MAQEDONIA E VERIUT ËSHTË NISUR DREJT EUROPËS, MBI KURRIZIN E TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË SHQIPTARËVE
Dashamir Uruçi
Këto ditë, pata rastin të lexoj, një intervistë bombastike të politikanit Ali Ahmeti i cili “po e çon Maqedoninë e Veriut, drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian…”!
E lexova një herë dhe u ktheva përsëri, në rreshtat e kësaj interviste, për të kuptuar më mirë objektivat e liderit të BDI-së, për të kuptuar çfarë ka bërë ai dhe partia e tij për popullin shqiptar në Maqedoni dhe çfarë programesh politike kanë për të ardhmen.
Pa hyrë në detajet e intervistës, më duhet të them se intervista e liderit Ahmeti përshkruhet fund e majë me ngjyra rozë duke pasqyruar sukseset dhe kontributet, pa u marrë me përgjegjësitë të cilat në radhë të parë e rëndojnë në të gjitha anët BDI-në dhe vetë kryetarin Ahmeti.
Për shumë vite me rradhë, ai e ndau mandatin politik me Nikolla Gruevskin duke mbajtur mbi supet e veta, shtypjen dhe shfrytëzimin e shqiptarëve, fyerjet e vazhdueshme dhe rrahjet në protestat kundër qeverisë, dënimin e mbajtjen në burgje të shumë luftëtarëve të lirisë, emigracionin galopant të shqiptarëve drejt perëndimit si dhe privilegjet e pasurimin e frikshëm të familjes e të klanit rrotull tij.
Të gjitha këto kulmuan, me futjen në Parlamentin e Maqedonisë të emisarëve të shërbimeve sekrete maqedone, për të rrahur për vdekje opozitën e vërtetë të shqiptarëve me Zijadin Selën në krye e për të mos i prekur as edhe një fije floku, bashkëpuntorëve të Gruevskit, Ali Ahmetit me shokët e vet.
Në intervistë spikaste “politika e madhe e një lideri të vogël” i cili hapur tashmë, mbështet e përkrah politikën maqedonase, në një vend ku janë shkelur e nëpërkëmbur rëndë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.
Nga rreshtat e intervistës, lexuesi kupton se Ali Ahmeti është pajtuar me gjendjen ku ndodhen shqiptarët sot. Ai ndjehet mirë me privilegjet që ka siguruar dhe vazhdon të mbretërojë i qetë, në kolltukun e kryetarit të partisë.
Për herë të parë, hapur në një intervistë të gjatë, lideri Ahmeti i thotë popullit të vet të votojë kandidatin maqedonas, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të fitojnë në betejat politike me maqedonët ndaj duhet të hapin rrugën e t’i nënshtrohen sundimtarëve tradicionalë të Maqedonisë.
Pse nuk bie dakort në tërësi, me intervistën e Ali Ahmetit?
Është e lehtë të kuptosh se ish luftëtari i lirisë dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është përshtatur me gjendjen dhe futet në betejat politike me mentalitetin e humbësit.
Ai deklaron se “ne kemi marrë pjesë dy herë, para dhjetë vitesh në garën për kryetar shteti dhe në të dyja rastet ne e kemi ditur që në fillim të garës se ne nuk fitojmë…”.
Në dukje të parë mund t’i japësh të drejtë këtij konkluzioni, po kur i analizon shkaqet e humbjes kupton lehtësisht se këto rezultate janë të lidhura me partitë politike të shqiptarëve që për shumë vite me radhë e ndanë pushtetin me maqedonët.
Humbja e shqiptarëve në zgjedhjet politike në Maqedoni, në radhë të parë është përgjegjësi e vetë Partive Shqiptare.
Futja në zgjedhje pa garantuar procesin zgjedhor, pa regjistruar votuesit dhe pa realizuar bashkimin e partive politike të shqiptarëve, natyrisht që të çon drejt humbjes.
Ali Ahmeti kërkon dialogun e mirëkuptimin me maqedonët, ndërkohë kur në mes partive shqiptare, ka mbjellur përçarje e kundërshti të të gjitha llojeve.
Ai bën thirrje për konsensus me maqedonët dhe këtë nuk e ka arritur me vëllezërit e vet të një gjaku.
Në intervistën e vet Ahmeti lavdërohet se flamuri shqiptar valëvitet lirshëm në Maqedoni dhe se gjuha shqipe “sot është lëvruar dhe e ka të garantuar me ligj…”. Të dyja këto të drejta i kanë edhe minoritetet e tjera si turqit, romët, serbët…të cilët nuk i afrohen shqiptarëve për nga numri me afro 40 për qind të popullit në Maqedoni.
Gjithashtu Ahmeti lavdërohet se Maqedonia po shkon drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Askush nga shqiptarët, me dy pare mend në kokë, nuk është kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Historia e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase na ka mësuar se asnjëherë maqedonët nuk e kanë mbajtur fjalën kur kanë qenë në pyetje interesat e shqiptarëve.
Këtë e vërtetoi Marrëveshja e Vdekur e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, marrëveshja për ndryshimet kushtetuese e të tjerë.
Të gjitha këto marrëveshje dhe veçanarisht dy të fundit, duheshin kushtëzuar me interesat bazë të shqiptarëve në Maqedoni, me të drejtën e shqiptarëve për të qenë shtetformues dhe gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoni.
SHQIPTARËT në Maqedoni duhet të numërohen një për një, shtëpi për shtëpi, katund e qytet, bashkë me diasporën dhe pasi t’i keni shtuar edhe disa qindra mijra shqiptarë ortodoksë të sllavizuar, mund të shohim se kujt i takon presidenti.
Pa i bërë këto punë nuk mund të kenë sukses shqiptarët në Maqedoni, o Ali Ahmeti!
E di se do të thuash se të tjerët “nuk mund t’i tregojnë beut arat”, por nuk u durova pa t’i thënë dy fjalë se edhe në takimin e diasporës në Tiranë vetëm paradë suksesesh ke bërë.
E shumë pjesëmarrës aty nuk ishin dakort me ty.
Po bëhen 20 vjet që këto punë, ti me shoket tuaj, nuk i keni bërë ndaj duhet të ikni e t’i hapni rrugën të tjerëve të cilet mund t’i bëjnë.
Me ato gjëra që ke shtruar në intervistën tënde ti je pajtuar me të keqen dhe ke kapitulluar…!