Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Kastrioti në Nëntor 1443, përmes Luginës së Preshevës filloi veprën e tij!

Skënder Jashari

Lugina e Preshevës, mes tyre disa dhjetëra fshatëra, kanë edhe sot kujtimin e paharruar për Motin e Madh, veçmas shqiptarëve katolikë të kësaj ane![1] Një ndër fshatrat e tillë, është edhe Rahovica. Fshat ky më i madh i komunës së Preshevës, që ka rreth 1200 shtëpi, me rreth 6000 banorë. Falë pozitës gjeostrategjike, i ka dhënë rëndësi gjatë gjitha etapave historike. Gryka në të cilën shtrihet ky fshat, është e  stërmbushur me mitologji dhe histori, por nëntoka e saj ka të dhëna   historike, kulturore, arkeologjike etj. Edhe e kaluara e fshatarëve të fshatit Rahovicë, është e dhimbshme siç është e shumicës së Trojeve Shqiptare, për më keq, ky fshat dhe lokalitetet përskaj, janë tejet më të pasura me histori luftërash, që nga lashtësia e deri më sot! Duke qenë pjesë kufitare e Trollit Shqiptar, bëri që të ndesheshin me shumë pushtime, luftime e ngjarje historike. Por fati i keq, i përcolli që shumica u shpërngulën për në vende tjera, mes tyre për në brendi të territoreve shqiptare, pastaj për në vendet fqinje e deri në Turqi, e së fundmi edhe për në botën perëndimore- gjë që ka bërë që mos të ketë kush ta ruaj as kujtimin. Nga ana tjetër edhe pseudohistorianë, por edhe ndikimi i islamizmit, bëri qëllimisht të venitej, fshehej, kujtimi për Motin  e Madh.

Madje për faktin që fshati  Rahovicë, ndodhet në anën perëndimore të Luginës së Preshevës, nga kalonte rruga e vjetër në kohën e Perandorisë  Romake-Bizantine( Morava-Vardar gjegjësisht Nish-Selanik), por e cila rrugë është përdorur edhe nga shpërnguljet e barbarëve (sllavëve, bullgarëve etj), e pastaj edhe nga Perandoria e Car Dushanit, Perandoria  Osmane! Shkaku i kësaj rruglidhje, po ashtu edhe shkaku i të qenit të Luginës në kufirin lindor të territoreve  Shqiptare, bëri që të ndeshet më shumë luftëra e pushtime.

Sot, çdokush që gërmon në fushat, kodrat dhe malet e fshatit, patjetër has në gjurmë të lashtësisë tonë. Derisa ende gjurmët shihen: në anën e majtë të lumit që  shpie në brendi të maleve të Karadakut, ndodhet Kacipupi, pas të cilit ndodhet “Tuma”, që është lokalitet i paeksploruar arkeologjik! “Gurishtja”, një   rrafshnaltë, e cila së  fundmi nga nxënës të shkollës fillore, janë gjetur monedha të periudhës parahistorike, e që besohet që ishte vendbanim i hershëm iliro-dardan! Ndërsa anën e djathtë  të fshatit ndodhet Kisha e Artilevicës (e sllavizuar Arhilevica). Koha e ngritjes së kësaj Kishe Katolike, daton nga vitet  1400, edhe pse disa burime theksojnë ndërtimin e saj 6 vite para lindjes së Gjergj Kastriotit. E që edhe kjo kishë ishte pjesë e Manastirit të Hilandarit (që  në  shekullin XIV,  përmendet në hartën e Despotes Jevdokija dhe të  birit të saj Konstantinit). Manastiri i Hilandarit i njohur për përkatësinë e tij dhe lidhjen me Familjen dhe me vetë Gjergj Kastriotin!

Kthimi i Gjergj Kastriotit, me 300 kalorësit, i dha  nder e lavdi edhe Luginës së Preshevës, siç i dha edhe gjithë Arbërisë! Në nëntori 1443, shënon “Fillimin  e Ngritjes së Projektit të Parë Arbëror”, “Kthimi i tij dhe 300 kalorësve arbërorë” nga Beteja e  Nishit, ktheu Shpresën e vrarë nga pushtimi osman. Deri më sot, shumë pak është  folur për rrugën e Kthimit të Gjergj Kastriotit, për ta bërë Arbërinë, Emanthinë (Epirin) dhe Maqedoninë  e Lirë, princ e mbret i të cilave do njihej nga fuqitë europiane të kohës. Lugina e Preshevës, në vitet 1440, kishte pak dekada që ishte pushtuar nga Perandoria Osmane. Shkaku i pozitës gjeostrategjike, në Tabanoc të Luginës së Preshevës, ishte vendosur garnizoni i ushtrisë së Perandorisë  Osmane.

Gjatë kthimit të Gjergj Kastriotit, gojëdhanat e popullit shqiptar (pra shqiptarët katolikë të Luginës së Preshevës, ende e ruajnë kujtimin  për të!), kaloi nga  Gryka e Somolicës nëpër fshatrat në anën perëndimore (pra rrëzë maleve të  Karadakut)! Kampimi i Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së Tij u bë në fshatin Rahovicë, tek Kisha dhe Manastiri i Artilevicës, e që pastaj u quajt nga populli ynë si Kisha dhe Manastiri i Shën Gjergjit. Subkoshienca e shqiptarëve të Luginës së Preshevës (nënkupto shqiptarëve katolikë), deri më sot kujtojnë “Gurin e Skenderbeut”, “Manastirin e Skënderbeut”( ndryshe Manastiri i Rahovicës), “gjurma e kalit të Skenderbeut”, “sofra dhe kampi i Skënderbeut”, “kampi i  ushtrisë së Skenderbeut”, “rrugën  e Skenderbeut”, “Prroi i Markut” etj.

“Guri i Skenderbeut” i cili ndryshe quhet Kacipupi, me rastin e qëndrimit të Gjergj Kastriotit në fshatin Rahovicë, në majën e këtij shkëmbi, ishte “sofra e Skënderbeut” (vendi ku ushqehej), ndërsa disa metra më tej, në një lëndinë në majë të këtij shkëmbi, ishte emërtuar  “kampi i Skenderbeut” (vendi ku ishte  vendosur kampi i Skenderbeut)![2] Për Kacipupin, banorët, edhe sot besojnë që ka shumë mistere e mite, që e lidhin me lashtësinë iliro-dardane, me hyjni  iliro-dardane, me Gjergj Kastriotin, por edhe kanë gjetur edhe të dhëna të ndryshme faktografike e arkeologjike të lashtësisë!

“Manastirit të Skënderbeut”(ndryshe quhet Manastiri i Rahovicës), sot vetëm themelet i kanë mbetur! Një pjesë e kalorësisë (gojdhana jepte shifrën e 50 kalorësve) së Skënderbeut, nën komandën e një kalorësi të quajtur “Mark” sipas gojdhanës, ishin vendosur në këtë pjesë. Qëndronin fshehur nga syri i  garnizonit Osman në Tabanoc. Madje gojdhana e  identifikon vendin si “rrafshina e  Manastirit”, ku thuhej që natën qëndronte kampi, kurse gjatë ditës ai zhvendosej tek “Prroi i Markut”, më saktë tek  “Kodra e Shemtë”.[3] Kjo njësi ishte si  mbrojtëse dhe mbështetëse e Kampit të Gurishtes! Si prej Gurishtes, ashtu edhe prej Manastirit, tërësisht shihet pjesa e Tabanocës, (ku ishte vendosur kampi osman, po ashtu edhe  pjesa e “rrugës turke” (xhades osmane)!

“Gurishtja”, vendbanim i lashtë iliro-dardan, por që në Motin e Madh, ishte vendosur “Kampi i Ushtrisë së Skenderbeut”! Gojëdhana jep versionin, që  gjatë   natës kampi vendosej në Gurishte, kurse gjatë ditës zhvendosej anash saj, deri afër Kacipupit!

Rruga e Gjergj Kastriotit ishte quajtur rruga nëpër të cilën Gjergj Kastrioti vazhdoi rrugën për kthim në Krujë. Sot kjo rrugë  quhet “rruga e Vrajës” apo “rruga e Muhaxherëve”!

Rrugëtimi i Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së Tij, vazhdoi nga Gurishtja (Kampi i Ushtrisë së Gjergj Kastriotit), duke ndjekur rrugën e Gjergj Kastriotit, për të  kaluar në pjesën e sipërme të Preshevës( Preshevën e Vjetër), pastaj për t’u ngjitur rrëzë  maleve të Norçës (N’orës, emërtimi i vjetër sipas gojdhënës), ku edhe  gjendet “Gjurma e kalit të Skënderbeut”! Kjo gjurmë, interpretohej duke glorifikuar madhështinë e kalit të Skënderbeut, i cili nga ai vend  kishte nisur vrapimin malit përpjetë, ku në shkëmb edhe sot, shihet gjurma e patkoit! Rrugën e kishte vazhduar për në Karadakun e Llojanit (Kumanovës), prej nga kishte shmangur  ndeshjen me garnizonin osman të Tabanocës!

Historiografia sllave i sllavizoi dhe tentoi t’i tjetërsojë kujtimet dhe faktet për Motin e Madh, duke tentuar shkëputjen e Lidhjes së Shqiptarëve të kësaj ane me  Skënderbeun. Mjafton të  shikohet, në Kadillëkun e Vrajës, ka dhjetra kisha dhe manastire të cilat janë të emërtuara në emër të Shën Gjergjit! Disa nga kishat dhe manastiret e Kadillëkut të Vrajës, kanë qenë mikpritëset e Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së tij, gjatë kthimit për në Krujë! Mirëpo aludohet në Shën Gjergjin  e Kapadokisë (edhe ky me prejardhje Ilire), kurse shqiptarët katolikë të kësaj ane e identifikojnë Shën Gjergjin me Gjergj Kastriotin. Madje Lugina e Preshevës (e  më gjerë), pra edhe pjesa e Karadakut, njohin Shën Gjergjin si “pajtor” të tyre!

Dëshmoj edhe unë,  që sikur mos të kishim Kujtimin dhe Krenarinë për Motin e Madh, as unë e as të parët tanë, nuk do mund ta ruanim  identitetin kombëtar e as atë fetar!

28.04.2019.

 

 

 

 

Skënder Jashari,  i burgosur politik nga  EULEX, për rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin, komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e e shkëputur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

 

 

[1] Ky shkrim është pjesë e librit  që trajton  këtë  çështje  dhe se referencat  i janë  hequr  qëllimisht, e që  do paraqiten në  libër  me rastin e   botimit!

[2] Duke  shiku këtë “sofër dhe  kamp të Skenderbeut”, shihet  qartë  që  u hyjnizu  Gjergj Kastrioti si një Mesi” Shpëtues” i Arbërisë!

[3] Kodra e Shemt- Kodra e Shembur! Besohet  sipas  gojdhanës, që  kjo kodër është  shembur shkaku  i largimit të  Ushtrisë së Gjergj Kastriotit!

Please follow and like us: