Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Nga ditari politik i Tiranës – 1 maji

Ruben Avxhiu

Në ditën e protestave e marshimeve tradicionale të punëtorisë, të lidhur prej më shumë se një shekulli simbolikisht me të majtën, në Shqipëri, është e djathta që ka paralajmëruar protestat e saj të ardhshme.
Në fakt, një nga partitë e opozitës, Lëvizja Socialiste për Integrim e ka burimin nga e majta, po qendrimet e saj politike, gjatë tetë viteve në pushtet e kanë zhvendosur në mënyrë të habitshme drejt qendrës së djathtë, san ë një pikë kam shkruar që vetëm historia nuk lejon LSI-në që të konkurrojë Partinë Demokratike si forca konservatore që mbron virtytet e kapitalizmit dhe të klasës së biznesit.
Interesante se sot, qeveria e partisë kryesore dhe në letër më të majtë të vendit, asaj Socialiste është kaq e rehatshme në marrëdhëniet me biznesin e madh në Shqipëri (disa preferojnë fjalën “oligarkët”) saqë PD dhe LSI nuk mund të fajësohen nëse janë pozicionuar në mbështetje të shtresave më të paprivilegjuara të shoqërisë.
E gjitha është një kujtesë se me përjashtim të viteve diku rreth 2005-2015, ndarjet ideologjike të partive shqiptare ashtu si shumica e pluralizmit shqiptar është një lloj tallje me demokracinë. Këto nuk janë forca që udhëhiqen nga ndonjë filozofi politike. Nuk kam asgjë kundër kësaj pune. Nuk kam respekt për ideologjitë dhe as idetë e paketuara që duhen pranuar në grup. Po pragmatizmi i politikës shqiptare mban erë kompromisi moral e korrupsioni material e shpirtëror.

 

* * *

Zhvillimet nga opozita nuk duhen lexuar te gazeta “Tema”, sepse ajo është tendencioze ndaj tyre, po sot e kishte kapur bukur faktin që Lulzim Basha, kryetar i PD-së kishte shkuar në zyrën e Monika Kryemadhit.
Zakonisht shkon i vogli te i madhi, shkruhej në gazetën e Mero Bazes.
Ndoshta nuk ka ndonjë gjë aty, po në pamje të parë sigurisht nga ana e Monika Kryemadhit ka ndodhur një nga ato që amerikanët e quajnë “power move”. Lëvizje pushteti. Apo në këtë rast moslëvizje. Po të dojë Basha le të vijë të më takojë këtu.
Unë kam besuar gjithmonë se pika më e dobët e Bashës është përfshirja e LSI-së në koalicionin e tij të protestës. LSI ka qenë për tetë vjet në pushtet. Presidenti në fuqi është kryetari historik dhe themeluesi i saj.
Basha nuk ka nevojë ta ndajë tribunën me askënd. Mjaft detyrohet ta ndajë me figurën kryesore të partisë së tij, kryetarin historik Sali Berisha, me aleatët e tij kryesorë që së fundi janë joshur të rreshtojnë se cilat janë dallimet e tyre me partinë që i mban në politikë. Figurat brenda PD-së që kanë diçka për të thënë, që kanë fizionominë e tyre politike etj ose janë larguar, ose janë mënjanuar, ose nëse kanë arritur të mbijetojnë në sajë të besnikërisë dhe servilizmit, e jo prej aftësive e virtyteve të tjera, po u mbetet akoma edhe më pak hapësirë e kohë në sy të publikut. Ata duhet të konkurrojnë jo vetëm me figurën dominuese të Bashës në parti, po edhe me bujarinë e tij ndaj aleatëve.
Nga vjen fuqia e Monika Kryemadhit përveçse nga bashkëshorti President, nga një histori kërcimesh nga një krah i politikës në tjetrin, si dhe në gatishmërinë e saj për të bërë atë që Basha nuk mundet, megjithë ngritjen e zërit. Monika Kryemadhi mund të bëjë një skandal publik. Mund të heqë këpucën dhe të ta vërtisë në kokë. Mund të betohet si pa të keq për kokën e fëmijëve në televizionin publik. Mund t’i kujtojë Ramës Avni Rustemin dhe t’i thotë kujdes kur pi kafenë. Monika Kryemadhi ta merr bukën nga goja, ta ha në sy dhe të bën që të kërkosh falje.
“Tema” shkruan se Basha i premtoi se nuk do të bëjë më koalicion me Ramën. “Tema” sigurisht ka qejf të ngacmohet se kjo do të ishte absurditet i madh. Nuk është Basha që theu koalicionin katërvjeçar qeverisës me PD-në dhe shkoi e u hodh në prehrin e Ramës, me një ceremoni nënshkrimi mbarësocialiste, ku ndodhej edhe Boris Tadiqi nga Serbia. Nuk ishte Basha që sapo ka dalë nga një qeverisje katërvjeçare krah më krah me Ramën. Ramën kryeministër e bëri LSI-ja. Rama madje tregoi se ka jetë politike edhe pas LSI-së.
Sigurisht Basha dhe Kryemadhi kanë të dy diçka të përbashkët. Që të dy po vendosin autoritetin e tyre që u buron nga kryetarët historikë të partive të tyre. Basha drejton partinë e Berishës. Kryemadhi atë të Metës. Ndonëse kjo e fundit është e martuar me kryetarin e saj dhe vetëm sapo e ka marrë në dorë partinë, ajo ka bërë më shumë për t’i dhënë fytyrën e saj LSI-së. Nuk mund ta shoh si diçka të mirë këtë punë. LSI është aty ku është në sajë një mjeshtërisë së Ilir Metës. Kije inat apo pëleqeje, Meta theu tabunë e dikotomisë së politikës shqiptare si askush tjetër. U bë i treti i bezdisshmi, apo shpëtimtari, paterica apo komardarja, quaje si të duash.
Nuk e di se çfarë mendon Basha për Kryemadhin, po nuk është çudi që kujdesi i tij për të ruajtur një lloj drejtpeshimi mund të jetë rruga më e mirë e vijueshmërisë.

 

* * *

 

Në vija të përgjithshme, Samiti i Berlinit ka qenë një ngjarje ndërkombëtare, po një pjesë e madhe e opinionit publik në vendet e përfaqësuara aty e ka ndjekur për konsum të brendshëm. Për udhëheqësit e vendeve tona, ngurrimi për të hapur procesin e integrimit është rezultat i përçarjes dhe krizës në BE. Po për opozitat e vendeve tona, ngurrimi është rezultat i dështimit të qverive në fuqi.
Në një farë mënyre, që të dyja palët kanë të drejtë, po ndërsa qeveritë e vendeve të Balkanit, përfshi edhe asaj të Tiranës, kthehen pa mobilizim e frymëzim nga samiti, opozita shqiptare ka ndjerë një energji të re. Nëse njerëzit do të fajësojnë së fundi Ramën, apo do ta shohin vonesën e procesit integrues si një arsye më shumë për ndryshim politik, radhët e protestës më në fund mund të fryhen në pikë kritike.
Populli është i pakënaqur po nuk është në rrugë. Dikur Rama u kujtonte perëndimorëve Turqinë e Rusinë për t’i trembur. Opozita me të drejtë ankohej për këtë. Po tani është opozita që ka përmendur operacionin ‘Alba’ e kujtime të tjera të shëmtuara, kur Perëndimi është detyruar të ndërhyjë në Shqipëri me vonesë. Është pak e ndërlikuar kjo lojë me kujtesën historike. Ajo nuk realizohet dot e plotë, pa krahasuar Ramën sot me Sali Berishën e vitit 1996-1997. Sigurisht LSI-ja e ka luksin që ta bëjë këtë dhe të mbetet në koalicion me PD-në, si dikur Petrit Vasili që akuzoi Ambasadorin Ryerson për rol negativ në demokracinë dhe pushtetin juridik shqiptar. Vasili nënkuptonte mbështetjen e pakursyer të ambasadorit të dikurshëm për Berishën. Pra, indirekt sulmi ishte për Berishën. Interesant, kryetari historik i PD-së në atë kohë heshti. Basha nuk është i vetmi në PD që e duron LSI-në.
Duket filluar nga nesër pozita do të bllokojë udhëkryqet, kurse një manifestim i madh proteste pritet në 12 maj.
I gjithë ky projekt protestash është i mbarsur me simbolika që mund t’i përdorë propaganda e qeverisë së Ramës. Bllokimi i rrugëve si bllokim i ecjes përpara të Shqipërisë. Rrotullimi në vendnumëro, gjatë protestës në Tiranë, etj.
Në një farë mënyre, opozita u fut vërtet në një rrugë pa krye kur vendosi, për fatin e madh të Ramës, që të digjte mandatet. Tani një listë propozimesh shumë e mirë për ndryshime është paraqitur. Ajo duhet dhe mund të ishte aprovuar në Kuvend. Rama mund të zëvendësohet me vota në Kuvend. Andej nga ku nuk duhej dalë në asnjë mënyrë. Po mos luajë njeri mendsh të përpiqet të arsyetojë me dikë nga opozita për këtë punë.
Po kjo nuk e ndryshon një fakt të rëndësishëm në Shqipëri. Që jeta është shtrenjtuar shumë e njerëzit janë thellësisht të zhgënjyer. Përtej fantazisë se Rama mund t’i blejë votat me para droge është realiteti që vullneti i këtij populli nuk është në shitje, ndonëse shumëkush ka bërë kompromis me djallin për një vend pune, a për një shans në jetë.
Rama nuk ka neë në pushtet në dy rastet e fundit, kur PS fitoi zgjedhjet politike. Ai do t’i humbë kësaj here ndonëse do të jetë kryeministër. Nëse ka karakterizuar ndonjë gjë Lulzim Bashën në vitet e fundit ka qenë besimi i tij i tepruar i dëshirës së popullit për të dalë në rrugë dhe besimi i tij i pamjaftueshëm te aftësia e popullit për të mos u blerë me para në ditën e votimit. Çdo tetë vjet Shqipëria ngrihet për të ndryshuar pushtetin politik. E vetmja gjë që nevojitet është pak durim dhe besim te përpikshmëria e saj. Çdo devijim nga kursi tradicional vetëm sa ia zgjat jetën Ramës në pushtet ndërsa rrezikon t’ia dobësojë opozitës legjitimitetin e fitores së pashmangshme./ylliria press/

Please follow and like us: