Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Nace: Shqipëria duhet të jetë për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për firaunët profesionistë të politikës e të krimit

Pedagogu Dritan Nace, ikur nga Shqiperia në 1992, është sot një prej shqiptarëve të suksesshëm, jo vetëm si pedagog në në Universitetin Teknologjik të Compiegne, Francë, por edhe në fushën e kërkimit shkencor. Pas kaq vitesh emigrim, ndihet i plotësuar në fushën profesionale, atë familjare, por edhe që iu ruan dhe i ka të forta lidhjet me atdheun e tij. Mesazhi i profesorit është i qartë: “Ka ardhur koha që forcat përparimtare të vendit të jenë më të angazhuara dhe të ndërgjegjësojnë popullin që fatet e vendit i kemi ne në dorë dhe jo ata që na qeverisin”.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Profesioni im i tanishëm është profesor universiteti, që ndërthur punën si kërkues dhe pedagog, ku  përfshihen edhe përgjegjësi administrative.

Fillimisht puna në universitet nuk ka qenë zgjedhja ime e parë, menjëherë pas doktoraturës punova si inxhinier kërkues në France Telecom, që ishte dhe kompania që më kishte financuar doktoraturën. Gjithashtu mësimdhënia nuk ka qenë puna ime më e preferuar. Dëshira dhe dashuria për zanatin më ka ardhur në mënyrë progresive dhe ka qenë e udhëhequr kryesisht nga dëshira për kërkime. Më pas, kur m’u dha mundësia të jap mësim në lëndët e fushës time të kërkimeve, u shumëfishua dhe dashuria për mësimdhënie. Tashti, pas 20 vjet karriere universitare, jam në harmoni me të dyja drejtimet (kërkime dhe mësimdhënie) si dhe detyrat administrative që përkojnë më zanatin e profesorit.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/personal?

Unë kam ardhur në Francë në 1992, me idenë të beja studimet master (DEA) dhe të kthehesha sa më parë në Shqipëri. Momenti i parë deciziv në rrugën time ka qenë kur mora vendimin të bëj doktoraturën në drejtimin e Pr. Jacques Carlier, më 1993. Kjo zgjedhje ka kanalizuar gjithë karrierën time, si dhe fushën e kërkimeve. Momenti i dyte ka qenë kur vendosa të largohesha nga puna, nga qendra e studimeve të France Telekomit për të marrë postin e asistent profesorit në Universitetin Teknologjik të Compiegne, ku dhe vazhdoj të punoj.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Në radhë të parë puna por dhe fati që kam qenë përherë i rrethuar nga kolegë dhe shokë shumë të përgatitur, në një nga universitetet më të mira në France, si dhe disa miq shumë të afërt. Në fushën e kërkimeve suksesi është një fjalë e madhe, konkurrenca është internacionale dhe të zgjedhurit janë të paktë, ndaj nuk mund të flas për sukses por për një arritje në nivele më modeste, në kontekst më të ngushte, siç është rasti dhe për mjaft kolegë profesorë në universitetet franceze.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Sfida e parë ka qenë ardhja në një vend ku nuk e flisja mirë gjuhën dhe më duhej të ndiqja mësimin pa kuptuar mirë se ç’thuhej. Fatmirësisht në matematikë formulat flasin vetë. Sfida e dytë, si për këdo, është integrimi në një shoqëri mjaft të ndryshme, egoiste dhe të mbyllur në krahasim me atë që ne kemi njohur në Shqipëri. Së treti, ne një vend me një shtet të fortë dhe ekonomi të stabilizuar të bësh diferencën është më e vështirë. Këtu çdo arritje, edhe modeste, kërkon shumë mund dhe shumë kohë. Mbase këto dy faktorët e fundit kanë qenë arsyet pse shumë miq të mi, që kanë emigruar në të njëjtën kohë, zgjodhën të kthehen dhe te krijojnë bizneset e tyre në Shqipëri. Unë pata fatin të kem një grua dhe familje të mrekullueshme që m’i ka zbutur vështirësitë dhe mundësuar një lidhje të fortë me Shqipërinë dhe miqtë e vjetër.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Nuk e di vërtet, por besoj se kjo do të kishte qenë rruga që më përshtatej më shumë. Megjithatë, kam pasur shume ide të ndryshme, dhe akoma nuk kam hequr dorë që të ngrej, një ditë, një ndërmarrje në fushën time.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset? 

Nuk besoj se kam tejkaluar veten… mbase një nga gjërat që ndjehem më mirë këto kohët e fundit, është fakti që kam mundur të krijoj një lidhje të qëndrueshme midis universitetit ku jam dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, sidomos për faktin që kjo jep mundësi të mira disa studenteve shqiptare të kompletohen dhe të hapin një shteg tjetër për jetën.  Për më tepër, kemi krijuar së fundi mundësi të preken më shumë studentë të UPT dhe të shkohet dhe mjaft më larg në këtë drejtim, duke ju ofruar më të mirëve një doubel-diplomë masteri UTC-UPT.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme,  të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?

Fjalën «Atdhe» – germë për germë – në të vërtetë e dëgjoj rrallë, por Shqipëria nuk më është larguar asnjë çast dhe asnjë ditë nga mendja. Për mua ka qenë e pamundur ta këpus kordonin e lindjes me vendin tim. Kështu që tingëllimi i emrit «Shqipëri» apo «Atdhe» është i natyrshëm, por gjithmonë me një kërshëri të dëgjojmë fjalë të mira. Çdo ditë ndjek lajmet kryesore të vendit në internet.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 

Dashuria për njerëzit në përgjithësi dhe solidariteti ndër gjenerata në familje më në veçanti, janë, pa dyshim, vlerat më të mëdha që kam trashëguar dhe punoj t’ua transmetoj ato fëmijëve.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Po e nis me një episod të ndodhur ditën e parë si emigrant: kam arritur në Francë më 20 shtator 1992 dhe, ekzaktësisht, në orën 20.00 u futa në apartamentin e vëllait, kur në lajme jepej rezultatit i votës franceze për Traktatin e Mastrichtit dhe «Po»-ja fitoi me 51%. Ishte sinjal i mrekullueshëm për dikë që vinte nga Evropa që dëshironte aq shume të futej në Evropën e Bashkuar. Si për çdo emigrant, vuajtje ka pasur, sidomos në drejtim të përballjes me një administratë të verbër që ndiqte (pas zgjedhjeve te1993) politikën e emigracionit zero. Por, në asnjë moment tjetër nuk e kam ndjerë veten në pozitë të injoruar për shkak të statusit « emigrant ». Mbase arsyeja kryesore ka qenë se kam evoluar në një rreth universitar, ku të huajt përbëjnë një pjesë relativisht të mirë të stafit. Dua të nënvizoj që një vend si Franca të jep shumë, dhe me kohë të krijon mundësi të mrekullueshme, të plotësohesh dhe të ndihesh i barabartë.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Në radhë të parë duhet të ketë një strategji afrimi nga qeveria dhe një dëshire më të madhe nga ana e diasporës të veprojmë për vendin tone. Por dhe në këtë drejtim politika shqiptare, ka qenë shpesh një tren me vonesë, ndaj le të bëjmë secili nga pak dhe të çojmë ujë në mullirin Shqipëri dhe më pas të shohim nëse politika është gati të mbështesë.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Shumë gjëra nga pikëpamja e organizimit të punës, e vizionit për të ardhmen, e solidaritetit, e ndarjes së pasurive, ekologjisë, arsimit, shëndetësisë ka hapësirë për shumë më mirë. Pjesëmarrja e njerëzve në vendimmarrje është gjithashtu e mangët. Aktualisht, vendi është kthyer si në një terren filmash ku ngjan e natyrshme që populli të përfaqësohet nga më të fortët, ata që mbledhin votat, nga shefa klanesh. Einstein ka shkruar «e keqja e një vendi nuk vjen nga ata që i bëjnë keq por nga ata qe i lënë të bëjnë keq». Ka ardhur koha që forcat përparimtare të vendit të jenë më të angazhuara dhe të ndërgjegjësojnë popullin që fatet i vendit kemi ne në dorë dhe jo ata që na qeverisin. Ky është një mesazh që përpiqem t’a përcjell me force të studentet e UPT kur jam në kontakt me ta.

Lëvizja studentore besoj se ishte një kambanë zgjimi për të tërë shqiptarët.

Gjithashtu ka disa iniciativa si peticioni për zgjedhjet që shkojnë në këtë drejtim dhe duhen përkrahur.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? Iniciativa BrainGain (nga viti 2009-) ka qenë shumë pozitive, por fatkeqësisht pa ndonjë prurje të qenësishme për vendin. Ndërkohë, ka filluar një ndërgjegjësim, por duket se ka financim vetëm për samite dhe jo për projekte të mirëfillta zhvillimi. Dua të them që mund t’i jepet me shumë vend diasporës në projektet për zhvillimin e vendit. P.sh. mund të formohen grope të përbëre dhe me pjesëmarrjen e diasporës për orientimin e politikave për degë specifike (si arsimi, shëndetësia, energjia, ekologjia, turizmi, etj.).

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 

Absolutisht, nevoja për ndryshim është vitale. Me më shumë se 20 vjet karrierë në Universitet dhe me eksperiencë në disa pozicione, ndihem gati për sfida te reja. Një iniciativë me një ndërmarrje private apo në rolin e ekspertit për politikat në fushën e arsimit dhe kërkimit do të jenë një mundësi e mirë për të evoluar dhe t’i shërbyer dhe vendit.

“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Shqipëria mund të jetë një vend i mrekullueshëm për të gjithë shqiptaret dhe jo vetëm për firaunët profesioniste të politikës dhe të krimit. Të fillohet me më shumë barazi dhe solidaritet në shpërndarjen e të ardhurave, pasurimi i vendit vjen gradualisht me zhvillimin e tij. Ne një këngë të Aznavourit thuhet se « varfëria është me pak e vështirë në një vend me diell ». Le të përfitojmë nga asetet klimatike dhe gjeografike, të përfitojmë nga mundësitë e teknologjisë dhe potenciali rinor i vendit, dhe ta kthejmë Shqipërinë në parajsën e të gjithë shqiptarëve.
“The Albanian”

Please follow and like us: