Albspirit

Media/News/Publishing

Myqerem Tafaj: Formimi praktik i studentëve, një ndër rrugët kryesore për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë

Këtë konkluzion e gjen në cdo raport të BE, OECD, UNESCO, etj, për arsimin e lartë, sepse formimi i dobët praktik është identifikuar si një nga problemet më kryesore të arsimit të lartë në të gjitha vendet që nuk kanë traditë në arsimin profesional. Për më tepër Procesi i Bolonjës e ka thelluar më tej këtë mangësi të arsimit të lartë në të gjitha vendet ku ai aplikohet.

Basha po e thekson në cdo takim, sidomos me të rinjtë, zbatimin e një programi të stazhit, që në fakt është fjala për zgjerimin e programit të praktikës profesionale, pas studimeve universitare të filluar që në vitin 2011! Që nga viti 2011 rreth 4000 studentë të universiteteve publike dhe private, në rreth 20 programe studimi, në fushat e shëndetësisë e kujdesit social si dhe të mësuesisë, bëjnë 6-10 muaj praktikë në profesion dhe pas saj zhvillojnë një provim praktik. Ky model ka lehtësuar punësimin e mjekëve, infermierëve, specialistëve të tjerë të fushës së shëndetësisë edhe në tregun europian të punës. Por studentët në praktikë, deri tani, përfitojnë vetëm pagesë për sigurimet shoqërore.

Eshtë lajm i mirë që PD synon ta zgjeroj këtë model. Dhe për kètë nuk ka nevojë për konkurrim. Tëgjithë studentët, në të gjitha programet e studimit, pas diplomimit, fillimisht të ciklit të dytë, duhet të kenë të drejtë dhe detyrim të bëjnë një praktikë profesionale 6 mujore, por të paguar, të paktën në nivelin e pagës minimale. Dhe praktika të mbyllet me provim praktik dhe dëshmi të vecantë. Për profesionet e rregulluara praktika është pjesë e provimit të shtetit, që funksionon mjaft mirë që në vitin 2011, dhe mund të shtrihet edhe në profesione të tjera, cka do të përmirësonte jo vetëm cilësinë e shkollimit, por edhe shanset për punësim.

Praktika profesionale duhet të shoqërohet me programin e zhvillimit të aftësive sipërmarrëse për vetpunësimin e të rrinjve. Ky kombinim do të zhvillonte aftësitë dhe kompetencat për krijimin e sipërmarrjeve të të rinjve dhe do të përmirësonte ndjeshëm shkallën e punësimit të tyre.

Por formimi praktik fillon që gjatë studimeve universitare dhe për këtë duhen investime urgjente për laboratore dhe baza didaktike. Dhe jo sic po ndodh, që kjo qeveri po u merr godina dhe pjesë të territorit të tyre universiteteve publike. Filloi me godinën e Fakultetit Gjeologji Miniera të UPT, vazhdoi pastaj me marrjen e godinës së Qendrës së Studimeve Albanologjike, me marrjen e terreneve sportive të U. Tiranës për parking, me një godinë të U. Korcës, një godinë të U. Gjirokastrës, dhe pardje, duket si në kuadër të gjoja “Paktit të Stabilitetit te Universiteteve” i zihet fryma U. Bujqësor të Tiranës me një ndërtim kompleksi shkollor, për ti hequr atij mundësinë UBT per zhvillimit të tij. Urojmë që ndërtimi i një shkolle parauniversitare në kampusin e universitetit, të mos jetë preludi i një blloku të pallateve dhe fillimin e zhvendosjes së këtij universiteti diku tjetër!! Dhe kjo ngjan si tallje, kur kujton deklarimet e Qeverisë për investime në universitetet publike!

Gjithashtu, nuk duhet harruar nxitja dhe mbështetja e arsimit të lartë Dual profesional dhe modeleve të akademive profesionale, sipas modelit gjerman, për ti u përgjigjur më mirë kërkesave të zhvillimit të ekonomisë dhe të tregut të punës.

Pas protestave të studentëve, Rama dhe qeveria e tij ka filluar të përgatit opinionin publik për kufizimin e aksesit në arsimin universitar përmes rritjes së mesatares së pranimit në ciklin Bachelor, propagandën se për shqiptarët e thjeshtë masteri është i tepërt, uljen e kuotave të pranimit në universitetet publike dhe private, mosshqyrtimin arbitrar të aplikimeve të universiteteve për programe të reja dhe rritjen e tutelës qeveritare ndaj universiteteve, etj. Kjo propagandë e qeverisë së bashku me degradimin në cdo fjalim të Kryeministrit të universiteteve publike, ka ngjallur një panik tek prindërit e maturantëve dhe studentëve dhe të gjithë janë gati të largohen nga Shqipëria jo vetëm për të studjuar jashtë, por edhe për të mos u kthyer më. Këto janë cështje themelore për të cilat qytetarët presin të dëgjojnë më shumë nga opozita!

Please follow and like us: