“Humanum Est”- Rozafa Shpuza dhe Edmond Kaceli, dy fotografë në Asti, Itali
Këto ditë në Asti, qytetin verior të Rajonit të Piemontes në Itali, pranë Qendrës Kulturale San Secondo, u inagurua ekspozita fotografike “ Humanum Est”, i dy autorëve shqipëtarë.
Ekspozita u organizua nga shoqata “Alb art”, në kujdesin e kurueses së ekspozitës, poetes Sabina Darova, e cila prej vitesh punon për të promovuar artistët shqiptarë kudo që ndodhen, e në mënyrë të veçantë, artin pamor.
Rozafa Shpuza u përqas për herë të dytë me punimet e saja në bardhë e zi po në këtë qytet. Ndërsa Edmond Kaceli, jeton së bashku me familjen e tij prej 20 vjetësh në qytetin e njohur për prodhimin e verës dhe çokollatave, në Alba. Jo rastësisht, të dy artistët janë edhe poetë: kanë personalitet te fortë dhe të thellë, si dhe nje frymëzim autentik të vërtetë. Veprat e tyre, edhe pse shumë të ndryshme, janë mbledhur nga ky vështrim i thellë ndaj realitetit dhe i paraqiten publikut me shumë besim. Fotografia e Rozafa Shpuzës mbërthen me shkrepjen e objektivit në kontrastin bardhë e zi, ngjyrat e emocioneve. I tregon ato nëpërmjet kujtimeve, nostalgjive dhe ndjenjave të thella njerëzore që i zbulon në rrugë, në të përditëshmen, me portrete që gërvishtin vemendjen, që të kapin për krahu e të urdhërojnë të ndalesh. Për Rozafa Shpuzën, fotografia është “një mundësi për të hyrë në thellësi të detajeve dhe të objekteve, të penetrojë në shpirtin e individëve dhe të përzgjedhë elementë të veçantë: karakterin, prerjen, hijen, dyzimin, thyerjen”. Të gjitha këto e shoqërojnë në botën e krijimit, aty ku ndihet e lirë për të fantazuar dhe perceptuar përtej të zakonshmes. Galeria e personazheve të saj nuk njeh limit: janë fëmijët, të moshuarit, të rinjtë, të dashuruarit, murgeshat etj, të cilët e tërheqin nga mënga për t’i thenë ne jemi këtu për ty.
Ndërsa galeria e fotografive të Edmond Kacelit paraqitet krejt ndryshe, ajo paraqet botën në të gjithë madhësinë e saj. Një shpërthim ngjyrash, të natyrës dhe faunës, pa kufi të cilat depërtojnë dhe mblidhen përsosshmërisht në objektivin e makinës së tij fotografike. Për Edmond Kacelin fotografia është shkrimi i një poezie me gjuhën e dritës. Një dashuri pa fund, një pasion i pashpjegueshëm. Kur shkruan dhe kur bën fotografi ndjehet krejt i lirë! Vizitorët e pranishëm ishin të shumtë si italianë ashtu edhe të komunitetit shqiptar të cilët kalojnë shifrën 5000 në këtë qyte,t prej 80 mijë banorësh. Përshtypjet dhe mbresat pozitive të lëna në fletoren e shënimeve kaluan parashikimet e organizuesve të ekspozitës. Dikush shkruan: “Ekspozitë kaq e bukur me foto, që të bëjnë të shohësh përtej fotos…” A mund të thuhet më shumë?