Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Mbi komplikimet në procesin e njohjes së Kosovës dhe roli i Shqipërisë

Mbi komplikimet në procesin e njohjes së Kosovës dhe roli i Shqipërisë

Shtet-ndërtimi i Kosovës është një proces i njëkohshëm i politikës së brendshme dhe i politikës së jashtme, ku kjo e fundit synon të konfirmojë dhe legalizojë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Në këtë kuadër procesi i njohjes e Kosovës ka qenë tepër i rëndësishëm gjatë 11 viteve, që nga shpallja e pavarësisë. Njohja e shtetit të pavarur të Kosovës nuk ka qenë dhe nuk është një proces diplomatik i lehtë, por nga vlera historike që ka, duhet karakterizuar si proces i suksesshëm.

Njohja nga 116 shtete të botës, ku përfshihen shtetet e grupit më të fuqishëm të botës G7, shtetet kryesore të BE dhe të NATO-s, katër nga shtetet ish republika jugosllave, etj., duhet konsideruar si dinamikë pozitive e procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

Është e kuptueshme se përderisa Serbia e futi ish federatën komuniste jugosllave në luftëra ndëretnike me qëllimin e ndalimit të pavarësimit të popujve jo-serbë, do të ndodhte edhe me Kosovën lufta, që ajo zhvilloi më parë me shtetet e tjera ish-republika jugosllave. Beogradi u detyrua nga presioni i fuqive të mëdha në Dejton që të njihte shtetet e reja të pavarura ish-jugosllave dhe të pranonte se Serbia ishte vetë një nga shtetet e reja të krijuara dhe se të gjithë shtetet e reja ishin njësoj trashëgimtarë të ish-Jugosllavisë.

Procesi i njohjes së Kosovës nga Serbia do të ishte më i vështirë, sepse pretendimi kolonial i Serbisë mbi Kosovën ishte më i madh, dhe sepse dinamika e presionit të faktorit ndërkombëtar mbi Serbinë nuk ndoqi metodikën dejtoniane të diplomacisë. 20 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe 11 vjet nga shpallja e shtetit të pavarur, procesi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur njohu një stanjacion në dy vitet e fundit.

Po bëhet rreth një vit e gjysmë që lista e shteteve, që njohin Kosovën nuk është shtuar dhe data e fundit është ajo e 15 shkurtit 2018, kur e njohu Barbados. Në vitin 2017 kemi vetëm dy njohje. Unë nuk i përkas shkollës së mendimit, që e sheh procesin e njohjes së Kosovës vetëm me dinamikë marksiste të ngjitjes së njëtrajtshme.

Por zhvillimet diplomatike rreth çështjes së njohjes së Kosovës në dy vitet e fundit kërkojnë një hulumtim të komplikimeve të brendshme dhe të jashtme në procesin diplomatik të njohjeve.

Ndër komplikimet e jashtme do të përfshija qëndrimet dhe veprimet e diplomacisë ndërkombëtare, në gjithë spektrin e saj, ndaj procesit të njohjes së Kosovës. Ndër komplikimet e brendshme do të përfshija qëndrimet dhe veprimet e udhëheqjes së Kosovës dhe të Shqipërisë. Duhet pranuar paraprakisht se suksesi i arritur me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga 116 shtete anëtare të OKB, duhet konsideruar në rradhë të parë produkt i veprimtarisë dhe i angazhimit të vazhdueshëm dhe të kudondodhur të diplomacisë së SHBA, si aleat strategjik numër 1 i dy shteteve shqiptare dhe i kombit shqiptar.

Kësaj i bashkohet mbështetja dhe angazhimi i disa shteteve të tjera mike me ndikim rajonal apo ndërkombëtar si Gjermania, Britania e Madhe, Turqia, etj.

Një ndalje të veçantë meriton për këtë temë qëndrimi dhe politika e BE në lidhje me njohjen e shtetit të Kosovës. Që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel në vitin 2011 midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE, konstatojmë dy faza në politikën europiane ndaj Kosovës në lidhje me njohjen e saj.  Faza e parë, që mund të quhet “faza aktive”, përfshin vitet 2011-2014, ku kemi një angazhim më të madh të BE në procesin e njohjes së Kosovës.

Mund të konsiderohet një sukses diplomatik marrëveshja e 19 prillit 2013, kur BE arriti që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë marrëveshjen e parë politike të normalizimit të marrëdhënieve, ku përfshihet pranimi zyrtar nga Serbia i të drejtës së Kosovës për të hyrë në BE, si dhe angazhimi i Serbisë për të mos penguar as pranë palëve të treta këtë ecje të Kosovës si shtet për anëtarësim në BE.

Domethënia diplomatike e kësaj marrëveshje ishte pranimi i tërthortë nga Serbia i Kosovës si shtet, sepse në BE anëtarësohen shtete dhe jo krahina. Kësaj “faze aktive” i përket edhe kushti i njohur i BE, që iu vendos Serbisë, se pa normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës Serbia nuk mund të hyjë në BE.

Faza e dytë, që mund të quhet “faza pasive”, është ajo e viteve 2014-2019, ku angazhimi i BE jo vetëm ka rënie, por BE toleron që procesi i njohjes së Kosovës të nëpërkëmbet nga Serbia. Kjo është faza pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe ku filloi përplasja gjeopolitike për popuj dhe territore midis Rusisë dhe BE. BE u tremb nga ajo që ndodhi me Krimenë dhe bëri një rivlerësim të gabuar të qëndrimit të vet ndaj Serbisë, duke i nisur nga premisa ireale se toleranca ndaj Serbisë në çështjen e njohjes së Kosovës, do ta joshte Beogradin të shkonte drejt BE dhe jo drejt Rusisë.

Një llogari e gabuar, e cila gjatë pesë viteve nga aneksimi i dhunshëm i Krimesë zbuloi planifikimin joreal strategjik të BE. Mirëpo ky qëndrim i tërhequr i BE ndaj Serbisë ndikoi në planin ndërkombëtar që procesi i njohjes së Kosovës të pësonte stanjacion dhe madje kthim mbrapa.

Në këtë periudhë të fazës pasive BE lejoi dy fenomene negative. Së pari, lejoi që Serbia të shkelte detyrimin e marrë në marrëveshjen e prillit 2013 në Bruksel, dhe të intensifikonte fushatën ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera. BE nuk reagoi për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Madje BE nuk reagoi as ndaj absurditeteve të tilla që Serbia, edhe kur kryesonte OSBE në vitin 2015, bënte veprimtari kundër njohjes së Kosovës nën flamurin e OSBE. Brukseli nuk i bëri presion Serbisë të respektonte marrëveshjen e vitit 2013, por as reagoi publikisht ndaj Beogradit për shkeljen e marrëveshjes. Së dyti, BE lejoi që Serbia, e ndihmuar  nga Rusia, të kalonte në një fazë të re të agresionit diplomatik kundër Kosovës, për t’i bërë presion disa shteteve të vegjël të të ashtuquajturës “botë e tretë” që të tërheqin aktin e njohjes së Kosovës.

Arroganca diplomatike e Serbisë shkoi deri në atë shkallë sa që kryeministrja e Serbisë guxoi dhe i kërkoi Tiranës që të tërheqë njohjen e Kosovës.

Natyrisht tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është një veprim absurd diplomatik dhe juridik, krejt në kundërshtim me ligjet dhe normat ndërkombëtare. Por çështja është se përse BE nuk reagoi asnjëherë ndaj këtyre fenomeneve negative diplomatike të Serbisë.

BE nuk ndoqi shembujt dhe qëndrimet pozitive dhe mbështetëse të SHBA, të Britanisë së Madhe, të Francës, etj., të cilët kanë reaguar direkt me nota zyrtare dhe forma të tjera proteste pranë njërit apo tjetrit mikroshtet, i cili nën presionin e Serbisë dhe të Rusisë kanë ndërmarrë hapa për tërheqjen e njohjes.

Zigzaget dhe mungesa e konseguencës e diplomacisë së BE në bisedimet në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës, bënë që këto bisedime të rrotullohen në vend për shtatë vjet dhe të mos arrijnë objektivin kryesor politik, që duhet të ishte normalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet njohjes reciproke. Dobësia e diplomacisë së BE dhe dështimi i saj për të imponuar marrëveshjen e njohjes reciproke ka patur dhe ka efektin e vet në stanjacionin e procesit të njohjeve të Kosovës nga shtetet e tjera.

Në faktorët e jashtëm negativë të bllokimit të njohjeve rol qendror ka padyshim veprimtaria diplomatike e Rusisë, e cila pas aneksimit të Krimesë, u bë më agresive në arenën ndërkombëtare për ta përdorur kartën e njohjes së Kosovës si monedhë presioni dhe shkëmbimi ndaj Perëndimit për ta detyruar atë të pranojë aneksimin rus të Krimesë.

Përtej komplikimeve të jashtme, procesi i njohjes së Kosovës është ndeshur me pengesat e komplikimeve të brendshme në Kosovë, të cilat kanë ndikuar jo pozitivisht në dinamikën e njohjeve. Komplikimet e brendshme kanë të bëjnë me fluktuacionet e qëndrimeve dhe me tezat e gabuara, që udhëheqja e Kosovës ka profesuar në dy vitet e fundit, dhe të cilat sipas mendimit tim kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë negativ në procesin e njohjeve ndërkombëtare të saj. Po rreshtoj disa:

1-Në fund të vitit 2017 udhëheqja e Kosovës doli me tezën që nuk ka nevojë ta njohë Serbia Kosovën në marrëveshjen e saj përfundimtare. Ky ishte një mesazh i keq në drejtim të shteteve, që nuk e kishin njohur ende Kosovën, sepse donte të thoshte që nuk ka arsye ta njohin Kosovën shtetet e tjera, përderisa ajo nuk po kërkon ta njohë Serbia.

2-Në vitin 2017 udhëheqja e Kosovës aplikoi tezën qe objektivi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe prioriteti i saj është anëtarësimi në OKB dhe jo njohja e shtetit të pavarur të Kosovës nga Serbia. Prioritarizimi i anëtarësimit në OKB mbi njohjen e shtetit zhvleftësonte nevojën e njohjes së Kosovës dhe lehtësonte Serbinë në fushatën e saj ndërkombëtare për të mos njohur Kosovën.

3-Në vitin 2018 kemi daljen e tezës tjetër të gabuar të udhëheqjes së Kosovës që marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB për shqyrtim dhe miratim. Është një tezë e rrezikshme, që e rikthen Kosovën si një “çështje e hapur”, që nuk e ka zgjidhur statusin e saj si shtet. Kjo tezë mund të merret si automohim i shtetësisë së Kosovës dhe kjo bllokon njohjet e reja, sepse shtetet, që nuk e kanë njohur, justifikohen të presin derisa të merret Këshilli i Sigurimit me Kosovën.

4-Në vitin 2018 kemi gjithashtu promovimin e pashpjegueshëm publik të tezës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, tezë që udhëheqja e Kosovës e përdor si mjet presioni diplomatik ndaj BE. Këtë tezë diplomacia serbe e ka shfrytëzuar si argument që nuk ka nevojë të njihet Kosova si shtet, përderisa ajo planifikon të bashkohet me një shtet tjetër, me Shqipërinë. Për hir të së  vërtetës duhet thënë se teza e mësipërme e pakohshme ka qenë një ndikim i drejtpërdrejtë negativ i Tiranës zyrtare, e cila është e para që e ka hedhur këtë tezë në arenën ndërkombëtare. Që në vitin 2014 kam theksuar se “Qëndrimet e paqarta të lëshuara nga Tirana kanë marrë disa herë formën e bumerangut për procesin e njohjeve. Në qarqet diplomatike është përmendur se qëndrimet e nxituara dhe retorika nacionaliste e përfaqësuesve të ekzekutivit të Shqipërisë për “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” apo për prishjen e kufijve, kanë qenë kontraproduktive dhe shpesh herë frenuese në planin diplomatik ndërkombëtar për avancimin e njohjeve”.(“Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018, fq.127).

Në analizën e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës duhet ndriçuar edhe roli i Shqipërisë, e cila gjithashtu, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje, ndoqi kurbën e kalimit nga entuziazmi i fillimit për lobingun në favor të njohjes së Kosovës tek një apati dhe neutralitet alogjik në këtë çështje. Sot është vështirë të veçosh ndonjë shtet të vogël apo të mesëm, që ta ketë njohur Kosovën nga kërkesa apo nga presioni i Shqipërisë. Kjo nuk vjen ngase Shqipëria është shtet i vogël, por vjen nga fakti që diplomacia shqiptare nuk ka ditur të shfrytëzojë në favor të njohjes së Kosovës tërë mundësitë dhe potencialin e saj në marrëdhëniet dypalëshe dhe në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Apatinë diplomatike të angazhimit të Shqipërisë e konstaton thjesht duke parë komunikatat zyrtare të bisedimeve dhe të takimeve ndërkombëtare të udhëheqësve të Shqipërisë, ku mungon kërkesa e Tiranës për njohjen e Kosovës nga Greqia, nga Izraeli, nga Vatikani, nga Kina, etj. Shqipëria ka bërë gabimin që nuk ka reaguar asnjëherë ndaj fushatës agresive të diplomacisë serbe kundër njohjes së Kosovës. Shqipëria nuk ka reaguar asnjëherë as ndaj fushatës absurde të Serbisë për tërheqjen e njohjeve nga shtete, që e kanë njohur Kosovën, në një kohë që Britania e Madhe dhe Franca kanë protestuar me nota zyrtare ndaj shteteve që kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Procesi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur mund të avancojë dhe të ketë ritme të tjera, nëse qeveritë dhe diplomacia e të dy shteteve shqiptare do të korrigjojnë gabimet, të jenë më aktivë në arenën ndërkombëtare me mendim diplomatik, me veprim dhe me një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë për vitalizimin e procesit të njohjeve të Kosovës./gazeta dita/

Please follow and like us: