Kastriot Dervishi: Ka humbur “Venusi”?
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë rrëzoi vendimin nr.12, datë 22.01.2019 të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Në vlerësimin tim, vendimi i gjykatës mbi ato prova që janë paraqitur ka qenë drejtë. Subjektit të prekur iu dha mundësia të kundërshtojë një akt administrativ, në një kohë që ai nuk duhej të dilte fare. Vërtetimi i dokumenteve nuk ka nevojë për akte administrative, por për njësime me origjinalin pa asnjë interpretim. Subjekti mund të ankimonte po të kishte pretendime vetëm vërtetësinë e dokumentit nëse dyshonte se mund ishte fals. Këtë rast bëhej padi në prokurori dhe gjykohej në gjykatë fakti, por kurrsesi në atë administrative sepse ajo që është shkruar nuk diskutohet me vendime. Sipas nenit 58 të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, “Punonjësit e rrjetit arkivor kombëtar shërbejnë dokumentet besnikërisht me origjinalin, pa komente ose interpretime”. Kjo dispozitë mjaft e qartë, është përplasur me disa nene të ligjit të Autoritetit (ndër nulitetet më të përkryera të legjislacionit shqiptar), i cili ka të drejtë të marrë vendime “korrigjojë” “çdo informacion që rezulton i pasaktë” (neni 6 i ligjit 45/2015).
Kërkimi për rastin në fjalë nga AIDSSH nuk ka qenë shterues, por i llojit dembel, vetëm mbi një të dhënë të drejtpërdrejtë si regjistri elektronik i agjenturës (informacion i pjesshëm ky) dhe kartela model 2. AIDSSH duke mos u thelluar në dokumente ka bërë krahasime dhe interpretime.
Me kaq sa kam parë, “Venusi” duhej të kishte dosjen personale, e cila është arkivuar dhe ka qenë pjesë e fondit operativ të MPB-së (krijuar me dosje të ardhura nga kartotekat e degëve). Ky fond u çorganizua nga gafa e vitit 1993 (marrja nga SHIK-u në kundërshtim me ligjin e arkivave e fondit) si dhe së fundi nga marmelata e vitit 2015. Nga veprimi i parë, ende fondi nuk ka vijueshmëri numrash sepse prej asaj kohe, nuk janë vënë numrat arkivorë. Fondi nuk ka një inventar unik, ekzistenca e të cilit do të bënte kthim përgjigjeje brenda një minute. Të dyja veprimet kanë dëmtuar tërësinë arkivore dhe Arkivin e MPB-së, ndërsa sot flitet nga lloj-lloj injorantësh për “arkiva sigurimi”, kur nuk ka pasur kurrë të tilla.
Në lidhje me rastin “Venusi”, referuar praktikës së bërë publike, rezulton shënimi në regjistrin e agjenturës, nr.8023, numri 2015 me dosjen nr.44907 në kartotekën e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës. Vetëm dosjen personale së bashkëpunëtorit “Venusi”, nr.(636 rendor i listës), me shkresën nr.4978, datë 4.7.1985, ka qenë pjesë e 910 dosjeve të dorëzuara nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, në Arkivin e MPB-së nëpërmjet Degës së 4-t. Unë besoj se dosja ka pasur numër arkivor. Prandaj këtë rast pyetet:
-Është verifikuar apo jo blloku i punës së operativit Jorgaq Perika?
-A përmendet subjekti me dosjen e drejtimit inteligjencie-rini?
-A citohet apo përmendet në praktikat shoqëruese Drejtori e Punëve të Brendshme Tiranë-Dega e Katërt-Arkiv i MPB-së?
-Ka qenë dosja pjesë e fondit operativ?
-Janë verifikuar të gjithë inventarët e trashëguara, ato me numra progresivë apo me numrat e vjetër të kartotekave.
-Ka apo jo dyshime se dosja mund të jetë zhdukur kohët e fundit nga persona të interesuar në lidhje me “Venusin”?