Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: “Një hap para, dy hapa prapa”? Ku po shkojmë?

 Image result for eden babani

Eden Babani, Bruksel.

 

– Nga ideja për mbylljen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, te ideja për themelimin Institutit të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare –

 

 

 

1.

E zgjodha këtë titull, teksa m’ u fanit koha kur na dilnin trutë mbi veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit, që të merrnim një notë sa më të lartë në të ashtuquajturën “lënda e filozofisë”. Në të vërtetë, kur kujton njeriu vitet e rinisë, veç ngazëllehet. Jo se unë nuk ngazëllehem si gjithë bota, por, kur më fanitet ajo kohë, njëherësh më puprriqet mishtë. Ç’ pyet, rini e kaluar nën diktaturë! E, megjithatë, parapëlqeva që titullin ta zgjidhja me ndihmën e fjalorëve të zhubrosur të ish-Institutit të Studimeve të Marksizëm-Leninizmit (lexo: Instituti i Shpëlarjes së Truve!), me shpresë se nostalgjikët e ish-regjimit komunist, ish-sigurimsa ose jo, do të më kuptojnë më mirë. S’u vë faj. Çështje brumosjeje me ideologji të thithur një me qumështin e nënës, çështje mëkatesh prej nga nuk ndahen dot sot e tridhjetë vjet pas groposjes së atij instituti që mori me vete e groposi njëherë e përgjithmonë idetë-slogane që përpunonte. Edhe, nëse ndokush përpiqet të zhvarrosë të vdekurit dhe pastaj fantazmat e tyre t’i veshë me petka demokratike, e siguroj se do të gjendet vetë i pari përballë absurdit. Të vdekurit nuk mund të ngjallen.

Asohere (1904), Lenini replikonte me Roza Luksemburg për ndarjen e Partisë Punëtore Socialdemokrate të Rusisë në bolshevikë e menshevikë. Sigurisht që  konteksti historik nuk është i njëjtë as në kohë, as në hapësirë me të sotmin, të cilit i referohet shkrimi im. Por shprehja e Leninit është përvjedhur nëpër botë dhe ka hyrë në shumë gjuhë qysh prej njëqind-e-ca vitesh, për të vënë në dukje regresin, në raport me progresin. Ja sepse, sipas meje, titulli i shkrimit qëndron “top”, sido që ta kthesh, edhe për mua, edhe për këdo qoftë!

Mund të kisha zgjedhur një titull tjetër, fjala vjen, me emrin “karavidhe” a me togfjalëshin “shportë karavidhesh”, ngase karavidhja me gjashtë a më shumë këmbë, po ta këqyrësh tek ec, lëviz sa para, aq edhe pas ose anash. Pra, edhe një titull kësisoj, “top” do t’i shkonte shkrimit, por druaj se nostalgjikët dhe frymëzuesit e tyre  do të ma merrnin për fyerje duke e gjetur veten në shportë, çka nuk do ta dëshiroja assesi.

 

2.

Lexova këto ditë një shkrim, ku hidhej ideja e krijimit të një Instituti të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitet ’90 të shekullit të shkuar, historiografia jonë e ka parë Luftën për çlirim nga këndvështrime të ndryshme, të cilat diku përkojnë njëra me tjetrën, diku ndahen për t’ u takuar në pafundësi (infinit). Së këndejmi, edhe analiza e titulluar “Duhet një Institut për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” (gazeta “Dita”, 4 maj 2019).

Si historian i doktoruar në universitete të njohura, autori i analizës është përpjekur me profesionalizëm të cekë pikat ku bashkohen dhe ku ndahen opinionet e historianëve, teksa sjell historikun e institucioneve të historisë të formuara nga 1945 e këtej dhe  teksa përpiqet të gjejë pika takimi mes “historiografisë dhe historisë popullore”.

Mbase gaboj, por si vëzhgues, – pra, si jo historian, – unë kështu e vlerësoj.

Ama nuk mund të bashkohem me të, kur ai hedh prerazi idenë për formimin e një instituti që do të studionte Luftën ashtu të quajtur Nacionalçlirimtare. E para, sepse Lufta, sikundër e pranon edhe vetë autori i hedhjes së idesë, ka pasur elemente të luftës vëllavrasëse, përveç asaj çlirimtare. E dyta, sepse kësaj, sipas meje, i thonë të kthehemi tek organizma shtetërore që dikur kanë shërbyer për shpëlarje trush, si fjala vjen ai instituti i kryesuar nga e shoqja e Diktatorit Hoxha.

Historia nuk shkruhet nëpër institute, çfarëdo qofshin ato. Përkundrazi. Në princip, historinë e shkruajnë historishkruesit, pavarësisht institucioneve, të cilat, për hir të së vërtetës, ekzistojnë kudo në botë, ama pa marrë përsipër të vulosin çka është e vërtetë historike dhe çka jo. Në formë fondacionesh (shtetërore ose jo) ato shërbejnë për të mbledhur dokumentacione, për sistemimin dhe klasifikimin e tyre në arkiva e biblioteka, për t’i vënë ato në dispozicion të procesit pambarimisht të gjatë të historishkruarjes. Me një fjalë, nuk janë laboratorë që nxjerrin produkt të gatshëm, por laboratorë që ofrojnë lëndë të parë, në ndihmë të historishkruesve. Janë këta të fundit që, mirë a keq, bëjnë interpretimet sipas këndvështrimit të tyre. Rrjedha e kohës bën seleksionimet e nevojshme, duke ndarë të vërtetat historike, nga të pavërtetat.

A nuk do të ishte më produktive të krijohej një institut kësisoj, kur në arkivat tona – siç flitet poshtë e lart – kanë futur duart i miri dhe i ligu, kur shumë dokumente janë zhdukur me ndërrimin e situatave politike, me ikjen e njërës palë dhe me ardhjen në pushtet të palës tjetër? S’duhet harruar se përvoja jonë (shqiptare, pra) ka qenë për të ardhur keq (që të mos them e hidhur, zeher), teksa shteti është bërë palë me institucionet e pavarura.

Shembullin e kemi fare të freskët: kërkesa për mbylljen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe sulmi ndaj drejtorit, Agron Tufa, sapo instituti në fjalë botoi fakte se një deputet, një diplomat a një tjetërkush nga administrata shtetërore kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në këto kushte, ç’na mbetet për të thënë më tepër, kur Kryeministri kërcënon Tufën me “hetime parlamentare”, duke u bërë palë me të akuzuarit, të cilët janë në konflikt interesi me detyrat që ushtrojnë? Po të shtojmë këtu edhe amullinë, në të cilën  gjendet sot Akademia e Shkencave lidhur reformën e pretenduar ndaj saj nga politikanë që s’kanë asgjë të përbashkët me shkencën, ideja për një institut të ri që “do të studionte historinë e Luftës”, s’është veçse zbythje dy hapa prapa, pa hedhur ende mirë një hap përpara.

Me dashje a pa dashje, ide tilla për institute mbi institute shtojnë mundësinë e ideologjizimit të historisë, në bashkëvajtje me ideologjinë e shumicës qeverisëse. Sot me ideologji komuniste, nesër me ideologji fashiste a neofashiste. Njëherazi, ato  frymëzojnë për mbijetesë një grushti nostalgjikësh, mbetur në këtë tranzicioni të gjatë të kalimit nga diktatura, në demokraci, qofshin këta edhe historishkrues.

3.

Fonde ka pasur dhe ka. Por, për fat të keq, ato shpeshherë janë bërë rrush e kumbulla nga padija, në rastin më të mirë, ose janë shndërruar qëllimisht në një zinxhir përfitimi me shumë hallka për të dytë, të tretë etj.

Historiani Kastriot Dervishi më thoshte para do kohe se më shumë se tre milionë euro, sipas llogarive të tij, janë investuar për do projekte të panevojshme, disa prej të  cilave sot e gjithë ditën kanë mbetur në letër, përfshi këtu edhe projektin për Muzeun e Kampit të Tepelenës, ku nuk është ngulur deri sot as edhe një gozhdë. Më pak sesa tre milionë euro, gjithnjë sipas tij, do të kishin mjaftuar për të ndërtuar godinën e Arkivit të Ministrisë së Brendshme.

Për sa më sipër, nuk duhet harruar se Dervishi, si historian me integritet dhe si ish-drejtor i atij arkivi e njeh problemin në thelb, e njeh së brendshmi emergjencën për të ndrequr diçka ende sa nuk është arritur tek e pandreqshmja. Nuk duhet harruar, gjithashtu, edhe kontributi i tij çmuar për publikimin e dokumenteve të kohës së Luftës dhe asaj të regjimit të diktaturës komuniste, çka do të ishte objekt studimi i institutit të pretenduar.

* * *

Kohë më parë, kam botuar shkrimin “Historinë nuk mund ta rishikojnë falsifikatorët” (Gazeta 55, 12 shtator 2012). Shkrimi lidhej me censurimin e qëllimshëm që ishte bërë një interviste të historianit Tanush Frashri nga vetë e përditshmja që ia kishte kërkuar përmes internetit (Tanushi jeton prej vitesh në Vilah të Austrisë). E përditshmja kishte hequr nga përgjigjja pjesën për Enver Hoxhën. Rastësisht, ishte e njëjta pyetje drejtuar edhe Prof. Kristo Frashrit.

Përgjigjet ishin të ndryshme:

Prof. Kristo Frashri: Që në fillim, po them se thirrja për të rishikuar historinë është krejt pavend… Historinë e shkruajnë historianët në mënyra të ndryshme…”

Tanush Frashri: “…mozaikët e parë kanë nisur të vendosen në panelin e rishikimit të historisë. Nderi… i takon Prof. Dr. Ndreçi Plasarit, që mohoi me guxim veprat e tij të shkruara nën diktaturë…”.

Për mua, këto dy mendime, njëri në kundërshtim me tjetrin, e nxjerrin përfundimisht jashtë loje idenë për themelimin e Institutit të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aq më tepër që falsifikatorë të tipit Pëllumb Xhufi janë me shumicë nëpër këmbë, të gatshëm për të hyrë në lojë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

                                 

Dr.Marenglen Kasmi

Debati i ditëve të fundit mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), tregon qartë se ka ardhur koha që trajtimi historiko-shkencor i kësaj periudhe të rëndësishme të historisë së shqiptarëve duhet të institucionalizohet, me ngritjen e një Instituti të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ngritja e një institucioni të tillë i shërben jo vetëm trajtimit me seriozitet të së kaluarës, mos harresës së gjakut dhe sakrificave të dëshmorëve që ranë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre por, i shërben edhe edukimit të brezit të ri, në një kohë kur Neofashizmi është një tendencë në rritje në vendet europiane perëndimore.

Historiografia dhe historia popullore

Si në të gjithë vendet e Europës Lindore të dala nga regjimi komunist edhe Shqipëria është përfshirë në procesin e rishikimit të historisë së saj. Deri në fillimvitet 1990, analiza e së kaluarës shikohej si një detyrë vetëm e historiografisë. Ndërkohë që historiografia si shkencë është duke përjetuar një krizë të thellë, si pasojë e ndryshime politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore që erdhën fill pas ndryshimeve demokratike, trajtimit historik të së kaluarës i është shtuar edhe me një dimension i ri, historia publike, ose më saktë historia popullore. Historia popullore është e rëndësishme për hulumtimin e kujtesës. Por ajo nuk mund të dalë jashtë kornizës së përgjithshme që përcakton historiografia. Po ashtu, ajo nuk mund të merret si referencë, në kuadër të ritrajtimit të çështjeve thelbësore historike, por i plotëson ato. E thënë më shkoqur, kriza në të cilën është futur historiografia, e sidomos ajo e periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), si pasojë edhe e politizimit të tejskajshëm të saj, inkurajon historinë popullore të merret me hartimin e një versioni të saj historik, duke synuar shpesh të rehabilitojë figura historike të pa rehabilitueshme kundër LANÇ-it, nëpërmjet përdorimit të argumenteve ta paqëndrueshëm shkencërisht dhe të  pasaktë historikisht. Në këtë kuadër, shpesh e vërteta deformohet, çdo gjë e shkruar gjatë periudhës së komunizmit relativizohet, ose më saktë zerohet, dhe ngjizet një e “vërtetë e re”, e cila merr vulën e absolutes, ndonëse “këto të vërteta” janë më tepër produkt i opinioneve personale ose prejardhjes familjare, ku dominojnë kapërthime mendimesh brenda një dimensioni historik bosh, që shpesh bien ndesh me të vërtetën historike. Si pasojë e shumëfishimit dhe modernizimit të mjeteve bartëse të historisë popullore, siç janë mediat, rrjetet sociale etj., por edhe nga fakti që, shoqëria është e gatshme të thithë më shpejt këtë lloj informacioni të shkruar në gjuhë të lehtë dhe që fokusohet mbi hulumtimin e kujtesës dhe fateve njerëzore, ndizen debate të panevojshme dhe të pabazuara shkencërisht për vërtetësinë e objektit që ato trajtojnë. Në këtë kuadër, gjatë këtij debati më së shumti bëhet fjalë për interpretime të fakteve historike, sesa për faktin vetë. Shkurt, interpretimet e fakteve historike sipas interesave të caktuara, jashtë kontekstit të kohës, shpesh mbi copëza dokumentesh të arnuara e qepura keq me njëra-tjetrën dhe duke e mbështjellë gjithmonë e gjithçka nën vellon e trajtimit të krimeve të komunizmit në vitet 1945-1990, bëjnë që realiteti historik të tjetërsohet, duke e vendosur shoqërinë shqiptare para dilemës së përkufizimit të vlerës dhe antivlerës, të përçarjes së mëtejshme dhe të keqpërdorimit historik të së kaluarës, thuajse në një masë më të stërholluar dhe dinake se çka ndodhur shpesh deri në vitin 1990. Në gjithë këtë katrahurë interpretimesh e versionesh historike të hapërdarë, arrihet shumë lehtë në krijimin e një tabloje të përgjithshme historike, nëse nisemi nga përkufizimi i vlerave – çka përfaqësonte Antifashizmi, së keqes – që ishte Nazifashizmi dhe së gabuarës – që ishin gjithë bashkëpunëtorët e tyre gjatë Luftës Antifashiste në Shqipëri  e kudo. Që antifashizmi është vlerë pranohet nga shumica, madje edhe nga “historianë”, të cilët investohen qartazi kundër së vërtetës historike. Por, për ta ndryshon puna kur vjen