Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Koha për një kryeministre grua

 

 

Gratë japin shumë nga vetja, nëse janë të lira nga presioni që iu bëjnë burrat e pushtetshëm, një numër i madh prej grave dhe vajzave politikane, të folurën në publik e kanë të diktuar nga kryetarët e partive respektive e nëse guxojnë të ndërtojnë një identitet individual dhe të mbajnë fjalim duke u mbështetur tek dijet e fituara ndër vite dhe inteligjenca e tyre, me forma të sofistikuara kryetarët i largojnë nga radhët e partisë dhe militantët partiakë i sulmojnë shpesh edhe në rrjetet sociale dhe portale, formë e përsosur e luftës populiste partiake…

Një vend si Shqipëria, ndoshta edhe për disa vite të tjera nuk do të donte të diskutohet nëse një grua do të ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar një institucion si Kryeministria, pasi aty ka pasur vazhdimisht burra pedantë dhe të pushtetshëm pafundësisht…

Me keqardhje e them që në këto 29 vite demokraci nuk kemi një bilanc realisht pozitiv, përsa i përket barazisë gjinore; ka gra në politikë, por në të shumtën e rasteve dalin dhe lexojnë pa i ndarë sytë nga fleta që u është dorëzuar nga kryetari me urdhër dhe realisht lexohet rrjedhshëm, me pikë e presje, fiks si qëmoti, me direktivat e partisë-shtet, sa të lë një shije shumë të hidhur, zonja deputete ose ministre, që mban fjalime të tilla e shndërrohet në zëdhënëse partie, ndërkohë që një ministre duhet të ketë autoritetin e duhur dhe jo të lexojë dokrra e dogma partie…

Është e vërtetë që sot kabineti ynë qeveritar ka numrin më të madh të zonjave që drejtojnë ministri të ndryshme, sikurse është e vërtetë edhe se përfaqësimi i tyre në parlament është rritur ndjeshëm, por ky është një tjetër diskutim që lidhet me disa kuota gjinore apo kërkesa në​ kuadër të integrimit europian, pra më shumë se liri zgjedhje nga gratë, ka qenë kërkesë nga BE për integrimin e vendit dhe plotësimin e kushteve të barabarta që në fakt janë fasadë…

Më​ tepër do ta lidhja këtë ngurrim për të menduar se një grua është e denjë për të qenë Kryeministre me zhvillimin social – kulturor të shoqërisë sonë, e cila mesa duket e ka të pamundur të shkëputet nga kjo gjendje tranzicioni dhe mentaliteti i një lideri-burrë që uluret fort, ku i frikësohen të gjithë dhe në fund nuk zgjidh asgjë, por përvetëson të gjitha liritë e të drejtat e grave që vetë ka përzgjedhur…

Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore pse unë​ mendoj se është momenti i duhur për të patur edhe vendi ynë një grua në krye të Qeverisë shqiptare, një zonjë që mendon me trurin e saj, jo e varuar nga kryetari i partisë, një zonjë të pakorruptuar, të aftë e të mirë, që e trajton Shqipërinë më butësinë e rritjes së një fëmije. A ka zonja të tilla, po, po, ka padiskutim, por ne u mësuam të pranojmë në drejtim vetëm meshkuj e të formatojmë burra cinikë e të pushtetshëm, deri në dhunues të të gjithë shoqërisë…

Dua të sjell në vëmendje disa gra të fuqishme në botë që i kanë dhënë zhvillim të madh drejtimit të vendit në kohën kur ato kanë drejtuar. Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore sepse Mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë; Mbretëreshë Viktoria, një epokë e tërë e artë mban emrin e saj; Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, nga e cila kemi trashëgimi deklaratën e famshme për të drejtat e njeriut; ndikimi i Margaret Thatcher në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm; Benazir Bhutto – kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci.

Le të kthehemi tek Shqipëria – pse edhe ne na duhet aq shumë të ndjekim shembujt e këtyre vendeve të mëdha në histori?

Së pari: Demokracia jonë do të forcohej më shumë e do kthehej në një demokraci më funksionale e paqësore,qeverisja është më e mirë kur përfaqësohet nga shumica me gra; shifrat tregojnë se ka shumë më tepër idealizëm dhe profesionalizëm në ato institucione që drejtohen nga gratë.

Së dyti: Gratë janë lidere më të mira – jo vetëm nga çfarë përmenda më sipër, por studimet tregojnë se kompanitë që​ kanë numër të madh femrash në lidership performojnë edhe më mirë ekonomikisht. Po ashtu besohet te fakti që cilësohen si më me ndershmëri përsa i përket barazisë dhe kompromisit në punë e kjo iu jep përparësi në role drejtuese.

Së treti: Ndikon në nxitjen e barazisë gjinore sepse duke parë një femër në një post të lartë drejtues nxit dhe motivon femrat e tjera të përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës. Vendi ynë edhe pse ka përjetuar ndryshime mbetet ende shoqëri patriarkale. Një grua lufton për të drejtat e grave. Shprehja feministe “politika është personale” është e vërtetë akoma dhe një Kryeministre grua në Shqipëri padiskutim ka eksperiencën personale në luftën për të qënë e drejte dhe e paanshmenë vendimet e saj…

Së katërti: Pavarësisht gjithçkaje, gratë punojnë së bashku. Ndoshta nuk do të kishim këtë ngërç politik nëse do të kishim një grua në këtë post kyç drejtues.

Së pesti: Shoqëria jonë fatkeqësisht ka harruar disa nga vlerat bazë dhe modelet aktuale nuk kanë shumë për të dhënë. U provuan burrat e fortë në dukje dhe të pushtetshëm që u kthyen në diktatorë, aq sa fjala tyre është para ligjit dhe në mënyrën më absolute dikton gjithë veprimtarinë e shtetit duke zgjeruar territoret e pushteteve dhe duke reduktuar edhe kopetencat e Presidentit,e pushteteve të tjera në Shqipëri si psh duke uzurpuar gjyqësorin dhe blerë median…

Ne si shqiptarë, e kemi në brendi që nomat e vlerat t’i mësojmë nga nënat apo motrat tona. Po ku ka më mirë!

Së fundja: Gratë nuk prodhojnë tirani. Një grua ka qetësinë e të drejtuarit dhe mençurinë e zgjidhjes se problemeve pa instaluar presionin; sot ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë nje grua kryeministre apo presidente dhe mbase politika e vrazhdë mashkullore ndryshon më në fund modelin e dhunës që më së shumti prej shumë vitesh është bërë pjesë e krejt shoqërisë sonë…
Por nëse ne gratë nuk lobojme fortë e të kërkojmë me këmbëngulje të na dëgjohet zëri dhe te jemi zonja fisnike në krah të burrave, nuk do bëhemi faktor me rëndësi politike, por do mbetemi në pozicione dytësore drejtimi.
E në rastin më të keq të perfaqësuara nga gra që nuk ngrenë zerin për të drejta e liri themelore të grave e vajzave, por mbajnë iso kryetarit të partisë….
Liri, pushtet, autoritet, nuk ti dhuron askush, ato fitohen dhe lufta për këtë fitore nuk është e lehtë, as e shpejtë
Por shpresoj që këtë vend ta drejtojnë sa më parë grate dhe ju siguroj që do e bënin më mire se te gjithë burrat politikanë në këto 30 vite demokraci..

Post Scriptum: Shkrimi im mori shkas nga një intervistë e znj. Arta Dade mbrëmë në ‘Tempora’ në TV Oranews nga gazetarja Marjana Legisi; filloni e mendoni se në Shqipëri ka gra të zonjat për të udhëhequr vendin, në atë moment po ju them që vendi ynë do bëhet më e mirë e më qetë për të siguruar një jetë normale si mbarë bota e qytetëruar…

Please follow and like us: