Albspirit

Media/News/Publishing

LUFTA PËR PUSHTET DHE INTERESAT E SHQIPTARËVE

Më 3 prill u zhvillua protesta e tetë e rradhës, në stinën më të pasur me të tilla në historinë shqiptare. Nota pozitive, ndoshta e vetmja e dukëshme e tyre, mbetet fakti që kundërshtia e theksuar respektoi deri tani caqet e një të tille, sado të ashpër, por pa shpërthyer në skena masive të dhunës, të cilën po e shfaqin në mënyrë të përsëritur një pjesë e vogël jelek verdhësh në Francën e qytetëruar. Por ngushullimi i këtij fakti, megjithë rëndësinë e madhe të tij, nuk arrin të fashisë shqetësimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, apo kudo në botë ku jetojnë e punojnë, për fatet e Vendit të tyre në prag të një pritjeje të tejzgjatur për të filluar bisedimet për hyrjen në BE.

Nuk është tjesht një rastësi fakti që pështjellimet në politikën shqiptare të pas komunizmit, shpesh përkasin me hapin e fundit që Shteti pret të hedhë në drejtim të bashkimit konkret me ata institucione të kontinentit që, në sytë dhe mëndjen e banorëve të tij, përbëjnë synimin për t’u arritur me çdo kusht, një ide e përqafuar që në ditët e para të tronditjes së regjimit komunist. Nuk është rastësi që të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre tridhjetë viteve, me përjashtim, deri diku, të së parës Qeveri demokratike, janë paditur nga kundërshtarët e tyre në opozitë për korrupsion, vjedhje të votave, paligjshmëri, përfitime vetiake, pasurim marramendës e të tjera paudhësi. Madje këto padi janë kthyer në një refren të përhershëm të jetës politike. E sado që ndërsjelljet në pushtet kanë pasuar njëra tjetrën, shëmbëllimi i dukurisë ka mbetur gjithënjë i njëjti, gjë që tregon se, në pjesën dërmuese të saj, klasa politike ruan barazpeshën e përfytyresës së saj negative, me pasoja dramatike për jetën e shqiptarëve.

Sot gjindemi në një qorrsokak ku nuk shihet rrugëdalja, në të cilin shumica qeverisëse, e personifikuar në figurën e Kryeministrit dhe Opozita, e vetëdeklasuar si institucion, ecin në dy drejtime krejtësisht të kundërta, duke u vënë në garë kush mund të përgojojë, të shajë e të zhvlerësojë sa më shumë kundërshtarin. Kjo gjëndje merr përmasa shqetësuese gjithënjë e më tepër, kur tfillohet në kuadrin e pritjeve të rëndësishme para të cilave jemi, duke filluar nga reformat në vazhdim në drejtësi, apo në fushën zgjedhore, në votimet për drejtuesit vendorë, e deri tek vendimi i BE për të filluar bisedimet mbi pranimin në të të Shqipërisë.

Pa hyrë në shtjellimin e hollësishëm të arsyeve apo mosarsyeve të dy kampeve kundërshtarë, mendoj se ajo që është e dukëshme tregon një papërgjegjshmëri të lartë kundrejt interesave të çastit e të s’ardhmes së Shqipërisë. Papërgjegjshmëria binjakëzohet me një pandershmëri intelektuale që shfaqet në mosnjohjen e gabimeve, apo në pranimin formal e në formë të përgjithëshme të tyre, në lënien në heshtje të skandaleve politikë, në prirjen autoritariste të manipulimit të dukurive në kundërshtim me të vërtetën, në tjetërsimin e kësaj të fundit në dobi të interesave vetiake, partiake apo klanore.

Tani flitet, ndër të tjera, edhe për reformën zgjedhore që, ende mbas gati dy vitesh është ndalur në vënd numuro, aq sa të jetë e pazbatueshme në votimet e pritme të 31 qershorit. Tani, mbas 28 vitesh nga zgjedhjet e para pluraliste, politika kujtohet se sistemi i numurimit të votave, i përbërë nga komisione të zgjedhur nga partitë kryesore i ka hapur shtegun tjetërsimit të përfundimeve të votimeve, dhe se ai nuk është faktori kryesor i dukurisë së turpëshme të vjedhjes së votave. Tepër vonë, zotërinj politikanë, jeni kujtuar t’u besoni  qytetarëvet jashtë partive numurimin e votave, siç ndodh në botën demokratike e siç është sugjeruar nga dhjetra shkrime të kësaj kohe. Thoni se do të krijoni mundësi të mërguarve të votojnë aty ku jetojnë, keni zbuluar ujin e ngrohtë, ka më se njëzet vite që kërkohet kjo nëpërmjet shumë artikujve të botuar, por pa asnjë ligj n’atë drejtim. Ndoshta i jeni trëmbur votës së të mërguarve nga frika se mund të ndryshojnë barazpeshat politike, për të cilat keni bërë një “marrëveshje” në vitin 2008, e cila e ka ballsamosur jetën politike, duke i hapur udhë prirjeve autoritariste të drejtuesve të dy apo tri partive, që vendosin në pavarësi të plotë për emrat e atyre të cilëve populli, aq shumë i përmendur si “sovran”, do të vendoste, pa i njohur fare, si përfaqësues të tij në Kuvendin e republikës.

Sa kërkesa e propozime nga opinioni publik mbarëshqiptar janë shtruar në këta vite të pas komunizmit, për të ndryshuar një nen të kushtetutës e për të vendosur zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit nëpërmjet votimit të përgjithshëm. Asnjëherë nuk është marrë në shqyrtim një mundësi e tillë, mbasi është parapëlqyer që të zgjedhurit e listave të kryetarëve të partive të kenë në dorë edhe autoritetin më të lartë të Shtetit, që të kenë n’atë vend një roje të bindur të interesave të tyre. Përvoja e shumë Vendeve si Austria, Rumania, Sllovakia etj. ka provuar se një Kryetar i zgjedhur nga populli ka autoritetin e duhur për të qenë mbi palët politike, në dobi të interesave të gjithë qytetarëve.

Kryeministri, në seancën e fundit të Kuvendit e blindoi marrëveshjen e vitit 2008, duke paraqitur si argument faktorin gjinor, që në sajë të listave të hartuara prej tij, i paska hapur dyertë e politikës grave e vajzave. Vlen të kujtohet se gra të njohura të politikës botërore janë shprehur kundër barazisë gjinore të detyruar me ligje, mbasi parimi kryesor i mbarëvajtjes së jetës politike duhet të jetë ai i meritokracosë, pa bërë as më të voglin dallim ndërmjet sekseve. Personalisht e quaj një gjë tepër pozitive pjesëmarrjen e grave në politikë, mbasi ato janë më të imunizuara se burrat, për natyrë, në ballafaqimin me faktorët brejtës të asaj jete, siç është abuzimi me detyrën për motivet më të ndryshme. Por ajo pjesëmarrje nuk duhet të jetë shprehje e vullnetit apo mos vullnetit të kryetarit të partisë, por e një serie rrethanash që përcaktojnë mjedisin e përshtatëshëm shoqëror  që ve në të njëjtin start nisjeje mashkullin e femrën e që i jep vëndin e duhur secilit simbas aftësive, përkushtimit e shtatit moral e intelektual.

Kjo duhet të jetë Shqipëria evropiane, një shoqëri e hapur e pa paragjykime, që i njeh secilit pjesëmarrës të saj të drejtën për të garuar, por që i jep me paanësi secilit vëndin e merituar. Fatkeqësisht jemi ende shumë larg asaj etape të zhvillimit e kjo është njëra nga arsyet që mbetemi në vende krejt të papërfillëshme në shkallëzimet botërore. Prandaj në Shqipëri ndodhin gjërat më të pabesueshme, si fakti që shoqëritë naftënxjerrëse kanë 15 vjet që “kanë gjetur Amerikën”, që hanë marrin e ikin pa paguar asnjë qindarkë në buxhetin e Shtetit shqiptar. Apo ndoshta ata i depozitojnë detyrimet e tyre financiare në llogaritë e disa “drejtuesve”, diku në Vendet më mikpritëse të hajdutëve e batakçinjëve të botës, sepse është e ligjëshme dhe e natyrshme të mendohet kështu para një fakti, sa të padrejtë aq dhe të pakuptueshëm, që dikush nga cilido Vend i botës të vijë në atë më të varfërin e Evropës, të fitojë 3,5 miliard dollarë e të shkojë i patrazuar pa paguar asgjë.

Kurse nga ana tjetër për shqiptarët taksat e karburantit kanë arritur në 66% të vlerës së përgjithëshme të shitjes së tij. Madje në raport me t’ardhurat, Shqipëria është një nga Vëndet ku një litër benzinë merr 10,3 % të pagës mesatare ditore, kur në Francë ajo kap 1,3 %, në Bosnjë 7,1 % e në Maqedoni 7,2 %. Shteti shqiptar tregohet kaq “bujar” ndaj kompanive të huaja, por ende mbas më shumë se një të katërt shekulli, nuk plotëson premtimin e kthyer në ligj të pagesës së dëmshpërblimevet për punën e papaguar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për taksimin e objekteve faraonike të turizmit, për të cilët zbatohet tarifa e TVSH me 6%, ndërsa në të tjera veprimtari ekonomike ajo arrin në shifra dy apo trefish. Mund të vazhdohet me një listë të gjatë të dështimeve ekonomike në shfrytëzimin e aftësive potenciale të Vëndit, por qëllimi i shkrimit është gjëndja kaotike në të cilën është futur politika shqiptare e perspektiva e zymtë që e pret atë.

Në ditët e para Kryeministri dhe kryetar i PS në pushtet u tregua i gatshëm për të biseduar në lidhje me krizën, e pashembullt në gjithë historinë e kalesës, por ky qëndrim erdhi duke u ashpërsuar deri në një mospranim të prerë të çfarëdo mundësie bisedimesh, si përgjigje kundrejt kërkesave të Opozitës për dorëheqjen e tij. Ky mur kundër muri nuk i sjell asgjë të dobishme Shqipërisë, pavarësisht argumentave demagogjikë të dy palëve. Është një gjëndje që kërkon një gjyqtar dhe një ndërmjetësues, aq më tepër nëse Opozita vendos të braktisë zgjedhjet për organet vendore. Normalisht ky duhej të ishte roli i Kryetarit të Shtetit, po të kishte tagrin që do t’i kishte dhënë zgjedhja me votim të përgjithshëm. Por kryetari Meta, me qëndrimin e tij të mefshtë e valëzues, nuk frymëzon besim, edhe për faktin se ai për arsye vetiake e politike nuk mund të mbetet asnjanës. Madje në një deklaratë të kohëve të fundit ai foli për një prirje “flijimi” si ish presidenti i Kilit Salvador Allende në vitin 1973, kur u vetëvra në pallatin Moneda, për të mos rënë në dorë të ushtarakëve kundër komunistë. Kjo deklaratë e ka vështirësuar edhe më shumë gjëndjen.

Në mungesë të një organi gjyqësor t’aftë për të marrë në shqyrtim paditë e Opozitës për dosje përgjimesh që vërtetojnë vjedhjen e votave e të një ndërmjetësuesi shqiptar me besueshmëri të dyanëshme, nuk mbetet tjetër veçse shpresa tek diplomacia ndërkombëtare, që duhet të vijë e të rregullojë punët tona, një tjetër dështim i hapur jo vetëm i klasës politike, por edhe i shoqërisë shqiptare që e ka prodhuar atë.

Me gjasë skenari më i mundshëm është  që Qeveria dhe shumica të shkojnë përpara, pa përfillur protestat të cilat, në synimin e organizatorëve, duhet të vazhdojnë në pafundësi, jo vetëm me shkarkimin e kryeministrit, e me ngritjen e Qeverisë teknike, por edhe me arrestimet e përgjegjësve të supozuar të vjedhjes së votave. Por ndërsa kryeministri ka në dorë një atu, atë të marrëveshjes së vitit 2017, mes tij dhe Bashës, ky i fundit në kundërshtinë e hapur ndërkombëtarëve, mund të shpresojë vetëm në një përshkallëzim në përmasa të stërmëdha të protestës popullore, me pasoja të papërcaktueshme, por që nuk përjashtojnë asgjë, as hipotezën më të keqe.

Ndoshta edhe raporti i Komisionit Evropian që, me shumë gjasë, do t’u ngjajë atyre parardhës edhe në këtë vit, do t’u kujtojë shqiptarëve se lufta për pushtet e përfaqësuesve të tyre, kur del nga shinat e normave dhe parimeve normale demokratike, është në gjëndje të kthejë mbrapsht akrepët e orës së tyre historike, në një gjëndje në të cilën nuk do të kishte fitues e të humbur, mbasi humbës do të ishin të gjithë shqipfolësit. Por ndoshta mund të ketë edhe një mundësi tjetër: mbas shtyrjes tjetër të rradhës nga Komisioni evropian, gjakrat të fashiten, mbasi misioni u krye e mund të shtyhen edhe pështjellimet e politikës shqiptare.

Prill 2019  

Please follow and like us: