Tre shenjtorët e Kaninës
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Në rrjedhën e historisë kanë mbetur shumë personazhe të hershëm dhe historik në harresë, shumë ngjarje dhe histori, të cilat pavarësisht harresës dhe pamundësisë për t’i njohur vazhdojnë të jenë të rëndësishme për ta vënë historinë shqiptare në vendin e saj, pavarësisht fushës që i përkasin, dhe mesazhit që përcjellin. Shqiptarët duke qenë në qendrën e zhvillimeve kulturologjike, qytetëruese dhe të dijeve të gjithësishme, afër qytetërimit antik, madje brenda tij, kanë sjellë për shoqërinë dhe prerjet qytetëruese figura emblematike dhe të përbotshme, që nga heroi i lashtësisë Bato deri te Shenjtorja Nënë Tereza, pa harruar papatët, si asnjë popull tjetër në hierarkinë e Vatikanit.
Ata janë dhe kanë mbetur figura madhore, figura të çmuara, të cilët kanë vënë gurë të fortë në qytetërimin ballkanik dhe atë evropian, në dijen dhe humanizmin njerëzor, bashkë me të cilët dhe rreth tyre, janë bërë prezent dhe shumë figura të tjera, qofshin burra, qofshin gra. Natyrisht, shqiptarët në të gjithë vijimësinë e tyre historike kanë qenë në marrëdhënie komplekse, për shkak të gjeopolitikës në të cilën është gjendur atdheu i tyre dhe gadishulli i vjetër, i cili ka qenë lakmi e të gjitha fuqive të kohërave, kështu që histori të shumta shfaqen ndër shqiptarë, ashtu si dhe personalitete të spikatur, të cilat duhet vullnet, dëshirë, hulumtim dhe dashamirësi për t’i shfaqur para kulturës botërore dhe asaj kombëtare në vlerën e vet.
Në harresën e dhimbshme vazhdojnë të mbeten akoma tre shenjtoret e Kaninës, një nga qendrat më të rëndësishme që në kohët e hershme, ku zhvillimet politike evropiane Lindore dhe ato Perëndimore pleksen në mënyrë të çuditshme, duke e kthyer dhe vetë Kaninën në një qytezë të rëndësishme, ku spikati kultura, dija, diplomacia, kultura e besimit, njerëzit e spikatur me vokacion kombëtar dhe ndërkombëtar. Duke qenë gjithashtu edhe një nga qytetet e Jugut të vendit, Kanina ishte një nga qendrat e vilajetit, me lidhje të forta në Perëndim, në Itali apo Francë, Gjermani, por edhe në Lindje. Në këtë qytet spikat aktiviteti politik i dy figurave të njohura Gjergj Arianiti Komneni dhe Ali Pashë Tepelena, por nga ky vend vërtet i çuditshëm me fakte dhe ngjarje interesante të pazhbëshme dolën dhe i rezistuan kohës edhe tre shenjtorë si: Shen Lefteri, Shën Danakti dhe Shën Angjelina.
Shën Lefteri: Shën Lefterin e hirotonisi kryeprifti i Romës që në moshë të re, që në vetvete përbënte edhe një përjashtim, pastaj në dhjak dhe që shumë shpejt ai mori dhe dy gradat e rëndësishme të priftërisë. Por vëmendja, intuita dhe prekja e shenjave të një shenjti nga kryeprifti roman nuk qe e pavend dhe e pavërtetë, Shën Lefteri ishte “prekur nga shenjat e Perëndisë, të cilat e ndihmuan dhe e ngritën atë lart gjatë torturave, për të përcjellë te të gjithë gatishmërinë edhe thirrjen e Krishterimit. Shën Lefteri para se të ishte i tillë qe një martir, asnjë torturë, asnjë presion, asnjë provë e vështirë nuk arritën ta shuajnë dëshirën e martirizimit të tillë për nevojën e hyjnisë, Krishtit. Krishti ishte brenda tij si mbijetë, si vullnet gjithësie, si nevojë dhe si një padurim, një gjithësie e padukshme, por e ndjeshme dhe e prekshme prej tij, që e bëri Shën Lefterin të mos mposhtet nga egërsirat, luanët dhe torturat, të cilit iu kërkua të distancohej nga shenjtëria e Krishtit, nga Krishti si sublime I sakrificave për njerëzimin dhe të ardhmen e tij.
Shën Lefteri ka lindur në Romë, rreth gjysmës së dytë të shekullit të II-të pas Krishtit. Vinte nga një familje bujare dhe e pasur e Kaninës së Vlorës. Tregojnë se e ëma e tij, Anthia, ishte mësuar me besimin e krishterë nga nxënësit dhe apostujt e Pavlit. Ndërsa babi i tij qe një njeri me pozitë për kohën, por jetoi pak mbas lindjes së Lefterit. Në këto rrethana a e ëma, sapo i biri u rrit, e dha te kryeprifti i Romës Aniqiti, për ta përgatitur për besim. Te Lefteri spikatnin cilësitë të jashtëzakonshme, të cilat kryeprifti i kuptoi menjëherë, kështu ai mendoi ta bënte klerik djaloshin. Ndaj, Lefterin, në moshën 15-vjeçare hiristinoset si dhjak, në moshën 17-vjeçare bëhet prift dhe në moshën 20-vjeçare bëhet Episkopi i Ilirisë.
Gjatë kësaj kohe mbretëronte Antonini Pios, një luftues i krishterimit. Në këto kushte ai kishte vendosur ta vriste Lefterin si një nga përhapësit dhe predikuesit e Krishterimit. Tregohet se Antonini Pios dërgoi një udhëheqës ushtarak, Filiqi, për të kapur shenj Lefterin. Rrethon kishën ku predikonte shenjti, dhe ndërsa hyn në kishë me një shikim të egër, duke dëgjuar zërin e ëmbël të shenjt Lefterit gjatë predikimit, ai mrekullohet, duke u bërë nxënës. Filiqi mohoi pasurinë, i ra në këmbë shenjtit dhe filloi të besojë te Krishti. Pasii bëri katekizmin, shenjti e mësoi atë në besim, por për të mos e rrezikuar, e çoi te mbreti, për të mos humbur kurorën e martirit. Lefteri shkoi vetë me të për t’i plotësuar detyrën që i kishin dhënë. Gjatë rrugës gjetën një burim, dhe Filiqi kërkoi ta pagëzonte. Kështu ndodhi. Shenjti e rilindi atë me pagëzimin hyjnor.
Kur arritën në Romë, Filiqi u bashkua me të krishterët, ndërsa shenjti vajti te perandori. Perandori u befasua para mrekullisë që iu shfaq para syve. Ai iu drejtua atij kështu:”Lefter, pse e le besimin e të parëve të tu, për të besuar te një njeri që vdiq, me një vdekje poshtëruese? Shenjti Lefter heshti. Nuk u përgjigj. Ajo ishte një pyetje që nuk ia vlente për t’iu përgjigjur. Pas këmbënguljes me një lloj ëmbëlsie të perandorit, Lefteri iu përgjigj: “Si mund t’u falem perëndive të pashpirta? Më vjen keq edhe për ju që i faleni këtyre perëndive. Perëndia ju dha logjikën dhe ju u bëtë më të pamend sesa drurët dhe gurët, të cilat i kujtoni se janë perëndi. Ju latë perëndinë e vërtetë dhe u faleni idhujve! Unë adhuroj Zotin tim, ai është Krishti. Çmimet që po më premton dhe torturat që më presin janë lodra. Unë mohova botën dhe u kryqëzova si Pavli. Pra vdekja në këtë rast është lavdi dhe gëzim!
Perandori u zemërua shumë. Ai urdhëroi që shenjtin Lefter ta digjnin në një krevat të hekurt, të nxehtë mbi zjarr. Në këtë rast mbretit iu kërkua se nuk duhej ta humbiste një njeri fisnik, të urtë dhe me lavdi, pasi ai nuk ishte as keqbërës dhe as i pandershëm. Pas një farë kohe, duke menduar se shenjti kishte vdekur, mbreti urdhëroi ta nxirrnin nga vendi ku ishte hedhur në krevatin e nxehtë dhe të hekurt. Shenj Lefteri u ngrit pa pësuar asgjë, ndërkohë psali: “I lartësuar je, o Perëndia im, mbreti im, dhe bekuar emri Yt në jetë të jetëve!” (Ps.144) Pas kësaj iu drejtua mbretit: “Më shiko tani, o mbret, që kujtove se u bëra shkrumb. Shih, se nuk më preku fare zjarri. Kuptoje pra fuqinë e Perëndisë time, të vetmes perëndi të vërtetë dhe dobësinë e idhujve të tu”.
Mbreti u zemërua dhe mendoi se shenjti e ofendoi atë me çfarë ai i shprehu. Ai urdhëroi që shenjtin ta vendosnin në një skarë, dhe nga lart t’i hidhnin vaj, që ai të ndizej. Sapo shenjti u shtri mbi skarë, zjarri u shua dhe skara u bë e ftohtë. Mbreti Antonini nuk e përballoi zemërimin dhe egërsinë e tij në këtë rast. Ai urdhëroi që ta hidhnin shenjtin në një kazan lyre, dylli dhe sere bashkë dhe ta zienin martirin bashkë me këtë masë. Kur kazani ishte ngrohur, mbreti gjakësor dhe i lig iu drejtua shenjtit Lefter: “Lefter, gjendesh mes jetës dhe vdekjes. Kujdesu për të mirën tënde. Unë nuk dua ta humbasësh jetën për një zemërim. Unë e çmoj bujarinë dhe mirësinë tënde!”
Shenjti i thoshte se qe e pamundur ta shkëpuste atë nga besimi i tij. Kështu, e hodhën përfundimisht në kazan, por zjarri u bë vesë nga hiri i shenjtit dhe martiri i pacenuar lavdëronte Zotin.
Në librat “Jetë shenjtorësh” 1937 dhe “Martirët e Krishterimit” se, pranë nënës së tij, Anthia, në çastin e vdekjes së tij rrëfehet: “Sa besimtarë u gjendën aty nga Vlora, morën trupin e shenjtë dhe e varrosën me nderime”. Pas pesë ditësh, në Romë u sosën edhe 40 burra nga Vlora deh Kanina, për të nderuar martirin Lefter, dita e të cilit kremtohet më 15 dhjetor.
Shën Danakti: Në anën tjetër të Kanalit të Otrantos, në Salento, një famulli, një kishë, një altar dhe sheshi i vendit kanë emrin enjë shenjti, të quajtur Shën Danakti, i cili është një martir i krishterimit me origjinë nga Vlora. Një vend i vogël, me rreth 5000 banorë i është dedikuar Shën Danaktit, i cili është dhe pajtor, që kujtohet vazhdimisht në datën 16 janar të çdo viti, si mbrojtës dhe që përsëritet në verë , të dielën e parë të gushtit, një festë nëntëditore, me një meshë kremtore që ka brenda saj një program të rregullt, panegjerik mbi jetën e shën Danaktit, e që arrin kulmin e saj me procesionin e shtatores së Shën Danaktit nëpër rrugët e vendit dedikuar atij.
Në këtë rast formohet një kortezh, i cili shoqërohet nga një bandë muzikore dhe që përfundon me një spektakël, një lloj kremtimi dritash të sajuara nga fishekzjarrë. Sheshi i qytetit merr një ngjyresë të veçantë kremtimi dhe gjallërie, nga pjesëmarrja e njerëzve, të cilët qëndrojnë në shesh deri vonë në mesnatë. Në këtë ditë të shënuar, e trashëguar prej kohësh, ka krijuar traditën e kthimit të larguarve nga emigracioni, për të kremtuar ditën dhe javën e Danaktit, i cili njihet me emrin Dana, këtij shenjti papnor. Fshati Dana është në jug të provincës së Leçes dhe njihet me emrin Shën Dana, që është në pikën ekstreme të Salentos, përballë në bregun tjetër ku gjendet qyteti i Vlorës.
Shën Dana është pjesë e komunës së Galiano del Capo, me mbi 5000 banorë, pronë e vjetër e familjes së Kastriotëve, dhuruar në vitin 1489 Andronika Kastriotit, vejushës së Skënderbeut. Danakti i përkiste si lektor Kishës së Vlorës. Ai është bërë i njohur për një akt të çuditshëm sakrifikimi, pasi u përpoq që të shpëtonte enët e shenjta të Kishës, gjatë një persekutimi të dhunshëm, në një epokë të trazuar, që daton kohën, mes fundit të shekullit III dhe fillimit të shekullit në vijim, që njihet si periudha e pereskutimeve romake. Tregohet se grupe paganësh (njerëz pa besim), të cilët u rezistonin besimeve të idhujtarisë, kishin ardhur në qytetin e Vlorës për të plaçkitur vendet e shenjta dhe persekutonin njerëz të krishterë. Në këto rrethana Danakti kërkoi strehim në një vend të sigurt, rreth 5 milja larg qytetit të Vlorës duke kapërcyer detin.
Sapo arrihet nga paganët, i kërkohet atij t’i flijojë perëndisë “Bako” (krijues i pijes së verës). Danakti pa hezitim, i bindur në besimin e tij , e përballoi flinë e martirizmit si forma më e lartë dhe më sublime e Krishtit. Trupi i tij qe shqyer dhe qe hedhur në det. Në Shqipëri Dana quhet Danakt, ndërsa në Greqi quhet Danax. Në lokalitetet të caktuara të Greqisë Shenjti Danakt është nderuar si pajtor i lektorëve dhe ministrantëve. Tradita salentine, thotë se martirizimi i Shenjtit i atribuohet pushtimeve saraçene të shekujve IX-X. Ka shumë të ngjarë që Shenjt Danakti i Vlorës të ketë shërbyer si xhakon te Shenjtorja e famshme e Shenjtes Maria të Leuka-s. Ai u përpoq t’i shmangej një sulmi të saraçenëve, për të mbrojtur enët e shenjta të kishës duke shkuar në drejtim të Montesardo-s, por u kap prej tyre dhe u vra që të mos mohonte Krishtin.
Në këtë vend, ku ai u vra, është ngritur një fshat i vogël, që mban emrin e tij. Ai nderohet gjithmonë si Shenjti i Eukaristisë, pasi flijoi vetveten për të shmangur profaninë e osteve të shuguruara. Në ikonografinë e vendit ka një dedikim, për të, ku ai mban me devotshmëri enën me ostet e shuguruara. Në të vërtetë, Shën Danakti është një shenjt i Vlorës dhe i përket Kishës Lindore. Salento dhe Shqipëria vareshin prej kishës së Lindjes dhe ishin territor antik i Perandorisë Bizantine. Dioqeza e Salentos varej nga Patriarkati i Konstandinopojës. Shkurtimisht kjo është historia e Shën Danaktit, shenjtit të Vlorës, i cili i përket sakrifica dhe martirizimi për Krishtin. Historiografia shqiptare duhet të punojë akoma më shumë për ta pasuruar figurën e tij emblematike.
Kremtimet për Shën Danaktin kanë lënë gjurmët e tyre ndër banorët e Kaninës dhe të Vlorës, për të cilët përgjatë shekujve XIX-XX kanë organizuar manifestime, duke hedhur lule e copa kulaçi për shpirt të tij në det, në Ujët e Ftohtë. Në një kronikë të botuar në revistën “Shejzat” të Romës, 1969, f. 10-12, shënohet: “Fan S. Noli, i zgjedhur deputet në Dhomën e parë të Shqipërisë në pranverën e 1921, zbret në Vlorë, ën Bethelemin ideal të Shqipërisë, vendin e lindjes së Shën Danaktit vlonjat të mrekullive. Këtu, peshkopi që nuk ishte deklaruar kanonik, i pasuar prej një vargu të gjatë djemsh të rinj orthodoksë, që ndjekin shembullin e atyre të Amerikës, hap portat e kishës së Shën Vllasit dhe meshon e predikon në gjuhën shqipe. Pastaj Noli shkon në Korçën lule…”.
Shën Angjelina: Do të duhen akoma hulumtime dhe gjurmime të historiografisë, për ta krijuar të plotë kronikën e familjes së Gjergj Arianitit Komnenit, e cila zë një vend të rëndësishëm në gjithë historinë shqiptare para kohës së Skënderbeut edhe gjatë kohës së drejtimit të vendit prej tij. Jo vetëm pse Arianiti kishte miqësi, i kishte dhënë të bijën Skënderbeut për bashkëshorte, por kjo familje kishte lidhje jashtëzakonisht të gjera dhe të rëndësishme me të gjitha kancelaritë e kohës, me familjet e njohura shqiptare dhe mbretëritë e Ballkanit, Italisë e deri në Francë.
Me të drejtë historiografia e ka konsideruar gjak blu gjenin famijar të Arianitëve, e cila konsiderohej se kishte marrë gjak me perandorët e Bizantit, dhe që rridhte nga dinastia e Komnenëve-Alexo I Comneno, perandor 1081,1118. Në këtë taban të gjerë familjar, miqësish dhe rrënjë gjaku të hershëm ishte edhe shenjtorja Angjelina Arianiti, e cila u martua me një fisnik serb, djalin e despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçin, i verbuar nga turqit. Angjelina Komneni tregoi se kishte një shpirt të madh human, me një origjinë të hershme nga një familje bujare, që në situatën që iu krijua pas vdekjes së bashkëshortit u bë murgeshë ortodokse, duke iu përkushtuar Zotit dhe Jezu Krishtit.
Historia e Angjelinë Arianitit (Komnenit) është interesante dhe ka në vetvete një jetë të vështirë, jo vetëm për rrethanat e saja por edhe të kohës. Angjelina u bë murgeshë në një manastir hungarez, i cili ishte futur në një zonë të zotërimit serb, pasi sot tokat e Krushedolit i takojnë Serbisë. Angjelina iu kushtua Zotit, duke i dhënë Kishës Ortodokse dhe të varfërve të gjithë pasurinë e saj, kështu që kisha serbe e shpalli shenjtore, që shënon kohën e hershme rreth 500 vjet më parë. Në këtë histori nuk duhet harruar, se shqiptarët dhe serbët bashkë, në vitin 1389 kishin qenë bashkë në koalicionin ballkanik të luftës së Fushë – Kosovës kundër Perandorisë Otomane. Në këtë rast ka vërtet një gjest hyjnorë, një gjest fisnikërie, pasi shenjtorja Angjelinë është respektuar dhe vazhdon të respektohet nga kisha serbe pavarësisht ngarkesat dhe problemet historike mes shqiptarëve dhe serbëve. Shenjtorja respektohet kudo në botë, siç respektohen shenjtët në përgjithësi, pavarësisht ç’gjuhe i përkasin dhe ç’gjuhë flasin, lutjet e tyre në drejtim të Zotit dhe Jezu Krishtit janë të njëjta. Ky është një kod vlerësimi dhe respekti që institucionet e besimit kanë vendosur dhe kanë respektuar edhe në këtë rast.
Në të vërtetë, në kushtet që u krijuan, por edhe të origjinës dhe lidhjeve të gjera familjare të shenjtores Angjelinë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ajo rridhte nga një familje bujare e Komnenëve, me lidhje të forta miqësie dhe gjaku me dinastitë dhe familjet e shumta bujare shqiptare, ballkanike dhe më gjerë. E motra, Andronika qe martuar me Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), i cili u vu me zemër dhe me shpatë në dorë në shërbim krishterimit, e për këtë u nderua nga Europa si “Atleti i Krishterimit”, ndërsa Angjelina, një bijë e derës së Arianitëve iu blatua Krishterimit me shpirt dhe me pasuri, për t’u shpallur nga kisha shenjtore. Në të dy rastet aktiviteti njerëzorë dhe human, qoftë i Arianitëve, qoftë i Kastriotëve ishte për fe dhe atdhe.
Familja Arianiti kishte zotërime nga Vlora deri në liqenin e Ohrit, historia e të cilës fillon që nga Komnen Arianiti, ku njëri nga katër fëmijët e tij ishte edhe Gjergj Arianiti, një familje që krijoi lidhje dhe miqësi të shumta që nga Veriu në Jug, brenda dhe jashtë vendit. Angjelina ishte një nga fëmijët e shumtë që Gjergj Arianit kishte me gruan e parë, të cilët njihen që nga Andronika (gruaja e Skënderbeut), Vojsava, Thomai, Kyrana, Elena, Dhespina, Comita, Katerina dhe fëmijët që ai kishte me gruan e dytë Konstandini, Marija, Teodora dhe Komnen Arianiti.
Shenjtora Angjelinë mendohet se ka lindur në zotërimet e familjes Arianiti, por mjaft interesante dhe domethënëse është njohja e saj me të birin e despotit të Serbisë Gjergj Brankoviçin e verbër, vëllai më i vogël i Mbretit Llazar II Bankoviçi, cili bashkë me familjen u strehuan te Gjergj Arianit, për t’i shpëtuar përndjekjes nga forcat turke, të cilat e kishin verbuar të birin e despotit serb. Tregohet se Stefan Brankoviçin e zunë rob në Amasi, në Azinë e Vogël. Në familjen e Arianitëve, Brankoviçët u pritën si miq të shtëpisë në oborrin e princit të njohur të Arbërisë. Nga njohja në oborrin e Arianitëve mes Angjelinës dhe Stefanit të verbër e pranuan të dyja familjet dhe në martesën e tyre çifti u bekua me djem Gjergjin (Maksim) dhe Joanin, të cilët për t’i shpëtuar persekutimit otoman, sapo u rritën, familja i dërgoi në Itali.
Në vitin 1492, Angjelina me familjen u vendosën në Venedik, pastaj në afërsi të Udinës. Ajo u mbështet me ndihma financiare nga Papa, Donika Kastrioti, Duka i Milanos, Republika e Venedikut dhe Republika e Raguzës. Sipas dokumenteve të Vatikanit dhe Venedikut, më 1496, ajo, bashkë me djemtë, i dërgoi ndihma vjetore Manastirit të Hilandarit në Greqi, të cilin e kishte themeluar Reposhi, vëllai i Skënderbeut.
Angjelinë Komneni ka qëndruar ca kohë edhe në Itali bashkë me djemtë e saj, por qe e detyruar të largohej (1486) bashkë me djemtë, për të ndaluar në Serbi për të varrosur eshtrat e të shoqit në vendlindje, të cilat i kishte bartur më vete. Vdekja e të shoqit krijoi një situatë tjetër për Angjelinën. Ajo në vitin 1471 vendoset në Srem, ku mbreti i Hungarisë i jep në pronësi qytetin e Kupinovës. Në këtë rast brenda saj ishte shfaqur një vendim i madh. Ajo i shkruan kështu Princit të madh, Vasil III të Moskës: “Pushtetit tonë po i vjen fundi, ndërsa juaji sa vjen e rritet. Prandaj edhe të marrësh përsipër detyrën tonë për t’u përkujdesur e ndihmuar kishat dhe manastiret e shenjta, të ngritura prej të parëve tuaj të përshpirtshëm, si edhe të mitë”.
Princi Vasil i dhuroi pasuri Shën Angjelinës, pasuri që ajo e përdori për të ndërtuar Lavrën e Krushedolit, ku u vendos më vonë edhe lipsani i saj së bashku me atë të të shoqit të saj dhe të dy bijve të tyre Maksimit dhe princit Gjon. Angjelinë Arianiti (Komneni) pas vdekjes së të shoqit u bë murgeshë në Krushedol dhe vdiq si murgeshë. Djali i madh i saj Gjergji (Maksimi) nuk pranoi të bëhej despot, por ia lejoi të vëllait Gjonit, që ia propozoi mbreti hungarez Matija Korvini. Edhe Gjergji u bë murg dhe mori emrin Maksim.
Ndërkohë tregohet se në vitin 1716 kur turqit iu vunë zjarrin kishave dhe manastireve, murgeshat arritën të shpëtonin vetëm një pjesë të lipsanit të Shën Angjelinës – dorën e djathtë, që akoma ruhet në arkën e kishës së Manastirit të Krushedolit. Shën Angjelina u shenjtërua nga kisha ortodokse dhe ajo gëzon nderim të plotë dhe sot nga të krishterët në Krushedol e gjetkë, pavarësisht se është bijë shqiptare nga familja e njohur të Arianitëve. Shën Angjelina vdiq më 20 korrik 1520 dhe u varros në Manastirin e Krueshedolit, ku gjendet edhe lipsani i saj. Ky manastir është një qendër e rëndësishme pelegrinazhi nga vizitorët dhe turistët e Europës.