“Proçesi” i Kafkës dhe realiteti shqiptar
Mimoza Koka
Isha e dyzuar nëse duhet të shkruaja diҫka për romanin “Proҫesi” të shkrimtarit Franc Kafka. Për të është shkruar shumë dhe pothuaj në ҫdo rast kur kemi të bëjmë me shtypjen e individit nga pesha e dhunës shtetërore, thuhet: si tek “Proҫesi” i Kafkës. Pra, nuk besoj se shtoj më shumë se ҫ’është thënë për këtë libër. Megjithatë, duke pasur parasysh realitetin shqiptar, mendoj t’i kthehem përsëri këtij libri.
Romani “Proҫesi”, i shkrimtarit Franc Kafka (1883-1924), u botua në Berlin në vitin 1926-të, dy vjet pas vdekjes së autorit. Në roman bëhet fjalë për një proҫes gjyqësor absurd dhe krejt të parregullt, ndaj një nëpunësi të zakonshëm banke, me emrin Jozef K., i cili akuzohet për një krim që nuk e kishte kryer. Krimi nuk i tregohet as të pandehurit dhe as lexuesit. Gjatë tërë proҫesit nëpunësi K. përballet me një moskuptim të përgjithshëm të asaj që po ndodhte, me ingranazhe dhe parregullsi mbytëse.
Ky moskuptim sa vjen e rritet, derisa ai duke qenë krejt i pambrojtur përpara këtij sistemi gjyqësor, harton mbrojtjen për veten e tij, duke pranuar ҫdo gjë dhe duke kërkuar falje për ҫ’ka kishte kryer. Në këtë mënyrë vendos për fajësinë dhe dënimin e tij. Në fund ai vritet nga dy policët që e kishin thirrur që në fillim, para se proҫesi të përfundonte.
Ajo që të bën shumë përshtypje në roman është fakti se personazhi nuk ka një emër të plotë, ai është punonjesi K; nuk tregohet vendi në të cilin ndodh proҫesi, dhe as koha. Me këtë autori do të thotë, që kjo mund t’i ndodh kujtdo prej nesh, në ҫdo vend dhe në ҫdo kohë. Kadareja thotë, se kur e ka lexuar për herë të parë, një kopje të ardhur fshehurazi nga Kosova, ka ngelur i mahnitur. Dukej sikur Kafka kishte jetuar në universin komunist, dukej sikur kishte jetuar në komunizmin shqiptar.
Ky roman është bërë simbol i ushtrimit të peshës dhe dhunës së shtetit ndaj individit. Romani është quajtur një profeci në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ai u botua në vitin 1926-të, dhe kaluan jo shumë vite, ku në Gjermani erdhën në pushtet nazistët, të cilët vendosën dhunën më të rëndë që kishte njohur historia ndaj lirive individuale njerëzore, të pakrahasueshme dhe me mesjetën. Prej këtej lindi koncepti totalitarizëm.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ka një proҫes të tërë reflektimi në kontinentin e vjetër. Qëllimi ishte që të mos përsëriteshin më luftërat, dhe të sigurohej uniteti ndërmjet vendeve. Ky proҫes rindërtimi e ka fillesën në vitin 1948-të, ku qindra udhëheqës politikë të Europës mblidhen në Hagë, për të filluar ndërtimin e ngrehinës së Bashkimit Europian. Formula bazë mbi të cilën filloi ky ndërtim ishte ajo e të “drejtave te njeriut”.
Pas kësaj, romani “Proҫesi”, bëhet një nga më të suksesshmit, dhe siҫ e thashë më lart nga më të përmëndurit, sa herë që bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave njerëzore. Mund të themi me plot gojën që është nje roman, i cili bëri që Europa t’i vinte gishtin kokës.
Në vitin 1975, mbahet Konferenca e Helsinkit në Finlandë, në të cilën u theksua dhe njëherë, domodoshmeria e zbatimit të të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut, një formulë e butë në dukje, gati-gati poetike, i parapriu rënies së sistemeve totalitare në lindje, të atyre që dukeshin aq të frikshme dhe të pathyeshme. Fillon proҫesi i demokratizimit të këtyre vëndeve, ku pjesë janë dhe ngjarjet në Shqipëri në këto 30-vjet.
Të kthehemi tek realiteti shqiptar. Pas 90-ës është sukses që ne e kemi fituar të drejtën e fjalës dhe të shprehjes, pavarësisht inflacionit të saj. Të mos harrojmë që para 90-tës, kjo na dukej një ëndërr e bukur dhe e largët. Demokracia është një proҫes i shoqëruar me probleme dhe në vëndet tepër të zhvilluara. Kuptohet që me traditën e pakët të vendit tonë, problemet janë më të shumta e të koklavitura. Megjithë lirinë, shkalla e shtypjes së individit nga shteti është e akoma e lartë, dhe hapësira e të drejtave njerëzore është lehtësisht e cënueshme. Pra, duhet një bashkëpunim i të gjithë strukturave, për ta përmirësuar këtë gjë, në mënyrë që në Shqipëri të zvogëlohen gjithnjë e më shumë rastet si tek “Proҫesi” i Kafkës.