Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Jeminaj: Të jesh avokate do të thotë përgjegjësi e madhe dhe ndershmëri profesionale

Intervista/ Flet avokatja Albana Jeminaj: Të jesh avokate do të thotë përgjegjësi e madhe dhe ndershmëri profesionale

 

 

Albert Z. ZHOLI

Një vajzë e re që kërkon në mënyrë serioze dhe korrekte të ngjisë shkallët e karrierës. Është një intelektuale e lidhur shumë me librin dhe kërkuese ndaj vetes. Ajo e dashuron shumë profesionin e avokates duke e ditur përgjegjësinë dhe rëndësinë.

Albana zgjedhja e profesionit është një ndër vendimet më të rëndësishme në jeten e njeriut, të cilën jemi të detyruar ta bëjmë në një moshë shumë të re 18 vjeç?  Tek shumë prej nesh kanë ndikuar prindërit për profesionin, te disa pasioni dhe dëshira e tyre,  po te ju çfarë ndikoi që vendosët të bëheni avokate?

Unë kam studiuar për Drejtësi, pasi ka qenë një nga pasionet e mia në moshë të re ky profesion…Ndërsa në lidhje me profesionin e avokatisë, të cilën aktualisht e ushtroj, më pëlqen për shkak se së pari është një profesion që të krijon njohje relativisht të mëdha kur ti ke mundësi të takohesh dhe të njihesh me shtresa të ndryshme shoqërore. Momentet që fitohet një gjyq në një betejë ligjore është një ndjesi kaq e veçantë që të bën të ndjesh fitoren në lëkurën tënde. Ke marrë një vlerësim nga vendimarrja në gjykatë nga ana tjetër është sfidë e madhe drejtësie mes padrejtësive, megjithatë kjo është pjesa e bukur e këtij zanati.

Pas Diplomimit arritët të gjenit punë menjëherë?

Mbas mbarimit të fakultetit kam punuar si asistente avokate dhe më pas avokate.

Avokatia është një profesion që ndahet në disa profile ,ju konkretisht me cilat çështje merreni në punën tuaj të përditshme?

Kryesisht me çështje familjare, administrative, civile.

Jemi kurioz të dimë si e zgjidh një çështje të caktuar një avokat. Mund të na i tregosh në një mënyrë të përmbledhur shqetësimin e një çështje nga një momenti kur klienti ju kontakton e deri në mbledhjen e provove të tjera etapa më pas ?

Po marrim një çështje për zgjidhjen e martesës e cila është një kontratë midis palëve. Këto janë çështje sa të thjeshta në dukje por edhe shumë emocionale sidomos kur duhet të vendoset përgjegjësia prindërore secili prind duhet të kujdeset për mirërritjen dhe mirë edukimin e fëmijëve pas ndarjes.

Avokatia si shumë profesione të tjera është një punë që kërkon studim dhe angazhim në njohuri dhe ligje të reja edhe pasi të kesh mbaruar shkollën ju konkretisht si e menaxhoni këtë pjesë?

 Si të gjithë kolegët e mi jam e angazhuar me ndryshimet që pëson Ligjeslacioni në tërësi duke lexuar dhe studiuar këto ndryshime. Në tërësi Avokatia hyn në profesionet e vështira dhe të lodhshme si kundër ndjen relaks në çastet kur arrin një fitore. Rezultati të falë kënaqësi të veçantë.

Cilat janë mundësitë e punësimit për një avokat të ri si në shtet apo privat? Konkretisht rasti juaj konstaton në ortakëri me një avokate tjetër?

 Avokatia ushtrohet si vete punësim ndërkohë mund të bashkëpunosh me avokat të tjerë ose mund të punësohesh në një studio Ligjore. Kryesisht punoj vetëm por në rrethana të caktuara punoj dhe me kolegë në çështje më të komplikuara që zgjat në kohë dhe kërkon domosdoshmërinë dhe prezencën e njërit prej Avokatëve bashkëpunues.

A është avokatia një profesion i mirëpaguar në Shqipëri? Përsa i përket tregut të punësimit është krijuar ideja se në vendin tone ka shumë avokatë?

Po, është e vërtetë që ka një numër të lartë avokatësh por jo të gjithë e ushtrojnë si profesion. Një pjesë e kanë të pezulluar licencën dhe një pjesë e tyre janë të punësuar në administratën publike ose në profesione të lira. Në lidhje me pagesën kjo varion nga pagat normale që merr një avokat i ri dhe vijon në rritje në varësi të eksperiencës dhe përvojës.

Albana ju jeni dhe Ndërmjetëse, na trego pak me detaje se si funksionon kjo pjesë dhe a mund të bëjnë Ndërmjetësim çdo njeri pavarësisht nëse është Avokat ose jo?

Ndërmjetësimi është një veprimtari jashtë gjyqësore në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshje me anë të një personi të tretë asnjanës. Pra është një mënyrë alternative duke mos ju drejtuar gjykatave, nuk është e thënë. Ndërmjetësimi është profesion i lirë dhe e ka të drejtën e zgjedhjes kushdo.

Ngjashëm me qëllimin e intervistës tonë që i dedikohet të gjitha grupimeve të moshave të ndryshme sidomos adoleshenteve duke i shërbyer si këshillim karriere edhe ju bashkëpunoni dhe jepni ligjëratë në një qendër trajnimesh, aktualisht në Kosovë ?Na trego pak më tepër në këtë profil pune, çfarë temash diskutohen aty dhe kush regjistrohet aty? Zakonisht maturant student apo të punësuar?

Së pari përshëndes stafin e mrekullueshëm të Akademisë, Drejtorin ekzekutiv dhe koordinatoren e përgjithshme. Unë jap pjesën e ligjëratës për njohin e ligjeve kryesisht me degën juridike ne japim trajnime të fushave të ndryshme si Menaxhim Biznes, Burime Njerëzore për karrierën etj, e cila maturantëve mund ti ndihmonte shumë ky trajnim për të arritur të bënin zgjedhjen e duhur për shkollimin dhe profesionin.  Sepse është një zgjedhje e vetme në jetë. Në Akademi moshat e regjistrimit variojnë nga 20-52 vjeç  pra kemi të gjitha moshat e ndryshme.

Cili do ishte mesazhi yt i drejtuar të gjithëve atyre të rinjve që duan të ndjekin studimet për Juridik?

 Do doja ta përmbledh me një shprehje të një filozofi të madh i cili quhet Konfuci “Të lexuarit pa menduar është humbje kohe, të menduarit pa lexuar është rrezikshmëri”. Thelbi është kur te lexojmë duhet ta përvetësojmë dhe jo thjesht ta lexojmë!

Ju shkruani dhe poezi dhe jeni pjesë e shumë aktiviteteve të promovimeve të librave të Shoqatës Labëria, çfarë ju lidh me këto aktivitete?

Unë jam pjesë e çdo aktiviteti me nivel në promovime. Shkoj sa herë më ftojnë për një libër të bukur dhe me vlera por jo për çdo libër. Më pëlqejnë organizimet e Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit” për nga numri i pjesëmarrësve, organizimet me nivel, promovimet serioze. Ndihem mirë mes njerëzve që e duan atdheun dhe mundohen ta lartësojnë atë me veprimtari konkrete.

Please follow and like us: