Çelësi i paqes në rajon, jo coptim i dhunshëm i kombit shqiptar
Por as e keqja nuk paska kufi në këtë farë politike. Në Beograd është e gjallë dhe vegjeton ambicja patalogjike për një Serbi sa më të Madhe në kokën e një trimoshi si lideri i Partisë Radikale, Vojisllav Sheshell, i cili nuk e ka bezdi të deklarojë se “kur të ikë NATO, marrim edhe Shqipërinë deri në Durrës”. Zotërisë i duket sikur NATO-ja është një tufë zogjsh shtegtarë, që do t’i krijojë atij hapësirë të livadhisë për një Serbi edhe më të Madhe. Kurse NATO-ja përgjigjet me vepra: “hapësirë e shtegtimit tonë ishte Kosova, së shpejti bëhet edhe Kuçova”, hap ky i faktorizimit të mëtejshëm të rolit shqiptar. Dikush tjetër nuk pranon përdorimin e termit “demarkacion kufiri”, se Serbia dhe Kosova nuk kanë kufi, por vetëm një vijë ndarëse administrative. Kryeserbi Vuçiç mban veshët ngritur dhe kapet tek ideja e vet: “Gjysma e shteteve thonë se Kosova është e pavarur, por shumë vende të tjera e konsiderojnë atë Serbi”. Nuk e fsheh antishqiptarizmin, kur thotë “Unë nuk e dua Thaçin, por ne duhet të flasim me njeri-tjetrin”. Shqip kësaj i thonë “hëm qeroz, hëm fodull”, si dhe “kërcen prifti nga belaja”. Është e tyre: pohimet, hëm: “Kosovën nuk e japim”, hëm “Kosova nuk është e jona”.“Kosovës i vënë kusht kompromisin, i kërkojnë ç’nuk i takon fare të bëjë, mandej, kundërshtimin e saj e kthejnë në akuzë. Kur ke të bësh me të tillë kundërshtarë, duhet zbatuar norma: dëgjo ç’thonë ata, ktheje në të kundërtën, të dalë e vërteta.
Më parë Serbisë i duhet të zhvishet nga mendimet e mykura, lakmitë e prapësitë. Me nacionalizmin e tij ekstrem e agresiv, Beogradi është gati të shpallë një republikë edhe atje ku jeton një serb i vetëm. Ai ka edhe Kishën Ortodokse një motor të ndezur nacionalisto-shovinist, që s’e zë gjumi nga meraku për objektet fetare në Kosovë, duke kërkuar për to edhe të drejtën e eksterritorialitetit. Nuk mbush fare prej idesë brilante të Henri Kissinger se: “Pretendimet fetare janë pretekste për qëllime politike dhe strategjike” (Diplomacia, f. 93). Ajo vetë lufton për kompromisin e madh midis këtyre forcave të brendshme që nuk e lejojnë të emancipohet dhe frymës demokratike-humane të kohës që kërkon lidhje dhe bashkëpunim midis popujve e shteteve; nga një anë e josh procesi i anëtarësimit në BE, nga ana tjetër e mbajnë fortë të lidhur lidhjet tradicionale me Rusinë, të motivuara me sllavizmin dhe ortodoksizmin. Del qartë se në Serbi, duke mos i patur as të drejtën, as argumentet, sillen me formulime gjithfarëlloj frazash e tezash, bazuar në mite, dogma të pathemelta. Politikanët serbë vazhdon t’i çoroditë rëndë antishqiptarizmi tradicional. Kompromise, po me çfarë çmimi? Serbët e kanë në majë të gjuhës shprehjen: “Midis nesh, jo ndarje, në thjesht të humbur dhe thjesht të fituar”, etj, etj. Prapësitë dhe veset janë kaq të spikatura, sa natyrshëm të lind dhe pyetja: me këtë imazh politiko-diplomatik të tanishëm të partnerëve megalomanë, të paformuar, pa parime e pa të drejtë, a ia vlen të hyhet në negociata?
Ajo do të duhej të çlirohej nga këto kufizime, akrobacira e ultimatume, mandej të ulej në bisedime si e barabartë me të barabartën. Këtë kthesë mund ta bënte me forcat e veta, sepse brenda vetë Beogradit nuk mungon edhe gjykimi realist, me këmbë në tokë, siç është ai Kreut të Partisë Liberal-Demokratike Çedomir Jovanoviç, sipas të cilit: “Kosova ka ikur, atë nuk mund ta kthejë më Serbia. Ajo është, tashmë, e pavarur nga Serbia dhe kjo e fundit nuk mund ta ndryshojë më, Serbisë i duhet thënë e vërteta mbi Kosovën, ajo që është e qartë për të gjithë, por nuk thuhet për motive egoiste”.
Përndryshe, këto vese të mjediseve serbe, të shfaqura publikisht, dëshmojnë qartazi se është Serbia ajo që fut në ngërç diskutimet e mjaft problemeve që ekzistojnë midis dy vendeve. Duke qenë humbësja reale, e me hak, Serbia pretendon e rropatet të shkëpusë ç’të mundet dhe të zbusë humbjen. Vepron me normën: Të shpëtojmë ç’mund të shpëtojmë”. Presioni i brendshëm, konservator, regresiv, megaloman, i gjallë e virulent, nuk e lejon Beogradin zyrtar të ndërmarrë hapa konstruktive, të realizojë marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme, të tilla që nuk krijojnë tensione në Ballkan. Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i përkasin natyrshëm Kosovës, pa i dhënë kërkujt si këmbim asnjë pëllëmbë tokë të territorit të saj. Presioni, në këtë drejtim, mund e i duhet bërë Serbisë, në përgjigje të kërkesës së saj për qartësimin e kufijve midis, sipas kriterit etnik, dhe kjo, për të vënë në prove nervat e saj, po kurrsesi për të kënaqur epshet e saj shoviniste serbomadhe me këmbim territoresh. Të flitet si të barabartë midis të barabartëve, të rregullohen e normalizohen marrëdhëniet dypalëshe, po kurrsesi në kurriz apo dëm të Kosovës. Ajo e ka statusin të përcaktuar e të mbyllur, ashtu dhe Pavarësinë të pakthyeshme. Mandej, nuk mund të vihen në diskutim dypalësh çështjet madhore, parimore, që mbajnë vulë europiane e rajonale. Kjo rrethanë i bën bisedimet më të kufizuara e mjaft të përgjegjshme. Nuk mund të bëhet rindarja e Ballkanit bazuar në linja të pastra etnike, kurse coptimi i dhunshëm i kombit shqiptar, e ka bërë imperative zgjidhjen për së mbari të kësaj nyjeje. Ky është dhe çelësi i paqes, stabilitetit dhe perspektivës së qëndrueshme.
Së pesti, në qëndrimet që do të mbajë pala jonë në këtë debat, natyrshëm ka vendin e rolin e vet edhe Tirana zyrtare. Ajo, bazuar në Preambulën e Republikës së Shqipërisë, është e obliguar të tregojë kujdesin maksimal për jetën dhe statusin e çdo shqiptari jashtë kufijve të saj, në veçanti, për çështje e konsolidimit të identitetit dhe të bashkimit kombëtar. Por, pikërisht në këtë çështje parimore, ekzistenciale, ajo lë shumë për të dëshiruar. Vërtetë debate nuk ka precipituar plotësisht, por shfaqja e mendimeve të hallakatura, si kategorike ashtu dhe evazive, nuk i shërbejnë çështjes. Me keqardhje vërejmë se rreth debatit real, kanë gjeneruar dhe disa mikrodebate zonale. Shqipëria mbetet baza, prapavija e sigurtë, shpresa, frymëzuesja e shqiptarëve të Maqedonisë për ngritjen e tyre në rol shtetformues, për prosperitetin e komunave shqiptare nën juridiksionin e Malit të Zi. Me apo pa këtë debat, Shqipëria duhet t’i gjendet shqiptarëve të Luginës së Preshevës, para se ata ta braktisin atë, të shtyrë nga keqtrajtimi serb. Ajo duhet të ngrejë zërin edhe për Çamërinë martire, çështjes së të cilës Athina zyrtare i bën dredha, kurse Europa rri e bën sehir! Përcaktimi i Tiranës zyrtare se “Statusi i Kosovës është çështje rajonale dhe europiane, jo dypalëshe”, dështon qartë se shpatullat e Presidentit të një shteti janë shumë të vogla për të mbajtur një barrë të tillë të madhe si çështja që po debatohet dhe ka hyrë në procesin e shqyrtimit zyrtar.
Së fundi, produkti i negociatave në fjalë do të vijë si rezultat i ndërveprimit të faktorëve të brendshëm (Kosovë & Shqipëri) dhe atyre të jashtëm, të karakterit gjeopolitik, gjeo-ekonomik; ato nuk duhet të mospërfillen për mos të çuar në humbje dhe dobësim të konsiderueshëm të të drejtave shqiptare. Pasi, ndodh shpesh herë që, duke u përpjekur të vësh vetullat, i nxjerr sytë. Nëse vendi dhe roli i Tiranës zyrtare është më brenda çështjes, mbetet për t’u theksuar se rrjedha e ngjarjeve dhe proceseve sociale sot në botë kryhet në sfondin e gjeopolitikave, ku vend dhe rol të konsiderueshëm vazhdojnë të luajnë Fuqitë e Mëdha. Vëmendja dhe angazhimi i tyre, posaçërisht për Ballkanin, është i konsiderueshëm. Ballkani ende nuk e ka konsumuar së brendshmi, rolin e vet si “fuçi baruti”, mbetet “mollë sherri”, për çka dhe vazhdon të kurdiset nga ndokush. Ai ka dhe pozicionin e vet strategjik, është dhe joshës për shumëkënd. Në rastin e debatit në fjalë, ky faktor është ndarë në dy versione: njeri kundër ndryshimit të kufijve duke i parë si të vendosura një herë e përgjithmonë. Kështu që, hyrjen në këtë kapitull e trajton si hapje të “Kutisë së Pandorës”. Dhe tjetri, toleron një konsensus midis palëve, prej nga pret rezultate pozitive, konstruktive apo afatgjata duke e realizuar këtë bindshëm e me dakordësi të përbashkët. Pas njohjes së saj edhe nga Beogradi si shtet i pavarur, Republikës së Kosovës i ofrohet pranimi në OKB, në NATO dhe në BE. Po ashtu, Serbisë i çelet drita jeshile për proceset integruese.
Të dy palët kërkojnë përkrahje nga faktori ndërkombëtar në përpjekje për të gjetur rrugë të reja për zgjidhjen e problemeve midis tyre. Por, ndryshimi i kufijve nuk është aspak zgjidhja më e preferuar. Kufijtë janë kthyer në statikë, të ngrirë dhe po ashtu në “mollë e ndalume” qoftë dhe për popullin të ndarë në gjashtë shtete. Shumë konflikte, përfshi dhe atë të padrejtësive ndaj kombit tonë, duhet të mbeten “të ngrira”, sepse çdo “hapje e kutisë së Pandorës”, do të çojë në luftra. Por, midis faktorëve të jashtëm, Beogradi e ndjen edhe më shumë dashurinë ruse, nuk i ndahet shpirti nga Moska, me të cilën konsultohet orë e çast. Dhe Lavrov-i, që nga Moska, pa asnjë lloj shkaku apo preteksti, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-si , të parandalojnë çdo përpjekje dhune e vandalizmi të shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve apo kinse minoriteteve të tjera. Ç’është më paradoksale, Moska vazhdon ta konsiderojë Kosovën “një çështje të brendshme të Serbisë“ (!?) Dyshja serbe,Tadiç-Vulun, është tepër kontraverse, sa flet krejt në kundërshtim edhe me frymën e Brukselit.
Po edhe faktorët e tjerë revelantë ndërkombëtarë janë vënë seriozisht në lëvizje dhe po prononcohen në përputhje me politikat e tyre. Qëndrimi i këtij faktori nuk është unik, i përcaktuar paraprakisht; ose refuzohet, ose do të pritet lloji i produkteve të bisedimeve. Dhe, më kryesorja përsa i përket faktorëve të jashtëm, nëse kemi Amerikën si “violinë të parë” të politikës botërore, atëhere, është koincidencë e bukur, që melodia e saj prek thellë telat e zemrave tona dhe rakordon me kauzën tone. Punë e madhe se serbëve u thartohen dhëmbët me kumbullat që hanë shqiptarët e Kosovës për të festuar ditëlindjen e ish presidentit amerikan Clinton. Nga derivatet e antishqiptarizmit të tyre patologjik, kemi parë edhe ku e ku më keq. Kush e kthen virtytin e mirënjohjes së kombit tonë në ves, aq më keq për të. Amerika, nëse ka të theksuar antikomunizmin, po ashtu ka të theksuar edhe pro-shqiptarizmin, prandaj, mbështetja e saj në avancimin e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, mbetet faktori vendimtar i jashtëm, Nga sot e në perspektivë, si me Kosovën ashtu dhe me Serbinë, Amerika synon të ketë marrëdhënie të rëndësisë strategjike. Ndaj ajo nuk e ka përjashtuar variantin e korrigjimit të kufijve, mjafton që marrëveshja të jetë e gjithëpranueshme, e zbatueshme dhe t’i shërbejë paqes e stabilitetit në rajon. Bisedimet janë të hapura e në vijim, na mjaftoftë mendja dhe durimi të mos hapet “Kutia e Pandorës”.
Kryesia e Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar