Albspirit

Media/News/Publishing

Shkrimtari rus Anton Ҫehov dhe tregimi “Salla nr. 6-të”

Mimoza Koka

 

 

 

Anton Pavlovich Ҫhekhov, (1860-1904), është një shkrimtar që zë një vënd tepër të rëndësishëm jo vetëm në hierarkinë e shkrimtarëve rusë, po dhe botërorë. Ҫehovi  megjithëse mbaroi për mjekësi, iu përkushtua letërsisë. Është konsideruar mjeshtër i tregimit dhe përfaqësues tipik i realizmit kritik. Ai përshkroi me një humanizëm të thellë gjëndjen e rëndë të Rusisë në vitet 1871-1900 duke patur meritën se në tregim solli pasqyrimin e tragjedisë së jetës së vogël, të zakonshme.

Në tregimet e tij nuk paraqiten heronjtë e madhërishëm, por njerëzit e thjeshtë dhe të vegjël. Këta ishin heronjtë e Ҫehovit.

Çehovi prozator shkroi 600 tregime. Ajo që është tepër e rëndësishme në krijimtarinë e e tij letrare, është fakti që solli një risi të fuqishme në dramë. Ai është konsideruar gjithashtu si një nga dramaturgët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim shekullit të njëzet. Kjo për faktin se deri para Ҫehovit, në Rusi drama përfytyrohej si një shfaqje e një konflikti të rëndë, me heronj të zhurmshëm.

Në dramat e tij, gjithashtu Ҫehovi paraqiti njeriun dhe jetën e zakonshme. Ai mendonte se prapa jetës së vogël të njerëzve të zakonshëm qëndronin konflikte shoqërore të thella. Aq e madhe ishte risia e tij në dramë, sa vepra “Pulëbardha”, e cila u dha për herë të parë në teatrin ‘Aleksandria’ të Petërburgut me 17 tetor 1896, dështoi keqas. Në pjesët më të rëndësishme dhe më serioze të veprës, ishin të qeshurat më të mëdha. Ky dështim është përshkruar shumë bukur në kujtimet e Lidia A. Avillova, të dashurës së Ҫehovit. Ҫehovi e ndjeu shumë këtë dështim, dhe për pak ai vendosi të mos shkruante më dramë. Vepra pati sukses të jashtëzakonshëm kur e vuri në skenë regjizori i famshëm rus Stanislavski.

Çehovit si dramaturg i njihen katër kryevepra: “Pulëbardha”, “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat” dhe “Orkada e Qershive”. Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Anton Çehov ishte ndër figurat kryesore që themeloi teatrin modern.

Studiuesit duke analizuar personalitetin e Ҫehovit thonë se “te Ҫehovi është vështirë të thuash se kush qëndron më lart: njeriu apo artisti”.  Thjeshtësia e tij është bërë gati proverbiale. Ai i largohej bujës, nuk i pëlqenin kurrë lëvdatat, dhe kishte një mendim modest për vlerat e veta. Janë interesante kujtimet e Mihal Ҫehov, vëllait te tij, Ollga Kuiper, gruas së tij, Lidia Avillova, të dashurës së tij, dhe veҫanërisht të Maksim Gork-it. Po veҫoj tregimin  “Salla nr 6-të”.

Salla nr 6-të është një pavion për të sëmurët mendorë. Aty ndodhen pesë të semurë. Ҫehovi me talentin e tij të mrekullueshem përshkruan secilin prej tyre.

I pari është një borgjez i gjatë, i tretur, me mustaqe të kuqërreme, rri ulur dhe vështron i shastisur drejt një pike. I dyti është një plakaruq i pakët, i shkathët, me një mjekër të zezë me majë dhe me flokë të zinj dhe të dredhur si të një zezaku. Ky është ҫifuti Mojsejka, një i marrë që ishte ҫmendur prej 20 vjetësh, sepse  iu dogj fabrika e tij e kapelave. I treti,është një fshatar si një top me dhjamë, me një fytyrë të trashë guaku të plotë, i cili as ndien  dhe as mendon prej shumë kohësh. Ai nuk reagon as kur infermieri Nikita e rreh pa pushim me grushta. I katërti është një borgjez, shpërndarës i postës më parë, një flokëverdhë i pakët, me fytyrë të ëmbël, por pak dinake. Dhe personazhi i fundit, por më i rëndësishmi është Ivan Dimitriҫ, një burrë afro 30 vjeҫ, prej një dere fisnike, ish – fitues gjyqi, me universitet të pambaruar, që vuan nga mania e persekutimit. Është gjithnjë si në ethe dhe nervoz, sikur pret t’i ndodhë diҫka e papritur që ai nuk e di. Ai ka një pamje të zbehtë dhe të pikëlluar, ku duket si në pasqyrë shpirti i tij i munduar dhe  i cfilitur.

Në qytet prej 20 vjetësh shërbente doktori Andrej Efimiҫ, i cili pavarësisht pamjes së tij të ashpër  dhe të papërpunuar, ka një karakter tejet të ndrojtur  dhe të miresjellë. Kur ai kishte filluar punë, spitali ishte në një gjëndje të tmerrshme, i mbushur me brumbuj, ҫimka dhe minj, ku të merrej fryma nga era e qelbur. Doktori mendonte se ky institucion duhej të mbyllej, dhe të sëmurët duhet të liroheshin. Kohët e para ai punonte me shumë zell. Por, shpejt vë re se sado të punonte, asgjë nuk e ndryshonte gjëndjen e të semurëve dhe kushtet e tyre. I vrarë dhe i zotëruar nga këto mendime, ai kishte lëshuar krahët si i këputur dhe kishte reshtur së vajturi ҫdo ditë në spital.

Kështu, mjeku Andrej Efimiҫ mezi priste të mbaronte punën në spital, dhe të kthehej në shtëpi, ku vetëm lexonte. Ai lexon shumë, dhe gjithnjë e më tepër me ëndje të madhe. Por, nuk ka asnjë njeri me të cilin të diskutojë për ato ҫka lexon. Ai vazhdimisht ëndërron që të gjejë një njeri për të zhvilluar një bisedë intelektuale. I pari njeri me të cilin ai arrin të bisedojë në të tërë qytetin është një nga të sëmurët e sallës nr 6-të, dhe pikërisht fisniku Ivan Dimitriҫ, i cili vuante nga mania e persekutimit.

Doktori bisedon me të, dhe është i kënaqur sepse argumentat e tij janë të logjikshme, dhe ai i thotë të vërtetën edhe kur ajo është e hidhur.

Për herë të parë provon kënaqësinë e një bisede intelektuale. Kështu, ai filloi të vinte në këtë pavion ҫdo ditë dhe rrinte duke biseduar me Ivan Dimitriҫ deri vonë në mbrëmbje. Të githë po habiteshin me ndryshimin e zakoneve dhe të sjelljes së doktorit. Aq shumë bëri përshtypje në qytet fakti që ai bisedonte me një të sëmurë të sallës numër 6-të, saqë autoritetet krijuan një komision për të hetuar gjëndjen e tij mendore, ndërsa qyteti filloi ta trajtonte si një njeri me përҫartje mendore.

Ai mundohet t’u shpjegojë kolegëve, fqinjëve, dhe të njohurëve të tjerë se sëmundja e tij ishte  pikërisht kjo; se prej njëzet vjetësh në këtë qytet ai gjen një njeri inteligjent, dhe ky është një i ҫmendur.

Autoritetet  konkludojnë që mjeku është ҫmendur dhe e shtrojnë pikërisht në sallën nr 6-të, ku ai u nënshtrohet atyre rregullave të rrepta të pavionit që ai i kishte përbuzur, por nuk i kishte ndryshuar dot. Nuk mungojnë ndaj tij dhe grushtat e infermierit Nikita. I tronditur mjeku humb jetën nga pika.

Pra, ky tregim ka një mesazh shumë të rëndësishëm, se sa e vështirë është të thuash të vërtetën në një botë të mbushur me gënjeshtra. Ky është një mesazh i rëndësishëm për të gjithe ne, që në kakofoninë e informacioneve të mund të gjejmë atë ҫ’ka është e vërtetë, dhe ta mbrojmë atë.

Please follow and like us: