Brikena Muharremi: Kemi ndërtuar botën me aftësitë tona, tani është koha t’a ndërtojmë vendin tonë
Brikena Muharremi nga Mitrovica, në moshën 16 vjeçare do të shkonte për studime në Londër. Ajo sot është avokatja e parë shqiptare e licencuar në Angli dhe një ndër aktivistet më të spikatura në komunitetin shqiptar në Britani. Është krenari kur një shqiptare si Brikena të arrijë shumë shpejt suksesin e saj si avokate në Britaninë e Madhe, atje ku ligjet dhe drejtësia kanë qindra vjet që funksionojnë. Dhe suksesi erdhi jo vetëm nga dëshira, puna, besimi se “drejtësia gjithmonë triumfon”, por edhe nga “vizioni i qartë, puna serioze në atë drejtim, mosdorëzimi dhe besimi në vetvete”, cilësi që i ka manifestuar gjithmonë Brikena. Ajo, së fundi, është vlerësuar si “Ambasadore e Kombit” dhe është përzgjedhur në Këshillin Koordinues të Diasporës, një detyrë fisnike, të cilën Brikena e kam marrë me seriozitet e pasion, për të kryer me sukses misionin e saj në dobi të diasporës dhe komunitetit shqiptar. Gjithashtu, Muharremi ka themeluar në Britani edhe shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanik.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Dëshirën për të luftuar kundër padrejtësive e kam pasur që nga koha kur jetoja në Kosovë, para luftës, kur shihja padrejtësitë që na bëheshin nga regjimi serb. Gjithmonë kam besuar se njeriu duhet të jetë i drejtë, në raport me të tjerët dhe se drejtësia gjithmonë triumfon. Në fushën e drejtësisë u kyça pasi punova për një firmë avokatore, me raste të refugjatëve kosovarë, pasi përfundova shkollën e mesme. Puna në atë firmë më erdhi rastësisht, pasi përktheva për një familje të posaardhur nga Kosova, gjatë një takimi që ajo familje kishte me avokaten e tyre në atë firmë dhe në fund të atij takimi m’u ofrua punë aty. Aty punova për disa muaj, deri para se të filloja studimet universitare në degën e drejtësisë.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Momenti që ka shënjuar udhëtimin tim profesional ka qenë momenti kur kam marrë licencën si avokate (barrister) në Londër, 9 vite pas ardhjes nga Kosova. Konkurrenca me të cilën jam përballur, derisa jam kualifikuar, ka qenë shumë e madhe, duke marrë parasysh se nuk e kam njohur askënd në këtë profesion. Momente tjera të bukura janë, padyshim, nga puna ime me komunitetin.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Suksesi për secilin njeri mund të ketë kuptime të ndryshme. Për mua sukses është, kur njeriu e di çfarë dëshiron nga jeta dhe kur e arrin atë që e dëshiron. Çelës suksesi për mua është vizioni i qartë, puna serioze në atë drejtim, mosdorëzimi dhe besimi në vetvete.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sfiduese për mua ka qenë përvoja e largimit nga Kosova, mungesa e familjes dhe periudha e luftës. Edhe pse kam pasur fat që nuk kam qenë në Kosovë gjatë luftës, ajo periudhë ka qenë më e vështira në jetën time. Mendoj që kjo përvojë më ka bërë më të fortë, si person, dhe më ka ndihmuar që t’i përballoj vështirësitë tjera më lehtë.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kur e kthej vështrimin pas e shoh që secila përvojë, duke përfshirë edhe të vështirat, më ka ardhur për të më sjellë tek gjëra që kanë qenë më të mira për mua dhe për të më prurë në pikën ku jam tani. Pasioni im i parë ka qenë letërsia, të cilën ende e dua dhe sikur të mos isha kyçyr në drejtësi, sigurisht se do të shkruaja novela.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Puna që e bëj me komunitetin në Angli si dhe me diasporën, në përgjithësi, është punë që e bëj me pasion. Vlerësimi që m’u bë nga Qeveria Shqiptare në Samitin e Dytë të Diasporës, si Ambasadore e Kombit, dhe përzgjedhja rishtazi në Këshillin Koordinues të Diasporës, janë privilegj për mua. Jam e privilegjuar që përmes Këshillit do t’i shërbej bashkatdhetarëve tanë dhe atdheut tonë, për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Atdheu gjithmonë më ka dhënë dhe më jep qetësi shpirtërore. Në Kosovë kam lindur dhe kam jetuar deri në moshën 16-vjeçare, prandaj dhe lidhja ime me atdheun gjithmonë do të mbetet e veçantë. Atdheun gjithmonë kam dëshiruar dhe dua t’a shoh mirë dhe e ndjej si obligim që t’a ndihmoj që të jetë më mirë.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Shqiptarët gjithmonë kanë dëshmuar se janë të zotët t’ia dalin në çdo fushë, duke i dhuruar botës njerëz shumë të suksesshëm. Mendoj që e kemi natyrën e tillë, me një fuqi të brendshme e cila na bën që të mos kemi frikë të përballemi me gjëra të mëdha dhe sfiduese dhe të synojmë suksese të mëdha.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Në Angli respektohet puna dhe duke qenë një person që gjithmonë i kam marrë me seriozitet obligimet dhe punën time, kam hasur në mirëkuptim në përgjithësi edhe pse kam qenë emigrante. Kam pasur përkrahje nga shteti anglez edhe gjatë studimeve edhe në aspektin profesional. Shembull është shkollimi në shkollë të mesme i cili m’u mundësua pa pagesë nga shkolla si dhe fitimi i dy bursave për studime të avokaturës, për të cilat gjithmonë do të jam mirënjohëse.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Ne e kemi dëshmuar veten se jemi të zotët kur punojmë individualisht. Është koha që të dëshmojmë se dimë edhe t’a përkrahim njëri-tjetrin dhe të punojmë së bashku, për të mirën e përbashkët. Kur jemi bashkë jemi më të fortë. Kemi ndërtuar botën me aftësitë tona, tani është koha t’a ndërtojmë vendin tonë.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Vendet tona janë duke kaluar një periudhë të rimëkëmbjes. Jemi të bekuar që kemi vende me bukuri dhe pasuri natyrore të jashtëzakonshme. Është koha që t’a lëmë të kaluarën e hidhur prapa dhe të ecim me kohën dhe me logjikë të shëndoshë në mënyrë që t’a ndërtojmë një të ardhme të ndritur.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Hapja e ministrive të diasporës janë hapa të shkëlqyeshëm në drejtimin e duhur. Puna që po bëhet nga ministritë janë gjithashtu hapa të mirë në krijimin e një dialogu në mes të diasporës dhe vendlindjes. Por ka shumë punë për të bërë. Respektimi i të drejtave të diasporës, siç është e drejta e votës, janë shumë të rëndësishme. Diaspora duhet të merret seriozisht, meqë ajo ofron rrugën e vetme për një zhvillim dhe përparim të sigurt të vendlindjes.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Puna në Këshillin Koordinues të Diasporës është një detyrë e re për mua dhe planet për momentin janë që të bashkëpunoj me kolegët e mi në Këshill dhe me ministrinë në mënyrë që të gjejmë mekanizma të përshtatshëm dhe efikas për të kryer me sukses misionin tonë si Këshill.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Uroj “The Albanian” për punën që bën dhe që shërben, si një dritare e shkëlqyeshme për komunitetin tonë dhe të gjithë lexuesit anembanë botës. Përshëndes lexuesit dhe uroj që puna e mrekullueshme që bëhet nga shqiptarët anembanë botës të vazhdojë. Petrit Kuçana The Albanian