Një diagnozë e diktaturës nga publicisti Luan Myftiu
Yzedin Hima
Sot Luan Myftiu ndërroi jetë. Në nderim të jetës së tij prej martiri, ky shkrim.
Eseja “Nën terrorin komunist”
(Një diagnozë e diktaturës nga publicisti Luan Myftiu)
Ndër tekstet e parë me temën e dhunës së diktaturës në Shqipëri që pa dritën e botimit që në fillim të viteve ’90, qe eseja me titull “Nën terrorin komunist” e publicistit dhe fabulistit Luan Myftiu, i dënuar me dhjetë vjet burg politik nga diktatura. Ky tekst nuk është thjesht një libër memuaristik, por një ese si diagnozë për diktaturën dhe terrorin e ushtruar prej saj ndaj qytetarëve dhe familjeve të tyre për dekada të tëra. Publicisti Luan Myftiu, me talentin e tij letrar, vëzhgimin e hollë, analizat racionale dhe argumentat domethënës, ka përcaktuar qartë thelbin terrorist të diktaturës komuniste në Shqipëri. Në hyrje të librit kemi përgjigjen e letrës që shkrimtari dhe studjuesi Arshi Pipa i kthen publicistit Luan Myftiu:
8 Nëntor 1991
I dashur bashkatdhetar, Z. Luan Myftiu,
Pakon tuaj me “Kujtimet” e kam marrë, bashkë me letrën përcjellëse.
Kam lexue disa prej kapitujve të tekstit, mbasi ju kërkoni mendimin tim mbi vlerën letrare të tyne. Ju shkrueni mirë, keni sensin e rregullit dhe të kompozimit dhe, brenda mundësivet tueja në nji kamp përqendrimi, paraqitja e landës, e qartë, e pastër, asht për t’u lëvdue. Vepra, e tanë siç asht, dhe në pjesë të madhe kronologjike, mund të botohet në Shqipni, kur të krijohen kushtet e përshtatshme për botim…. në Shqipëri tue përfshi, natyrisht, Kosovën, kur kalvari i saj të marrë fund. Në diasporën mund të botohen vetëm pjesë (kapituj, në rastin tuej). Disa prej tyne mund të botohen te “Dielli”.
Un marr tekste të ndryshme, në poezi dhe në prozë, nga ish-të burgosun politikë, të cilat kanë vlerë dokumentuese, por jo letrare, dhe vetëm rrallë, tekste si juaji, që kanë edhe vlerë letrare.
Tue ju urue fat të mirë në purgatorin e mërgimit.
Arshi PIPA
134 G St. SW
WASHINGTON, DC 20024
Në këtë libër, rrjedhën dramatike të jetës dhe të familjes së tij, autori e përdor si mjet për të detajuar esenë. Tragjedia e familjes së tij është një nga tragjeditë e ngjashme, që u luajtën gjatë diktaturës në skenën e shoqërisë shqiptare. Autori në kë tekst nuk shfaq habi për përmasat e terrorit ndaj qytetarëve, për zellin me të cilin ushtrohej ky terror nga instrumentat e diktaturës. Ai shfaq habi për forcën mbinjerëzore të qëndresës së këtyre qytetarëve ndaj terrorit. Arrestimi i babait, pushkatimi i xhaxhait dhe i dajës me të birin 18-vjeçar, arrestimi i nënës dhe tronditja e saj psikike për shkak të torturave nga policia e bëjnë tejet të dhimbshme fëmijërinë e autorit: “Ne ishim pesë fëmijë. Nëna jonë, një grua e thjeshtë me ndjenja të mira, po bëhej çdo ditë e më e heshtur. Ne çuditeshim tek e shihnim të rrinte pa ngrënë pa ndonjë shkak. Ishte koha kur buka qe bërë me triskë dhe s’gjendej fare në treg të lirë. Ajo e fshihte arsyen e grevës së saj, që të arrinte të mos na shihte ne të uritur. Ndërkohë vraponte me trasta në duar te porta e burgut ku, veç të shoqit, dergjej i dënuar me vdekje vëllai i saj i vetëm. Dhe duke qarë pa zë, gdhinte net të tëra pa gjumë.”
E gjithë kjo dhunë mbi këtë familje dhe mbi familje të tjera bëhej në emër të luftës së klasave.
Familja e Myftinjve në qytetin e Beratit ishte një familje me tradita qytetare dhe atdhetare. Pinjollët e saj qenë edukuar në shkolla të mira jashtë vendit dhe kishin siguruar një jetë dinjitoze me punën e tyre. Në ese, jeta në diktaturë përshkruhet si mbijetesë. Fëmijët e mitur lihen në mëshirën e fatit dhe nuk u jepet as bukë: “Kërkonim triskë buke, por s’na jepnin, sepse duhej të kishim kryefamiljarin në punë. (E ku ta gjenim ne kryefamiljarin?!) Lutjes sonë që ta shihnin edhe një herë kërkesën, i përgjigjeshin me heshtje. Dhe, kur na gjenin nëpër restorante duke blerë bukë që klientët nuk i donin, por detyroheshin t’i paguanin, na merrnin në polici, ku edhe na rrihnin, sepse ne këtë e bëkëshim me qëllim që të diskreditonim Pushtetin Popullor!” Maks Velo në librin e tij “Spaçi”, nga bisedat me Luan Myftiun, sjell një episod tronditës, ku fëmijët i zgjidhin dhe i lidhin duart nënës së tyre, të lidhur nga policia me pranga dhe lënë në arrest shtëpie. Pasi ajo u përgatiste diçka për të ngrënë, fëmijët e prangosnin sërish nënën e tyre sipas urdhërit të policit. Ja si e sjell vetë protagonisti Luan Myftiu këtë episod në esenë e tij: “Kur ne fëmijët u kthyem një ditë nga shkolla, gjetëm në shtëpi një polic, që porsa kish lidhur me pranga nënën tonë. Ai na porositi me kërcënim të mos ia zgjidhnim duart dhe na mësoi si ta ushqenim, ashtu të lidhur, e si ta shpinim në banjë. Po ta zgjidhnim, do ta pësonte prej tyre më keq. E tronditur thellë, ajo kish guxuar t’u thosh komunistëve se e kishin filluar keq, ndërkaq natën fliste si në kllapi.”
Në esenë e tij Luan Myftiu tregon mbijetësën e “klasës së përmbysur”, siç e quan shteti i diktaturës. U rritën breza nën këtë terror, në varfëri, poshtërim e privime. U edukuan dhe u shkolluan në mënyrë autodidakate, për shkak të përkatësisë shoqërore. Autori shprehet: “Edhe sot në këtë moshë të shtyrë nuk e gjej dot se cila qe ajo forcë që na bëri të mbijetojmë: instinkti i dashurisë për jetën?… Apo tek njeriu fshihen forca të panjohura që padrejtësia i detyron të dalin në sipërfaqe?…”
Në esenë e Luan Myftiut argumentohet se diktatura nuk e pushoi dhunën, ndonëse kundërveprimi i të dhunuarëve pothuajse nuk ekzistonte. Ideologjia e urrejtjes ushqehej nga motoja e diktaturës se shoqëria zhvillohet përmes luftës së klasave: “Ata përpiqeshin të bënin të besueshme rreziqet imagjinare që, gjoja, u vinin prej nesh, që të përligjnin dhunën; kurse ne, mendershmëri e korrektësi shembullore, mundoheshim me tërë energjitë tona shpirtërore dhe morale të vërtetonim se ajo dhunë qe fare e padrejtë. Dhe kjo qe lufta e heshtur më e tmerrshme që u zhvillua kundër nesh për gjysmë shekulli të sundimit komunist.”
Puna, sjellja e autorit të këtij teksti qe për t’u marrë shembull për atë kohë, por origjina e tij kurrsesi nuk mund të harrohej nga diktatura. Edhe kjo punë dhe sjellje kuptohej nga diktatura si maskim i armikut të klasës. Autori tregon se qe ndër ata që u pushuan nga puna për shkak të përkatësisë shoqërore. Diktatura dhe diktatori trembeshin nga qetësia, siç thuhet në këtë tekst: “Në shkallë rrethi ne ishim 26 vetë dhe si Republikë, ndoshta, 500. Një shifër e vogël kjo për oreksin e madh të Enver Hoxhës, i cili si një maniak i trembej qetësisë, të cilën e siguronte për vete vetëm nën një qiell me rënkime.”
Në esenë e Luan Myftiut pyetja retorike zë një vend të veçantë. Kur e dëbuan nga puna, ai i shkroi një letër diktatorit. Përgjigja qe cinike, por edhe një kujtesë për të, se ai i përkiste një bote tjetër, tashmë të përmbysur dhe kërkimi i drejtësisë qe absurditet. Autori i këtij teksti pendohet për ankesën dhe rreshton disa pyetje retorike në kërkim të shtysës për ankesën e tij: “Mos qe kjo, vallë, nevoja e brendshme për të parë pa maskë ato fytyra xhelatësh dhe për të gjetur tek njerëzit e ndershëm pak miratim, për padrejtësinë që më bëhej? Të ishte kjo përpjekje një lloj hakmarrjeje, një gëzim i egër që t’i shihje “engjëjt” e dhunës pa krahë e të përlyer me gjakun tënd? Nevoja për t’i krijuar vetes imazhin e një fitoreje morale të së mirës ndaj së keqes?” Shënimi në letrën e dërguar, ku shkruhej “Të sqarohet”, qe një urdhër, siç edhe e qartëson autori në këtë tekst, do të thoshte “Të ndëshkohet”. Arrestimi dhe dënimi i tij nuk vonoi. Akuza u formulua për agjitacion e propagandë, si përherë e sajuar dhe e përgatitur me dëshmitarë të rremë. Por “faji” i vërtetë i tij gjendet te kjo pyetje: “Po ne që trashëgonim, sipas tyre, fajin e madh që nga koha e krijimit të pronës private?” Në këtë rast fajësia qe universale, si në tregimin e njohur të Franc Kafkës. Autori i esesë tregon për torturat e pamëshirshme që i bëjnë instrumentet e diktaturës. E akuzojnë se me heshtjen e tij kishte shkatuar një krizë zemre te nënkryetari i degës së punëve të brendëshme, i cili qe lodhur nga torturat pa fryt. Shkakun e tërbimit të tyre autori sërish e gjen te dy pyetje të tjera retorike: “ Mos, vallë, krimineli i trembet heshtjes së viktimës më shumë se kundërveprimit të saj të hapur? Apo kompleksi i inferioritetit, i trashëguar ndoshta në shekuj në vetëdijen e harbutit, zgjohet me tërbim, kur pushteti i pakufizuar i jep të drejtën të fitojë revansh?”
Në këtë tekst gjejmë edhe përshkrimin e metodave të poshtërimit dhe intrigës që përdornin instrumentat e diktaturës për të thyer, tjetërsuar dhe përdorur si spiunë qytetarët earrestuar e të dënuar. Sërish autori përdor me efikasitet një pyetje retorike për këtë çështje: “Sa njerëz të mashtruar prej tyre kanë prerë damarët e duarve, o nëpër kampe janë hedhur në telapër t’u vrarë nga rojet, ngaqë, pa e ditur, e kanë parë veten në një pozicion të poshtër?!…” Autori me ironi tregon se në gjyqet e diktaturës i pandehuri njëkohësisht gjykohej dhe “mbrohej” nga gjykatësit dhe prokurorët. Mungesën e avokatit mbrojtës, të hequr me ligj, në esenë e tij, autori e shpjegon qartë me anën e një pyetjeje retorike: “Si mund të përfytyrohej një avokat mbrojtës ndaj një “armiku populli”, të cilin vetëm po ta përshëndesje në rrugë, kur të kish dalë nga burgu, tregoje kundërvënie të hapur ndaj qëndrimit të Partisë, e cila, duke e dënuar, kërkonte izolimin e tij politik?” Në burgun e Spaçit autori ftillon dilemën e egërsisë dhe shprehjes së artikuluar nga hetuesit: “Me vonesë?!… Po, po, unë i persekutuari i hershëm duhej të kisha ardhur aty më parë! Tani e kuptoja atë urrejtje patologjike të bishave të Sigurimit, të cilët, duke më goditur, ulërinin se ua kisha hedhur për shumë kohë” Edhe në këtë rast autori përdor pyetjen retorike: Me vonesë? Pas dënimit vinte ridënimi. Të burgosurit e urtë kujdeseshintë mos flisnin me të tjerë të burgosur për të mos rënë pre e ridënimit. Luan Myftiu përdor me vend një pyetje retorike për të treguar tmerrin e kujdesit nga ridënimi në burg: “Vallë, a mund ta luaje dot këtë rol për vite me rradhë në një mjedis ku gati të kontrollohej edhe frymëmarrja?” Në esenë e Luan Myftiut gjejmë edhe vëzhgime dhe përkufizime interesante të mardhënieve të individit me diktaturën: “Komunizmi ia largoi njeriut frikën nga vdekja, duke ia bërë jetën të padurueshme. Kur i burgosuri mendonte se ka një vdekje, i dukej vetja se s’qe një skllav i përjetshëm. Ideja e vdekjes, ndoshta, ishte një nga mburojat, prapa të cilave ruhej i pashkatërruar dinjiteti i tronditur nga sulmi i vazhdueshëm psikologjik.”
Në këtë tekst flitet për dëmet e mëdha që i shkaktoi diktatura personalitetit të njeriut dhe traditave të mira shqiptare të sjelljes njerëzore, duke i deformuar rëndë. Asnjë pushtues më parë nuk kishte vepruar në këtë mënyrë me qytetarët e këtij vendi. Luan Myftiu përsëri përdor me sukses një pyetje retorike për të shprehur trishtimin e tij për këtë dëm të madh: “ A ka, vallë, në arsenalin e metodave të sundimit të një kombi një shembull ku, duke shfrytëzuar pushtetin absolut, një kastë të sulet me kaq egërsi, të shpronësojë, të dhunojë, të vrasë e të depersonalizojë vëllezërit e vet të një gjaku dhe, pasi t’i ketë konsumuar të gjitha këto, t’u afrohet viktimave dhe, me buzëqeshje, t’u kërkojë shërbimin e tyre si spiunë?” Në esene e tij Luan Myftiu flet për radhën. Radha për të bërë apelin disa herë në ditë, radhë për të ngrënë, radhë për t’u nisur në punë, radhë për të mbushur ujë, radhë për t’u larë etj. Pyetja retorike: A mund të qendrojë njeriu një çerek shekulli në radhë, më së miri ilustron gjendjen e të burgosurve dhe kthimine tyre në robotë nga diktatura. Pyetjet retorike janë mjet stilistik për publicistin Luan Myftiu në këtë ese. Ato vazhdojnë po me të njëjtin itensitet deri në fund të tekstit: “A do t’i falet tiranit ky shfytyrim i pashembullt që i bëri kombit të vet? A do të ketë justifikim për ata që me vetëdije u bënë thonjtë e tij të hekurt?”ose “Po përse i vlen keqbërësit të papenduar falja prej viktimës, kur kjo se ndihmon atë kështu të kuptojë ligësinë e veprës së tij?!… A mund t’i bënte, vallë, ndëshkimi i rreptë të pendoheshin për ato që na kanë bërë?”