fjala te antifashizmi shqiptar. Sipas logjikës së tyre, lufta e shqiptarëve ndaj së Keqes (lexo Nazifashizmi dhe bashkëpunëtorët e tyre) ishte e keqe. Kësisoj, ata e përkufizojnë luftën ndaj të Gabuarve (lexo bashkëpunëtorët e Nazifashizmit) si një gabim dhe jo si një luftë ndaj së Keqes dhe së Gabuarës. Gjithmonë sipas kësaj logjike, kjo Lufta Antifashiste ishte e “keqe” dhe e “gabuar” sepse u shndërrua nga komunistët në një luftë civile, duke mos luftuar kundër pushtuesve, por vetëm kundër kundërshtarëve të brendshëm. Pra, natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit tentohet të njësohet, me natyrën e drejtuesit të kësaj lufte, Enver Hoxhës ose forcës politike që e drejtoi atë, Partisë Komuniste (Punës) në vitet 1944-1990. Këto dy fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra. Nëse flasim me shifra, nga viti 1941 deri në vitin 1944, numri i komunistëve pjesëmarrës në LANÇ shkonte nga 2400 deri në 3600 anëtarë partie, pra rreth 4-6% të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu që, kjo nuk mund të ishte një luftë vetëm e komunistëve, por një luftë e gjithë popullit shqiptar kundër pushtuesit, siç ishte edhe lufta e shumë popujve të tjerë. Deri në vitin 1990 ka plot gjëra që janë interpretuar njëanësisht, sipas interesit të Partisë. Por, kjo nuk do të thotë që duhet bërë një përmbysje e gjithë historisë së shkruar në këtë periudhë. Madje mund të themi me bindje të plotë shkencore se, me hapjen e arkivave të huaj, aspekte të caktuar të kësaj lufte, siç është për shembull bashkëpunimi me pushtuesit, jo vetëm që nuk mund të vihet në dyshim, por përkundrazi është mëse i faktuar historikisht, gjë që e ngarkon me përgjegjësi politike krahun nacionalist për politikën e dështuar që ndoqën gjatë luftës. Po ashtu, nuk mund të vihet në dyshim që në raste të caktuara, e kryesisht në fund të luftës, lufta u përdor nga Enver Hoxha edhe politikisht. Nëse vlerësojmë zhvillimet politiko-ushtarake të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, arrijmë në përfundimin se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në tërësinë e saj një luftë antifashiste, e drejtuar kundër pushtuesve të huaj, ndonëse kryesisht në fazën e fundit të saj shfaqen në raste të veçuara edhe elementë të një konflikti civil, apo lufte për pushtet. Nisur nga përkufizimi i luftës civile, mund të thuhet se në një vend të pushtuar nuk mund të ketë luftë civile, e sidomos atëherë kur njëra palë pjesëmarrëse në konflikt, bashkëpunon dhe mbron interesat e pushtuesit. Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste u bë një nga faktorët kyç për politikën gjermane në Shqipëri. Të dyja këto rryma politike kërkonin me çdo kusht të vinin në pushtet pas lufte. Premtimet e gjermanëve, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur. Edhe besimi se gjermanët do të shkatërronin lëvizjen komuniste – çka ata për hir të së vërtetës thuajse e arritën në dimrin 1943-1944 sepse e vendosën ushtrinë partizane në një pozicion shumë të vështirë  ishte një arsye jo e paktë e nacionalistëve shqiptare për të pranuar këtë realitet. Jo më kot në këtë periudhë pason edhe bashkëpunimi në masë i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë. Sipas bindjes së tyre, sido të vinte puna, ata do të kërkoheshin pas lufte sepse kishin merita në themelimin e shtetit shqiptar. Kështu kishte qenë gjithmonë prej vitit 1912. Por këtë radhë lufta i kishte ndryshuar gjërat.

Krijimi i Institutit për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Diskutimet e fundme për luftën, e sidomos në këtë 75-vjetor të çlirimit të vendit, nxorën edhe njëherë në pah nevojën për ngritjen e një instituti për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ngritja e një institucioni të tillë shkencor i shërben kujtesës historike dhe jo nostalgjisë ndaj së kaluarës, – siç dëgjojmë hera-herës të flitet. LANÇ-i mundësoi që, shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre luftuan të bashkuar në këto përmasa ndaj pushtuesit dhe për më tepër në aleancë me fuqitë demokratike perëndimore. Si kurrë më parë shqiptarët arritën të krijojnë një ushtri prej mëse 70.000 luftëtarë e luftëtaresh, të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me përjashtim të ndonjë vendi, “me pena të çoroditura” siç është Shqipëria, nuk ka ndodhur që të vihet në dyshim natyra dhe karakteri i Luftës Antifashiste. Është e turpshme të dëgjosh, madje edhe nga “akademikë e shkencëtarë”, se si glorifikohet nazizmi dhe politikat e ndjekura prej tij, vetëm se Hitleri gjoja premtoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë apo që lufta ndaj Nazifashizmit mundësoi ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet dhe, si e tillë, nuk ka asnjë vlerë dhe të mohohet gjaku i mijëra të rinjve dhe të rejave idealistë, që ranë për atdheun në moshë të njomë. Këto mendime e shumë teza të tjera, që kulmojnë me shndërrimin e Luftës Antifashiste në një luftë civile, kanë pështjelluar mendjet e shqiptarëve pas vitit 1990. Sigurisht që rishikimi i kësaj periudhe historike është i nevojshëm, por duhet të kryhet nga institucione të mirëfillta shkencore dhe jo nga zgjatimet e grupeve të interesit apo individëve të caktuar, të strukur nën petkun e një pseudo-akademizmi të siguruar me qoka e mandate, madje edhe parlamentare. Sa më sipër, prishja dhe tjetërsimi i institucioneve dhe hallkave shkencore në këto 28 vitet e fundit, që deri në vitin 1990 merreshin me trajtimin shkencor të së kaluarës, tregon më së paku një përpjekje për të manipuluar kujtesën historike ndaj luftës Antifashiste, ku qartazi vendosen në rolin e viktimave ish-bashkëpunëtorë të Nazifashizmit. I vetmi argument që përdoret është antikomunizmi i tyre, i cili jo vetëm që duhet të trajtohet rast pas rasti, por po ashtu nuk mund të jetë vlerë përgjithësuese që zeron çdo mëkat, gabim apo krim që kanë kryer krah pushtuesit ndaj historisë së kombit dhe bashkatdhetarëve të tyre. Pa dashur të krijojmë ndonjë përshtypje të gabuar, në këtë luftë ka edhe viktima dhe, për këtë nuk mund të mjaftohemi me argumentin se kështu e ka lufta, por duhet që të gjitha rastet të evidentohen dhe të trajtohen me paanshmëri. Sikurse është e nevojshme që, me të njëjtin kujdes historik dhe shkencor të vlerësohet edhe pala tjetër që doli fitimtare nga lufta, gjatë së cilës dhe në emër të cilës janë bëre edhe vrasje dhe spastrime, personale dhe politike. Gjithsesi, këto fenomene nuk mund të përgjithësohen dhe nuk ja ulin aspak vlerën natyrës antifashiste të saj. Dhe këtë trajtim e bëjnë vetëm institucionet, siç do të ishte për shembull Instituti i Studimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por si shfaqet përvoja jonë në këtë fushë? Fill pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, u krijua dega e Historisë Ushtarake, që shpesh njihej edhe me emrin Zyra e Historisë Ushtarake. Misioni i saj ishte gjetja, grumbullimi, skedimi dhe botimi i dokumenteve historike, sidomos për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri 1939-1944. Kjo Zyrë u mbyll shpejt nga fillimi i viteve 1950. Në vitin 1953 u përfshi në programet mësimore të Shkollës së Oficerëve lënda e Historisë Ushtarake. Dhjetë vite më vonë, në vitin 1963, kjo lëndë hyri dhe u bë pjesë e programit mësimor në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu“, paraardhësja e Akademisë së Forcave të Armatosura. Kjo lëndë ishte pjesë e katedrës së zbulimit dhe ushtrive të huaja. Në vitet 1970-1986, në Akademinë e Mbrojtjes u përurua dhe funksionoi Sektori i Studimeve të Shkencave Ushtarake. Pjesë e rëndësishme e saj ishte edhe Dega e Historisë së Artit Ushtarak me dy ndarje, a) nga Lashtësia deri në vitin 1939 dhe b) Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1945. Në to punonin afro 15 punonjës shkencorë/ pedagogë, të cilët merreshin me studime të mirëfillta shkencore, natyrisht me kufizimet e asaj periudhe për shkencat historike në përgjithësi dhe atë ushtarake në veçanti. Puna e tyre u karakterizua në veprat „Historia e artit ushtarak të popullit shqiptar në LANÇ 1939-1944“, botuar në vitin 1989dhe „Historia e Artit Ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939“, botuar në vitin 2001. Ky sektor u mbyll në vitin 1986 dhe u fuqizua Katedra e Historisë së Artit Ushtarak, e cila kishte 7 anëtarë dhe merrej me mësimdhënien e kësaj lënde. Afro 70% të vëllimit të punës së kësaj Katedre e zinte puna kërkimore-shkencore. Përmasat dhe misionin e saj Katedra e ruajti deri në vitin 1992, kur nisi shkurtimi dhe reformimi i Ushtrisë Shqiptare. Aty nga fundi i vitit 1993, Katedra e deriatëhershme u zvogëlua në 4 vetë. Në vitet 1996-1999 efektivi i saj ra në 3 vetë dhe u quajt Dega e Historisë Ushtarake, e cila u mor me studimin dhe evidentimin e historisë së ushtrive shqiptare në vitet 1912-1939. Në përfundim të vitit 2000, Dega botoi librin “Historia e Ushtrisë Shqiptare 1912-1939“, pjesa e parë. Në dhjetor 2004, kjo Degë u shpërnda plotësisht. Prej vitit 2006 ajo u rikrijua me tre anëtarë në Akademinë e  Mbrojtjes “Spiro Moisiu” dhe qysh prej kësaj kohe ka ruajtur pak a shumë këtë strukturë dhe këtë mision. Siç shohim më sipër, deri në vitin 1990 studimi i Luftës Antifashiste, si një pjesë e rëndësishme e Historisë Ushtarake të popullit shqiptar, shfaqet në një formë të konsoliduar institucionale, ndërkohë që me ardhjen e ndryshimeve demokratike, në pikëpamje të përmbushjes së misionit, kjo strukturë është pothuajse jo ekzistente. Theksuam vetëm historinë ushtarake, si një aspekt të rëndësishëm të Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe reformat e ndërmarra në institucionet e tjera, siç është Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë etj. të cilët janë përgjegjës kryesorë për shkrimin e historisë kombëtare, janë tjetërsuar dhe luftojnë për ekzistencën e tyre, si në pikëpamje strukturore, financiare por edhe shkencore. Parë në këtë këndvështrim, por nisur edhe nga përvojat botërore, tani më vonë se kurrë, duhet që qeveria të hartojë një ligj për ngritjen e një instituti për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në varësinë e Kuvendit të Republikës, me një mision dhe status të qartë shkencor. Nëse është krijuar një institut për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në periudhën 1944-1990, i cili varet nga Kuvendi dhe raporton çdo vit para tij, përse nuk duhet të ngrihet edhe një institucion i tillë, i cili të ketë në misionin e tij studimin e LANÇ-it? Përveç studimit në mënyrë objektive të kësaj periudhe të rëndësishme në aspektin e së shkuarës, ngritja dhe produkti shkencor i studimeve të antifashizmit shqiptar si pjesë e atij botëror, që do të ketë ky institucion, i shërben edhe edukimit qytetar dhe brezit të ri, sidomos në një kohë kur në Europë po vërehet një gjallërim i vrullshëm i ekstremizmit të djathtë, përfaqësuar nga parti me ngjyra të theksuara Neofashiste e Neonaziste. Për hir së vërtetës,në një projekt të tillë u punua para disa vitesh nga deputetja e Partisë Socialiste, znj. Xhaçka, por puna mbeti në kuadër të një projekti dhe nuk pati zhvillime të mëtejshme. Ndoshta do të ishte mirë që ky projekt të nxirrej përsëri nga sirtari

 

 

 

Please follow and like us: