PËR DËSHMORIN E BrIIIS QË NUK U SHKRUA ASNJËHERË NË 75 VJET
(Në përvjetorin e dëshmorit të fshatit Selbë të Tiranës Musa Rexhep Hida)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Nënkolonel MSC Musa Qazim HIDA
Musa Rexhep Hida ishte nga një fshat që pakush e njeh edhe pse është pranë kryeqytetit. Fshati Selbë është farë pranë Tiranës, në lokalitetin e Shëngjergjit. Është fshat i shquar për urtësi e maturi. Ka njerëz të mirë e të dashur, që kanë mbështetur luftën për liri e pavarësi. Dashurinë për atdheun, për truallin arbëror e kanë pasur pa kushte. Selba ka pasur 120 shtëpi dhe kishte 30 partizanë gjatë LANÇ-it. Ky fshat ishte dhe mbeti çerdhe e lirisë dhe mbështetëse e fuqishme luftës Nacionalçlirimtare për ushqime e veshmbathje. Me traditat patriotike e luftarake dhe mikpritjen e rrallë u rritën djemtë e vajzat e fshatit që lindi, rriti dhe mëkoi luftëtarë atdhetar dhe antifashist.
Musa Rexhep Hida ishte lindur më 7.7.1922, në Selbë të Tiranës.
Familja e tij shquhej për patriotizmin dhe atdhedashurinë. Musai mori këtë emër për nder të luftëtarit me armë në dorë gjyshit të tij Musa Ali Hidës, i cili kishte qenë pjesë e formacioneve luftarake Austro-hungareze më 1915-1918 të Luftës së Parë Botërore, në zonën përreth Tiranës. Musai i parë pas LIB fitoi popullaritet të madh, ishte njeri shumë i besuar i zonës dhe kryeplak i fshatit. Në vitet e rënda të pushtimit fashist në Selbë jetonte Rexhep Hida me familjen e tij, i cili punonte e jetonte me punë bujqësore e blegtorale. Rexhepi dhe bashkëshortja Hanke gëzonin respektin e gjithë njerëzve në fshat e krahinë. Rexhepi dhe Hankja kishin shtatë fëmijë, pesë djem: Qazimi, Mexhiti, Ramazani, Musai, Aliu dhe dy vajza: Hamide dhe Selime. Familja e tij ishte e njohur dhe e respektuar në Selbë dhe në krahinë. Djali i katërt i Rexhepit, Musai sikurse edhe bashkëmoshatarët ndoqi disa klasë të fillores në vendlindje në Selbë, shkollë e cila ishte hapur rreth vitit 1915 dhe për arsye financiare shkolla u mbyll. Fëmijët e asaj kohe ju kthyen punëve të shtëpisë në fshat e në mal për të lehtësuar fukarallëkun e kohës. Vitet kaluan dhe Musai u rrit e burrërua, hodhi shtat dhe u bë djalosh i fuqishëm shpatullgjerë dhe muskuloz. Simpatizonte veprimtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Të rinj e të reja që shpërndanin trakte nëpër katunde për të sqaruar popullin për fashizmi dhe pse duhej luftuar. Kishte ardhur ora për çlirim e liri kombëtare. Në emër të atdhetarizmit duke pasur urrejtje për fashizmit, në vazhdim edhe të traditës, kur partizanët erdhën tek stani i tij në Malin e Kurorës pranë Selbës, Musai la kërrabën në kasolle dhe u bashkua me partizanët. Misioni për lirinë e atdheut ishte mbi gjithçka.
Partizanët e pajisën që në ditën e parë me pushkë e me pistoletë, duke i plotësuar ëndërrën e fëmijërisë, për të luftuar armikun. Vëllezërit dhe motrat e mbështetën fuqishëm. Ndihmonin partizanët me veshmbathje e ushqime. Tradita luftarake e familjes e shoqëroi në të gjithë luftimet. Ai u rrit, u burrërua më tej si dhe u shqua në luftimet e ashpra partizane. Në jetën e malit perfeksionoi edhe dijet e marra në shkollë. Ai luftoi në batalionin e tretë të BrIIIS, në Rrethinat e Tiranës, në Elbasan, në Korçë Përmet e Gjirokastër deri në Fushëbardhë. Njohu komandantë e komisar, bashkëluftëtarë nga e gjithë Shqipëria e Kosova. Luftoi edhe në Veri, në Dibër e Kokës e në të gjithë Kosovën deri në Mitrovicë e më tej. Musai 21 vjeçar në radhët partizane ishte qitës i i shkëlqyer dhe i apasionuar. Me formacionin e batalionit të tretë në BrIIIS partizane, shkroi histori suksesi dhe lavdi në luftimet brenda e jashtë vendit bashkë me shumë shokë partizanë si: Mexhit Doka, Myzafer Spaho, Selman Doka, Musa Tafani, Ramazan Beqiri, Musa Joca, Nexhip Selimi, Qamil Ceka, Mexhit Rrahmani, etj.
Nuk u tërhoq dhe pezmatua edhe kur ngeli eibllokuar në dëborë në rajonin e Tropojës, për nëntë ditë rresht skuadra partizane ku bënte pjesë edhe Musa Hida në kushtet e një dëbore të madhe u gjendën nga shokët e tyre të batalionit dhe u rehabilituan shpejt, duke ju rikthyer luftimit në luftimet çlirimtare. Ata e ndoqën armikun këmba-këmbës dhe djali i Selbës ngeli në panteonin e lirisë bashkë me dëshmorët e tjerë të fshatit Selbë në rrethinat e Kryeqytetit.
Kalimi “zyrtar” i kufirit nisi me një batalion më 19.10.1944 në Qafë Morinë, kur brigada kishte 1000 partizanë tashmë me eksperiencë në luftime.
Për batalionet e BrIIIS, hapej një fletë e re, sidomos për fatin e vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit shtetëror. Mjedisi i ri dhe situatat luftarake në ndjekje të armikut gjatë tërheqjes së tij strategjike ishte prioritet i Brigadës, batalioneve e deri tek partizani më i fundit. Lufta e partizanëve shqiptarë jashtë kufirit ishte më shumë se luftë ideali, prandaj dhe veprimtaria e partizanëve jashtë kufirit shtetëror u mbuluan me lavdi. Musa Rexhep Hida ka ndërruar jetë më 29.1.1947, në spitalin e Korçës, ku djaloshin partizan që nuk e mundën sfidat e rreth dy viteve luftë e sakrifica, e shoi në pak kohë sëmundja, që kishte prekur dhe partizanë të tjerë që kishin luftuar jashtë kufirit shqiptar.
Musa Rexhep Hida jetoi pak, vetëm 25 vjet, por shkroi histori lirie dhe çlirimi. Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut” pika “ë)” shprehet se Dëshmorë të Atdheut shpallen për “shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë humbur jetën brenda datës 9.5.1947 për shkak të sëmundjeve dhe plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake;”. Kjo pikë e ligjit plotëson atë boshllëk të munguar në legjislacionin e mëparshëm dhe çelet hapësira ligjore, për shpalljen e Musa Rexhep Hida ish-efektiv i batalionit të tretë partizan në BrIIIS, t’i jepet titulli i nderit: “Dëshmor i atdheut”.
Brigada e III Sulmuese zhvilloi 700 ditë në luftë nga lufta e Arbanës më 9.10.1943, ditën e themelimit me 600 partizanë, ku përshkoi një rrugë luftarake të lavdisë me 3500 km, bëri 250 aksione luftarake; i dha atdheut 255 dëshmorë, përfshi dëshmorin Musa Rexhep Hida, përballoi operacionin nazist “505” në Pezë, operacioni “1828” në Çermenikë, luftuan në gjithë Shqipërinë dhe Kosovë dhe ngelën në kujtesën e kombit shqiptar për lavdinë që shkruan në altarin e lirisë. Një pjesë e partizanëve të saj të prekur nga tifua u shtrua në spital të Korçës, ku ndërroi jetë dhe partizani nga Selba Musa Rexhep Hida më 29.01.1947, por ndriçon si pishtar i idealeve. Shqiptarët kur të bien “pluhurat” e mospajtueshmërisë do kuptojnë se asgjë nuk është më frymëzuese sesa Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, margaritar në gjerdanin e stolive të shqiptarëve. Shqiptarët në Aleancën e Madhe Antifashiste të Popujve; çliruan Shqipërinë pa ndërhyrjen e aleatëve. Populli shqiptar kontribuoi çmueshëm në luftën kundër fashizmit. Shqiptarët u renditën krah me aleatët e mëdhenj Anglinë, Rusinë e SHBA, në luftë duke arritur të thyejnë nazifashistët dhe siguruan lirinë e popujve, atë liri mbi të cilën u ngrit e ardhmja europiane.