Fishta dhe letërsia shqipe
Fishta dhe tradita letrare shqiptare’ (2012) është ndër ato studime të plota, madje shteruese në objektin e përcaktuar, që në vlerat e shkruara deri më tani prej Bajram Kosumit, është libri më i plotë i autorit, qoftë letrar apo si trajtesë metateksti studimor, duke shënuar librin më të realizuar deri më tani. Njëherësh, duke u bazuar në natyrën tipologjike të librit, por edhe në metodikat moderne të interpretimit, deri më tani është punimi studimor më i arrirë i autorit për figurën e Fishtës, të marrë në lidhjet me letërsinë e traditës letrare.
Vlerësia e këtij trajtimi unik sa i përket qasjes së përmasave fishtiane, të dukurisë së marrë në marrëdhënie me shqyrtimet e bëra për sa i përket krijimtarisë letrare të Gjergj Fishtës, në kohë dhe hapësirë, por edhe të vet optikës krahasimtare me autorë dhe vepra të mëparshme. Të qenit, vetëm se libri më i plotë, i trashëgimisë autoriale, ndërkohë lidhet me faktin e thjeshtë, të gamës së gjerë të problematikave letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, që ka vënë në qendër të tij dhe në masën më të madhe në këtë shqyrtim të përveçëm u ka dhënë përgjigje argumentuese të gjitha aspekteve që ka marrë në analizë, në hallkat e veta shqyrtimore. Po ashtu, në mesin e punimeve kritike dhe studimore të vet autorit, punimi i gjerë studimor mbi veprën letrare të Fishtës, marrë në një kontekst më të gjerë, të marrëdhënieve me letërsinë e mëhershme, si dhe me letërsinë gojore, mbi përcaktimet e bëra për përmasat e saj, është libri më i thellë dhe i shoqëruar me argumente shkencore, në zbulimin e tipareve që barten në tekstet e Fishtës, madje të vendosura në korrelacion me prodhimtarinë letrare të mëparshme, në të gjithë rrafshet kohore dhe me parimet estetike, duke synuar kështu që veprën e Fishtës ta vendosë në vatrën e shqipes, me gjasë në nivelin e merituar.
‘Fishta dhe tradita letrare shqiptare’, është konceptuar në disa krerë tepër të zgjeruar, në të cilët realizohet përqasja me të gjitha periudhat e mëparshme të shkrimit të letërsisë, të kultivuar apo gojore, si dhe të vështruar në principet estetike. Në këtë strukturim, konceptual dhe metodik, studiuesi fillimisht ndalet në përqasjen e veprës së Fishtës me autorët dhe tekstet e letërsisë së vjetër, duke shënjuar kështu disa nga rrënjët burimore të poetikës së autorit, të frymës që sendërtojnë poezia dhe krijimtaria e tij, me një përqendrim më të theksuar në poezinë e Budit dhe Bogdanit, poetika e të cilëve gjallon në disa poezi të Fishtës.
Kreu i dytë i librit studimor të Kosumit, që ka mundësuar vendosjen e krijimtarisë së Fishtës me arealin e letrave shqipe, merret me përcaktimin e shkollës ku u mbrujt autori, të shkollës letrare kuptohet, që formësoi cilësitë më të plota, të cilën e përcakton si shkolla proklasike shkodrane. Në kreun tjetër, ‘Fishta dhe vepra e gjerë letrare’, vështrohen lidhjet e forta dhe po kaq ndryshimet që ai ka me romantizmin, si dhe me autorët më të rëndësishëm të kësaj rryme letrare në gjuhën shqipe, si: De Rada dhe Naim Frashëri. Po kaq vlerë, në këtë interpretim të detajuar dhe krahasimtar, merr edhe përqasja që bën autori i këtij studimi në lidhje me krijimtarinë gojore, ku hetohen dhe evidentohen lidhjet me eposin, me ciklin e kreshnikëve e, po kaq, edhe me lirikën popullore, e cila na zbulon disa nga tiparet më tipike të artit të Fishtës, që i kanë rrënjët e veta në poetikën gojore të letërsisë popullore.
Në pjesën tjetër, pasuese të këtij studimi, verifikohen konceptet e Fishtës mbi estetikën, duke i kundruar dhe krahasuar ato me praninë e koncepteve estetike në autorët e tjerë të letërsisë shqipe, qysh në fillesat e tyre, me fillesë mendimet e Bogdanit e deri te libri ‘Parimet estetike’ të De Radës dhe me gjerë. Për ta kuptuar natyrën e vështirë të autorit, në shtjellimin e dimensioneve të veprës së poetit, të trajtimit të krijimtarisë së tij nga studimet letrare, si dhe të ndërlidhjeve të rrokshme me poezinë e mëparshme, po sjellim në vëmendje të lexuesit pohimet e bëra nga vetë studiuesi B. Kosumi në këtë libër, që japin idenë dhe metodën e hulumtimit mbi këtë objekt, duke vënë në marrëdhënie të pashkëputshme veprën poetike të Fishtës me të gjithë procesin e ligjërimit të poezisë shqipe: “Në këtë studim ne kemi pasur një objektiv veprën e Fishtës në marrëdhënie me traditën letrare shqiptare dhe rezultatet e këtij studimi krijojnë një pamje të re jo vetëm për veprën e Fishtës por edhe për marrëdhëniet e brendshme në letërsinë shqipe në përgjithësi, (B.K. 2012. f. 16)”
Në këtë rast, pa asnjë ekuivok, paraqitet edhe fushëpamja, vepra e Fishtës si prani në ligjërimin e shqipes, para dhe pas tij, po kaq edhe lartsynimi, për ta parë krijimtarinë fishtjane në lidhjet organike me letërsinë shqipe, me poezinë popullore dhe të kultivuar, duke aspiruar zbulimin e rrënjëve të poetikës së endur nga Gjergj Fishta, si dhe të evidentimit të tipareve unike të ligjërimit të poetit. Megjithatë, metateksti studimor, që vë në fokus poezinë e Fishtës në ndërlidhjet e saj me poezinë shqipe, pra nga vështrimet më të plota, në këtë optikë krahasimi dhe ndërthurje, në historinë e trajtimeve të bëra nga ana e studimeve letrare shqiptare, madje në të gjitha hapësirat e ligjërimit të shqipes, mbi krijimtarinë e larmishme letrare të Gjergj Fishtës, ndërkohë që e shqipton dukurinë dhe problematikën që e ka shoqëruar, në një dritë tjetër. Po kaq, në qasjen studimore ndaj Fishtës, ndaj trashëgimisë poetike të autorit, ndeshet edhe aspekti i ndërlidhjeve të kësaj vepre me letërsinë e traditës, së kultivuar dhe gojore, gjë që përthekson vlerat e veçanta të shkrimit letrar, tashmë të verifikimit të këtyre vlerave, si një ndër qasjet më të plota ndaj kësaj figure, larmisë së krijimtarisë letrare, me përqendrim të vëmendjes në larminë poetike, lirike dhe epike, me një thellim të rrokshëm të trajtimit dhe interpretimit të epit shqiptar, të Lahutës së Malcis, veprës madhore të Fishtës, nga më të mëdhatë e kulturës dhe letërsisë shqipe, sidomos të kryera në shekullin e ri. Në mes tjerash, në libër bie në sy përveçimi që i bën autori B. Kosumi veprës madhore të Fishtës, poemës Lahuta e Malcis, kur nënvizon: “Fishta ka shkruar epin “kombëtar shqiptar” në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si gjini letrare, konsiderohej si punë e së kaluarës. Epi i Fishtës Lahuta e Malcis është epi i fundit i një letërsie evropiane. ( B.K. 2012. f. 22)”
Formulimi i autorit, pikërisht në këtë formësim, nxjerrë në pah vlerën që pati kjo vepër në historinë e letërsisë shqipe, pra kryevepra epike e letërsisë shqipe, e cila thekson edhe praninë e shenjës paradoksale sa i përkettipologjisë letrare të shkrimit të epit në përgjithësi. Ky moment i thellimit të njohjes së plotë ndaj figurës, dukurisë dhe përmasave të veprës letrare të Fishtës, veçmas të poezisë së tij, si dhe të ndërlidhjeve të rrokshme që ka me letërsinë e traditës, përmes optikës shkencore të metodikave krahasimtare, në hapësirat e librit studimor, në mënyrë të posaçme lidhet me disa aspekte:
Së pari: Me trajtimin e plotë të përmasave të figurës dhe të krijimtarisë letrare të autorit, në fushëpamjet karakteristike, tashmë e trajtuar përmes tipologjisë së shtjellimeve monografike, ka rrokur në gjithanshmërinë e vet, veprën e gjerë letrare të Fishtës, si dhe vendosjen e saj në marrëdhënie me traditën letrare, sidomos me letërsinë e vjetër shqipe, ku më së shumti bie në sy krahasimi që ndeshet në librin studimor, me veprën letrare të Budit dhe të Bogdanit, fillimtarët e ligjërimit letrar.
Së dyti: Me analizën krahasimtare, të shtrirë në shumicën e trajtesës studimore, të realizuar në tipologjinë e këtij punimi, pra të një diskursi tipik të vendosjes së pranishme të poezisë së autorit, me modelet e ligjëratës poetike të mëhershme, që nga njëra anë është shoqëruar me qasje të natyrës së mirëfilltë teorike, sidomos të atyre burimeve të teorive moderne, si dhe me shqyrtime krahasimtare të krijimtarisë së autorit, me disa autorë të letërsisë shqipe, qysh nga fillimet e shkrimit të letërsisë si dhe të letërsisë popullore.
Fishta dhe tradita letrare shqiptare
Shqyrtimi i veprës së gjerë letrare të Gjergj Fishtës, në të gjithë përmasat kreative, parë edhe në situatën e krahasimit me letërsinë e mëparshme, është një akt thelbësor, që përçon përpjekjen për ta kthyer vëmendjen te vlerat letrare të së kaluarës, të përzënë për vite me radhë nga sistemi zyrtar i realizmit socialist, vetëm se për nevojat ideologjike, pra jashtëletrare, është i mirëpritur, për ta shkundur pluhurin e harresës të hedhur për kaq shumë vite, si dhe për të hetuar, rilexuar dhe vlerësuar vatrat e ligjërimit letrar të autorit.
Studimi ‘Fishta dhe tradita letrare shqiptare’, i B. Kosumit, punimi më kualitativ i tipologjisë së metatekstit, me natyrë të pastër studimore, përpos aktit të risjelljes në tryezën e verifikimit, të kritikës dhe studimeve letrare, sidomos për ta rivendosur Fishtën dhe veprën e pasur letrare, në vendin e meritave që ka në lëmin e letrave, ka hedhur vështrimin e vet në të gjithë spektrin e ligjërimit letrar, me të cilat vihen re dhe analizohen pikëpërkime të krijimtarisë letrare fishtiane me modelet e tjera shkrimore, me autorë dhe vepra letrare, të së kaluarës, si dhe me letërsinë popullore.
Vepra e autorit shihet me të gjitha periudhat e lëvrimit të letrave shqipe, duke nisur hetimin dhe evidentimin e shenjave të ndërlidhjes me letërsinë e hershme shqipe, pra me letërsinë e shekujve 16-17, si një piketë fillimtare e verifikimit të shenjave, që barten më së shumti nga ajo periudhë në veprën letrare të Fishtës. Sugjerimi i bërë prej autorit të studimit mbi Fishtën në këtë libër, e nxjerrë në një dritë tjetër periudhën e parë të letërsisë shqipe, teksa shprehet: “E vërteta është se të gjithë autorët e vjetër të Veriut kanë krijuar kultin për të kaluarën e lavdishme shqiptare (arbënore, macedone, epirote) dhe se rilindësit e kanë trashëguar këtë kult më shumë prej tyre sesa prej romantizmit evropian. (B. K. 2012. f. 49-50)”
Autorijo vetëm vendos pikëpërkimet në mes tyre, pra veprës së Fishtës me krijimtarinë e letërsisë së asaj periudhe, por hedh dhe argumenton një tezë të rëndësishme për fillesën e vetëdijes së botës sonë, siç do ta formësojë Buzuku më herët, që ndër autorët e tjerë më tepër shqiptohet si krenari dhe hyjnizim i së kaluarës së largët, që rimerret nga autorët e mëvonshëm, duke nxjerrë në dritë një ndërlidhje organike të asaj letërsie me krijimtarinë e Fishtës dhe me autorë të tjerë të letërsisë. Është një pohim i pazakontë, që bart kurajën për ta hedhur vështrimin shkencor përmes qëmtimit të fakteve dhe krahasimit të tyre, me tej përfundimeve të fiksuara të studimeve albanologjike dhe letrare, si dhe vendos një situatë reale të marrëdhënieve të periudhave letrare, pavarësisht distancës kohore. Për ta bërë më të besueshme situatën e ndërlikuar të komunikimit të Fishtës me periudhën parake të letërsisë shqipe, po sjellim në vëmendje atë që ka ndodhur me studimin e Fishtës mbi vjershat e Budit, kur studiuesi Kosumi nënvizon: “Është më rëndësi ndarja që Fishta u bën vjershave të Budit në vjersha me temë “disa ndolli ma në shej të historis Shejte” dhe në vjersha me temë “të vërteta të fes kristjane. te libri Estetikë e kritikë (B. K. 2012. f. 52)”
Duket nga ky përcaktim se kemi të bëjmë me një përfundim dhe konkluzion të argumentuar, që na bind se Fishta dhe autorë të tjerë të letërsisë shqipe jo vetëm kanë rënë në kontakt me letërsinë e hershme, pra edhe me veprën e Budit, por kanë kryer edhe punime mbi to, duke lënë të kuptohet se kanë qenë edhe të ndikuar prej vetëdijes së tyre, të vetëdijes së shumëfishtë, gjuhësore, letrare dhe arbërore. Shenjat e ndikimit në mes dy poetëve bëhen më të prekshme në episodin Dy poezitë e Budit dhe dy të Fishtës për vdekjen, të cilën po e sjellim të plotë siç e ka formuluar vetë studiuesi në librin që ka vënë në qendër veprën e Fishtës në përqasje me traditën letrare të mëparshme: “Budi, sado me motiv biblik, ka dy poezi me temë vdekjen. Janë dy poezitë e para, për të cilat ai thotë se i ka shtuar e përmirësuar e se janë të Palit prej Hasi. Derisa e para ka të bëjë me motivin biblik të Ditës së Gjyqit, e dyta është më tepër e sferës metafizike, nëj meditim për vdekjen absolute dhe pafuqinë e njeriut Në gjashtë strofa të saj poeti përballë fuqinë e njeriut në të gjithë aspektet (njerëzit e ditur, të rinj e të bukur, të pasurit, perandorët, gratë siqmatare) përballë vdekjes që i rrënon të gjitha këto fuqi e cilësi njerëzore. Këto strofa, ndër më të mirat në poezinë e Budit, janë të ngjashme në aspektin semantik me hyrjen në poezinë ‘Ditën e të shumevet’ të Fishtës po edhe me poezinë ‘Nji lule vjeshtet’. (B.K. 2012. f. 74)”
Kjo situatë e përqasjes së dy teksteve të të dy poetëve e bën të padiskutueshëm faktin e ndërlidhjeve të poezisë së Fishtës me Budin, të parin poet të letërsisë shqipe, pra edhe të ndikimit të vetëdijes së letërsisë së hershme mbi poezinë e Fishtës, një ndikim kulturor dhe letrar por, mbi të gjitha, i vetëdijes së gjuhës shqipe. Në këtë pjesë të përqasjes së lidhjeve të krijimtarisë së Fishtës, të veprës poetike të tij, vihen re dhe evidentohen edhe rastet e ndërlidhjes me veprën letrare të Bogdanit, madje duke konkluduar se vetëdija e atdheut ishte një ndikim thelbësor që letërsia shqipe e pati në themelet e veta qysh në fillesë të vet, e prej aty ky mision shtegtoi në të gjitha kohët dhe hapësirat e ligjërimit të shqipes. Metodika e krahasimit, si mënyrë efikase për t’i hetuar dhe shënjuar dëshmitë e shkrimit të marrë në letërsinë e mëparshme, pra me periudhën e parë të letërsisë shqipe, të emërtuar nga studimet si letërsi e vjetër, me krijimtarinë e gjerë, letrare dhe shkencore të tyre, ka vlerë për disa arsye:
E para: Rikthehet vështrimi i studimeve letrare, me seriozitet dhe përgjegjësi, në atë periudhë themelehedhëse të letërsisë shqipe që, për shumë kohë, sidomos në Shqipëri, është parë në vlerësimet e veta, vetëm si dëshmi historike dhe gjuhësore, duke lënë jashtë vëmendjes shenjat e rrokshme letrare, të pranishme në disa tekste, sidomos në poezinë dhe prozën e Budit dhe Bogdanit. Kjo qasje studimore, analitike dhe sintetike, e bazuar në metodikën e krahasimit, pra si akt i pranisë së letërsisë së krahasuar, brenda letërsisë shqipe, ka ardhur prej leximit antifetar, sidomos në Shqipëri, kurse në Kosovë qysh me punimet studimore të I. Rugovës, R. Ismajlit, S. Hamitit, M. Krasniqit, K. Shalës, në Maqedoni Z. Neziri, ndërkohë është parë dhe zbërthyer edhe në vlerësimin letrare të teksteve të tyre.
E dyta: Vështrimi i veprës së gjerë letrare të Gjergj Fishtës, në ndërlidhjet e rrokshme me autorë dhe vepra, nxjerrë në një dritë tjetër vetë përmasat e shkrimit letrar të autorit, madje duke theksuar vijimësinë e diskursit poetik në gjuhën shqipe. Në mes autorëve, që ndeshen në situata të pranisë së tyre në tekstet e Fishtës, janë të gjithë pa përjashtim, Buzuku, Matrënga, Bardhi, por në lidhjen me poezinë dhe prozën, ngjashmëritë janë më të rrokshme, veçanërisht në lidhje me poezinë dhe prozën e Budit dhe Bogdanit. Prania e ngjashmërive, në mes të këtyre autorëve dhe shkrimtarëve të mëvonshëm, pra edhe të autorit të ‘Lahutës së Malcis’, tregon se Fishta dhe autorë të tjerë të letërsisë shqipe e kanë njohur periudhën e parë të letrave shqipe dhe ka shumë mundësi që edhe t’i kenë lexuar librat e këtyre autorëve.
E treta: Duke përqasur veprën letrare të Fishtës, me librat e autorëve të parë të letërsisë shqipe, me krijimtarinë poetike dhe në prozë, mbase më shumë me poetikën e tyre, në vjershërim dhe figurshmëri, në frymë dhe në shestimet më qenësore, arrin të vendoset lidhja organike në mes të periudhave, autorëve dhe veprave letrare, duke përforcuar kështu idenë e pashkëputshmërisë së letërsisë shqipe, në kohë dhe hapësirë, madje edhe në rrethanat e komunikimit të vështirë në mes të hapësirave të ndryshme të lëvrimit të letërsisë shqipe, në distancë kohore dhe hapësinore, pa mundur ta shkëpusë komunikimin e nevojshëm në mes të autorëve dhe periudhave të ndryshme.
Varësisht këtyre anëve, tejet të ndërlikuara, që kundron dhe nxjerrë në pah, më vëmendshëm studiuesi në hapësirat e librit, në qasjen tonë, për t’i gjetur pikërisht ato elemente që përkojnë me ndikimin e prekshëm në tekstet e Fishtës, pra që lidhen ngushtësisht me leximin e letërsisë së hershme. Me interes është prekja e kësaj situate të përputhjes së toneve poetike fishtiane me autorët e hershëm të letërsisë shqipe, që mundëson ndërthurjen e diskursit poetik në kohë dhe hapësirë.
Pse Shkolla Proklasike Shkodrane?
Një nga hallkat e rëndësishme, të hetimit dhe vlerësimit të poezisë së Fishtës, që ka gjetur një hapësirë të gjerë shqyrtimi dhe analizë sintetike, është edhe kërkimi dhe shënjimi i shkollës letrare që përfaqëson, së cilës i përket, në shumicën e elementeve të veta formësuese.
Koncepti shkollë letrare, si nivel përfaqësimi, shtjellohet nga Ernest Koliqi, duke pasur parasysh Shkodrën, me dy vatrat e saj, shkolla jezuite dhe ajo françeskane, që ka thelbin e vet, dy rrymat fetare me të fuqishme, katolike në Shqipërinë e veriut, por që patën në epiqendër Shkodrën, kryeqytetin e dikurshëm të Ilirisë, djepin e kulturës dhe shqiptarizmës.
Kohët e fundit Sabri Hamiti e ka zgjeruar më tej konceptin e shkollës letrare, duke e shtrirë në të gjitha periudhat e shkrimit të letërsisë shqipe, që duhet thelluar dhe argumentuar, se a do ta tejkalojë rrafshin didaktik që ka pasur në thelbin e vet. Kosumi, ndaj konceptit shkolla e Shkodrës, pasi e prezanton idenë e Koliqit, pa e kundërshtuar, e lë anash dhe ecën në një udhë tjetër, tashmë duke sugjeruar një konceptim tjetër, pra Shkolla Proklasike Shkodrane.
Vetvetiu në këtë risi të qasjes ndaj figurës së Fishtës dhe veprës letrare vjen pyetja logjike, pse shkolla proklasike shkodrane? A ka lidhje me ndarjet që ka paraqitur Koliqi, apo nuk i merr fare në konsideratë? Apo janë të ndërfutura në konceptimin që sugjeron vetëm për Fishtën, pra si shkolla porklasike shkodrane? Këto dhe të tjera pyetje dhe çështje dalin në radhë, që do të kërkonin hetim dhe rilexim në tekstin e Kosumit, që ka vënë në qendër Fishtën, veprën letrare të parë në rrafshet e komunikimit me letërsinë e mëparshme, të kultivuar dhe popullore. Përgjigjet janë në kapitullin ku studiuesi shtron pyetjet dhe jep edhe përgjigjet e argumentuara. Dhe ja përfundimi i autorit për tipologjinë e përbashkimit të letërsisë së krijuar në Shkodër: “Letërsia e krijuar edhe prej etërve françeskanë, edhe prej etërve jezuitë, por edhe prej disa poetëve laikë shkodranë, ka të përbashkëta disa elemente letrare dhe kulturore që e bëjnë të mundur përkufizimin e saj si entitet letrar më vete. Përkatësia fetare e autorit nuk paragjykon vetë letërsinë, edhe pse mund ta ndikojë, sepse atëherë letërsia romantike evropiane do të duhej të ndahej në letërsi romantike katolike, në letërsi romantike protestante, në letërsi romantike ortodokse e kështu me radhë. (B.K. 2012. f. 89)”
Prej këtij pohimi, që e kapërcen ndjeshëm sinorin e letërsisë shqipe, të komplekseve të saj, që nuk rreshtin sot e gjithë ditën, me shumë gjasa të vonesave dhe inkoherencës së pranishme në shumicën e periudhave, vetiu vijnë disa çështje të rëndësishme në fushë të gjykimit, që është rasti për t’i vënë në qendër:
– Letërsia e një kombi, siç është kombi ynë, pavarësisht besimeve të ndryshme, për shkak të bashkëjetesës, në anët e veta më thelbësore, e kapërcen ndarjen dhe diferencat e rrokshme.
– Letërsia është e varur, kryesisht prej gjuhës në mënyrë të veçantë, duke qenë gjuha shqipe, gjuha e letërsisë, pra më përtej besimit, vetiu edhe ndryshimet sa vijnë e zbehen në tipologjinë letrare.
Në kërkim të shënjimit të figurës dhe veprës letrare të Fishtës, në shkollën proklasike, pra në një shkollë që e kapërcen rrethin e Shkodrës, në kohë dhe hapësirë, që komunikon me letërsinë e mëparshme, letërsinë e vjetër, por edhe me letërsinë gojore, studiuesi arrin në një konkluzion që bart kahe të risimit të natyrës së ndërliksur të veprës letrare të autorit. Kur në mes të tjerash, thekson: “Fakti i parë, vetë jeta e Fishtës brenda rrethit françeskan dhe fakti i dytë, komunikimi letrar me tërë shoqërinë shqiptare nuk e kubndërshtojnë njëri-tjetrin, por krijojnë binomin që përmban fenomeni Fishtë: gjatë tërë jetës së tij Fishta do të jetë prift dhe do të shkruajë shkrime letrare dhe akademike e publicistike për fenë dhe çështje që kanë të bëjnë me fenë, e të cilat shkrime do të kenë rol të rëndësishëm vetëm brenda rrethit françeskan, si dhe do të shkruajë letërsi të mirëfilltë, lirika, satira, drama dhe poezi epike, të cilat do të kenë rëndësinë e tyre, jo vetëm për lexuesin shqiptar, por edhe për idealin kombëtar të shqiptarëve. (B.K.2012. f. 94)”
Në këtë episod të studimit të veprës letrare të Fishtës, të një metateksti analitik të mirëfilltë, më tepër kemi të realizuar një profil të portretit të Fishtës, në të gjitha pamjet e mundshme, parë në marrëdhënie me të tri përmasat që bashkudhëtuan në të gjithë jetën, duke u shndërruar në model letrar të pazakontë. Është prifti Atë Fishta që u përket françeskanëve, të cilët bën kaq shumë për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Pranë tij, madje që e ndjek në secilin hap të jetës, është shkrimtari, zemërtrazuar dhe mendimtar, që derdh magjinë e shkrimit në të tri gjinitë letrare, duke spikatur në epikë dhe lirikë. Por, nën vledonin e priftit, në prushin e zemrës së krijuesit, më shumë duket s sa zhduket, ideologu i kombit, i qenies shqiptare, që merr pjesë intensivisht në çështjet madhore që dalin përpara fatit të kombit. Për ta argumentuar hipotezën se poetika e veprës letrare të Fishtës është më e gjerë sesa shkolla françeskane që e lindi, studiuesi rikthehet në rrënjët e hershme dhe shprehet: “Shkrimi i poezisë me temë fetare është një fakt i përbashkët për krejt letërsitë evropiane, sidomos në Mesjetë e deri në Renesanca evropiane. Edhe në letërsinë shqiptare është kultivuar ky lloji i letërsisë në të gjitha qarqet para letërsisë së periudhës së Rilindjes. Te qarku i shkrimtarëve të Veriut Pjetër Budi (në mos Pali i Hasit?) është poeti i parë që shkroi vjersha fetare, edhe të përcillet prej Pjetër Bogdanit e deri te poetët e shkollës projklasike shkodrane, shumica e të cilëve krahas letërsisë laike kanë kultivuar edhe letërsinë fetare, veçanërisht poezinë. (B.K.2012. f. 102)”
Duke shkuar në fillesë të ligjërimit të letërsisë, në rrënjët e gjuhës dhe kulturës shqiptare, studiuesi B. Kosumi përforcon mendimin dhe përplotëson argumentet se Fishta është më përtej rrathëve ku u rrekën me kot të përfusin, pa hyrë në marrëdhënie të plota me figurën e krijimtarinë e gjerë të shkrimtarit./express/