Vargje poetike të Aurora Cantinit vijnë në shqip nga poetja Irma Kurti
Dy poezi nga poetja italiane Aurora Cantini
Aurora Cantini, me profesion mësuese, është një poete dhe shkrimtare italiane. Udhëtimi i saj letrar fillon me botimin e tre përmbledhjeve poetike gjatë viteve 1993 – 2007: “Lule fushe”, ribotuar në 2011, “Në shtegtim të ditëve” botuar në vitin 2000 dhe “Një sënduk është dashuria” në 2007. Në 2009, ajo boton librin e parë në prozë, titulluar: “Atje lart ku prekej qielli” dedikuar jetës në Valle Seriana ku banon, që u prezantua në Romë nga gazetarja e Rai 1, Alma Grandin. Në 2012, botohet romani “Si thërrime të shpërndara në botë” nga Aletti Editore mbi tragjedinë e kullave binjake në New York. Vazhdon veprimtarinë poetike me librin: “Përtej harkut të perëndimit” nga Shtëpia Botuese LietoColle Editore për të vijuar me të tjera botime në poezi e prozë. Aurora Cantini është fituese e shumë çmimeve të para në konkurse letrare, e dy medaljeve të arit (në poezi dhe prozë) dhe vargjet e saj janë pjesë e antologjive të ndryshme të poetëve bashkëkohorë. Organizon takime me nxënësit e shkollave me temë poezinë si dhe bashkëpunon me revista letrare online.
Ditari
Era shpërndan në hapësirë
faqet rozë që kam shkruar
për ty.
Ato duken sikur rënkojnë;
duan të çlirohen
nga fija e bojës
që i përdredh dhe i lodh.
Janë mbetje të varfra
ngjyrash dhe erërash,
të mjegulluara tani
në pamjet statike
të një mendimi.
E megjithatë
edhe ato më duan,
mirëpresin në ndarjen e madhe
të heshtjes
qarjen time
të mbyllur dhe të egër.
Përsëri pranverë
Qielli hapet
në tërë shtrirjen e tij,
në mantelin e natës pikon dritë.
I kthjellët është hapi,
i lehtë mendimi,
ndërsa shikimi depërton përtej
errësirës së kohës.
Petalet e paqes rrëzohen
në ditën që lind
të një të moshuari në vetmi.
Është pranverë
edhe një herë.
Kush e di për sa kohë?
Duart e rrudhura ngjyrosen
me të bardhë tani,
përzihen me lot
nën pemën e qershisë.
Përktheu dhe përgatiti për botim: Irma Kurti