dhe i përshëndetëm përzemërsisht duke mos harruar t’i transmetonin mirënjohje dhe falënderime të përzemërta Dom Palit. Irena dukej e mallëngjyer. Qëndroi tek shtegu gjersa ne humbëm përmes errësirës.

I shkuam qyetit të Lezhës përbri dhe u futëm në rrugën kryesore. Selimi, edhe pse nuk kishte pirë, ndjehej në qejf. E mbante timonin vetëm me njerën dorë, ndërsa tjetrën e tundte dhe e lëvizte sipas ritmit të bisedës. E gjithë xhadeja ishte jona. Xhan-xhin, as makina e as njerëz. Dy dritat e fuqishme të “Benzit” çanin errësirën e mesnatës. Udhëtimin tonë e ndiqte vetëm prushi i yjeve lart në qiell të cilët herë pas here papritur vezullonin nga pasqyra e pellgjeve buzë rrugës. Arusha e Madhe ishte shtyrë më në perëndim. Në të rrallë shkëputej ndonjë kometë. I pari që e prishi heshtjen ishte operatori:

– Nuk qenkan kaq fanatikë këta zadrimorët. Tjetër përshtypje kisha për malësorët, – tha Strazimiri.

– Ku bën vaki në Skrapar që vajza e shtëpisë, në sy të babait e të nënës, të rraset pas mysafirit, – tha Selimi i sigurtë se Pirua po flinte për shtatë palë qejfe e nuk mund të dëgjonte asgjë.

– Zadrimorët nuk janë malësorë, – ndërhyra unë, – Veç kësaj ata duan më të mirën për bijën e tyre. Dihet, ajo është më e bukura në këto vise. E vunë re që vajza kujdesej në mënyrë të veçantë për Piron. Pra, diktuan simpati. Pse t’ia prishnin dhe pse të mos ta martojnë në kryeqytet!? Për ata ky është një shans.

– Ore, mos ma merrni për keq, por unë kam dëgjuar që zadrimorët për ta nderuar mikun, lejojnë që gruaja apo vajza të futet në shtratin e mysafirit, – tha Selimi.

– Këto janë legjenda urbane, mik vëllai. Kudo gjen fyerje: fshati për fshatin, fqinji për fqinjin. Nga aq sa kam lexuar për Zadrimën dhe nuk kam lexuar pak materiale për filmin që po përgatitnim, nuk e kam ndeshur një dukuri të tillë. Natyrisht ata janë pak më liberalë dhe jo aq të ngurtë e fanatikë në zakone se sa malësorët. Kjo është zonë e ulët e cila në të shkuarën është qeverisur nga feudalët e vet. Ndryshe jetonte parësia dhe ndryshe argatët. Midis tyre nuk bëhej krushqi.

Debatin për Zadrimën e vazhduam gjatë gjithë rrugës. Më shumë vërejtje kishte shofer Selimi. Me sa duket ishte i fyer nga historia me autobuzët e kuq. Ndërsa Strazimiri nuk ia falte qëndrimin Piros: “Përfiton që është simpatik dhe i duket vetja si Alen Delon, si epiqendra e botës. E joshi mësuesen në atë mënyrë sikur do të fejohej me të kur unë e di mirë se ai ka të dashur një studente në Fakultetin e Mjekësisë”, tha ai.

Nuk kishte kohë për ta kundërshtuar sepse ndërkohë “Benzi” kishte frenuar përballë pallatit të doktoreshës, nënës së tij. Selimit i thamë të qëndronte në makinë, ndërsa Piron e shoqëruam unë e Strazimiri. Me zor u përmend, por tha nëpër dhëmbë: “Më fal Irena”. Për çfarë kërkonte falje? I ramë ziles së apartamentit dhe dera nuk vonoi shumë të hapej. Nëna e tij priste zgjuar. Një rrymë e fortë ajri erdhi përbrenda hyrjes dhe nga presioni Piros i ranë pantallonat në fund të këmbëve. Befasuese për ne, për të ardhur turp.

– E zeza, çfarë të kanë bërë Piro? – thirri e ëma e lebetitur.

– Nuk i ka ndodhur asgjë, ka qenë vetëm me ne. Ka pirë pak si shumë raki sonte në Zadrimë dhe me sa duket, kur ka shkarkuar ujët e hollë, nuk i ka lidhur mirë pantallonat, – e sqaroi shpejt e shpejt Strazimiri. Dhe ashtu duhet të ishte.

Doktoresha mbylli derën e inatosur. Ne nuk i kishim asnjë faj. Pirua piu për qejf të vet. Jo vetëm që doktoresha nuk na falënderoi, por nuk na tha as për mirësjellje “natën e mirë”. Nëse kishte dyshime, le të priste të gdhihej e nesërmja e ta sqaronte vetë i biri. Ishim të lodhur e të këputur për gjumë. Shoferit nuk i treguam çfarë i ndodhi kolegut kur e ëma e tij hapi derën. Me siguri Selimi do t’ia vinte fajin mësues së bukur nga Zadrima.

***

Pritëm një ditë, dy, tri dhe Irena nuk po bëhej e gjallë. Hartën e filmuam, pavarësisht se nuk ishim të sigurtë në se ajo ishte origjinale. Pyesja çdo ditë regjisorin se çfarë po ndodhte me premtimet që na thanë se prifti do të vinte në Tiranë së bashku me mbesën. Duhet të sigurohesha që harta ishte origjinale përpara se sa të dorëzoja filmin. Programacioni bënte presion çdo ditë. Nuk mund ta mbaja më gjatë nëpër duar. Më në fund ata erdhën. Ishte një nga ditët më të bukura të tetorit. Qielli ishte i kthjellët dhe ajri shumë i pastër. Në ato vite Tirana kishte fare pak makina. As bëhej fjalë për ndotje mjedisi. Gjethet e pemëve ende nuk kishin filluar të binin. Edhe për ca kohë, sa të nisnin ngricat, do të mbaheshin mbërthyer pas kërcejve të tyre. Irena me dajën, priftin Dom Pali, na prisnin pas Muzeut Historik Kombëtar. Priftit nuk i pëlqente të dukej në ambjentet e televizionit. Nuk ia prishëm qejfin. Do takoheshim të katërt, ata dhe unë e Pirua. E ndoqa pas kolegun i cili na udhëhoqi për tek tavolina e tyre. Dom Palin e shikoja për herë të parë. Ishte i thyer në moshë, një grusht njeri, me mollëzat e faqeve të dala dhe duart gjithë damarë që i dukeshin përmes lëkurës së hollë e të bardhë si letër cigareje. Kishte veshur një kostum të zi dhe këmishë ngjyrë gri të mbërthyer gjer në kopsën e fundit. Dukej si një kremastar druri tek i cili ishte varur ai kostum i zi, i vjetër e i pahekurosur.

– Zotni, – e nisi ligjëratën prifti – qofshi të bekuem. Jam i lumtun që kini fillue një punë për së mari, në dobi të kombit tonë. Unë ato dokumente i kam qit prej arkivës së Vatikanit. Ashtu si e vutë re në hartë, Dioqeza e Sapës asht shtri deri në gji të Kotorrit. Popullsia katolike përbante shtatëdhetë përqind të Dioqezës. Të tanë flisnin gjuhën e bukur shqip.

– Dom Pali, – e ndërpreva unë duke dalë drejt e në temën që më interesonte – përse jeni dënuar? Me sa di keni vuajtur shtatëmbëdhjetë vjet burg.

– Ashtu asht, biri em, jam akuzue për njat hartë. U dënova më katërdhetë e tetën. Dosjen ma kishin ba gati jugosllavët. U akuzova se dojsha Shqipninë e madhe. Qenkisha ende me idetë e Shqipnisë së madhe edhe pse lufta kishte katër vjet që kishte përfundue. Unë tan jetën i kam shërbye vetëm Zotit, të lëvdumit Jezu Krisht. Kurrë nuk jam ngatërrue me politikë.

– Dakord, të shkuara Dom Pal – i thashë unë – por ne na intereson Sapa, çfarë di për Dioqezën e Sapës?

– Di aq shumë sa me të mbajt një natë e një ditë me të tregue, – u përgjigj ai me një zë të hollë e të përvuajtur. Pastaj vazhdoi – qendra e dioqezës ka ken qyteti i Sappës, (në latinisht shkruhet me dy p) që ndodhej pranë lumit Drin, në jug-lindje të qytetit të Shkodrës, fill në Vaun e Dejës. Tani nuk asht ma. Sapa bash binte në qendër të dioqezës. Atëherë rrugët ndiqnin rrjedhën e lumenjve. Lezha ishte porti ku shkarkoheshin e ngarkoheshin mallnat prej Venetikut, sidomos kripa. Për atë kohë kripa për popullsinë ishte si benzina sot për ekonominë. Rruga shkonte nga Lezha, vazhdonte për Blinisht, Sapë, Naraç, Danjë. Ishte edhe rruga e vjetër, ndërtuar në fillim të erës sonë që shkonte nga Shkodra në Zetë, prandaj quhej “Via Zeta”.

– Kur i ka fillimet e veta Dioqeza e Sapës? – pyeta përsëri unë. Irena e Pirua, ulur ballë për ballë, dëgjonin me kërshëri si dy nxënës shkolle të vëmendshëm duke i përmbajtur për bukuri emocionet e jo si atë natë në Zadrimë që desh na turpëruan.

– Dioqeza e Sapës asht krijue më 1062 dhe kishte 19 priftërinj laikë. E krijoi Papa Aleksandri i Dytë. Peshkopi i parë quhej Pjetër. A jeni të interesuem me i dit tan emnat e peshkopëve të Sapës? Janë plot gjashtëdhjetë e dy. I kam emën për emën.

– Faleminderit Dom Pal, momentalisht më tepër na intereson harta e Dioqezës së Sapës. A është origjinale ajo që na keni dorëzuar?

– Njat për atë hartë kam ardhur sot këtu. Ajo hartë që keni ju është krijue prej meje. E kam pasë regjistrue bash ja këtu, në tru. Jam i bindun që është identike me origjinalin…, por nuk e kam origjinalin – u përgjigj ai prerë. Nuk po u besoja veshëve. Edhe Pirua i shqeu sytë nga habia. Vetëm mësuese Irena ishte e qetë. Për kaq ditë me radhë ishim sorollatur nëpër Zadrimë duke shpresuar. Prifti paskishte marrë tërë atë rrugë për të na thënë se hartën origjinale nuk e kishte. Çfarë turpi! Si u verbuam kështu!? Nuk më falej mua me përvojën e gjatë që kisha si skenarist i filmave dokumentarë. Viktima të kujt ishim?

– Të gjithë në Zadrimë na thanë se ju e kishit hartën, – thashë unë i zemëruar duke e vështuar tërthorazi.

– E kam pasun, por nuk e kam ma. Policia në ato vite, pasi më arrestoi, kërkonte armë në shtëpi si dhe brenda kishës. Nuk gjetën armë, por çvarrosën një arkë metalike që unë vetë, me duart e mia, e kisha groposur nën dyshemenë e kishës. Kisha fshehur të gjitha dokumentet që nuk dëshiroja të binin në duart e tyne. Unë jam shuguruar për prift nga Vatikani dhe aty kam studiuar. E gjetën edhe hartën. Pikërisht për atë hartë më dënuan me burg. Këshilltarët serbë të sigurimit, atë dokument origjinal arkivor e quajtën “Hartë e Shqipërisë së madhe”.

– Po tani? – pyeta unë i dëshpëruar në kulm.

– Eh, biri em, e ke ti në dorë ta gjesh. Sa kohë ka, po kaq edhe shpresa. Unë pak dua të di: nëse ekziston ende? Dhe ta krahasoj me këtë që u kam dhënë juve. Dua të vdes i qetë. Misionin tim e kam përmbushur ndaj zotit dhe Atdheut në se ajo hartë ruhet diku nga shteti, – tha prifti me një zë të hollë sikur do të këputej nga çasti në çast. Mori frymë i lehtësuar dhe pastaj me kujdes ktheu gotën e ujit që gjer atëherë nuk e kishte prekur me dorë. Vura re se krahu iu drodh lehtë.

Ishte një takim i dëshpëruar. Irena nuk qeshi asnjëherë. Harrova t’iu them se kolegët e saj, nga që kishte buzëqeshje të bukur, e thërrisnin “Zonjushë Qershia”. Viktima të kësaj historie, realisht ishim ne, ekipi televiziv, sidomos unë. Kishim ngecur si miza në mjaltë. Kush e kishte përhapur i pari lajmin se Dom Pali zotëronte hartën origjinale të Dioqezës së Sapës? Kishim fare pak shpresa se mund ta gjenim. Kishin rrjedhur shumë ujëra. Ne ishim pjesë e shtetit dhe me domosdo do të na hapeshin rrugët për ta mësuar në se gjendej ajo hartë. Kështu kishte menduar Dom Pali, siç na tha Irena. Dhe nuk e kishte menduar keq.

Pas shumë peripecish e përpjekjesh, ramë në gjurmët e hartës së shumëpritur të Dioqezës së Sapës. E gjetëm nëpërmjet arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Harta ishte ruajtur për bukuri dhe ekzistonte e pacënuar.  Nuk di si e qysh hetuesit shqiptarë e kishin shpëtuar nga kthetrat e jugosllavëve. E krahasuam kopjen me origjinalin: Ishte një mrekulli, hartat ishin identike, vetëm një sy i stërvitur arkivisti mund t’i dallonte nga njëra-tjetra.

Regjisor Pirua njoftoi Irenën. I takonte asaj t’i jepte lajmin e gëzuar Dom Palit.

 

Toronto, 29 mars 2019.

Please follow and like us: