Anisa Markarian: BISEDAT TE KALAJA ME ZYRA
Fragment nga romani “15 ditë prilli” të Anisa Markarian, publikuar nga Botimet Çabej, 2019.
– Neriman Zullumi! – thirri punonjësi. – Më falni, Zullapi.
Fytyrën pothuajse të fshehur nga një lahur i bardhë me thekë që i mbulonte edhe supet, Minia u paraqit përpara tij me një copë letër në dorë.
– Kam ardhur për të filluar punë, – i rrëfeu me zë të ulët.
Burri lexoi letrën dhe i hodhi një vështrim të rreptë nga koka te këmbët.
– Nevojtoret ndodhen në fund të korridorit, – i shpjegoi. – Kemi tre muaj që presim një pastruese. Ka zënë muti kore…
Minia i bënte shenjë e turpëruar që të ulte zërin, por tjetri vazhdonte në të tijën.
– Uniformën, kovën, shtupën dhe shkopin do t’i marrësh tek ekonomati. Zyra numër 13, kati i parë. Sapunin pluhur dhe telin për të kruajtur duhet t’i gjesh vetë. Punë të mbarë!
– Ju falemnderit, – u përgjigj ajo.
– Një këshillë nga ana ime: asnjë koment për numrin 13. Dëgjove? – dhe i vuri në dorë një pusullë ku shënoi emrin e nëpunëses së ekonomatit që po e priste.
– Po, po, ju betohem. Mos i paça kalamajtë! – dhe u largua kokulur.
– Vanda Biluku dhe Agata Katuli!
– Ja ku jemi!… Mirëmëngjes! – përshëndetën bibliotekaret.
– Keni ardhur për të bërë një denoncim, kështu?
– Po! Kallëzim, ankesë dhe kërkesë, – saktësoi Agata.
– Kundër studentes Ida Raez, – shtoi Vanda, me rimë.
– Çfarë ka bërë?
– Uhh, është listë e gjatë! – dhe tendosi krahun drejt tavanit për të nënkuptuar gjer ku shkonte lista e bëmave të dënueshme.
– Lexon letërsi reaksionare, saboton takimet letrare, nxiros realitetin, propagandon mosbindjen ideologjike… – i rreshtoi akuzat Agata.
– Unë do ta karakterizoja me tri shprehje, – ndërhyri Vanda. – Veprimtari antipatriotike, rebelizëm intelektual, doktrinarizëm revizionist! – dhe për t’i dhënë më shumë rëndësi fjalëve të veta i shoqëroi me ngritjen e njëpasnjëshme të tre gishtave.
– Qenka shumë e rrezikshme! – u mërrudh punonjësi.
– Posi jo! Prandaj vendosëm ta denoncojmë.
– T’i ndalohet hyrja në të gjitha bibliotekat e Republikës e t’i hiqet bursa e studimit. Nuk e meriton titullin studente! – u çor Vanda.
– Keni plotësisht të drejtë, – i miratoi ai. – Për denoncimin shkoni në Dikasterin e Qytetarëve Informatorë, kati i 7-të, porta e dytë majtas. Propozimin për dënim do ta bëni në Zyrën Ndëshkimore, një kat më lart.
U afrua një burrë që ecte i mbështetur në një bastun me kokë të bronztë. Nën sqetull mbante një dosje prej kartoni ku lexohej “Kartela mjekësore – Kopje”.
– Estref Koburja?
– Po! Jam veteran i Luftës e gjithashtu i dekoruar për merita të veçanta civile, – dhe u ra me dorë, krenar, medaljeve që i vareshin në përparëset e xhaketës.
– Bravo të qoftë! Çfarë halli ke?
– Meqenëse jam me diabet… Ja, kam këtu edhe kartelën klinike, – dhe vuri mbi banakun e dezhurit dosjen me kapak të kuq.
– Bjeri shkurt, të lutem.
– Kërkoj të merret parasysh sëmundja ime e, në vend të bananeve që po na shpërndani, të më jepen mollë.
– Seksioni Import-Eksport-Transport. Vetëm ata mund të ta zgjidhin problemin. Zyra numër 102, kati i 10-të.
– Jo, jo, dua të takoj të Madhin! – nguli këmbë burri me bastun.
– Të Madhin fare?! Ke gabuar adresë, xhaxha! E gjen tek Blloku i Parafabrikateve. Hi, hi, hii! – u skërmit punonjësi. – Roni Shkurrja! – thërriti emrin që pasonte.
– Mirëmëngjes! Kam ardhur të tërheq medaljen që më ka akorduar KPT-ja.
– Të lumtë! – e përgëzoi punonjësi. – Komisioni i Pensioneve të Luftës dhe Dekoratave të Paqes, zyra numër 98, kati i 9-të.
– Siurdhëroni!
– Prit një minutë!… Po shoh që të paskan akorduar edhe një bursë studimi.
– Ashtu?! E në ç’degë?!
– Ta thonë ata të Departamentit të Dhuratave të Fundvitit. Shko tani!… Tjetri!
– Desdemona Syziu. Jam kryellogaritarja e «Kosheres së Heronjve». Kam ardhur për të paguar faturat e prapambetura të qymyrgurit dhe…
– Drejtoria e Energjive të Ngurta, kati i tretë, zyra numër 37. Dhe…?
– A u shqyrtua padia jonë për dëmshpërblim kundër topçijve që na thyen xhamat e na copëtuan tjegullat?
– Akoma jo! Zyra e Përmbarimit është e përmbytur me punë. Kaloni pasi të kenë mbaruar festimet e Ditëlindjes. Ditën e mirë!… Makbule Gërxhi, e vetëquajtur «Kleopatra»!
– Jo, jo, nuk jam e vetëquajtur, – e kundërshtoi gruaja në fjalë dhe tundi sisët me inat. – Kam emrin e stërgjyshes, ndjestë pastë. Ishte princeshë mulate. Kleopatra e Bregut të Lumit ka çmendur princa indianë e arabë!
Kishte shkopsitur grykoren e pambuktë e i bënte fresk gushës së mermertë duke tundur dorën si verore.
– Respekt, – tha burri.
– Uhh, ç’zjarrmi! – u ankua, sikur të ishte ufëm gushti.
Gulçonte e spërdridhte belin; fërkohej, tkurrej, përthyhej e harkohej si gjarpërushe.
– Na janë prishur ventilatorët, – u shfajësua ai.
– Këtë hotel e ka ndërtuar dashnori i stërgjyshes sime enkas për të. Prandaj i vuri emrin e saj. Shkuleshin njerëzit nga të katër anët e botës për ta parë kur kërcente. Unë këtu jam si në shtëpinë time. Po të dua, ngre një padi e jua marr Kalanë, se e kam me tapi.
– Mos, se na trembe! – e shpotiti ai. – Ç’e mirë të ka sjellë?
– Dua të legalizoj aktivitetin tim profesional.
– Çfarë pune bën ti?
– Jam sipërmarrëse sociale. Ndihmoj robtë që vuajnë.
– Ouu?! Ma shpjego pak më mirë, të lutem?
– Ngushëlloj burrat e ve, ngazëllej beqarët, edukoj djemtë që s’kanë parë akoma pjeshkë me sy… – iu përqall ajo, ndërsa micëronte buzët e tulta, të kuqe gjak.
– E kuptova. Duhesh propozuar për t’u shpallur shenjtore.
– Kam tre biznese: «Shpella e Rënkimeve», «Tuneli i Lumturisë» dhe «Mjalti i Jetës».
– Paske ngritur industri kallamsheqeri. Lart e më lart, motra!
– Motra e sat’ëme. Mos u tall me mua, se t’i tredh koqet me duart e mia! – iu kanos ajo.
– Kur të duash! – iu përgjigj burri e i shkeli syrin. – Më pëlqejnë femrat timoniere me kamxhik në dorë. Hi, hi, hi! Mbarove, apo ke ndonjë kërkesë tjetër?
– Dua të themeloj një shoqëri anonime ku të përfshij tre ndërmarrjet që përmenda e të tjera në vijim. Në ç’zyrë bëhen formalitetet e regjistrimit?
– Zyrat 29, 56, dhe 111. Komiteti «Ha-Pi-Qi-Dhi», Departamenti i Projekt-Ndërtimeve dhe Drejtoria e Tatimeve. Kurvëri me përmasa kapitaliste. Hi, hi, hi!
– Të zëntë gërdeci, ishallah! – e mallkoi Kleopatra.
– Eli Faber dhe Vigan Arapi!
– Mirëmëngjes! – përshëndeti Eli. – Im shoq kërkon punë, kurse unë kam ardhur për të regjistruar të porsalindurin.
– Dega e Punësimit dhe Zyra e Gjendjes Civile. Me jetë të gjatë! Ç’emër keni zgjedhur?
– Vishnjak, – u përgjigj burri. – Vishnjak Arapi.
– Ëëëh?!!… Më falni, se s’po kuptoj gjë. Është fëmi, apo ndonjë lloj likeri?!
– Është djali ynë, – tha Eli. – Lindi para kohe dhe ishte ngjyrë vishnje. Mrekulli e natyrës!
– Urime! Shkoni, shkoni!… Kush e ka radhën?
– Më quajnë Din Tufi; jam përgjegjësi i bibliotekës së Pallatit Ndëshkimor.
– Pallati Ndëshkimor?! E ku bie?! S’ma ka zënë veshi ndonjëherë.
– E kam fjalën për burgun ultramodern të kryeqytetit, – i shpjegoi tjetri. – Nuk ju ka rënë rasti ta vizitoni? Nejse… Në kuadrin e intensifikimit të shkëmbimeve kulturore, kam nën kujdestari bibliotekën e burgut të Urthit. Por më duhet një autorizim i posaçëm për të shkuar.
– Të duhen dy autorizime, sepse është zonë ushtarake. Drejtoria Urdhërore, kati i 5-të, zyra 58, dhe Dikasteri i Burimeve Njerëzore një kat më lart, zyra numër 67… Rik Gjirizi!
– Prezent! – u dëgjua një zë hundor.
Shoferi barkanjos i Volvos me karroceri të ndryshkur bëri një hap drejt sportelit. Mbante në dorë një shkresë ngjyrë të kaltër që i ngjante një fature.
– Ç’është kjo paçavure që më keni dërguar?! – pyeti me mllef, ndërsa tundte në ajër letrën e kaltër. – Me ty e kam, o brekëgrisur! – dhe ia stërpiku fytyrën me spërkla pështyme.
– Bereqaves, këto që kemi. Me arna, por të pastra, – iu përgjigj tjetri qetësisht dhe ia mori letrën nga duart për të lexuar ç’ishte shkruar. – Si mund të të ndihmoj?
– Dua të di për ç’arsye po më konfiskoni veturën?!
– Për dëmshpërblim të pelës së kooperativës. Është e shkruar këtu. Bile, shumë pak po të kërkojnë. Siç duket, përpara se ta vrisje do të ketë qenë e sëmurë.
– E vdekur fare ishte! – u çor barkmadhi ndërsa pështyma i gulfonte nga goja si rrymë dushi. – Me një fjalë, po më merrni Volvon që t’ju tërheqë qerret?!
– Shko tek Drejtoria e Tatimeve, se ta shpjegojnë ata më mirë. Zyra numër 81… E po më dëgjove mua, vë një maskë mbi gojë kur t’u flasësh… Kush e ka radhën?