Albspirit

Media/News/Publishing

Proza e Gjergji Mihallarit në librin “Djaloshi që vinte nga përtej detit”

Fatmir Ceci

 

Shënime për romanin “Djaloshi që vinte nga përtej detit”

 

Ka një yllësi arsyesh se përse romani “Djaloshi që vinte nga përtej detit” i autorit Gjergji Mihallarit duhet lexuar. Në vështrimin e një lexuesi unë do të veçoja disa syresh më të kapshme me sy e gjykim të parë në sipërfaqe e brendësi të valëzimeve të tij.

Motivi i romanit është një ripërsëritje, por dhe një përqasje e re individuale, një ala–Romeo (shqiptar) e Zhuljetë (italiane), një romancë dashurie plot sakrificë e vetëflijim tragjik.

Kryesisht leximi i këtij libri i kapërxen kufijtë e relaksit të kohës së lirë apo të një pikniku natyror, ai duhet lëçitur për vlerat e tij ideo- estetike dhe kulturore. Ai të inspiron, të ushqen me oksigjen të pastër emocional e intelektual, të nxit arsyen për veprime jetësore që të dashurosh  të Mirën dhe të urresh të Keqen. Kur e lexon librin ndjehesh i ngopur me narracion dhe pjalm artistik. Prej elementëve të klimës dhe alkimisë së tij shpriti, zemra dhe intelekti pësojnë  ndryshime komplekse transformimi. Ndjen së brendshmi që ato shtysa të lëvizin e tjetërsohen në një materie pozitive përjetimi  kundër  kaosit  e  stresit  të jetës së përditshme.

Autori ia arrin qëllimit të tij social-estetik, e kthen letrën e bardhë në një pyll të mbjellë me gjethe fjalësh të blerta e të kuptimta. Ai krijon në të një panoramë mesdhetare “plot re ndjenjash që mbartin brenda borën dhe shiun, vetëtimat, hënën dhe diellin”.

Lexuesi shëtit këndshëm në një botë sa reale po aq idilike, sa të ashpër aq dhe romantike, sa fashiste aq dhe iluministe, sa agresive aq dhe humane. Janë vitet 30 –të të shekullit XX-të, pragu i Luftës së Dytë Botërore  në Greqi, Itali dhe Shqipëri.

Libri në shfletimin e tij faqe për faqe dhe rresht pas rreshti rrezaton dritë me plot nuanca impresioni dhe intelekti. Kjo dritë nuk është thjesht një montim llambash, por buron nga hidrimi brenda fjalëve, nga brenda logosit, me një rrezatim diellor zemre. Fjalët të radhitura nëpër konstilacione figurash letrare, shpesh janë metafora fosforeshente që depërtojnë dhe ndriçojnë edhe  skutat më të errta  të nënlëkurës së  lexuesit.

Autori nuk bën histori, nuk tregon thjesht një ngjarje reale, faktike, por e risjell, e rikrijon atë  për  qëllimet e tij artistike e ideore. Talenti i tij të tërheq në brendësi të krijimit, të josh që të shpresosh, të duash botën që të rrethon me të mirat e vështirësitë e saj.

Ai beson te dashuria hyjnore ndaj dhe e evokon sërish atë me bindjen se dhe sot ajo egziston mes nesh me të njëjtin shkëlqim në të Bukurën dhe të Mirën e kësaj bote.

Te vepra e autorit rastësisht apo qëllimisht ravijëzohen qartas disa mënyra, motive, rregulla të poetikës aristoteliane. Autori lëvron qartë në fabul motivin e kahershëm të rinjohjes.

Protogonisti kryesor i romanit Andrea, si çdo i ri ka një njohje letrare për Dashurinë Universale (me Kaisaninë dhe Eleonorën e librave), por e rigjen atë një ditë studentore te zakonshme tek vajza tipike e aristokracise italiane – Aurelia.

Ishte një dashuri me shikim të parë, goditje rrufeje, por veçse me shumë vështirësi dhe paragjykime realizimi. Rinjohja më e bukur -thotë Aristoteli është ajo me peripeci. “Tërmeti i zemrës  është më i madh sa ai i tokës”, rithekson autori.

Gjatë leximit të fabulës midis të tjera çdokush i dallon lehtë tre pjesët antike të saj; rinjohjen me anë të arsyetimit simbolik, peripecinë (konfliktin) e zhvillmit të lojës dhe katastrofën me pasojat shkatërrimtare dhe me zgjidhjen spirale. Pikën kulminate   romani e arrin në vetvrasjen e Aurelias. Një përsëritje shekspiriane, një tragjedi e re në një qytet tjetër afër Veronës të dashurisë.

Mihallari e thurr fabulen në aëe mënyrë e stil sa të sjell ngjarjet dhe situatat të gjalla para syve. Kjo është një dhunti, aftësi e një pasqyre-libër të thyer në 17 copa- episodesh.

Në qendër të rrëfimit është karakteri dhe personaliteti kulturor, etik dhe zakonor i njeriut të thjeshtë. Autori përqendrohet edhe në detaje tek loja e personazheve dhe përshkrimi i peisazheve duke lënë deri diku në hije qëllimisht problemet dhe konfliktet kryesore të kohës si fashizmi dhe pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Luftën italo-greke në territoret e Shqipërisë nuk e shpjegon apo gjykon, por e përdor si detaj artistik, si artificë për të shtjelluar, kompletuar e bërë sa më intersant intrigën e tij.

Fotografia e OMBRA GVG Publishing House

Një ide tjetër që vetëtin frikshëm në qiellin e trishtë të librit është dhe Përkohësia e Jetës individuale përballë përjetësisë hyjnore. Si çdo njeri dhe Andrea, studenti i talentuar shqiptar, ëndërron dhe lufton për një jetë më të mirë, por e pashmangshmja,  fatalja  ndodh  pa përfillur “Egon” e tij refraktare. Pas Dashurisë  së çmendur e të sinqertë me Aurelian vjen zhgënjiimi  dhe mashtrimi i madh, vjen Vdekja e amshuar. Çdo njeri në këtë botë, vë në dukje autori, është një kometë  e vogël  e papërfillshme  mes  pluhurit  të Kozmosit…dhe klithmë në shkretëtirë, në bosh. Sa zhgënjim….!? Por nuk ke forcë të ndryshosh atë që  ndodh. Jemi të pazotë ndaj fatit…diku të shkruar, diku të pashkruar….”.

Por në këtë holokaust dhe kaos të moralit të shoqërisë italiane në atë kohë “Romeo” shqiptar  nuk dorëzohet. Me një  arkivol imazh  në gjoks  ai vazhdon të jetojë. Frymëmarrja e tij nuk ndalet.  Me dhimbje në shpirt i rikthehet  jetës dhe u  mbijeton sfidave  të saj.  Kjo ndodh dhe në sajë të “ëngjëllit mbrojtës”, Elenës, gruas së tij  të mrekullueshme e fisnike shqiptare.

Romani rrjedh natyrshëm dhe ti ndjen se çdo fjalë dhe fjali është e mbushur  me polenin e  jetës reale dhe romantike.  Personazhet dhe ndodhitë shpesh janë në komandën e “Unit” dhe narracionit të autorit. Por ndodhin dhe tradhëti, lajthitje, shmangie të qëllimshme e të paqëllimshme. Dikush syresh herë- herë  shpëton nga disiplina tutore e koshiencës së tij dhe arratiset në lirinë e inkoshiencës rebele, separatiste dhe surealiste.

Në rastin e parë mbi baticë shfaqen dukshëm   mendime, ide dhe koncepte të qartë e domethënëse, në të dytën shfaqet emocioni, ndjesia dhe alucinacioni ekspresionist. Bashkëjetesa e tyre në kohë dhe hapësirë e bën romanin një çiftëzim alegorik   tokë –qiell, trup e shpirt, ajër dhe asgjë.

Gjatë leximit kuptohet lehtë që autori nuk e ka marrë materialin nga jeta e tij e përditshme, por ai e ka krijuar dhe ngjizur nga akumulimi i tij letrar e kulturor, nga hulumtimet e tij personale autodidakte. Ai shkruan sipas artifakteve të gatshme muzeale duke i gërshetuar e galvanizuar me imazhe e përfytyrime  të veta  virtuale. Natyrshëm  zbret dhe hulumton  në  botën e viteve 30-të dhe mundohet ta rindërtojë e filmojë me plot  sukses aq sa e ngrin si spektator lexusin mbi libër. Me plot kujdes e përpunon materialin deri në detaje aq sa “Një nga një i numëron yjet” dhe herën tjetër “Yjet i numëron një  nga një”, me tendecë për të arritur përsosmërinë  e tij. Por dhe kur ndodh ndonjëherë që gabon dhe hedh baltë të papërpunuar  kjo nuk ia  shëmton  bukurinë, vetë balta e zgjedhur  është  mineral i çmuar artistik.

Personazhet e përzgjedhur nga autori si Andrea, Aurelia, Lorencoja, Xhuzepina, Elena, motrat, familja etj, etj, dallohen qartas  nga veçoritë  fiziologjike dhe diskursi i  tyre estetik. Shpesh  ata kanë dhe  ngjashmëri, kanë  të njëjtin  leksik, të njëjtin  arsyetim e dediktim  psiko-filozofik. Pra  tipizimi dhe individualizmi i tyre e anashkalon disi impenjimin  dhe  kalibrimin  e vëmendjes  krijuese. Pavarësisht nga kjo personazhet, secili në rolin dhe botën e vet, bëjnë të mundur në kompletimin e një strukture  simpatike  e plot ornamente etiko-artistike të romanit.

Andrea është personazhi më i përkëdhelur dhe më i përvujtur i autorit. Ai lind, rritet, studion, dashuron, jeton dhe vdes në një tokë libri me 435 faqe. Brenda librit shpaloset gjithë jeta e tij  ose ndryshe, kryesisht përmes tij  autori shpalos   gjithë  botën shpirtërore të librit.

Autori beson se fjalët janë plot tinguj dhe ngjyra, ngrohin shpirtin, përcjellin dije dhe padituri “Yjet për të këndojnë, lulet lotojnë, pikturat flasin, lumi  ligjëron, shpirti qan, vajzat dallgëzohen, koha fluturon, gurët e sokakut përshëndesin, shtëpia  frymon kujtime, etj, etj”. Ai   kujdeset që ato të sjellin efekte vizuale dhe muzikore, të përcjellin dije e emocione mbresëlënëse. Stili gjuhësor dhe kompozimi i tyre me plot varacione bën të mundur harmoninë e ritmit dhe ngjyrimeve  gjatë ligjërimit. Rreshtat me fjalë, shprehje dhe fjali   të radhitura bukur janë shkallare komunikimi që të japin mundësi të zbresësh deri në thellësi të mendimit dhe të  ngjitesh në  lartësi të imagjinatës.

Stilin e rrjedhshëm, elokuent e meditativ të librit e bën  më atraktiv dhe gërshetimi me elementë të figurshëm të poezisë lirike dhe esesë filozofike.

Të notosh në thellësitë e rreshtave të këtij libri duhet të jesh një lexues amfib i mençur. Të duhet të mbash gjatë frymën që të kapësh së fundmi koralet e mendimit. Avujt që buisin  nga terminalet e figurave letrare shpesh të dehin vetëdijen, të zhvillojnë imagjinatën deri në krijimin e  një bote të brendshme transi plot sensacione.

Gjithçka në libër zhvillohet në sintezë e antitezë të jetës dhe vdekjes, botës së re dhe botës së vjetër. Faqet e tjera të  këtij libri-simbiozë vazhdojnë të shtohen dhe të shkruhen dhe sot në jetën tonë të përditshme.

Kjo është dhe një arsye tjetër se “Përse duhet ta lexoni këtë libër”.

 

 

 

 

Please follow and like us: