SHEMSHEDIN SAMIU DHE UNË…NË FERR
SHEMSHEDIN SAMIU DHE UNË…NË FERR
(Ç’është!)
I.
Po do thoja sot, se mbrëmë vajta ta takoj atë shpirt njeriu n’atë botë, të gjithë do më zinin me domate, për një dokër, (jo dogmë), të tillë mesjetare, në mos do më tregonin me gisht si të marrë. Dhe hak kanë, jo aq për nga gjithënjohja (diagnoza), e cila dihet që rallë është e saktë, dhe më ca pas vdekjes, aq më tepër për sëmundje të tilla të mendjes. Se s’është dogmë (grup parimesh pakundërshtimisht të vërteta), se në jetë duhet patjetër të zbresësh tek të vdekurit për të mësuar diçka, të rëndësishme besoj, të vërtetën, të paktën jo çfarë e shohin të gjithë. Pra, në radhë të parë, të pranosh të kundërtën, është një marri që bën muu! Së dyti, si marrëzia e Shvejkut apo e Kishotit, kushedi dhe e sa të tjerëve në Spitalin Nr. 5, ku disa ishin mbretër dhe lajmës hyjnorë, ka gjithmonë një dozë madhështie të stisur, se çoç janë që të tjerët nuk arrijnë ta kuptojnë dot, qoftë dhe për të mos bërë atë q’u këshillohet a urdhërohet. Marrëzia gjithmonë ka qenë një formë mosbindjeje, komike, tragjike a të dyja njëherësh bashkë!
Megjithatë isha plotësisht i bindur, që nuk isha e as u afrohesha atyre të veçantëve që zbritën, të cilët pa dyshim i njihni, ua keni dëgjuar vargjet dhe bëmat. Ajo që më shqetësonte më shume ishte pikërisht kjo: rëndomshmëria ime e paemër. A do të denjonte të më përgjigjej vallë për çfarë do e pyesja apo do kalonte pa m’i hedhur sytë dhe gjithë ajo përgatitje do të shkonte kot. Dhe tjetra, po aq me vlerë, a do mbante mend pas kaq vitesh me imtësi ç’kish shkruar dy shekuj më parë? Dhe pasi lexova ç’kish zografisur, në mënyrë të kujdeshme me shënimet përkatëse dhe një kopje të saj në “pdf”, në celuarin tim të pandarë dhe siç bëhej në raste të tilla të rrezikshme, pa pasur asgjë me vete, veç dy monedha për të kapërcyer lumin dhe pak pluhur kërpurdhëzash në një zarfth të tejdukshëm, në rastin e ndonjë dhimbjeje a zhgënjimi të papritur e të padurueshëm, u nisa për atje, thuajse “me duar në xhepa”! Sa për veçorinë tjetër te çmendurisë, çlidhjen(inkoherencën) e vijës së mendimit, nuk ia vlen ta përmend, se gjendet kudo me tepri në çdo bashkësi a komb.
Çuditërisht, edhe pse nxitova të shkoja atje, kuptohen arsyet, me ditë, prapëseprapë mbërrita diku n’ag të muzgut. Pasi kalova një copë fushe, i sigurt se nga pas tinëzisht nuk më ndiqte ndonjë bishë (veç asaj brenda meje), mbrapa kokës veriore me plis të malit dykrerësh, Dajt, u ngjita në shpinë të Malit me Gropa të kërkoja hyrjen për në Ferr. Pse dreqi ta hajë aty? S’mund ta gjeja të gjorin tim hero në Cehennem! A nuk e meritonte vallë ai arnaut i rallë mendimtar t’ish mes pyjeve të bekuara në Aden? Por, dy mendimkujtime rendën të vinin njëri pas tjetrit, në një formë të pa dëgjuar më parë, u vërsulën dhe me grusht e shtypnë pyetjen e vrazhdë, sa e vdiqnë të këputur, si filiz të pa çelë, kulprën e helmët. I pari, ish vetë ai i ndjeri, që në dhé të huaj, jabanxhi, ua valëviti në fytyrë tyrqve “se shqipëtarët, s’kishnë besë tjatër, veç asaj të Shqipërisë”. Si dhe mos harrojmë se ish ai ndër të parët dhe të paktët që kundërshtoi teokracinë otomane! Në ç’vend do të gjendej ai bard mjekërbardhë veçse aty! I dyti ish ai i Dantes, jo i Shën Palit, ku për habinë e të gjithëve, të atëhershmëve dhe të tanishmëve, se gjithsesi kish plot shpirtra të nderçëm dhe mëmëdhetarë dhe në Ferrin “e drejtë”. Si gjithandej!
Në granitin e ftohtë si të qe hekur i derdhur kërkoja një mbishkrim. Instinktivisht nga një besim i verbër se diç do ish shkruar, për të qenë i sigurt se kisha mbërritur ku duhej. Ndërgjegjja padashur, nga gjithë ata shekuj leximi, e kish bërë domosdoshmëri që në çdo portë si këto të kish një po aq kobzezë si tek Kamarja e Turpit “Mësim Pësimi” a “Parcere Subjectis” (“Shpëto të Mposhturit) e Virgjilit apo “Përtej, s’ka më Zot” dhe ndërsa kërkoja me mollëzat e gishtave, me veshin mbi shkëmb, mendoja se dhe kjo që po bëja si i verbër, s’kish kuptim. Thua ti në mbretërinë e djajve, ata ditëzinj, në mirësinë e tyre të shpirtit, do paralajmëronin çdokënd që do vinte të hynte aty, kur në fakt s’ish veç mish i freskët, pre për t’u pjekur! Njëlloj si “Arbeit macht frei”. E megjithatë, mendo sikur të ish vrima e gabuar e të mbetesha brenda në qorrsokak pa mundur të dilja më.
Dhe, ende pa rënë nata, ndeza një zjarr në rrëzë të murit shkëmb, i cili flakët i pasqyronte të stërmëdha si gjuhë kuçedre sa as frika s’do guxonte të afrohej, me mendjen e shqetësuar, kruspull nisa të dremis:
“Ç’përballë e krijuar s’ish për besë,
nëmos të përjetshme, dhe sa duroj unë,
ju që hyni këtu, pas lini çdo shpresë.”*….
II.
Me rrezen e parë që ra në prag dhe më pastaj mbi hirin e ftohur, rrinte mbi mua një hije mjekërbardhë nën fezin mavi me thek të zi. “E çuditshme, mendova, “nëse është shpirt, përse vallë duhej të ketë formë njeriu, kur tym, temjan a diç si avull e me brymë akull duhet të lëvizë, e jo si ati i helmuar i Hamletit?” Dhe këmbëngulës, flakë kërkova të gjej mbi mëngët “alla frënga” dhe pse e kuptova se ish ai, m’i famshmi ynë pas Skënderbeut. Vështrimin u kërkova syve të tij, “me mendimet më tej se sa arrin shpirti”*, nga frikë e së panjohurës, se mos ndoshta një shkrepëtimë mirësie do të shihja për siguri, por ngriva më këmbë mbështetur pas shkëmbit, me tmerr e habi gëk s’bëra t’iki. Pjerrëtas përposhtë në humbëtirë të asaj vrime sytë ngulur andej i kish sikur diç priste ta thërriste, një klithmë a zë këndezi! Ndoshta nga unë ua fshihte mjegullimin e bebëzave që pas i kish lënë vdekja.
“Më mirë të zbresë ai se unë, se me gjithë mend, të vërtetë tjetër nuk doja e s’më bëhej vonë se kush tjetër nga këta etër të kombit ishin aty dhe aq më pak në cilin rreth dhe as se si i shqyenin dhe i digjnin pambarim!” Ideja se s’kisha arsye të isha aty më rrihte në tëmtha.
“Se e dija s’jam Shën Pali, ai që lajmin solli për besën(fe) e re dhe kishën për të ngriti, dritën e gjelbërt s’e kisha parë dhe as në verbëri zënë e Tij s’e kisha dëgjuar të më hapte sytë! A ndoshta unë, më shumë se kushdo, jo për kush isha! — Kush dreqin më ngulte në tru broçkulla të kësaj sëre!
Por prapë nuk më rrihej pa u ngacmuar me të gjitha ndodhitë e ngjashme kudo në historinë e njerëzimit, ngritur në mith për t’i folur atyre që do vinin për madhështinë e të parëve dhe tërthorazi t’u miklonin krenarinë, q’ashtu dhe ata të bënin me të tyret. Se a s’gënjeu Uliksi me një kalë prej druri?
“Po sikur të ngjitej a të zbriste këtu mizori Haxhi Qamil, Salieri i Samiut tim, rrethuar mes dreqnave, ç’do të bëja? Do rrija aty pa nxjerrë zë apo do përplasja shuplakat dhe do brohërisja për heroin tim. Askush nga vdektarët nëpër filma s’ndërhyn në punët e Mbiheronjve! Si të gjithë, si gjithmonë! Por asgjë s’doli, por një bëlbëzim i brishtë:
— Kush je ti që këtë kohë nate uzurpon?**
— Arbër, si ju Efendi!
— Për diç vjen! I zbehtë e në formë lufte,
për atë Qiell të lutem, fol!
— Zot, at i nderuar, nga vendi i juaj vij,
të lëçis të vërtetën që s’u shkrua!
—Fol, bir!
Eh, ajo fjala “bir” më çliroi disi! Për më tepër kur me një fjalë, sy më sy i përbuzje, ç’gjithë jetën kish besuar e shkruar! Ç’paturpësi! Por pa asnjë dyshim edhe pse kokë varur e gjunjë prerë i dorëzuar e veneroja si dishipulli a nxënësi i tij. Atdhetarin më të parë, i cili veten kish mbrehur si ka në qerren e asaj zonje përmbi zonja, nënën, ta ngrinte për atje ku ish nisur të shkonte nga kohë e Titanëve.
U rreka të nxirrja iPhonin, por m’u duk fare e paarsyeshme madje e përdhunshme se mos dritë e tij do e fshinte këtë vegim pamasë të çmuar, siç më ndodhte shpesh në fëmini, ku fytyra shihja në njolla muresh, apo ravijëzime hijesh pllakosur mbi gëlqere, si tek retë në qiell. Në djall dhe shënimet, përmbledhjet, mjaft që isha aty! Kundroja mjekrën e derdhur, hundën e mprehtë dhe ballin e lartë frashërli dhe me mendje tashmë të kthjellët e dhëmbë shtrënguar si kangjella memzi mbaja idete e tij që vertiteshin t’iknin, ca të flakeshin në vrimën e shtjellës dhe ca në breg të buzeve të shpetonin në flalë.
“… gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset, duke thënë tek është kordha, është besa! Shqipëtarët kanë këtë vetië që rëndonenë çpejt nga një besë e duanë gjithnjë ta ndërojnë; si pan’ edhe që Tyrqitë s’u bëjnë nder atyre që s’janë në besët të tyre, s’përtuanë për të marr’ atë besë.”
Pse?
Diku më lart, në të njëjtën vepër shkruante: “Edhe nënë mbretërët të Konstantinopojësë Shqipëtarëtë ishinë, po thua, të dëlirë …” por kur hyri krishterimi u bene te krishtere, “po pa ndruarë vetiat’ e zakonet’ e vjetëra të tyre.” Cila forcë i detyronte të kryenin ndryshimin e nevojshëm sipërfaqësor, në kohë të mbrapshta, kur kërcënohej qenësia e tyre? Ishte ky një reagim përgjithshëm për grupkombet, siç është edhe majisja (inflamacioni)? Se keshtu deri diku bënë dhe gjermanet në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, kur ëndërronin për një Europë pa kufij, nderkohe qe si komb ishin të ndarë e në baltë zhyer gjer në grykë! Arbërorët, iu kthyhen vetes, dhe asaj që ish më pranë, fisit. Të ngjarë kish ndoshta dhe diçka më e fortë që vazhdimisht e dobësonte lidhjen mes tyre. A mos dhe unë këtu, ndoshta i nxitur nga një nën-ndërgjegje e shfrenuar kisha ardhur për të njëjtën gjë, se ndryshe s’isha!
Çfarë?
————————————————————
*Dante Alighieri, Inferno Canto III, 7-9, “Dinanzi a me non fuor cose create
se non etterne, e io etterno duro. Lasciate ogne speranza, voi ch’entrate.”
** William Shakespeare, Hamlet, Akti I, Skena I.