Albspirit

Media/News/Publishing

Kriza e përmbytjeve në Iran duket se do të ndezë protesta të mëtejshme në mbarë vendin

Shahriar Kia

Pak më shumë se një muaj më parë, shirat e dendur shkaktuan përmbytje të rënda në Iran. Kjo gja ka sjellë dëme madhore për infrastrukturën e vendit dhe shumë njerëz kanë humbur shtëpitë. Disa javë më vonë, shumë iranianë vazhdojnë të përballen me pasojat e përmbytjeve. Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën dhe shumë iranianë janë të pastrehë.

Populli i Iranit, që nga fundi i 2017-ës, ka marrë pjesë në demonstrata e protesta anti-qeveritare. Ai ka bërë thirrje për ndryshim regjimi pasi nuk mund t’i durojë më mullahët që për dekada të tëra ia kanë prishur reputacionin vendit të tij të madh. Njerëzit duan që regjimi ta ndalë përhapjen e kaosit në mbarë rajonin si dhe duan që regjimi të mbahet përgjegjës për krimet e shumta dhe abuzimet me të drejtat e njeriut.

Kriza aktuale e përmbytjeve vetëm sa ua ka shtuar zemërimin dhe irritimin. Regjimi ka dështuar në mënyrë spektakolare në dhënien e përgjigjes së duhur ndaj krizës dhe i ka lënë njerëzit të përballen vetëm me gjithçka. Përveç keqmenaxhimit të situatës pas ndodhjes së saj, ai ka dështuar gjithashtu në parapërgatitjen për fatkeqësi të tilla dhe gjatë dekadave ka kontribuar në përkeqësimin e çdo incidenti. Për shkak të politikave destruktive, regjimi ka shkatërruar barrierat natyrore ndaj përmbytjeve, ka prerë pyjet, e ka tepruar me ndërtimet në zona të caktuara, u ka ndryshuar drejtimin rrugëve natyrore të ujërave, e kështu me rradhë.

Populli i Iranit nuk ka heshtur në lidhje me situatën aktuale pavarësisht përpjekjeve të mëdha të regjimit për të bërë sikur situata nuk është aq e keqe. Nëpër mediat sociale janë shpërndarë video, foto dhe postime rreth realitetit të situatës dhe njerëzit po e bëjnë të ditur pakënaqësinë dhe zemërimin  e tyre.

Që kur nisën përmbytjet muajin e shkuar, Presidenti Hassan Rouhani është munduar të mos tërheqë shumë vëmendje. Ai ka frikë nga reagimi i ashpër i publikut kështu që po përdor një rrugëdalje burracakësh. Por kjo gjë po e zemëron edhe më shumë popullin. Miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe ka dëme shumë të mëdha në infrastrukturën e mbarë vendit.

Javën e shkuar u ndezën protestat në provincën Khuzestan, në pjesën jug-perëndimore të vendit. Në këtë provincë jetojnë shumë arabë iranianë të cilët kanë nxitur disa nga protestat më të qëndrueshme gjatë 2018-ës. U dërguan forcat e sigurisë për të qetësuar situatën dhe për të shpërndarë protestuesit të cilët kritikonin mënyrën se si regjimi po e menaxhon këtë fatkeqësi. Shumë prej tyre vunë në dukje se kanë qenë politikat shkatërruese të regjimit ato që kanë shkaktuar përmbytjen e rajonit.

Ekziston mundësia që protestat e vogla dhe kryesisht paqësore të provincës Khuzestan të përhapen më tej në vend dhe të kthehen në një lëvizje shumë më të gjerë. Përsëri, ka mundësi që të ketë përplasje midis njerëzve dhe forcave shtypëse të sigurisë teksa njerëzit shprehin ankesat e tyre.

Ajo që populli dëshiron është ndryshimi i regjimit dhe nuk do të pranojë asgjë më pak. Dhe ky popull nuk meriton asgjë më pak pasi ka katër dekada që vuan nën sundimin e mullahëve. Incidentet si kriza aktuale e përmbytjeve shërbejnë për të rikonfirmuar pozicionin e njerëzve dhe për ta shtuar zemërimin dhe përçmimin e tyre ndaj regjimit.

Please follow and like us: