Albspirit

Media/News/Publishing

Aktorja e njohur shqiptare sjell për lexuesin shqiptar romanin e saj të parë, ’15 ditë prilli’

“15 ditë prilli” është romani i parë i Anisa Markarian, aktore, skenariste dhe shkrimtare e mirënjohur shqiptare. Krijimtarinë në letërsi e kinematografi Anisa e shpreh që në rininë e hershme. Disa nga tregimet e saj të para u botuan në vëllimet ‘Stina e gonxheve’ (përzgjedhje me proza nga autorë të rinj, Sh. B. Naim Frashëri, 1990) dhe ‘Jetë tjetër’ (antologji me krijime nga autorë mjekë, Neraida 2001). Në vitin 1999 boton librin e parë, ‘Sënduku i kujtimeve’, përmbledhje tregimesh (Botime Çabej). Në moshën 16-vjeçare interpreton rolin e Dhuratës në filmin ‘Vajzat me kordele të kuqe’, dy vjet më vonë fiton kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar si interpretuesja më e mirë në një rol kryesor femëror (roli i Zanës në filmin ‘Në çdo stinë’). Në dy filmat që pasuan, ‘Pranvera s’erdhi vetëm’ (1988) dhe ‘Ngjyrat e moshës’ (1990) është skenariste dhe interpretuese e personazhit kryesor.

Romani “15 ditë prilli” rrëfen mjeshtërisht ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht. Romani shtillet si një kronikë ngjarjesh që ndodhin brenda 15 ditëve, ngjarje të ngritura mbi groteskun, të cilat me gjithë zymtinë e përgjithshme, të bëjnë të vesh buzën në gaz me notat e humorit që ka fund e krye. Situatat surreale të çojnë ndër mend romanet e realizmit magjik. Personazhet kryesore të romanit: Ida, studentja e mjekësisë,  ëndërrimtare dhe rebele, Vladi, shkrimtari më i rëndësishëm i vendit në kërkim të guximit për të qenë vetvetja, Teo, pacient i “Kosheres”, spitalit për sëmundje të papërcaktuara, dhe Bulëza, balerina e hajthme e tragjike,  e shoqërojnë lexuesin në vende të trilluara, si Kosherja, Kalaja me Zyra apo Vargmalet e Urthit, por që jehojnë njëherësh të mirënjohura në kujtesën e lexuesit shqiptar. “15 ditë prilli” është një roman i fortë që të mbërthen që në faqet e para e të lë brenda vetes pikëpyetje të rëndësishme për mënyrën si e kemi jetuar të shkuarën e si po e projektojmë të ardhmen. Stili i mprehtë i autores, me shqipen aq të pasur e karakteristike të saj, të fut në një botë e cila të shfaqet përpara syve sikur një film.

Image result for 15 dite prilli

Please follow and like us: