Shahriar Kia: Regjimi iranian po mbetet pa rrugëzgjidhje
Presidenti iranian Hassan Rouhani deklaroi më pas se vendi do të tërhiqej pjesërisht nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) dhe se do të rifillonte pasurimin e uraniumit në nivele shumë më të larta se ç’lejon marrëveshja.
Ka më shumë se një javë që dy vendet shkëmbejnë paralajmërime ndaj njëri-tjetrit dhe Pentagoni ka shpallur se do të shtohen armatimet në rajon për shkak të kërcënimeve ndaj trupave amerikane. USS Abraham Lincoln, e cila është parë duke lëvizur përmes Kanalit të Suezit, është përshkruar nga kreu i forcës ajrore të IRGC-së si një “shënjestër” e jo si kërcënim. Aeroplanmbajtëses po i bashkohet anija amfibe USS Arlington dhe një batera raketash Patriot.
Ditët e fundit, Arabia Saudite ka raportuar se stacionet e pompimit të naftës në mbretëri janë goditur nga drone me eksplozivë, në një akt që sauditët e kanë përshkruar si terrorist. Pak para kësaj, një numër cisternash saudite nafte ishin sulmuar në vijën bregdetare të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Vlerësimet fillestare nga Shtetet e Bashkuara tregojnë se prapa sulmit mbi cisternat saudite të naftës qëndron Irani, me shumë mundësi me anë të proksive të tij.
Analistët paralajmërojnë se tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të ndezin një konflikt ushtarak, pavarësisht se Presidenti Trump ka thënë se nuk është kjo mënyra se si dëshiron të vazhdojë. Ai ka shpjeguar se qëllimi nuk është të jetë në konflikt me Iranin, por Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura për çdo eventualitet.
Edhe për Iranin, një konflikt ushtarak do të ishte shkatërrimtar. Regjimi iranian e ka të pamundur ta përballojë luftën, sidomos me një ushtri të sofistikuar si ajo e SHBA-së.
Regjimi është nën një presion të madh ekonomik dhe gjendet në pozicionin më të pasigurtë në të cilin ka qenë ndonjëherë në katër dekada. Presidenti Rouhani madje e ka pranuar se as lufta Iran-Irak nuk ka qenë kaq e keqe sa kushtet aktuale.
Mbijetesa e regjimit varet nga ambiciet e tij bërthamore e raketore, por është pikërisht kjo ajo që mund ta çojë vendin drejt një konflikti ushtarak. Një konflikt të cilit regjimi thjesht nuk mund t’i mbijetojë.
Po përpiqet të duket sikur është në pozicion avantazhi duke u dhënë ultimatume europianëve lidhur me sanksionet amerikane dhe tërheqjen nga pakti bërthamor. Megjithatë, regjimi nuk është aspak në pozicion avantazhi dhe duket se nuk ka shumë zyrtarë europianë që të pranojnë t’i japin Iranit atë që do.
SHBA nuk ka interes ta paqësojë regjimin iranian dhe po ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi të. Populli i Iranit po i bën gjithashtu presion regjimit nga brenda dhe është i vendosur që ta bëjë regjimin të rrëzohet. Shtimi i presionit ekonomik dhe të brendshëm do të garantojë rrëzimin e regjimit para se konflikti ushtarak të bëhet realitet.