Vepra e poetit martir, Genc Leka (2)
Poezia e Genc Lekës
OXHAKU1)
Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…
Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane,
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!
Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…
E sa gjurmë mbetën kësaj ane
(E sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…
Bora prapë mbulon tokën e gjërë,
Prapë natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…
________________
1) Këto poezi të Genc Lekës, bashkë me ato të Vilson Blloshmit, janë nxjerrë të fotokopjuara prej Bedri Blloshmit nga dosja gjyqësore që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Rendit Publik. Poezitë u morën nga policia gjatë bastisjes së shtëpisë së Genc Lekës në Bërzeshtë një ditë pas arrestimit të tij më 31 gusht 1976. Poezitë e Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit iu nënshtruan ekspertimeve letrare të politizuara dhe kanë shërbyer si material provë në mbështetje të akuzës për përmbysjen e pushtetit dhe të sabotimit në ekonomi, akuzë që ata i nxori para skuadrës së pushkatimit më 17 korrik 1977. Renditja e librit dhe shënimet janë tonat (S.B.).
4.12.1965
RRETHI I HËNËS
O hënë, pse dole moj, aq e trishtuar?
Mos vallë për mua po mban zi?
Që prapa reve shpesh më ke vështruar
Kur kthehesha vonë ,netëve në shtëpi?
Nuk besoj në lot, as në sytë e shkruar,
E humbe freskinë, s’bën për mua ti,
Më tha zemër guri, thëngjill i mbuluar,
Që s’pati në zemër, ndjenja, dashuri…
U tret dhe zëri i fundit. Qetësi.
Çdo gjë po fle, dremisin edhe retë.
As fletët nuk po bien më tani,
Kjo natë hesht, veç lumi rrjedh për jetë.
Ah, lumi s’gjeti kurrë qetësi.
**
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë
Me ëndrrat e mia.
CIGANËT
Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë
Dhe këndonte plot mall e trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë,
Ah, të vrasin veç me një vështrim…”.
Dhe shkuan ciganët në rrugën plot fletë,
Me këngët, me kuajt revan…
Dhe pas i përcillte me duf një gërnetë
E ndezur prej shpirtit cigan.
Dhe prapë erë e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
Me këngën e vjetër cigane për gratë.
Në vitet e brishta më çojnë mendimet,
Si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet,
Dhe thinjat m’u shtuan çdo natë…
“Se si janë ca gra, se si janë…”
Gjithnjë më mundon ky mendim.
E pse o ciganë, a gjetshit belanë,
Me këngë e me kuaj çudisni dynjanë
Dhe vjeshtës këndoni me trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë…”?
FILLIM PRANVERE
Në dimër ç’u mblodhëm plot shokë një herë,
Së bashku u zumë për dore.
Pa erdhëm vërdallë plot gaz e poterë
Dhe bëmë një plak prej dëbore!…
Por lodrën e dashur ne vetëm e lamë
Se prisnin detyrat, mësimet…
Dhe bora mbulonte çdo gjë, në çdo anë
Na zgjonte kujtimet, gëzimet…
Plot shokë u mblodhëm sërish në pranverë
Me lodra, gëzime pa fund:
Kudo e kërkuam plot gaz e poterë,
Por plakun s’e gjetëm gjëkund…
Dhe lulet po çelin kudo ngjyra-ngjyra
E, lehtë me to po lot era.
Çdo gjë gjallërohet… shpreh urim natyra
Pranvera… pranvera… pranvera.
10.02.1966
NXËNËSVE TË MI
***
Më la fëminia dhe humbi diku
Si vesa që zhduket nga bari.
Mbas vjetësh e pashë sërishmi te ju
O lule që çelni së pari
***
Era i tund e fletët tutje venë,
Vapa kaloi në kodër barin dogj.
Për diku larg … u nisën disa zogj,
Por kurrë s’do harrojnë ata folenë.
***
Një poezi, një lule shpirtit tim.
Një varg, një bisk i lules plot jetë.
Por ndodh që dhe një varg ndonjëherë
Është një bisk… një lule…një vëllim!1)
________________
1) Kjo poezi evokon jo drejtpërsëdrejti kujtimin e babait të tij, Bardho Leka ish-mësues.
30 prill 1960
LETËR MËSONJËSIT
Mësonjës, të kujtohet! Ti erdhe një ditë
Nga larg, i kapitur, tek ne në katund,
Sa bukur të pritën të gjithë fëmijtë,
Më bukur shkëlqente dhe qielli i pafund.
Mësonjës, të kujtohet!…Ç’të themi më parë.
Sa shumë na doje, ashtu si dhe ne,
Sa herë na thoshe: Fëmijë të mbarë
Në zemër më ngjallnin gëzim dhe hare.
Mësonjës, t’na shohësh sa fort jemi rritur,
Tani nxënësit e tu ti s’i njeh.
Sa herë të mbledhur të gjithë t’kemi pritur,
Ta dish sa të duam, sa mall kemi ne…
Mësonjës, jemi mbledhur në klasën e dashur
Ku ti na mësove me mall e kujdes,
Nga punë të ndryshme secili ka ardhur,
Si vinim përditë herët çdo mëngjes.
Mësonjës, do marshojmë krenarë në jetë
Se ti na mësove. Të puthim nga larg.
(Për ne mos ki hall, mësonjës i shtrenjtë)
Secili nga ne një rrugë ka gjetë.
Dhe njëri prej tyre… të shkruan këtë varg.
15 tetor 19601)
________________
1) Kjo është poezia e parë që ka botuar Genc Leka. Ai atëherë ishte maturant në shkollën pedagogjike të Elbasanit. Në gazetën “Zëri i rinisë”, datë 30 korrik 1960, faqe 3, kjo poezi mban titullin “Lirika” dhe secila nga strofat e saj është e ndarë më vete me nga një yllth *. Pra, sipas gazetës, janë një tufë prej tri lirikash pa ndonjë lidhje kuptimore midis tyre.
VJESHTA
Horizont i largët, zogj në shtegëtim,
Erë, pika shiu, fletë pa mbarim…
VITI I RI…
Gjithnjë njerëzit shëndeverë,
(Ç’gaze, ç’lumturi!… .)
Me të mira si përherë
Erdhi Vit’i Ri…
Këng’ e valle gjithmonë,
Tok festojmë ne;
Për sukseset, të ardhmen tonë,
Për jetën e re!
Gjithë zemrat shëndëverë,
(Ç’gaze, ç’lumturi!… .)
Më i bukur se çdo herë,
Vjen ky Vit’ i Ri!…
Ndaj me këngë këtë ditë,
Ne festojmë sot;
Ti, o zot, që na jep dritë
Rrofsh për jet’e mot!…
18 dhjetor 1965
CIGANI I VOGËL
Oh, fli djalosh se është natë,
Lotët mos i derdh mbi lumë,
Rrugën do ta kesh të gjatë,
Ndofta do të lodhesh shumë.
Ti do nisesh sërish vetë,
Ndoshta do të prish karvanë.
Vjeshta do të hedhë fletë
Mbi varganin me ciganë.
LUMES1)
1
Ja, këtu përpara shkollës sonë
Ne e ngritëm lart një lapidar,
Që të përkujtojmë gjithmonë,
Shokët, ty… dhe vrullin çlirimtar…
Tok me shokë erdhe ti shpesh herë
(Tek ky skaj ku jeta buzëqesh)
Dhe së bashku ratë në pranverë
Që gjithnjë të ndodhi midis nesh.
Ne s’i pamë ditët e stuhisë…
Trimat, gjakun që u derdh mbi dhe;
Për ne ndrit sot dielli i lirisë
Shqipërinë mëmë kemi ne!…
Ndaj për ju ne nisim këngën tonë
Ndaj ballëhapur vigjëlojmë ne!…
Dhe fitoret mbrojmë gjithmonë
Mbrojmë punën… paqën në Atdhe!…
________________
1) Kjo poezi, për të cilën Genc Leka është akuzuar se nuk e ka pasqyruar denjësisht luftën partizane, është botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, më 23 shkurt 1963. Në gazetën “Zëri i rinisë” (organ politik i Komitetit Qendror të BRPSH-së) poezia është botuar me titullin “Kujtime partizane” dhe është një variant më i përmbledhur i “Lumes”. Më poshtë do të japim edhe variantin e botuar në gazetë.
2
Ja, mbas vjetësh… kujtimet më vijnë
Ndaj këndoj për ju, o miq me mall;
Jetën bëtë fli, ju, për lirinë,
Por me ne ju jeni prapë gjallë.
Falmëni, o miqte e mi të parë,
Nëse derdh nga malli një pik’lot.
Veç ta shihni ju, o çlirimtarë
Shqipërinë si është bërë sot!!!…
Gjaku juaj-fjala e Shqipërisë
Këtë brez tani e frymëzon
Gjaku juaj-djelli i lirisë
Që për shekuj kurrë s’perëndon!
Miq, sa herë erdhët këtij fshati.
Dhe këndej u ngritët tërë gas,
Por s’humbasin këtij monopati
Gjurmët tuaja që mbetën pas!…
Ah, sikur ta shihnit Shqipërinë,
Si është bërë ky vendi ynë sot,
Ju dhatë jetën për lirinë
Do më falnit për një pikë lot!
25.09.1962
KUJTIME PARTIZANE
Eh, sa herë erdhët këtij fshati!…
dhe këndej u ngritët tërë gas!…
E mbaj mend si ziente monopati
Kësaj rruge… ç’gjruma mbetën pas!…
Kënga juaj tretej nëpër erë
Gjithënjë rrugët pa mbarim…
Vetëm ju s’u lodhët asnjëherë
Ju o miq na sillnit veç gëzim!
…
Vitet shkuan…
Ne më s’jemi parë!
(Bashkë kemi ndenjur te ky mur!)
Ju gjithnjë u kthyet fitimtarë.
Ju o miq më dhatë një flamur!
Dhe sa kishit parë ju në jetë…
(Un’i vogël isha atëher’)
Këndej vinit ju trima me fletë
Të gjith’ krahut mbanit maliher!..
Ja, mbas vjetësh…Kujtimet më vinë
Ndaj këndoj tani për ju me mall!
Jetën bëtë fli, ju për lirinë,
Por me ne ju jini prapë të gjallë!..
Fatmëni o miqt e mij të parë
Ne se derdh nga malli një pik’lot
Veç të ngriheshit ju çlirimtarë…
Shqipërinë ta shikonit sot!
Gjaku juaj-fjala e Partisë,
U bë diell për jetë, për liri
Ndaj dhe brez’i ri i Shqipërisë
U këndon gjithmonë veç lavdi.
Miq, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këndej u ngritët tërë gas,
Por s’humbasin këtij monopati
Gjurmat tuaja që mbetën pas!..
..Ah, sikur ta shihnit Shqipërinë
(Si lulzon ky vendi ynë sot…)
Ju që dhatë jetën për lininë
Do më falnit për një pikëz lot…1)
________________
1) Ky është varianti i “Zërit të rinisë”, 23 shkurt 1963, faqe 3. Po e botojmë me drejtshkrimin e kohës. Me sa njohim deri tani, kjo është poezia e fundit e botuar nga Genc Leka. Në këtë numër të gazetës është botuar pjesa e parë e tregimit të I. Kadaresë “Ditë kafenesh”, tregim që u ndalua dhe shumë vite më pas u botua në fletë alumini në Las Vegas.
MILINGONË
(Kujtim i vogëlisë)
Sa e vogël je, moj milingonë,
Duke rendur të shikoj çdo ças,
Ti me punë merresh gjithmonë,
Çdo pengesë rruge e lë pas!…
Ti, me shoqe vjen këtu, shpeshherë,
Tek ky lëmë mbushur grurë plot;
Dhe “hambarët” mbushni që në verë,
Se në dimër, ju nuk dilni dot!…
Fort e vogël je, moj milingonë,
Por kudo ti sillesh papushim.
Ti me punë merresh gjithmonë
Se dhe ti në punë gjen gëzim.
Kohën kot nuk e kaloj as unë,
Por kudo mësoj, dëfrej, punoj!…
Porsi ti dhe unë bëj çdo punë,
Milingonë, milingonë moj!…
Zdrajsh, 24.04.1965
HARABELAT
Vjeshta e sosi vellon me ngadalë,
Dimri do vijë me ngrica e tufan,
Por ju zogj, këtu i bëni ballë,
Prej këtij dheu asnjë gjë s’iu ndan.
Ka zogj që nisin shtegëtimin,
Duan pranverë, duan qiell pa re,
Por tek ky vend ju gjeni veç gëzimin,
Ndaj s’e braktisni kurrë këtë dhe.
SHKOLLA IME
Në një vend të largët, pranë një burimi
Ndodhet shkolla ime, e bukur, e re,
Mall’i fëminisë, ëndrrat, gjithë gëzimi
Me mijëra kujtime më flejnë atje.
Shtatë vjet me radhë më mbajti në gji,
(Ajo më dhuroi gjënë më të shtrenjtë)
Për herë të parë më priti fëmi
Dhe me gaz më hapi rrugët për në jetë.
Në një vend të largët mbeti shkolla ime,
(Bijtë e saj i nisi si zogj fluturim)
Po sa bij të tjerë mbushur me gëzime,
Ajo po bën gati … për marshim.
Kaq vjet me radhë më mbajti në gji,
Hej kjo shkolla ime e bukur, e re.
Dikur krahëhapur më priti fëmi
Ndaj më pret si nënë t’i vete atje…
Në një vend të largët, pranë një burimi,
Ndodhet shkolla ime, e bukur, e re,
Shkolla që jep dritë, ky vend edukimi
Më vjen sikur thotë: “Pse ike më le”?
PËR JETË
Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë,
Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!
Veç në s’iu çeli kjo pranverë,
Për jetë jeni tharë, ah … për jetë!
Janar 1971
LIRIKË
Dashurisë gjithë këto këngë,
Dashurisë gjithë këta lot.
Dashuris’, më të madhes brengë,
Zjarrit që s’e mposhtim dot.
Midis brengash ndejta burrë,
Pisk e paç në dashuri.
O s’e njoha atë kurrë,
E desha fort, se jam njeri.
KUJTIMI YT
Kujtimi yt më hodhi këtë natë,
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Po shtegun e blertë nuk e gjen gjëkund,
Ndaj vezullon çdo mbrëmje çdo mëngjes!…
Pranverë 1972
KJO ZEMËR
Kjo zemër dridhet si një zog i vrarë,
Si det me dallgë shpirti me balada.
Më djeg kjo flakë e dashuris’së parë
Dhe dritë hedh tani, mbi tri dekada.
…Kur shkrin dëborë e virgjër nëpër male,
Shpirt i ronitur dridhet prej një fjale.
Lirikat si fëmijë i zgjon ngadale
Dhe për atë që desh më fort, derdh lot…1)
…Ndofta, ndofta një mëngjes shtatori
Ti do vish sërishmi te ky vend,
Ndaj të pres gjithmonë tek oborri,
Që të ndiej hapin dhe zërin tënd. 2)
________________
1) Botuar në “Ngadhnjimi i shpirtit” me autor Nazmi Seitaj, Globus R, 2007, fq. 86, fragment nga një poezi e humbur e Genc Lekës.
2) Po aty, fq.48, fragment i një poezie të humbur.
SERGEJ ESENINIT
Dashuri e tij e madhe porsi deti,
Në një zemër s’mund të futej dot.
Ja kështu me fund e ktheu poeti
Për bejrozën që e deshi aq fort.
Varg po nisen qerret plot me sanë
Ti si diell i kuq po zbret në varr…1)
____________
1) Po aty, faqe 103. Sipas autorit, Nazmi Seitaj, kjo ka qenë një poezi e gjatë. Ai kujton vargjet që po japim.
KËNGË PËR MIQTË E PARË
Eh, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këtej u ngritët tërë gas,
E mbaj mend si ziente monopati
Kësaj rruge ç’gjurma mbetën pas!…
Kënga juaj tutje nëpër erë
Natën nëpër rrugët pa mbarim…
Vetëm ju s’u lodhët asnjë herë
Ju, o miq na sollët veç gëzim!
Eh, sa kishit parë ju në jetë,
(Un’ i vogël isha atëherë!)
Këndej ju vinit, ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!
Vitet shkuan… ne më s’jemi parë
(Bashkë kemi ndenjur tek ky mur!)
Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,
Ju, o miq, më dhatë një flamur!
Dhe sa kishit parë ju në jetë!
Unë i vogël isha atëher’;
Këndej vinit ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!…1)
Si vegim më erdhe këtë natë…
(Ku t’i shpjerë shpirti këta lotë?)
Si dikur hedh fletë vjeshta e artë,
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,
kurse ti këndej nuk vjen më dot.
Kushedi sa herë nëpër net
Ti do vish i heshtur si vegim,
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,
Gjak do rrjedhë plaga pa shërim… 2)
________________
1) Dy strofat e fundit janë botuar në vjershën “Kujtime partizane”, në gazetën “Zëri i rinisë”, 23 shkurt 1963. Mbase redaktorët e poezisë në Tiranë kanë bashkuar dy poezitë “Lumes’ dhe “Këngë për miqtë e parë” për t’i botuar në një poezi të vetme. Kjo sigurisht mbetet një hamendje, bazuar në atë që redaktorët e atëhershëm i jepnin të drejtën vetes për të bërë dhe operacione të tilla.
2) Fragment nga një poezi për të atin, botuar në librin “Ngadhnjim i shpirtit”, Globus R, 2007, fq. 69.
SONETI I KUJTIMIT
Oh ç’të rrëshqasin gishtat mbi kitare
Dhe dridhen telat, dridhen pa pushim,
Se ti këndon pasione djaloshare,
Se ti këndon për jetën pa mbarim.
Aty ti sheh kujtime fëminije,
Aty ti sheh çdo gjë që e ke larg.
Ti nuk këndon veç vargje dashurie,
E gjithë kënga jote është varg.
Këndo sërish, këndo si më parë,
S’ka gjë se vjeshta qan me mallëngjim,
Se ti këndon pasione djaloshare,
Se ti këndon për jetën pa mbarim.
Në gishtat që rrëshqasin mbi kitarë
Unë shoh një të ardhme si vegim.
ËMBËLSI E VISEVE RINORE
O ëmbëlsi e viseve rinore…
O pika loti, drithma, mallëngjim.
Pse ma trondisni botën shpirtërore,
Me brenga, mall, zbrazëti dhe dyshim?
Në cilën zemër hytë si pranverë
E nuk i sollët zemrës lumturi?
Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë,
Pranverën na do zemra, përsëri.
Dhe sa më shumë që do shkojnë vjetët
Zemrat s’do ndjenë qetësi gjëkund…
Lirika plot do lenë pas poetët
Për mallin, helmin, gazin e pafund.
O ëmbëlsi e viteve rinore
Në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore,
Brengë, gas e ngushëllim?
Pranverë 1972
KJO RRUGË
Kjo rrugë malore
Humbet nëpër fletë.
Kjo rrugë me gjurma në zall…
Dhe unë shkoj vetëm,
I heshtur, i qetë,
Në shpirt e në zemër aq mall.
Kjo rrugë malore,
Sërishmi kujtimi
Më zgjoi në zemër tani.
Bëj rrugën e dashur,
O rrugëza ime,
Besnik gjithnjë më je ti.
Fëmijtë i lashë,
(Të shkretët fëmijë),
Diku, jo si zogj në fole.
Po ndoshta kjo rrugë
Pas vitesh, një ditë,
Sërish do t’më çojë atje.
Dhe vitet do shkojnë,
Do rriten fëmijtë,
Të qeshur, si lule, atje.
Më pas, posi unë,
Do nisen një ditë
Në rrugën e jetës së re.
Kjo rrugë… dhe zemra
Diçka do t’më thotë…
Kjo rrugë plot gjurma në zall.
Sa rrugë, sa rrugë
Si kjo ka në botë,
Por veç për këtë do të ndiej mall!…1)
________________
1) Botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i rinisë” më 21 prill 1962.
NËNËS
U thinj ajo në rrugën e mundimit,
Por mbeti e re në zemër gjithnjë,
Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit
Për gjithë zemrat që nuk thinjen më.
Si ky lëmsh që mbledh ti sot në duar
Ashtu t’u mblodhën brengat, nëna ime,
Ti më mësove të lexoj në thëllime
Dhe askujt të mos i lutem shpirtlëshuar.
SPIUNËT
Në sahan të Sigurimit
Pijnë helmin e helmimit.1)
________________
1 ) Fragment, botuar në librin “Ngadhnjim i shpirtit”, me autor Nazmi Seitaj, Globus R, 2007, fq. 30.
LULET E HORASANIT
Toka që e deshët aq shumë,1)
Si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh me dëshpërim…
Hëna dridhej vetëm për mbi retë,
Yjet u këputën një nga një!…
Kurse ju u ndatë nga kjo jetë,
Që në botë të mos vini më!
Këngët enden nëpër shkretëtirë,
Në çdo zemër zgjojnë mall dhe brengë,
Ndaj e zgjova prapë të shtenjtën lirë,
Ndaj për ju derdh lot në këtë këngë.
Dhe sa lotë derdhi në mes tuaj
Esenini i dhemshur, shpirt njeriu,
Zemërdjeguri poet nga vis i huaj
Sikur të ishte vetë Saadiu.
________________
- Strofat 1, 3 dhe 4 janë botuar sipas “Ngadhnjim i shpirtit”, me autor Nazmi Seitaj, Globus R, 2007, fq 20
AHE, AHE
Ahe, ahe, o drurë të gjorë
Ju gjithmonë diç thoni me vete
Ju po duroni erë, shi e borë
Që të ngrohni fshatra e qytete,
Ahe, ahe, o drurë të gjorë!
LUDVIG VAN BEET’HOVEN
Përmbi brengë ndrin hën’e argjentë
(kështu shkojnë vitet një nga një)
Kush dëgjoi SIMFONINË E NËNTË
Këtë hënë s’desh ta shihte më!…
Ky titan i dhimbjes njerëzore
Ditët i përcolli me durim;
Apollon i dritës qiellore,
Botës i dha zë pa shëmbëllim!…
…Për një shelg të brishtë në bregore,
Për një yll që ndrin në largësi,
(na vjen si gjëmim në Re maxhore)
Psherëtim’e shpirtit GJITHËSI!
Kur tufani çante nëpër qiej,
Ai nisi rrugën pa mbarim!
“Perëndi e verbër që bën diej”
Botës i hedh dritë plot shkëlqim!
O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,
Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.1)
Janar 1971.
________________
1) Janë fjalët e Hygoit për L.V.Beet’hovenin. Shënimi në fund është i autorit, Genc Leka. Edhe fjalët me shkronja të mëdha janë të autorit. Sipas dëshmisë së botuar te “Ngadhnjim i shpirtit”, kjo është poezia e fundit e G. Lekës, shkruar në gusht 1976, disa ditë para se ta arrestonin.
Ndalohet publikimi pa lejen e autorëve!