Po të panë duke qeshur në Shqipëri të marrin për budalla, ose për të huaj
Ja ku erdha sërish me një tjetër shkrim marrë nga realiteti ku jetojmë, sipas këndvështrimit tim. Kam vite që kam dashur ta shpreh këtë fenomen që ndodh në vendin tonë, ku ende kemi komplekse për të shprehur veten tonë ashtu siç jemi, pa e vrarë mendjen: Po bota çfarë do thotë?!
Dua të ndalem te një problematikë që e kam vënë re: Ne nuk përshëndesim dhe as i buzëqeshim njëri-tjetrit në vendet që mund të kalojmë rastësisht si psh: ashensor, dyqan, lokal, etj. Ndërkohë jashtë shtetit kjo është një ndër gjërat më kryesore që tregon secili edukatën e vet dhe përcjell energji pozitive edhe te një person që nuk e njeh. Pra, negativiteti na vjen sa dalim nga shtëpia, edhe nëse kemi një punë të mirë, ose një jetë ( në dukje të lumtur). Lind pyetja: Kaq shumë tangërllik dhe të rëndësishëm na duket vetja?!
Një mbrëmjë një miku im, në një lokal në Tiranë pa dashje, rrëzoi çantën e një vajze dhe direkt me mirësjellje i kërkoi falje. Eh, ta shikonit reagimin e asaj gjithë nerva duke i thënë: Ku i ke sytë? Një mllef të madh kishte ajo vajzë!
Në Shqipëri edhe vetullat shumica i kanë të ngrysura sa dalin nga shtëpia, ku i krijohen si një vizë në mes të ballit.
Më tha dikush me shaka: Lamë nam sa po qeshim, nuk lejohet në Shqipëri me qesh kaq shumë, se do mendojnë i paska ikur mendja këtyre, ose janë të dehur. Ndërkohë nuk çohet ndërmend fakti, se mund të qeshësh, se je i lumtur.
Hajde gëzuar të gjithëve, le të mos ankohemi për një moment, por të festojmë dhe të mendojmë se në Shqipëri mund të jemi edhe të lumtur.