Brunilda Spiro: A ka gjë që mund të na çudisë akoma?
Ese
(Përse më duhet të iki përsëri?)
Maj ka qënë para dy vjetësh, si sot mbase, mbase jo. Nuk më kujtohet, por koha e jashtme pak rëndësi ka, ajo është thjesht një ditë në kalendar, për mua ka rëndësi koha e brendshme, ajo që na udhëheq në të vërtetë.
Ana, si e çuditur për fundin e botës, më pa dhe në buzë ju shfaq si pa dashje një nënqeshje, sikur donte të thoshte dicka tjetër, jo atë që i doli e materializuar me zë: “Ti nuk e ke lexuar Houellebecq”!
Pastaj më tërhoqi te një kafe-librari, e cila ishte shumë në modë kohët e fundit dhe nxitimthi, mes rafteve tërhoqi librin e tij dhe ma zgjati. “Merre po ta bëj dhuratë”.
Ula kokën të shoh kopertinën dhe duke patur një parandjenjë që aty do gjeja një pemë, pemën e saj të nimfës, shoh një bizele. Litota gjithmonë më ka intriguar, por këtë radhë më bëri të qesh dhe e qeshura ime bëri që nga buzët e saj të ikë nënqeshja, që siç do thoshte Houellebecq i saj, na është bërë si fiston natyral ne modernëve të dy shekujve të fundit.
Fatmirësisht të nesërmen do të shkoja në qytetin tim të lindjes dhe kisha kohë ta lexoja në autobus, sic bëj rëndom këto vite, edhe për të fituar kohë, edhe për të duruar gati katër orë rrugë. Mirë që ngrija kokën herë pas here, meqë autobusi tronditej dhe shihja fusha apo male të gjelbërta, apo edhe fytyrat e njerëzve, që atë ditë m’u dukën të bukura të gjitha. Në fund pasi e mbarova, se nuk ka shanse ta largoj nga dora pa e mbaruar librin, aq më tepër këtë libër, që nuk të lëshonte, isha bërë bishë.
-Të dh… Hollbekun tënd, po pse moj nuk kishte ditë tjetër të ma jepje këtë Big-Bekun, se ma hoqe trurin?
– Haahhaa, -akoma më kumbon në vesh e qeshura e saj, që kur të inatos, kënaqet si fëmijë…
Jam e sigurt që Ana që njoh nuk ishte çuditur aspak që nuk e kisha lexuar, sepse ajo nuk çuditet për asgjë, njësoj si të gjithë njerëzit e vërtetë të kësaj bote, të këtij shekulli…
Dikur po, njerëzimi mund të çuditej, jo vetëm nga dukuri, por edhe nga njerëz…
Tre njerëz e kanë çuditur dikur: Kopernikus i cili e zhvendosi Tokën nga qendra në një cep të gjithësisë, Darvwin që e zëvendësoi natyrën hyjnore të njerëzve me atë të majmunëve, ndërsa Freudi me teorinë e tij iu tregoi njerëzve se nuk ishin zot të trupit të tyre, sepse e pavetëdijshmja është shumë herë më dominante se vetëdija.
Jo më kot thuhet që e kanë çuditur dikur njerëzimin, sepse njeriu i sotëm, jo vetëm që nuk çuditet, por akoma nuk është bindur që Ne, jemi një cepi i gjithësisë që Ne jemi majmunë të qytetëruar dhe që Ne si paraardhësit tanë udhëhiqemi nga instiktet.
Unë pyes veten duke përshkruar dunat?
Ky është në të vërtetë një lajm jo i mirë, sepse nëse hedhim një sy edhe nxitimthi në libraritë tona, në çdo raft gjejmë libra-manuale, të cilët na tregojnë se si të jetojmë me veten, për veten, me lirinë brenda nesh, me vullnetin e mirë dhe idetë pozitive, që do na japin stabilitet dhe mirëqënie mendore. Ne njerëzit e sotëm jemi vërtet në hall, jetojmë mes një kaosi total, pasi edhe në përzgjedhjen e ideve apo teorive mbretëron kaosi. Disa nga këto teori në esencë kanë lirinë e individit ose idenë e Sartre se njeriu “është i dënuar” për “ të qënë i lirë”, por që në të vërtetë sikur t’i hapim sytë mirë dhe t’i hedhim brenda qenies sonë dhe asaj çfarë bëjmë, do vërejmë, që edhe sikur të çlirohemi nga shumë detyrime të jashtme: dëshirat, brengat dhe qëllimet mbeten në çdo çast jo të lira.
Si mund të jemi të lirë, kur të gjithë ecim sipas një programi social, luajmë rolin në shoqëri edhe kur e urrejmë atë rol, ndjekim skenare të parapërgatitura nga të tjerë para nesh, dhe gjoja na duket se vullneti ynë apo frymëzimi ynë na udhëheq. Kështu që i vetmi vullnet që ne kemi është të mësojmë të komandojmë ndjenjat tona, ose të shpresojmë që ndjenjat janë të afta për të mësuar. (Sipas disa studiuesve të trurit njerëzor).
Do be do be do
Si mund të jemi plotësisht të lirë, kur ne jemi gjithmonë në luftë mes të qënit dhe të bërit?
Individi nuk ka si të jetë plotësisht i lirë, kështu kundërshtoj fare thjesht mendimin më të thjeshtë të mikes sime, e cila shpesh më thotë që ne mund t’i largohemi dëshpërimit të të tjerëve, duke iu qëndruar larg. As këtë gjë kaq të thjeshtë në dukje ne nuk e realizojmë dot, pasi dëshpërimisht ne do mbetemi në luftën e të qënit me të bërin.
Houellebecq, që më vjen mirë ta quaj, beku i Anës, të zhvesh komplet nga poezia e jetës, të hedh fillikat në rrugë, të tmerron me pesimizmin dhe njëherësh frikë-realizmin e kohës sonë. Në atë kohë nuk kisha lexuar akoma bashkëatdhetarin e tij, Edgar Morin, me librin”Rruga për të ardhmen e njerëzimit” dhe u trondita me ‘ardhmëtarët’ e këtij Bekut, njerëz pa dashuri dhe dhembshuri, njerëz që në vend të fëmijës, do ia trashëgojnë paratë e tyre, qenit, i cili kur dy personazhet protagonistë, një femër dhe një mashkull të suksesshëm do ndahen në dy dhoma të një shtëpie gjigande, qeni pra, nuk do mërzitet për këtë, por do gëzohet, sepse ka një rrugë që do e përshkojë me gëzimin e kafshës- ‘fëmijë’. Sipas tij, nëse njeriu humb interesin fizik ndaj tjetrit, në këtë rast partnerit, bashkëshortit, humb edhe dhembshurinë…
-Ana, Beku yt, na duhet ne të ndjeshmëve të kësaj bote mizore, hahhaa, sa patetike u bëra, të na ulë me këmbë në tokë, kur shohim dashurinë, mirësinë dhe dhembshurinë aty ku nuk është.
-Hë, hhëë, ti më kënaq mua,- e dëgjon more, ti që adhuroj, e dëgjon?
-E dëgjoj,- Poko, sa i bukur që je! Qeni tundi bishtin dhe u kënaq që përshkonte rrugën mes ne të treve.
-Ana lexo, bashkëatdhetarin e tij, Edgar Morin, i cili jep alternativa për të shpëtuar: “Poezia e jetës është e vërteta më e thellë e reformës së jetës”.
Unë flas për veten duke përshkuar dunat?
Ajo nënqeshi përsëri “Shih veten”!
Ka të drejtë. Nëse thashë më lart se ndjenjat mësojnë, përse nuk i mësojmë të jemi të lumtur dhe të kënaqur, për atë çfarë kemi arritur? Më kujtohet mirë ajo ditë kur pas vitesh studimi dhe lodhje arrita të realizoj pasionin tim, studimet për letërsi dhe të punoja duke përcjellë atë pasion sadopak te të tjerët. Qysh në ‘mëngjesin’ e asaj dite isha plotësisht dakord me thënien e shkrimtarit rus, Leo Tolstoi, se lumturia përbëhet “jo nga ajo që ti do, por nga ajo që ti e do atë që bën”.
Unë nuk di nëse thënia e Tolstoit ju bind, apo pamundësia ime për të mos bërë atë që ndjej, ju duket absurde, por thënia e tij duket sikur është vërtet pranë asaj që ne e quajmë “kuptimi i jetës”. Çfarë na bën pra të ikim edhe kur e kemi dhe bëjmë atë që duam, kur kemi punuar fort për ta arritur, çfarë është kjo gjë që na detyron të nisim emigrimin ne shqiptarët edhe në moshë të mesme apo edhe të vonë, sikur jemi aventurierë të pandreqshëm?
Unë zhbiroj veten dhe jam dakord që brenda të pavetëdijshmes sonë, ne shqiptarët jemi emigrantë të përjetshëm, në pamundësi të reformimit të vetes dhe humbjes së shpresës të reformimit të atyre që kemi rrotull, të politikanëve dhe krejt vendit, ne, siç thotë bukur, profesor Artan Fuga në një shkrim të tij “… ne të gjithë, nëse do mundeshim të iknim, të gjithë do iknim, i fundit do shuante dritat e Komanit” ose diku tjetër e kish thënë “… i fundit që do ikte do fikte dritat e Fierzës”. Fillimisht kam qeshur me të madhe, pastaj m’u mbushën sytë me lot.
Gjithcka çfarë shkruante për arsyet pse ikin shqiptarët ishin të vërteta absolute, me aspak relativitet:
“Kombi po humbet forcën magnetike ndaj individit që i del nga orbita. Kjo është drama. Nuk ka struktura mbajtëse. E përzë toka e papunuar, sipërmarrjet që nuk punësojnë, atdhedashuria e zbehur, mosbesimi te politika, padrejtësitë, mosbesimi te fqinji, miku, prindi, jetesa dhe puna në një mjedis egoist dhe armiqësor, me kolegë servilë dhe drejtues shkolle të paaftë të drejtojnë me aftësi, por me ligësi, që e injorojnë të aftin nga zilia dhe smira, braktisja nga shërbimet sociale të shtetit, lënia në dorë të fatit, shëndetësia vdekjeprurëse, zhveshja nga kultura dhe traditat kombëtare që janë rrënjët e kombit, edhe kalatë ja rimori turku e i vu zjarr, nga Sula i lavdishëm, me ndihmën e ministrisë së kulturës, ikin si ikën çamët, hebrenjtë, nga pushtetarët, i ndjerë si qytetar i dorës së dytë përballë militantëve dhe klientelistëve, mërziten me Shqipërinë, ik, ik, ik, jo mo jo, nuk është varfëria thjesht jo…”.
Apo ne jemi të zgjuar më shumë se gjithkush dhe nuk rreshtim kurrë së kërkuari kuptimin e jetës, duke arritur në përfundimin që “kërkimi drejt kuptimit të jetës është më i rëndësishëm se gjetja e tij”. Sa patetike! Eh, Ana, ju Anat, seç keni diçka mistike?
A ka gjë që na çudit ne shqiptarëve akoma, apo vetë ikja është çudia jonë?
Maj 2017.