Ullmar Qvick: Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët
Viron Kona
Filmi dokumentar “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi” – Portret kulturor – Regjisore: Fitore Rubovci.
“Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.
Ullmar Qvick(Kvik)
Më 23 prill 2019, në “Ditën Ndërkombëtare të Librit”, në përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar Tiranë, u realizua premiera e filmit “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi” – Portret kulturor – Regjisore: Fitore Rubovci. Siç shkruhej në lajmërimin përkatës: “Ky film dokumentar i dedikohet albanologut suedez Ullmar Qvick, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas”.
Filmi dokumentar, me skenar të mirë-menduar nga skenaristja Fitore Rubovci, është realizuar dhe mbështetur në motivet e kryeveprës së Ullmar Qvick “Më shumë heroizma sesa grurë”, ku autori përmes një këndvështrimi post modern dhe euro perëndimor i shtjellon arritjet dhe problemet kryesore aktuale, në të gjitha trevat shqiptare. Titrat e filmit janë në gjuhën angleze.
Në qendër të filmit është albanologu Ullmar Qvick, kurse rreth tij shfaqen e shprehen njohës dhe studiues të veprës së tij: shkrimtarë, gazetarë, artistë, mësues dhe intelektualë të tjerë të sferave të ndryshme në Suedi, Kosovë e Shqipëri, të cilët ndriçojnë emrin dhe veprën e Ullmarit si një ambasador i kulturës shqiptare në Suedi. Ata shprehen me sinqeritet dhe, me fakte dhe argumente, përcjellin opinionin shumëvjeçar për jetën, veprën dhe personalitetin e albanologut Qvick, emri i të cilit përmblidhet bukur në siglën “Mik i Madh i Shqiptarëve”.
Ullmar Qvick(Kvik)
Ky njeri, që shquhet për një përkushtim të rrallë ndaj shqiptarëve dhe kombit shqiptar, me kulturë të gjerë dhe i sigurt në vlerat që përcjellë, bënë që cilindo që e njeh, që e dëgjon apo njeh veprën e tij, të ndjehet krenarë, duke krijuar bindjen se bota paska edhe të tillë njerëz shpirt-bukur dhe me zemër të madhe, që guxojnë të mbrojnë më të vegjlit, që i lartësojnë e ndriçojnë ata nëpërmjet kulturës, gjuhës, artit dhe të vërtetave historike. Guximi për ta shprehur dhe për ta mbrojtur të vërtetën, historinë dhe vlerat e shumanshme të një populli, doemos që e bëjnë një intelektual njëri të madh dhe, siç del edhe nga filmi dokumentar, suedezi Ullmar Qvick është një njeri dhe intelektual i madh, njohës i shkëlqyer i kulturës shqiptare, studiues i rrallë dhe i pasionuar i historisë dhe gjuhësisë shqipe, përkthyes i shquar nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas.
Me fjalën dhe veprën e tij Ullmar Qvick u ka dhënë shqiptarëve më shumë kurajë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë. Ai e ka bërë këtë në vazhdimësi, por në mënyrë të veçantë në mbrojtje të të drejtave për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar të Kosovës. Me gjuhën e artë dhe me guximin e tij, ai u bë flamur në demonstratat shqiptare në Suedi në mbrojtje të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar. Thuajse të gjithë shqiptarët në Suedi e njohin Ullmarin dhe, shumë prej tyre, që kanë kontaktuar me të apo që kanë kryer bashkërisht punë të përbashkëta kulturore, kanë ndjerë ngrohtësinë e tij, respektin dhe dashurinë për shqiptarët si komb, për gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe.
Një kontribut i madh ky, që e ka kryer në vazhdimësi shteti i përparuar dhe demokratik suedez, sidomos kur mbështeti Luftën e Kosovës dhe mirëpriti rreth 60 mijë shqiptarë, duke iu gjendur në vështirësi dhe duke i respektuar ata me të gjitha të drejtat humane dhe sociale. Në këto momente natyrisht që sjellim ndërmend kontributin e studiuesit suedez Johan Erik Tunnman (1746-1778), i cili është i pari që studioi, argumentoi dhe publikoi në nivel akademik ndërkombëtar tezën se “prejardhja e shqiptarëve është nga ilirët”; sjellim ndërmend me shumë nderim ish ministren e jashtme të Suedisë Anna Lindh (1957-2003), e cila bëri aq shumë për pavarësinë e Kosovës. Teksa, është Komiteti i Çmimit Nobel, i cili në vitin 1979 vlerësoi Shqiptaren e Madhe Nënë Tereza me çmimin Nobel për Paqen, duke na bërë shumëfishë krenarë. Po aq na lumturon dhe na bënë krenarë ne shqiptarëve miqësia e sinqertë dhe përkushtimi kulturor e letrarë i albanologut Ullmar Qvick, që një jetë të tërë ia ka kushtuar shqiptarëve, duke e përcaktuar motivin e tij në shprehjen: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.
Këto vlera dhe konsiderata janë disa nga ato që paraqet filmi dokumentar kushtuar albanologut Ullmar Qvick, ndërkohë që në dokumentar theksohet ndihma që shqiptarët u kanë dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një rast unik ky të cilin albanologu suedez e shprehë botërisht. Ndërkaq, në film veçohet dhe ndriçohet puna e madhe e mjeshtërore e Ullmarit për të bërë të njohur në Suedi e Skandinavi disa nga krijuesit më të rëndësishëm shqiptarë, përmes përkthimeve letrare nga shqipja në suedisht, sikurse dhe opinionet e tij për letërsinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj, për zhvillimet, arritjet në periudha të ndryshme kohore. Të gjitha këto e të tjera, regjisorja Rubovci ka ditur dhe ia ka arritur me mjeshtëri dhe talent t`i konfigurojë por edhe t`i evidentojë bukur e me harmoni, duke i ndriçuar përherë dukshëm gjatë gjithë zhvillimit të filmit.
Filmi dokumentar është i ilustruar edhe me fotografi, por dhe i plotësuar me thënie e vlerësime edhe të atyre që, ndonëse s`janë të pranishëm me zërin e tyre, janë të pranishëm me konsiderata të sinqerta që shprehin për protagonistin Ullmar Qvick. Ndërkaq, si vlerë artistike e filmit dokumentar janë dhe gjetjet artistike, siç është për shembull shfaqja dhe prania e një radioje, që rrëfen mjetin e parë që i shërbeu Ullmart për t`u lidhur ngushtësisht me gjuhën shqipe dhe për ta dashuruar atë.
Zëri i Ullmarit gjatë gjithë filmit tingëllon i pastër, elokuent, i kthjellët dhe energjik; pamja e fytyrës, vështrimi plotë gjallëri dhe shprehës, përjetimet gjatë artikulimit të fjalëve i japin mendimeve që ai shprehë bukuri dhe vlerë, por po aq i jep vlerë këtij filmi dhe pasuria e leksikut, ritmi i fjalës së gjallë e të pasur shqipe, që, jo vetëm protagonisti, por edhet tjerët përdorin për të shprehur mendimet gjatë gjithë zhvillimit të filmit. Gjithçka në film shkon me natyrshmëri të plotë dhe e bënë dëgjuesin e shikuesin ta ndjekë të gjithë filmin dokumentar me shumë vëmendje, interesim e përqendrim dhe, herë-herë edhe të ngazëllehet nga respekti dhe emocioni.
Si shumë njerëz të tjerë të letrave edhe unë, autori i këtyre radhëve kam shprehur konsiderata të herëpashershme për personalitetin e albanologut Ullmar Qvick, por them me bindje se edhe në të ardhmen për emrin dhe veprën e tij do të vijojnë të shprehen opinione dhe konsiderata të larta, respekt dhe mirënjohje të pakufishme për mikun që na është gjendur në vështirësi, e që ka qenë zëdhënësi dhe personaliteti më i respektuar i kulturës dhe i letërsisë shqipe në Suedi.
Këto janë disa opinione që po i shprehë menjëherë pas shikimit dhe emocionit që më krijoi premiera e filmit dokumentar i regjisores së talentuar Fitore Rubovci dhe grupit të saj të xhirimit: Blerim Gjinovci – kameraman, Diana Gjinovci – montazhere e producente, Fitore Rubovci – producente ekzekutive, regjisore.
Ne ceremoninë e përurimit të filmit dokumentar, morën pjesë personalitete shqiptare të shumë fushave, mes tyre: historianë, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë, gazetarë, arkeologë, pedagogë universiteti, studiues, artistë, kompozitorë, piktorë, por edhe zyrtarë, mësues e drejtues shkollash, si dhe diplomatë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët gjatë koktejit të shtruar me atë rast, në bashkëbiseda shprehën e këmbyen opinione, vlerësime dhe konsiderata për filmin dokumentar “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi”.