Albspirit

Media/News/Publishing

Suedi/Shtëpia botuese “Modernista” boton “Dimri i madh”, “Pallati i Ëndrrave” e “Kronikë në gur”

Shtrihet harta e përkthimeve të shkrimtarit shqiptar

 Ismail Kadare Krönika i sten

Image result for Drömmarnas palats

 

Image result for Den hårda vintern

Tri nga kryeveprat e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, botohen në gjuhën suedeze. Bëhet fjalë për romanet “Dimri i madh”, “Pallati i Ëndrrave” dhe “Kronikë në gur”.
Është shtëpia botuese “Modernista” me qendër në Stokholm, Suedi, që ka botuar kohët e fundit tri romanet e Kadaresë. Siç bën të ditur gazeta “Expressen” e dy ditëve më parë, këto tri romane janë shkruar nga kandidati për çmimin Nobel, Ismail Kadare, para rënies së Murit të Berlinit. Sipas “Expressen”, tashmë nuk janë më vendet e mëdha europiane që kanë monopolin e suksesit të veprave dhe të shkrimtarëve të mëdhenj. Ai shkon te shkrimtarët aziatikë, të cilët po pushtojnë letërsinë botërore, si dhe po kryesojnë listat e kandidatëve të çmimit “Nobel”. Por duket se ndër këta shkrimtarë “jashtë monopoleve” është edhe Ismail Kadare, që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria, por që prej vitesh është një nga kandidatët kryesorë për “Nobelin” në letërsi. Si shembull ka shërbyer botimi i këtyre tri veprave të shkrimtarit shqiptar në suedisht nga shtëpia botuese “Modernista”. Për librin “Kronikë në gur” (“Krönika i sten”), një nga më të bukurit të shkruar nga Kadare, e cila na kthen pas te shkrimtari fëmijë, në rrugët e gurta të Gjirokastrës dhe shtëpitë karakteristike, shprehen se ai është “një paraqitje e mrekullueshme, që e vë më shumë theksin në anën estetike, letrare”, por gjithsesi ai “nuk është më pak për Shqipërinë se të tjerët”.
“Expressen” ndalet më gjatë te “Dimri i madh” (“Den hårda vintern”), të cilin e quan si pasqyrën më të “qartë në lidhje me historinë komuniste të Shqipërisë. Ai vendoset në një nga pikat më kritike të kthesës, në vitin 1961, kur lideri i vendit Enver Hoxha u prish me Bashkimin Sovjetik dhe Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës”. Romani 600-faqësh konsiderohet “mbresëlënës”, sidomos në mënyrën se si shkrimtari ndërton karaktere nga shtresa të ndryshme shoqërore, që nga të rinjtë që rrinë duarkryq në trotuare dhe ngacmojnë vajza, te borgjezia e vjetër “e privuar nga përfitimet e saj dhe që tani i shkon ditët e saj duke pritur me hidhërim rënien e komunizmit”. Në parathënien e librit, Ekis Ekman shprehet se “Dimri i madh” nuk është thjesht një libër për komunizmin, por se ai mund të lexohet edhe si një raport i përditshmërisë, që të bën të ndihesh sikur je atje. Sipas tij, romani thotë të vërtetën mbi Shqipërinë komuniste. Këtë e bën në një mënyrë të sinqertë dhe lexuesi e kupton këtë në mes të rreshtave. Dhe të japësh përditshmërinë e njerëzve të thjeshtë nuk është aspak e thjeshtë. Një moment kyç në libër është edhe ai i Moskës, ku Besniku nuk përkthen vetëm fjalët, por edhe gjestet e Enver Hoxhës apo Nikita Hrushovit. Më mjeshtëror konsiderohet stili i Kadaresë te “Pallati i Ëndrrave” (“Drömmarnas palats”), që “Expressen” e quan një version komik të Perandorisë Osmane, por lexuesi mund ta konsiderojë edhe si një alegori të sistemit të korruptuar komunist. “Pallati i Ëndrrave” krahasohet me “Kështjellën” e Kafkës. Sipas gazetës suedeze, librat e Kadaresë janë një dritare për botën, por ata nuk janë thjesht një raport informativ mbi atë çka ndodh në një vend komunist apo mbi historinë e Shqipërisë. Është shumë më shumë se kaq, është letërsi.

7 Janar 2015/

 

Ismail Kadare apo Franc Kafka shqiptar edhe në suedisht

Qerim Kryeziu , Helsingborg – Sweden

 

Ribotimi i tri veprave të Ismail Kadaresë në suedisht ( “Kronika i sten”,” Den hårda vintern”, “Drömmarnas palats”) u shoqërua me vështrime të shumta kritiko-letrare në Suedi. I fundit është ai i datës 20 janar 2015 në gazetën gati njëqind e pesëdhjetë vjeçare të  Helsingborgut ”Helsingborgs Dagblad” me titull ”Një Kafkë shqiptar” (En albansk Kafka). Autore e këtij vështrimi është kritikja e njohur letrare në Suedi Ann Lingebrandt. Tri veprat e Kadaresë i ribotoi shtëpia botuese “Modernista” nga Stockholmi, shtëpi botuese kjo e themeluar në vitin 2002 dhe e njohur për botimin e letërsisë së shkrimtarëve të kalibrit botëror. “Modernista” boton kryesisht prozë e poezi, por edhe letërsi dokumentare të autorëve madhorë, e në mesin të cilëve edhe: Alice Munron, Shekspirin, Kafken, Marguerite Duras, Kadarenë etj.

10933799_10203734845751230_4051363236512306172_n

“Krönika i sten” (“Kronikë në gur”)

Përkthimin e kësaj vepre në suedisht e bëri Britt Arenander kurse parafjalën e shkroi Jenny Högström. “Kronikë në gur” e botuar në vitin 1970 është një rrëfim klasik për kohën e fëmijërisë, përshkruar nga perspektiva e një fëmije kureshtar. Një vepër- thotë kritikja Ann Lingebrandt që vënë në lëvizje fantazinë e një fëmijë shqiptar të uritur për lexim. Në romanin e Kadaresë ky fëmijë përgjithëson një “Macbeth” Shekspirian. Romani pasqyron Shqipërinë e viteve 4o-të, qytetin e vjetër e të gurtë të Gjirokastrës ku okupatorët ndërronin njëri tjetrin. Dikush valonte flamurin italian e dikush tjetër atë grek derisa gjermanet marshonin brenda në qytet. Gjithçka është kapur nga syri i shkrimtarit dhe për kritikën Lingebrandt gjithçka është e gjallë në këtë vepër: jo vetëm shkronjat por edhe pikat e shiut, edhe gurët e sokakut. “Kronikë në gurë” është larg çdo udhëtimi nostalgjik në të kaluarën, vepra është shkruar me një sensibilitet epshor dhe titulli i saj do të mund të tingëllonte bukur edhe si “Kronikë në gjak”- thotë Ann Lingebrandt.

 


kaare

“Den hårda vintern” ( “Dimri i madh”)

Përkthimin e veprës në suedisht e bëri Marianne Eyre ndërsa parafjalën e shkroi Kajsa Ekis Ekman. “Dimri i madh” është vepra e dytë nga tri romanet e Kadaresë që “Modernista” i ribotoi si një komplet me rëndësi të veçantë për autorin dhe për shtëpinë botuese me renome. Veprën “Dimri i madh” e quan kritikja si roman kolektiv që pasqyron Shqipërinë e kohës përmes një kori zërash, prej atij të pastruesit të rrugëve e deri te diktatori, prej thashethemeve të fqinjëve e deri të lojërat e mëdha politike. Në mesin e gjithë këtyre karaktereve gjendet edhe një personazh që ka idenë e shkrimit të një vepre ku do të paraqiste raportet  politike të “miqësisë” shqiptaro- sovjetike në fundin e saj. Veprën mendonte ta quante “Një roman me isso”- kujto isso si ofshamë kolektive që përbën bazën e baladave polifonike shqiptare. Në këtë roman thotë Kajsa Erik Ekman, njeriu mund të shohë portretin e idealizuar të liderit- gjë që e dëmton romanin artistikisht, por ky është çmimi që Kadare detyrohet të paguaj në mënyrë që të arrijë të përshkruaj atë shoqëri totalitare të kapluar nga ai dimër i pashpirt. “Den hårda vintern” e shkruar në atë mënyrë- thotë Lingebrandt i ka shërbyer Kadaresë më vonë që të botojë një roman tjetër i cili pas një kohe të shkurtër u ndalua rreptësishtë. Është fjala për

“Drömmarnas palats”  (“Pallati i ëndrrave”)

Në qendër të perandorisë osmane, në një pallat të saj, në mënyrë paranoike  tuboheshin ëndrrat e qytetarëve në mënyrë që të zbuloheshin komplotet e mundshme kundër shtetit. Pikërisht në këtë roman Kadare shfaqet si një Kafkë shqiptar –thotë autorja. Këtu Kafka shqiptar projekton mjeshtërisht një sagë të errët për burokracinë, totalitetin e një perandorie të errët  si vet makthet.  Në këtë roman skicohet tirania e sulltanëve-perandorive që pas okupimeve fizike  tentojnë të zotërojnë edhe ndërdijet e popujve. Rrëfimi  në këtë roman nuk ka të bëj shumë me fatin e njeriut të vogël nën tirani, aq sa ka të bëjë  me fatin e keq të gjithë kombit të përpirë nga tirania e okupimit.

Ky roman , alegoria e tij nuk e ka humbur aktualitetin as sot.  “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë jep mundësi të pashtershme interpretimi.  Veprat janë të përkthyera në suedisht nga frëngjishtja. Cilido përkthim a  ribotim i veprave të Ismail Kadaresë në gjuhë tjera  përbën  në radhë të parë një sukses të madh për autorin e pastaj edhe një nderim brilant për shqipen si gjuhë.  I nderuar dhe i gëzuar u ndjeva edhe unë sot kur bëra porosinë e veprave të Kadresë  në librarinë “Akademibokhandeln”  të Helsingborgut. Është shkrimtari ynë, i thash me mburrje zonjës suedeze me sytë e kaltër si vet thellësia e Baltikut, teksa bëja porosinë. “Është edhe i suedezëve”- me tha ajo me një buzëqeshje të lehtë duke me lënë  kuptoj se Ismail Kadare tashmë  është shkrimtar shqiptar i gjithë botës. Një fillim i mbarë për Kadarenë, tri vepra të ribotuara në këtë fillim viti. E fundi i këtij viti, atëherë kur tetori vjeshtor këtu fillon të shkund përdhe gjethet  e fundit,  shpresojmë sinqerisht të proklamojë shkrimtarin tonë si fitues të radhës së Nobelit për letërsi për vitin 2015.

Please follow and like us: