Reshat Kripa: Shkallët e Ferrit (2)
Roman
KREU I DYTË
FURTUNA
I
Ora kishte kaluar dy pas mesit të natës. Një trokitje e fortë u dëgjua në portë. Nënë Gjyla u ngrit dhe ashtu e përgjumur u afrua duke pëshpëritur me vete:
– Kush do të jetë ky i uruar që na shqetëson në këtë orë?
Nuk kishin më shumë se dy orë që kishin rënë dhe ishin në gjumin e parë, një gjumë i rëndë si vdekja. Megjithatë trokitja ishte aq e fortë sa u zgjuan të gjithë. Madje edhe gjitonët për karshi dolën te porta.
– Kush është? – pyeti nënë Gjyla.
– Policia Popullore, – ishte përgjigja.
Nënë Gjyla hapi portën. Brenda hynë operativ Ilia dhe tre policë.
– Kërkojmë Agron Canajn.
Ndërkohë Agroni ishte veshur dhe po bëhej gati për të dalë.
– Agron… ç’kërkojnë këta. – tha Lumtua që dëgjoi fjalët e fundit.
– Mos u trondit. Është akti i fundit i komedisë së tyre. Amanet Iridën dhe nënën. Bëhu e fortë.
Doli në koridor dhe iu drejtua Ilias:
– Ç’kërkoni? Unë jam Agron Canaj.
– Në emër të popullit jeni i arrestuar!
Një polic i hodhi prangat.
– Ku po ma çoni djalin? – thirri nënë Gjyla.
Skënderi hapi derën e dhomës dhe kur pa Agronin të lidhur u tërhoq prapa dhe mbylli derën. Nuk guxoi të dalë. Irida që kishte ndier zhurmën, doli përjashta dhe iu hodh në qafë të atit duke thërritur:
– Babi! Mos e merrni babin!
– Jo, mbretëresha e babit. Do të shkoj sa për një sqarim dhe do të kthehem përsëri.
– Po pse të kanë lidhur?
– Sepse kështu jam më i sigurt, – tha ai me një ton ironik, duke u përpjekur të fshehë tronditjen që e kishte pushtuar.
Lumtua qëndronte te dera e dhomës pa folur. Kishte ngrirë. Zëri nuk i dilte.
– Shkojmë! – foli Ilia dhe u nis i pari.
Dy policë e kapën Agronin për krahu dhe u nisën. Polici i tretë u shkoi nga prapa. Agroni ktheu kokën dhe duke dashur t’i qetësojë disi familjarët, foli:
– Mirupafshim së shpejti!
U zhduk në errësirën e shkallëve. Pas pak zhurma e një makine që u largua, u dëgjua në shtëpinë e tronditur.
– Ç’qe kjo kështu? – pyeti gjitoni shumë i habitur
– Me siguri do të jetë bërë ndonjë ngatërresë, – tha nënë Gjyla.
– Megjithatë mos u shqetësoni! Nesër gjithçka do të sqarohet. Qetësohuni tani! – foli përsëri gjitoni.
U largua dhe mbylli portën. Edhe të zotët e shtëpisë u futën brenda. Skënderi hapi derën dhe duke u drejtuar drejt të pranishmëve u tha:
– Çfarë ka ndodhur?
Nënë Gjyla e pa me mospërfillje.
– Turp të kesh! – tha – dole dhe u fshehe përsëri. Mos kujto se nuk të pashë? Ik, fli i qetë dhe nesër që me mëngjes nisu për në Tiranë, ku do të ushtrosh përsëri detyrën e drejtorit, ndërsa vëllaj yt do të dergjet në burg.
I ktheu shpinën dhe u fut në dhomën e saj. Lumturia dhe Irida e ndoqën nga prapa. Skënderi mbeti në heshtje. Pas pak doli dhe e shoqja me fëmijët.
– Po kjo çfarë qe? – pyeti ai me gjysëm zëri.
Pyetja e tij mbeti pa përgjigje.
Nënë Gjyla pyeste veten e saj se kush mund të ishte shkaku që i kishin marrë të birin. Por askush nuk i përgjigjej. Vetëm një njeri qëndronte në heshtje dhe nuk çfaqte asnjë mendim. Kjo ishte Lumtua. Ajo e dinte të vërtetën, por nuk guxonte t’ia thonte askujt. Irida filloi të qante me ngashërim. Gëzimi i ditëlindjes ishte shndërruar në vaj. Lumtua e mori, e shtrëngoi fort në gjirin e saj dhe duke mposhtur gjendjen në të cilën ishte i tha:
– Mos qajë drita e mamit. Më ke mua, ke nënën.
Por lotët vazhdonin t’i rridhnin vajzës pa mbarim. Ishin lot të dala nga zemra e thyer e një fëmije, së cilës i kishin rrëmbyer atë që ajo e kishte si idhullin e saj, mbrojtësin e saj, frymëzuesin e saj. Ata lot nuk mund t’i ndalonte asgjë. Vetëm një forcë mund ta bënte një gjë të tillë, por në vendin tonë ajo forcë ishte braktisur, ishte mohuar. Kjo ishte forca e Zotit, por edhe ai, siç duket, e kishte harruar këtë vend.
Atë natë asnjë nuk mbylli sy.Të nesërmen vendosën që nënë Gjyla të shkonte dhe të kërkonte shkakun e arrestimit. Një gjë të tillë duhet ta bënte më mirë Skënderi, por ai ia mbathi që atë mëngjes së bashku me gruan dhe fëmijtë. Edhe Lumtua nuk mund të bënte gjë. Ajo ishte mpirë krejt, ishte bërë një tjetër njeri, nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Kështu që i mbeti nënë Gjylos. Ajo ishte nënë dhe fjala e nënës është më e rëndë se e kujtdo tjetër.
U vesh dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendshme. Pyeti oficerin e rojes për të birin dhe ai i tha se do të merrte përgjigje pas disa ditësh. Kërkoi të takonte kryetarin e degës. I thanë se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, pasi ai ndodhej në Tiranë, në Ministri.
– Megjithatë, unë do të qëndroj këtu dhe do ta pres deri sa të vijë.
U ul në një bordurë betoni pranë hyrjes së degës. Një polic iu afrua dhe i foli me një zë të butë:
-Nëno! Mos rri kot. Ai nuk vjen për disa ditë. Ka shkuar për një mbledhje në Ministri.
Nëna e pa me vërejtje në fytyrë. Iu duk djalë i mirë.
– A ke nënë, o bir?
– Po moj nënë dhe ajo të ngjan ty. Gjithë ditën rri në dritare dhe pret të kthehem unë, sepse kjo puna jonë ka edhe rreziqe.
– A e sheh? Nënat janë krijuar për të vuajtur tërë jetën nga meraku për bijtë e tyre. Zemra ime është bërë copë. Më rrëmbyen djalin më të mirë si ndonjë kriminel. Biri im është i pafajshëm.
– Mos ki merak nëno, po qe i tillë, me siguri do të dalë së shpejti.
– Falemnderit, mor bir, për fjalët e mira!
U ngrit dhe filloi të largohej duke u menduar. Në çast i shkrepi në mendje të shkonte në Komitetin e Partisë, të takonte sekretarin e parë, të cilin e njihte. Ishte një burrë rreth të pesëdhjetave, një partizan që kishte luftuar në batalionin e komanduar nga i shoqi. Mendoi se një gjë e tillë do ta ndihmonte. Shkoi atje dhe i paraqiti kërkesën dezhurnit që ishte te porta. Ai mbajti shënim emrin dhe foli me dikë në telefon. Nëna vuri re se kishte diçka që nuk shkonte në atë bisedë. Dezhurni u ngrit, mbylli xhamin e sportelit që të mos dëgjonte nëna dhe si mbaroi tha:
– Nuk është këtu. Ka shkuar me shërbim.
– Si nuk është këtu? Të gjithë paskan ikur nga ky qytet? Kush qeveris atëherë?
– Unë kaq di t’u them.
Nëna u largua dhe u ul në një bar kafe aty pranë, prej nga shihej hyrja e Komitetit të Partisë. Iu kujtua skena e shumë viteve më parë kur kishte kërkuar të takohej me Enver Hoxhën. Edhe atëhere i kishin thënë se nuk ishte. Siç duket kjo ishte një mënyrë e njohur përcjelljeje. Por vendosmëria e saj kishte bërë që ta takonte atë. Kështu do të vepronte edhe sot. Do të priste deri sa të mbaronte orari i punës që të vërtetonte nëse i kishin thënë të vërtetën.
– Çfarë do merrni nëno? – foli kamarieri.
– Një kafe shqeto.
Kamarieri i solli kafen dhe ajo po e pinte me ngadalë. Ndërkohë hyri një burrë dhe meqenëse tavolinat e pakta ishin mbushur me njerëz, iu drejtua nënë Gjylos:
– A mund të ulem edhe unë të pi një kafe?
Nëna i bëri shenjë me dorë që të ulej.
– Djalë, bëmë edhe mua një kafe, ashtu siç e di ti, – foli i porsaardhuri.
Siç duket ai ishte një klient i rregullt i atij lokali. Të dy pinin kafet pa folur. Së fundi ai tha:
– Nga të kemi moj shoqe?
– Nga qyteti.
– Të shoh shumë të mërzitur. Çfarë halli ke? Thuama mua se ndoshta mund të të ndihmojë.
Nëna e pa me vërejtje. Kush ishte ky person që kaq shpejt ishte hapur me të? Mos ishte ndonjë provokator i dërguar nga sigurimi i shtetit?
– Të gjithë gjykatësit e botës të mblidhen dhe nuk i zgjidhin hallet e mia.
– E përse? A ka gjë që nuk mund të zgjidhet në këtë botë?
– I tillë është halli im.
– Vallahi, nuk po të kuptojë fare. Çfarë mali të paska rënë përsipër që nuk të le të ngrihesh?
– Është një mal aq i lartë sa nuk e kapërxej dot.
– Mos e lësho veten, moj burrëreshë.
– Mbrëmë mora goditjen më të rëndë.
– Çfarë goditje?
– Më rrëmbyen dritën e syve dhe e hodhën në skëterrë.
– Ku?
– Ju thashë, në skëterrë.
– Në burg?
– Po.
– Përse?
– Nuk e di. Për këtë jam këtu sot.
– Kush është drita e syve të tu?
– Im bir, kush tjetër. Agroni im, Agron Canaj.
Plaku po mendohej. Ky mbiemër i kujtoi një histori të kohës së luftës.
– Canaj… Canaj… Ky mbiemër më kujton një mik të vjetër. Çfarë keni të bëni me Bexhet Canajn?
Nënë Gjyla hodhi vështrimin mbi të panjohurin.
– Ka qenë im shoq.
Plaku e vështroi i habitur.
– Për besë! – tha duke i rënë ballit me dorë. – Paskam rrjedhur fare! Si nuk të njojta? Kanë kaluar tridhjet vjet nga ajo ditë e zezë. Unë jam Syrjau, ai që pruri trupat e Bexhetit dhe Sabriut.
– Syrjau? Si është e mundur? Po si qenke transformuar kështu mor i zi?
– Po, pikërisht unë jam. A e mban mënd atë ditën e zezë kur solla trupat e Bexhetit dhe Sabriut? Isha djalë i ri, i mbrujtur me ndjenjën e atdhedashurisë dhe i gatshëm të jepja jetën për të. Por Zoti nuk donte që unë të vritesha. Ai kërkonte më të mirët. Donte Bexhetin dhe Sabriun. Ata ishin shumë më të mirë se unë. Fati kishte caktuar që unë të vuaja. Sa do të kisha dashur të kisha pasur fatin e tyre. Të paktën nuk do të shikoja këtë armiqësi që është hapur midis vëllezërve të një gjaku. Më fal që po të flas kështu, por më dhemb zemra. Ajo është që i thotë këto fjalë. Kam bërë njëzet vjet burg. Shikomë mirë. Jam vetëm pesëdhjetë vjeç, por dukem si shtatëdhjetë. Burgu më katandisi në këtë gjendje.
Syrjau heshti. Nënë Gjylës iu kujtua çasti kur ai erdhi në shtëpinë e tyre, për të sjellë kufomën e të shoqit, vrarë në betejë. Ishte një djalë i ri dhe mjaft i pashëm. Kurse tani kishte para vetes një njeri të plakur para kohe, një njeri që kishte humbur gjithçka. Kush e kishte katandisur në këtë gjendje? Nënë Gjyla nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetje.
– Përse të dënuan?
– Ti e di, unë bëja pjesë në çetën nacionaliste. Pas lufte na rreshtuan në anën e humbësve dhe këtë duhej ta paguanim me jetën tonë. Kështu tim at e pushkatuan, ndërsa mua më dënuan me njëzetepesë vjet burg, nga të cilat bëra njëzet. Por le ta lemë tani këtë bisedë. Më thuaj, përse e kanë burgosur tët bir?
– Ku ta di unë e mjera? E arrestuan mbrëmë. Kam ardhur të takoj sekretarin e parë. Ka qenë shokë me Bexhetin. Me siguri do të më presë dhe do të më shpjegojë gjithçka.
– Do të doja të ishte ashtu si thua ti, por nuk e besoj. Tashmë ju jeni shndërruar në një familje reaksionare. Pikërisht këtyre famijeve u largohen të gjithë.
Nënë Gjyla hodhi vështrimin nga dritarja. Pa të dilte nga godina e Komitetit të Partisë sekretarin. U ngrit rrëmbimthi dhe sa hap dhe mbyll sytë i doli përpara.
– Shoku Ali, ju lutem, kam ardhur për të biseduar diçka me ju.
– Shoqja Gjyla, më fal, por nuk mundem. Tani kam një takim të rëndësishëm, ndaj po nxitoj. Shko brenda dhe paraqitja sekretarit të dytë problemin tënd.
– Unë mendoj se duhet ta bisedojmë bashkë atë problem. Ju keni qenë shoku më i afërt i Bexhetit dhe jo sekretari i dytë.
– Më vjen keq, por nuk mundem.
– Ju falemnderit për konsideratën që paskeni. Kur erdha këtu mendova se do ta gjenit pak kohë sa për të biseduar. Shokët tuaj më gënjyen, ata më thanë se ishit me shërbim. Tani ju nuk gjeni kohë. Megjithatë, ju falemnderit përsëri. Rrini i qetë. Nuk do t’ju shqetësoj më.
Ktheu krahët duke e lënë sekretarin e parë të habitur nga kurajoja me të cilën ajo grua i kishte folur. Deri atë ditë askush nuk kishte guxuar ta kundërshtonte dhe, ja tani, ishte kjo grua që ia përplaste neverinë në fytyrë. Cila ishte ajo forcë që e shtynte të bënte një veprim të tillë? Ishte zhgënjimi i papritur dhe dashuria e nënës për birin e vetë. Këtë gjë nuk ishte në gjëndje ta kuptonte sekretari i parë, një nëpunës fanatik.
Nënë Gjyla u fut përsëri në klub dhe iu drejtua Syrjaut:
– Kishe të drejtë, as që denjoi të bisedonim.
– Mos u mërzit. Duhet të bëhesh e fortë. Dallgë të tjera të presin.
– Mirupafshim, po iki në hallin tim.
– Për çdo gjë që të keni nevojë, unë do të jem i gatshëm t’ju ndihmojë.
Nënë Gjyla u largua duke i bërë një shenjë me dorë. E çfarë ndihme mund t’i jepte ai i ngratë, që nuk dinte si të përballonte jetën e vet. Megjithatë e tha fjalën e mirë. Kjo tregonte shpirtin e tij. Dy pika lot i rrodhën nga sytë. Nxorri shaminë dhe i fshiu. Në atë çast besoi se e kishte humbur djalin e saj.
II
Qelia ku mbyllën Agronin ishte një birucë jo më e madhe se një kotec pulash. Një portë e rëndë hekuri ishte i vetmi komunikim me korridorin. Dritare nuk kishte. Qelia mund të ajrosej nga hapësira që linte porta në fund të saj, rreth një gisht, prej nga hynte dhe një rreze drite. Kur hyri Agroni dera u mbyll dhe ai mbeti në errësirë. Nuk shihte asgjë. Filloi të ecte me ngadalë si një i përgjumur. U përplas pas një muri. Bëri dy hapa djathtas dhe ndeshi në mur. U kthye prapa dhe përsëri mur. Nga kjo kuptoi se qelia e tij nuk duhej të ishte më e madhe se 2 X 1,5. Ndjeu një erë të rëndë t’i shponte hundët. Ishte erë myshku, përzier me atë të amoniakut. Mirë era e myshkut se vinte nga lagështira, po era e amoniakut ç’kërkonte atje? Me siguri duhet të kishte urinuar dikush. Ndoshta ndonjë fatkeq tjetër si ai. Po përse? Vallë nuk i nxirrnin për të shkuar në nevojtore? Kërkoi ndonjë vend për t’u ulur, por nuk gjeti. U mbështet pas murit dhe po priste. Pak nga pak filloi të dallojë konturet e qelisë. Ishte aq sa e kishte parashikuar. Nuk kishte asgjë brenda, as shtrat dhe as ndonjë karrike për t’u ulur të paktën. Ishin vetëm dy sofate betoni në cepat e qelisë, që nuk kishte mundur t’i shikonte më parë. U ul në njërin prej tyre dhe filloi të mendonte:
“Me siguri mbyllja në këtë qeli është bërë me qëllim që të më paralajmërojnë për pasojat. Ata duan që unë të denoncoj shokët e mi. Ky është një lloj presioni. Mbahu Agron! Burrëria jote këtu do të duket. Do të kërkoj takim me kryetarin dhe do t’i kërkoj shkakun e këtij trajtimi. Edhe sikur të isha fajtor, duhej të më dënonin aq sa meritoja dhe nuk duhej të më trajtonin kështu. Ky është barbarizëm. Vetëm në burgjet naziste trajtoheshin njerëzit në këtë mënyrë”.
Ju kujtua mbrëmja e kaluar. Ishte një mbrëmje gëzimi. Ditëlindja e Iridës ua kishte ngazëlluar zemrën. Mos ishte ky gëzim që e vrau? Jo, jo nuk kishte mundësi. Si mund ta vriste gëzimi i vajzës së tij të vetme? Iu kujtuan fjalët e së bijës në çastin e arrestimit:
– Babi, pse të kanë lidhur? Mos e merrni babin!
Ndjeu një dhimbje në shpirt. A do të ishte e zonja Irida të përballonte këtë goditje? Si do ta trajtonin në shkollë? Mos vallë do ta diskriminonin? Një gjë e tillë i therrte në zemër. Kur mendonte pasojat që mund të kishte ajo, e ndiente zemrën ta lëshonte. Nëna, a do e duronte dot këtë dhimbje? Ajo vuante nga tensioni i lartë i gjakut. Agroni i druhej ndonjë hemoragjie cerebrale. .Po Lumtua si do t’i bënte ballë gjëndjes? Si do të rronin vetëm me rrogën e saj dhe pensionin e nënës? Tri femra pa asnjë përkrahje. Të gjitha këto mendime silleshin rrotull në kokën e tij. Nuk ishte i zoti t’u jepte përgjigje. Në atë gjendje mjerane në të cilën ndodhej, më tepër e shqetësonte e ardhmja e të dashurve të tij. Së fundi e mblodhi dhe i tha vetes:
– Rri i qetë! Tani duhet të mendosh se si duhet vepruar. Duhet ta peshosh mirë çdo
përgjigje. Hetuesit janë mjeshtra në profesionin e tyre. Ata t’i nxjerrin fjalët me çengel. Duhet kujdes me ta. Pasi të kalojmë këtë lumë, shohim e bëjmë pastaj.
Këto fjalë sikur e qetësuan shpirtin e tij. Filloi t’i shihte gjërat me një sy më realist. Në fund të fundit do të kalonte edhe kjo dhe çdo gjë do të rregullohej. Ai ishte i pafajshëm dhe nuk kishte pse të trembej. Dëgjoi çelsat që vringëllinë në portë. Hyri Myfiti, roja i qelive.
– Eja të kryesh nevojat personale, – i tha me një zë të thatë dhe monoton.
Nevojtorja ishte aty pranë, në fund të korridorit. Brenda saj ishte edhe një çezmë. Agroni kreu nevojat dhe doli.
– Ku është lavamani? – pyeti.
Myfiti qeshi me të madhe
– Dashke edhe lavaman zotrote! – tha me një zë tallës, – Mos do edhe ujë të ngrohtë? Lahu te çezma në nevojtore.
Hyri përsëri, lau duart dhe u hodhi edhe syve disa grushte me ujë. Pastaj nxori shaminë e dorës dhe u fshi. Kur hyri në qeli, i tha rojes:
– Dua të takoj kryetarin e degës.
Ai nuk iu përgjigj, por i përplasi portën në turi. Priti sa i erdhën sytë dhe filloi të vinte rrotull qelisë duke u menduar. Mendimet janë e vetmja pasuri që ka njeriu në të tilla raste. Trurit, i burgosur dhe ai sikurse i zoti, nuk i mbetej gjë tjetër veçse të mendonte. Mendimet këmbeheshin me njëri-tjetrin. Fillonin nga qelia, vazhdonin te familja dhe përfundonin te qendra e punës. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani. Kush do të ishte fundi? Arsyeja nuk pranonte dënimin, por a do të triumfonte drejtësia? Kësaj pyetje nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Cila drejtësi?Ai ende rrekej t’i mbushte mendjen vetes se ka ende shpresë edhe pse zhgënjimi po e bluante përbrenda.
Hodhi vështrimin në muret. Me vështirësi dalloi shkrime të ndryshme. Lexoi disa emra njerëzish. Me siguri ishin të atyre që kishin qenë më parë aty. Kishte shumë psherëtima të dhimbshme, por edhe disa të shkruara nga njerëz që nuk i kishte mposhtur qelia. Në to binte në sy besimi i tyre për të ardhmen. Në atë kohë iu kujtuan vargjet e Dantes nga “Komedia Hyjnore”:
Këndej kalohet në qytet të mjerimit,
Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi,
Këndej kalohet në shpirtrat humbun shqimit.
Para meje gja tjetër s’u krijue,
Veçse e përjetshme,- e unë qëndroj për jetë,
O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!
Këto vargje i ngjallën një ndjenjë pesimizmi. Mos vallë ishte me të vërtetë fundi? U ul në njërin nga sofatet, futi kokën midis duarve dhe as ai nuk e dinte se ku i fluturonte mendja. Ajo kishte marrë arratinë. Por shpejt u përmend
– Mbahu burrë! – i tha vetes. – Kaq shpejt e lëshove veten dhe re kaq poshtë? Duhet guxim. Duhet gjakftohtësi. S’e kishte idenë sa kohë kishte kaluar, kur porta u hap përsëri. Roja solli një tas balte me një lëng, që s’e mori vesh ç’ishte, një lugë alumini dhe një copë të vogël buke të zezë.
– Kujdes, mos thyesh tasin! – i tha roja.
– Dua të takoj kryetarin!
Porta u mbyll përsëri pa përgjigje.
– Edhe unë kujt i drejtohem për një gjë të tillë! – tha Agroni. – Ky është bishti i kavallit. Kur të më thërrasë hetuesi, do t’i kërkoj takimin.
Mori tasin dhe i mori erë.Ndjeu një erë qepe të zier.Mbushi lugën dhe e futi në gojë. Ndjeu neveri. Copra qepe dhe disa kokrra orizi të përziera me ujë dhe shumë kripë. Kjo ishte ajo që përmbante tasi. Mendoi ta derdhte, por nuk dinte se ku. E la në një qoshe të qelisë. Filloi përsëri të lëvizë. Kur e ndjeu veten të lodhur, u ul në sofat dhe u mbështet pas murit.
– Përse nuk po më thërrasin?
Ky mendim i vinte vërdallë në kokë. Ca nga lodhja, ca nga dobësia e zuri gjumi. Porta u hap dhe përjashta pa Iridën që thërriste duke qarë:
– Babi, ndihmomë! Mos më lerë babi!
Një roje e tërhiqte zvarrë. Papritur roja u shndërrua në një përbindësh të tmerrshëm që, duke qeshur me një zë sarkastik, thoshte:
– Sot kemi një drekë të shkëlqyer!
– Mos kriminel! Lëshoje! – thërriste Agroni, por nuk mundte të lëvizte. Ishte lidhur me pranga të rënda. Hapi sytë mjaft i tronditur. Nuk pa asgjë veç errësirës së qelisë. Ç’u bë Irida? Mos e rrëmbeu përbindëshi? U kujtua se kishte parë ëndërr. Ndjeu frikë. Filloi të dridhej. Ndoshta nga ëndrra ose ndoshta nga ftohtësia e qelisë. Sapo ishte zgjuar ashtu i ulur në atë sofat betoni dhe mbështetur pas murit. Ndjeu se zorrët po hidhnin valle. E kishte marrë uria. Mori përsëri tasin dhe rrufisi një lugë tjetër. Ndjeu t’i përziej. I vinte për të vjellë. La tasin, mori copën e bukës dhe filloi ta kafshojë me ngadalë. Kur e mbaroi, ndjeu sikur u lehtësua.
Dikur i erdhi për të urinuar. Nuk e dinte se kur do ta lejonin për të shkuar në nevojtore. Madje nuk dinte nëse ishte ditë apo natë. Atje ishte një errësirë e përhershme. Në errësirë njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot sa kohë ka kaluar. Agronit i dukej sikur kishte kaluar një shekull. Urina po e shtrëngonte së tepërmi. Nuk e mbante dot më. Trokiti me forcë në portë. Asnjë përgjigje. Trokiti për së dyti. Porta u hap dhe u duk roja.
– Çfarë do ore ? – tha me një zë të ashpër.
– Dua të urinojë. Shpjermëni në nevojtore!
– Bëje aty ku je. Ka orar për atë punë.
Porta u mbyll përsëri..
Agroni trokiti më me forcë. Porta u hap dhe roja foli me një ton kërcënues:
– Mos do të lidh me hekura për muri?
Agroni pa muret me kujdes. Në atë përballë portës pa katër ganxha të ngulura në të.
– Me siguri ato shërbejnë për të kryqëzuar njeriun, – tha me vete.
I vështroi më me kujdes. Dy ishin sipër dhe dy të tjerat poshtë. Me siguri në të sipërmet lidheshin duart, ndërsa në të poshtmet këmbët. Në disa filma me subjekt nga epoka e mesjetës kishte parë dhoma të tilla torture. I lidhnin kundërshtarët dhe i qëllonin me kamzhik. Mos do t’ia bënin edhe atij ashtu?
Ndërkaq urina e kishte shtrënguar së tepërmi. Disa pika i ranë në pantallona. U detyrua të shkonte në qoshen e qelisë dhe të pshurte. E ndjeu veten më të lehtësuar. Shkoi dhe u ul përsëri në sofatin e zakonshëm. Papritur një dritë verbuese vezulloi në qeli. Agroni zuri sytë me duar. Nuk mund të shikonte gjithë atë dritë. Hapi ngadalë një gisht, por drita verbuese e detyroi ta mbyllte Nuk guxonte më të hapte gishtrinjtë për të parë. Provoi përsëri, por përsëri gati u verbua. Qëndroi ashtu me duart para syve. pasi kaloi një kohë e gjatë, provoi përsëri. Drita sikur ishte ndezur, për të mos u shuar kurrë. Ndjeu një farë nxehtësie që vinte nga lart.
– Me siguri duhet të jet ndonjë prozhektor i fuqishëm mbi kokën time, – mendoi.
Sa ndenji në atë mënyrë as ai nuk e kuptoi. Kur më në fund hapi gishtrinjtë, pa se drita ishte shuar. Ju duk se ndjeu një farë shlodhjeje.
– Më mirë në errësirë se në dritë. – tha me vete.
I çuditshëm ky gjykimi tij. Ai, njeriu që gjithë jetës kishte punuar për t’i dhënë dritë të tjerëve, tani kërkonte errësirën. Ajo ishte shpëtimi, ishte qetësia e tij. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend që ai, njeriu i dritës, do të bëhej mik i errësirës. Ngriti sytë në tavan.Atje dalloi një prozhektor që nuk e kishte vënë re më parë.
Porta u hap dhe roja solli tasin me gjellë dhe bukën. Si mori atë që kishte sjellë më parë, u largua. Agroni e mori tasin dhe filloi të vështroj se çfarë kishte brenda. Mbushi lugën dhe e provoi. Ju duk si shije fasulesh. Nuk ishte aq e pështirë sa e para, madje iu duk disi e shijshme. Filloi të hante me ngadalë deri sa e mbaroi të gjithën. Pas një çasti filloi të qajë. Ngashërimi e mposhti. Qysh ishte katandisur të hante atë gjellë që as qentë nuk do ta pëlqenin? Kripa e saj i dha një etje të madhe. Trokiti në portë, por në atë çast u ndez përsëri prozhektori. Mbylli sytë me duar dhe u ul në sofat. Nuk dinte çfarë të bënte. Në njërën anë drita verbuese dhe në anën tjetër etja e tmerrshme. Dy torturat më mesjetare që po provonte ende pa filluar hetuesia. Kështu vazhdoi dhe as ai nuk e dinte se sa. Prozhektori ndizu dhe shuaju, gjella me shumë kripë dhe etja e padurueshme, nevoja për të urinuar dhe urinimi në qeli, fjetja pothuajse më këmbë dhe të ftohtit pas saj. Këto ishin torturat fillestare që provoi Agroni ato ditë.
III
Stefani u nis në punë si zakonisht. Po bëhëj gati për t’u nisur me shërbim në një sektor ku ngrihej një linjë e tensionit të lartë, kur mbriti Ylli, një shoku i tij.
– Kanë arrestuar Agronin, – i tha me një zë të ulët dhe të dridhur.
– Çfarë?
– Ju thashë, kanë arrestuar Agronin. E arrestuan mbrëmë.
– Përse e akuzojnë?
– Armik i popullit
Lajmi e goditi Stefanin si rrufe në të kthjellët edhe pse e priste. Po realizohej skenari që kishte kohë që përgatitej. Në këtë skenar ai kishte rolin e tij dhe shpejt apo vonë do të dilte në skenë. Duhej biseduar sa më parë me Gjergjin. Edhe ai ishte pjesëtar i këtij skenari. U kthye në zyrë dhe mori në telefon kantjerin ku punonte ai. I thanë se nuk ishte atje. Si të bënte? As vetë nuk e dinte. Si e peshoi mirë e mirë, vendosi të shkonte në punë. Nuk duhej të jepte shenja se ishte tronditur nga një lajm i tillë. Pastaj në pasdite do gjente mënyrën dhe do ta bisedonte me Gjergjin.
Dita iu duk shumë e gjatë. Nuk kishte të mbaruar. Mendime të ndryshme i silleshin rrotull. Si do të qëndronte Agroni në hetuesi? A do të rezistonte dot, apo do të zbërthehej? Në fund të fundit, çfarë mund të thoshte? Ata asnjëherë nuk kishin biseduar ndonjë gjë që mund t’i kompromentonte. Nuk kishte pse të kishte frikë. Kur nuk kishte bërë gjë, përse të trembej? Mirpo edhe Agroni nuk kishte bërë gjë, megjithatë ishte arrestuar. Mbi ç’bazë ishte bërë një gjë e tillë? A mund të arrestohej njeriu pa bërë gjë? Kjo ishte absurde. Megjithatë ishte e vërtetë. Tashmë ajo kishte ndodhur. Pse të mos i ndodhte edhe atij? Jetonin në kohën e absurdit. Këto mendime vinin vërdallë në mendjen e tij të çoroditur.
Me këto mendime në kokë mbaroi dita e punës. U kthye në dhomë. Gjergji nuk kishte ardhur akoma. Nuk qëndronte dot në një vend. Doli përjashta dhe shkoi te një kafe ku zakonisht
rrinin të dy së bashku. Gjergji nuk ishte as atje.
“Mos e kanë arrestuar edhe atë”? mendoi për një çast.
Vështronte rreth e rrotull dhe i dukej sikur të gjithë e shikonin. Në fytyrën e çdonjërit që kalonte, ai shikonte një punonjës të sigurimit të shtetit, të gatshëm për të ndërhyrë dhe për ta arrestuar. Së fundi pa Gjergjin me një grumbull shokësh.
– Gjergji, ku ishe? Kam kohë që po të kërkoj.
– Ç’është ajo pyetje? Ja ku jam i tëri dhe i bëri.
– Eja shkojmë në dhomë se kam për të treguar diçka.
Gjergji u nda me shokët dhe të dy u nisën.
– Kanë arrestuar Agronin.
– Përse?
– E zakonshmja, armik i popullit
– E pse je kaq i alarmuar?
– Si të mos jem, a nuk ishte shoku ynë më i ngushtë?
– Po pastaj? Ne nuk kemi biseduar ndonjë gjë që mund të na implikojë. Nuk e di se përse e kanë akuzuar, por me siguri nuk ka lidhje me ne.
Naiviteti i Gjergjit ishte fare i dukshëm. Stefani e kuptonte këtë, por nuk donte t’ia vinte në dukje se nuk ishte çasti. Ndërkohë kishin mbrritur në dhomën e tyre.
– Dëgjo Gjergji! – i tha. – Puna nuk është kaq e thjeshtë. Sot ka shumë raste kur të pafajshëm e paguajnë për të tjerët. Edhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ti i di akuzat që na janë bërë. Për këto na ka folur vetë Agroni. Harrove sa herë e kanë thirrur para se ta arrestonin? Tani varet nga ai se si do të reagojë.
Këto fjalë e vunë në mendime Gjergjin. Naiviteti i tij kishte filluar të lëkundej. Krimbi i dyshimit kishte filluar të brente ndërgjegjen e tij. Filloi të ndjente frikën e arrestimit të shpejtë. Mos duhej të paguante për gjyshin e arratisur para tridhjetë vjetësh dhe që tani nuk jetonte më?
– Çfarë të bëjmë. Si mendon? A t’i shkruajmë Nardit?
Nardi ishte kushëriri i tyre që i kishte ndihmuar të vazhdonin arsimin e lartë.
– Jo, nuk mund ta rëndojmë më tepër. Pastaj ai Nuk është më në atë pozitë që ishte dhe për këtë shkaktarët jemi ne. Përkrahja për ne i kushtoi humbjen e vendit që kishte.
– Duhet të mendojmë ndonjë zgjidhje tjetër.
– Çfarë zgjidhje?
– Të tentojmë të arratisemi? Ne kemi një sektor të tensionit të lartë te Tri Urat. Shkojmë atje gjoja për të kontrolluar linjat dhe shikojmë mundësinë e arratisjes. Prej andej kufiri është fare afër.
– As mos e shko ndër mend. Kam dy prindër që po i afrohen moshës së pleqërisë dhe që presin vetëm nga krahët e mi. Nëna nuk ka punuar kurrë, ndërsa babai merr një pension minimal që kursesi nuk i mjafton për të jetuar. Ti e di, unë jam fëmija i vetëm i tyre. A mund t’i braktis në atë gjendje që janë?
Stefani i dha të drejtë. Një gjë e tillë ishte e pamundur të realizohej. Duhej gjetur një zgjidhje tjetër.
– Duhet të shkojmë te Lumtua.
– Mos na rëndon më tepër një veprim i tillë?
– Është në nderin tonë ta bëjmë këtë veprim. Ne kemi qenë shokët e tij më të mirë. Harrove, ne ishim të ftuarit e vetëm në ditëlindjen e vajzës. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë. Duhet t’ia japim atë. Të dalë ku të dalë. Sido që të veprojmë tani, ne nuk e ndalojmë dot atë që do të ndodhë.
– Ke të drejtë, shkojmë.
Ishte errësuar. Ora po shkonte nëntë e mbrëmjes. U nisën dhe arritën në shtëpinë e Agronit në kohën që prej andej po dilnin një çift i ri që nuk e njihnin. Lumtua sa i pa filloi të lotojë. Nënë Gjyla qëndronte si një kërcure në një qoshe, ndërsa Irida i derdhte lotët si rrjedha e një lumi.
– Çfarë bëni kështu? Në fund të fundit burgu për burrat është.
– Për burrat është, mor bir, – foli nënë Gjyla, – po përse fati të na dënojë vetëm ne? Nuk mjaftoi që na mori shtyllën e shtëpisë, por do vazhdojë të na marrë edhe të tjerë. Deri kur kështu?
– Jo, nëno! Kjo botë kështu është ndërtuar. I fortë është ai që di t’i bëjë ballë.
Fjalët e Stefanit sikur i qetësuan zemrat e tyre. Lotët pushuan dhe ata filluan të diskutojnë.
– Kam bredhur shumë këto dy ditë, – tha nënë Gjyla – Kërkova të takoja disa që i quaja miq të familjes. Nuk doja të kërkoja mëshirë prej tyre. Doja vetëm të dija shkakun e arrestimit. Por ata nuk denjuan të më prisnin. Ma përplasën portën në fytyrë, sikur të isha një fundërinë dhe jo gruaja e një njeriu të nderuar që dha jetën për këtë vend. Po, po burri im dha jetën për këtë vend. Kjo nuk më pëlqeu
Irida rrinte dhe dëgjonte bisedën që zhvillohej. Gjurmët e lotëve dalloheshin në fytyrën e saj të bukur. Nuk po qante më, por Stefani vuri re një dhimbje të thellë në shpirtin e saj.
– Irida, eja te xhaxhi!
Ajo u afrua, e përqafoj fort njësoj sikur do kishte përqafuar të atin dhe filloi të qajë përsëri.
– Mjaft qave se të prishet bukuria. Ty të ka xhaxhi të fortë.Tani je e rritur. Shiko sa mirë mbahen nëna dhe mami. Bëhu burrëreshë.
– Ke të drejtë xhaxhi, – tha vogëlushja duke fshirë lotët. – Unë do të jem shembull edhe për nënën dhe mamin.
Pastaj, duke u drejtuar nga ato, u tha:
– Nënë, mami mos qani! Të treja do të dimë t’i bëjmë ballë kësaj gjendje.
Puthi gjyshen dhe pastaj përqafoi të ëmën.
– Trimëresha e mamit – tha Lumtua
– Të lumtë bijë! Ke trashëguar karakterin e tyt eti – vazhdoi nënë Gjylua.
– A ke vajtur në shkollë? – e pyeti Gjergji.
– Sot jo, por nesër do të shkoj. Do të mësoj edhe më shumë për t’u thyer hundët atyre që u është rritur pak si tepër.
– Të lumtë, të lumtë! – e përkëdheli Stefani
Kështu vazhduan deri afër mesnatës.Kur u ngritën për të ikur, Lumtua i përcolli deri te porta.
– Kush ishte ai çifti që pamë të dilte kur erdhëm ne? – pyeti Stefani.
– Janë dy arsimtarë të shkollës tonë. Erdhën gjoja për të më dhënë kurajo, por unë nuk kam besim tek ata. U besoj aq sa gjarpërit në gji.
– Lumto, ruaju nga provokatorët. Mos u çudit kur të dëgjosh se ai fat na pret edhe ne. Po e presim.
– Nuk e besoj.
– Ndonjë ditë të kremte kemi prapa vetes.
U ndanë në heshtje. Secili mendonte për të ardhmen që e priste.
IV
Vringëllima e çelsave dhe zhurma e llozit që hapej u dëgjua në qelinë ku ishte mbyllur Agroni. Porta u hap dhe para tij u çfaq një roje që nuk e kishte parë ndonjë herë.
– Më quajnë Isuf. Tani e tutje do kesh të bëshë me mua. Eja! – i tha.
I vendosi prangat në duar dhe duke e kapur për krahu e shoqëroi në një zyrë që ndodhej në katin e dytë. Ishte zyra e hetues Demirit.Mbi tryezë ishte një kalendar. Agroni vuri re se ai shënonte datën 10 nëntor. Sipas llogarisë së bërë kishte pesëmbëdhjetë ditë që ishte arrestuar. Kjo kishte ndodhur në ditëlindjen e Iridës që e festuan më 26 tetor. Pra, kishte pesëmbëdhjetë ditë i mbyllur në atë qeli të errët ku nuk dalloje dot nëse ishte ditë apo natë dhe ku humbisje nocionin e kohës. Në murin përballë ishte një orë që shënonte një pa një çerek.Vuri veshin nga dritarja dhe pa se ishte errësirë. Kishte kaluar mesnata.
Ndërkohë hyri hetues Demiri dhe u ul në karriken prapa tavolinës.
– Zgjidhe! – i tha Isufit.
Ai i hoqi prangat dhe, pasi mori një shenjë nga hetuesi, u largua.
– Ulu! – iu drejtua Agronit
Ai u ul dhe po priste ç’do të ndodhte.
– A e di pse je arrestuar?
– Jo.
– Akuzohesh se je bashkuar me një grup që kërkonte të organizonte sabotime në ndërmarrje, për terrorizëm dhe për agjitacion e propagandë.
– Kjo është fantazia juaj.
– Të këshilloj të jesh më i sinqertë në përgjigjet. Mos e rëndo më tepër akuzën…
– Kurse unë ju deklaroj se të gjitha ato që thatë nuk janë veçse pjellë e fantazisë suaj.
– Mos kujto se do na hedhësh hi syve me ato që deklaron? I pranon apo jo, ne nuk na intereson shumë. Kemi prova të shumta dhe dëshmitarë, të gatshëm të deponojnë përsa thashë më lart.
– Atëhere pse nuk i paraqitni ato prova kaq të sigurta?
– Sonte vajti vonë. Të kam thirrur vetëm të të deklaroj se akuzohe se së bashku me dy shokët e tu, Stefan Gjokën, Gjergji Panon dhe disa shokë të tjerë, keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidroçentralit dhe pas kësaj, së bashku me familjet tuaja, do arratiseshit në Jugosllavi. Akuzoheni se një veprim të tillë do e bënit sipas udhëzimeve që keni marrë nga KGB-ja sovjetike, në shërbim të së cilës je vënë qysh kur ishe student në Bullgari.
– Përralla me mbret.
– Po të le tri ditë kohë të mendohesh. Të këshilloj të pranosh akuzën, ashtu siç e kanë pranuar dhe të tjerët.
– Ndaj më mbyllët në atë qeli mesjetare, që të më detyronit të pranoja akuzat fallso?
– Për të hedhur poshtë hamëndjen tënde, po të them se tani do qëndrosh në një qeli tjetër.
– Dua të takoj kryetarin. Më shpini tek ai.
– Ai është me shërbim. Nuk ka kohë të takohet me ty. Vure mirë ndër mend, që nga çasti i arrestimit je i pandehur dhe mos bilbilos aq shumë.
I ra një zileje që ndodhej mbi tryezë dhe në zyrë hyri Isufi.
– Shpjere në qelinë numur shtatë.
Isufi i hodhi prangat dhe e mori për krahu, për ta shoqëruar ku e urdhëroi hetuesi.Qelia ku e futën ishte më e madhe.Në portë kishte një dritare të vogël me hekura. Në njërën anë ishte një shtrat ku ishte vendosur një dyshek mbushur me kashtë, një jastëk po me kashtë dhe një
batanie. Në një cep ishte një qyp mbuluar me një copë dërrasë.
– Po të kesh nevojë, bëje në qyp, – i tha roja, – në nevojtore shkohet një herë në ditë, në mëngjes.
Qelia ndriçohej nga një llampatinë që shndriste në tavan.Agroni u shtri në shtrat dhe u mbulua me batanie. Edhe pas pesëmbëdhjetë ditësh që ishte arrestuar shpirti ende i ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që i kishte hedhur Demiri e shtypnin si një gur i madh që s’mund ta ngrinte dot dhe i zihej fryma. Ndjente se ndodhej para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që e kishte kaplluar bëri që t’i mbylleshin syt. Por edhe gjumi ishte i trazuar. Në ëndërr i çfaqeshin pamje rrënqethëse.
Porta u hap dhe Isufi hyri përsëri në qeli.
– Ngreu të kryesh nevojat personale.
Ishte ende i përgjumur.Pesëmbëdhjetë ditë pothuajse pa gjumë dhe tani që ndodhej në shtrat, i kërkonin të ngrihej.Edhe gjumi, megjithse shumë i trazuar, paskësh qënë i ndaluar aty në qeli.
– Falemnderit, nuk kam nevojë.
– Më vjen keq, por po të them se më prapa nuk mund të dalësh. Prandaj të këshilloj të mos humbësh rastin.
– Më lini të qetë në hallin tim ju lutem. Ju thashë që nuk kam nevojë.
– Bëj si të duash, unë të dola borxhit.
Porta u mbyll.Agroni ra përsëri në një gjumë të thellë. Por pasi kishte kaluar një farë kohe, porta u hap përsëri dhe u çfaq Isufi me tasin e gjellës.
– Ngreu të hash bukë.
Por ai donte të flinte, vetëm të flinte dhe të mos e zgjonte askush. Nuk donte as bukë dhe as gjellë.`
– Përse m’u qepët si monomaridhja? Ju lutem më lini të fle i qetë. Dua vetëm gjumë.
Isufi e kuptoi gjendjen e tij. La tasin e gjellës në qeli dhe u largua. Pas disa orësh, kur ishte ngopur me gjumë, Agroni u zgjua. Zorrët po i bënin grevë. Pas gjithë asaj çlodhjeje nga pagjumësia, e kishte marrë uria. Sytë i vajtën te tasi i gjellës. E mori dhe në pak minuta e mbaroi të gjithë. Mendja i fluturoi larg, atje ku i dhimbte zemra, te familja e tij, te nënë Gjyla, te Lumtua dhe natyrisht te Irida. Çfarë bënin tashti? Nuk jepte dot përgjigje. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Ajo ishte një enigmë që nuk e zgjidhte dot.
Iu kujtua biseda që kishte bërë me hetues Demirin. Ai i kishte folur për Stefanin dhe Gjergjin, për agjentura sovjetike dhe nuk e di se çfarë tjetër. Agroni kishte dëgjuar se sigurimi i shtetit përdorte lloje të ndryshme torturash për ta detyruar të burgosurin të pranonte ato që kërkonte hetuesi. Deri tani, përveç izolimit në atë qeli të errët, që ndriçohej herë pas herë nga një prozhektor i fortë dhe etjes së madhe pas ngrënies së një ushqimi me shumë kripë, nuk kishte provuar tjetër lloj torture. Kishte dëgjuar për rrymë elektrike, për vendosje vezësh të porsa ziera nën sqetull, për shpuarje me gjilpërë në thonjtë e gishtrinjve, për kryqëzim si Jezu Krishti në ganxhat e vendosura në mur, që i kishte parë në qelinë e tij dhe lloje të tjera torturash. Deri tani këto ende nuk ishin provuar mbi të. Dyshonte se në të ardhmen do të përdoreshin. Megjithatë, e kishte vendosur se nuk do të pranonte ato akuza të rrejshme edhe sikur t’ia prisnin mishin me gërshërë.
Me këto mendime e zuri gjumi përsëri. Ishte dobësuar jashtë mase dhe trupit të tij të drobitur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pushonte në gjumë, ku gjente pak qetësi, si ajo që po shijonte në ato çaste.
V
Kryetari i degës, Petriti, qëndronte në zyrën e vet dhe jepte urdhëra. Hetuesit hynin dhe dilnin njëri pas tjetrit. Merrnin udhëzimet e rastit dhe largoheshin. Ishte zyra ku gatuheshin të gjithë skenarët që do të zhvilloheshin. Me pak fjalë, ajo zyrë ishte truri i të gjithë asaj godine që, sipas Kushtetutës së vendit, ishte mbrojtësja e interesave të pushtetit të popullit. Çdo gjë, që më vonë zbatohej nga hetuesit, përgatitej më parë në atë zyrë. Asnjë prej tyre nuk guxonte të vepronte me iniciativë. Përndryshe mund ta paguante me kokën e vetë. Hetuesit ishin manekinët, ndërsa kryetari regjizori i tyre. Ky ishte ligji i kohës dhe askush nuk mund ta kundërshtonte.
Atë ditë po lexonte një udhëzim sekret të Ministrit të Brendshëm, sipas të cilit udhëzoheshin të gjitha degët e rretheve të shtonin vigjilencën kundër çfaqjeve të huaja. Në udhëzim thuhej se duke përfituar nga tradhëtia e disa udhëheqësve, që ishin vënë në shërbim të spiunazheve imperialisto — revizioniste (dhe përmendeshin emrat e tyre), kishin filluar të çfaqeshin dukuri negative në kulturë dhe në fusha të tjera, si në ekonomi, ushtri e të tjera. Sipas udhëzimit, një frymë liberalizmi i palejueshëm kishte filluar të përhapej në vendin tonë. Në fund theksohej se nuk duhej patur mëshirë kundër kujtdo që i kundërvihej vijës së Partisë dhe mësimeve të shokut Enver.
Trokiti dera.
– Hyni!
Në zyrë hyri hetues Demiri.
– Më falni që ju shqetësoj, – tha ai, – e di që keni shumë punë dhe shqetësimi im mund t’ju pengojë në punën tuaj…
– Flisni çfarë keni dhe mos e zgjasni shumë me hyrje.
– Po ja shoku kryetar, ai Agron Canaj nuk pranon asnjë akuzë.
– E pastaj?
– Nuk e di si të veprojë. Mendoj të arrestojmë dy shokët e tij.
– Pa deponimin e tij? Në asnjë mënyrë. Ju duhet të gjeni mënyrën për t’ia nxjerrë atë deponim. Mjetet i keni të gjitha, kush ua ka ndaluar dorën?
– Kam menduar një metodë tjetër, por më duhet miratimi juaj.
– Çfarë metode?
– Thirrja e familjarëve të tij, e gruas për shembull dhe presioni në sy të tij, për ta detyruar të flasë.
– Se çfarë metode do përdorësh mua pak më intereson. Mua më duhet vetëm rezultati. Tani shko dhe mos më eja më për të tilla probleme.
Demiri u largua pa hapur më gojë. Kryetari ia kishte prerë si ai druvari që i pret drutë me një sëpatë. Megjithatë, edhe një farë lirie i kishte dhënë. Në fund të fundit i kishte thënë se mund të bënte ç’të donte me të. Tashti mbeteshin në duar të tij se çfarë metode do të përdorte. Fatin e Agronit tashmë e kishte plotësisht në duar. Në mendje filluan t’i vijnë gjithfarë mënyrash torturimi. Një pjesë prej tyre i kishte parë në një film që u kishin çfaqur në kursin e hetuesisë në Tiranë. Aty bëhej fjalë për metodat naziste të torturimit. Ato metoda do përdorte edhe ai. Po të mos kishte rezultat, si do të bënte? Mendjes së tij djallëzore i shkrepi një ide. Buzëqeshi dhe mendoi se ky ishte varianti më i mundshëm që mund t’i jepte atë që dëshëronte. Përveç të tjerave ishte një variant që do t’i jepte edhe një kënaqësi. E ndjeu veten më të lehtësuar në djallëzinë e tij.
Karakteret e njerëzve janë të ndryshme. Ata më stoikët e ruajnë karakterin e tyre gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Sido që të zhvillohen ngjarjet, në çfardo lloj kushtesh që të ndodhen, ata do t’i gjesh gjithmonë të palëkundur në bindjet e tyre. Stoicizmi i tyre bënë që të durojnë çdo lloj presioni ose torture fizike dhe psikologjike që mund të ushtrohet ndaj tyre. Të tjerë janë ose elastik, ose të thyeshëm. Ata dinë të përshtaten në çdo lloj mjedisi dhe nuk e kanë për turp që pështymën e sotme, ta lëpijnë nesër. Janë të gatshëm që pasi të të kenë lëvduar deri në qiell, kur të biesh nga kali, të të hidhen sipër me mijra mallkime dhe epitete nga më të ultat. Me pak fjalë janë një lloj kameleoni që ndërron ngjyrën e lëkurës sipas rrethanave ku ndodhet.
Këta janë dy karakteret kryesore që hasim çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve tona. Por ka edhe një tip tjetër, një tip i veçantë nga dy të parët. Ata nuk janë as stoik si të parët dhe as elastik si të dytët. Te ata është kultivuar ndjenja e urrejtjes që ua ka verbuar sytë dhe shkatërruar ndërgjegjen. Urrejtja është e vetmja ndjenjë që zotëron zemrat e tyre. Dhe kjo ndjenjë i bën që të jenë egoistë, sadistë, barbarë, të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti për të realizuar dëshirat e tyre, që në të shumtën e rasteve janë jashtë çdo norme të shoqërisë njerëzore. Janë tipa të etur për të thithur gjak bashkëqytetari. Gjaku është ushqimi i shpirtrave të tyre të zinj. Në këtë kategori njerëzish bënte pjesë, për fatin e keq të Agronit, edhe hetuesi i tij, Demiri.
Me këtë ndjenjë doli nga zyra e kryetarit dhe filloi të stërhollonte në mendjen e tij metodat e Satanait që do të përdorte. I mendonte dhe, pa vetëdijen e tij, mbi buzët ravijëzohej një buzëqeshje ironike dhe triumfale. Hamendësonte çastin kur do të thyente krenarinë e të burgosurit dhe ndiente një kënaqësi gati fizike për këtë. Iu duk një ide e mrekullueshme, ajo shpikje cinike e një njeriu që nuk njihte asnjë normë morali.
– Ç’ke që qesh me veten tënde, more derdimen? – dëgjoi zërin e operativ Ilias,, të ngjashëm në karakter dhe moral me të si dy pika uji.
– Sa mirë që të takova! Eja këtu se dua të të them diçka. Kemi në duart tona një gjah të majmë.
U takuan të dy dhe filluan të bisedojnë. Sytë u shndërrisnin si hienave në errësirë. Fërkonin duart sikur të kishin shpikur gjënë më të çmuar të botës.
– Eja shkojmë ta festojmë, – tha Demiri.
U nisën dhe u futën në një kafene.
– Dy dopio raki dhe dy bërxolla, por shpejt se nuk kemi kohë.
Kamarieri solli porosinë dhe u largua. Shkoi te banaku dhe i tha banakierit:
– Erdhën prapë këta dy kalecët. (Kështu quheshin në zhargonin popullor punonjësit e Sigurimit të Shtetit).
– Bobo, ç’i dëgjon daullet e tyre!
Megjithatë ishin të detyruar t’i dëgjonin. Të gjithë i njihnin dhe e dinin se ku punonin. Një gjë e tillë i bënte të paprekshëm. Askush nuk guxonte t’u dilte përpara. Dy persona që po pinin në një tryezë aty pranë, u ngritën dhe u larguan sapo ata kishin filluar të pijnë.
– Përse u larguat kaq shpejt? – u tha kamarieri.
Ata nuk folën, por i bënë një shenjë me kokë nga ana e dy hetuesve. Ndërkaq bandillët vazhdonin të rrëkëllenin gotat e rakisë njëra pas tjetrës.
– Ta pimë një mirësi për gjahun tonë të ardhshëm!
Gotat u zbrazën në gurmazet e dy të pangopurve. Së fundi vendosën të largohen. Paguan paratë dhe u nisën duke u lëkundur sa djathtas, sa majtas dhe duke mbajtur njëri- tjetrin.
– E dëgjove çfarë llapën? – i tha kamarieri banakierit kur ata u larguan. – Të pimë një mirësi për gjahun e ardhshëm! Kush do të jetë ai fatkeq që do të bjerë në duart e tyre?
– Dëgjo, mos e hap më gojën se do të marrësh veten më qafë. Leri të thonë e të bëjnë ç’të duan. Ne s’jemi në gjendje t’i ndalim. Të shikojmë punën tonë dhe të heshtim. Kjo është detyra jonë.
Në kafene hynë një grup të rinjsh dhe ata heshtën.
VI
– Besoj se u çlodhe? – i tha Demiri, kur e thirri Agronin pas tri ditësh në zyrë – Unë jam gati. Fillo dhe fol.
– Të flas? E çfarë të them?
– Më duket se ta lexova akuzën herën e parë. Tani dua konfirmimin tënd për ty dhe bashkëpunëtorët e tu.
– Më falni shoku hetues, por më duket se keni gabuar adresë. Ajo akuzë nuk është për mua.
– Zoti hetues thuaj, – e korigjoi Demiri.
– Ah, më falni! Por me sa di unë shprehja zotni është borgjeze dhe ne jemi të gjithë kundër borgjezisë.
– Po të paralajmëroj. Përgjigju pyetjeve të mia dhe mos më lodh kokën me fjalë në erë.
– Atëherë ja ku po jua them, nuk kam asgjë për t’ju thënë.
– Ashtu? Po sikur unë ta dokumentoj.
– Atë do të doja edhe unë.
– Mirë atëhere.
Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori dy shkresa të shkruara me shkrim dore.
– Besoj se e njeh shkrimin e këtyre dy shkresave.
Ia vendosi para syve. Sipër tyre Agroni lexoi shkruar me shkronja të mëdha:
DEKLARATË
Në njërën njohu shkrimin e Resulit. E njihte mirë atë shkrim se e kishte parë në borderotë e çrregullta që dorëzonte ai dhe që Agroni i gjente plot me gabime. Në tjetrën ishte shkrimi i Ibrahimit. Edhe shkrimin e tij e njihte pasi e kishte parë në relacionet që dërgonte në drejtori për probleme teknike.
– Nuk e njoh, – u përgjigj, duke mos dashur t’i japë të kuptojë se e dinte kush ishin ata.
Këtë e kishte mësuar që nga biseda e shkurtër me Rustemin, ditën që binte shi në muajin gusht.
– Atëherë dëgjo:
“Unë i nënshkruari Resul Idriz Sulejmani, datëlindja 1935, me detyrë normist në ndërmarrjen elektrike të qytetit, me ndërgjegje të plotë deklaroj përsa më poshtë vijon:
Duke qenë një bir i denjë i popullit tim dhe i shtyrë nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, duke parë se disa individë, të maskuar nën petkun e revolucionarit, po përpiqen të sabotojnë punën vetmohuese që po zhvillohet në vendin tonë për ndërtimin e shoqërisë socialiste, akuzoj shokun Agron Canaj se së bashku me dy shokët e tij, Stefan Gjokën dhe Gjergji Panon, po përgatiten të hedhin në erë turbinën e re që do të vendoset së afërmi në hidrocentral. Një veprim të tillë e bëjnë me qëllim që të sabotojnë punën e hidrocentralit dhe për të ushtruar terrorizëm në radhët e punonjësve të ndërmarrjes.
Një gjë të tillë e kam dëgjuar nga biseda që këta persona zhvillonin me njëri-tjetrin dhe ku unë isha afruar rastësisht pa rënë në sy të tyre. Për këtë kam dëshmitarë edhe shokun Ibrahim Mehmeti, i cili u ndodh me mua në ato çaste.
Këtë deponim timin e kam bërë krejtësisht me vullnetin tim, pa as më të voglin shtrëngim. Jam i gatshëm ta deklaroj sa herë të jetë i nevojshëm nga organet kompetente.
Me respekt: Resul Sulejmani”.
Demiri e mbylli dhe mori shkresën tjetër. Edhe ajo kishte pothuajse të njëjtën përmbajtje si e para, veçse në të ishin shtuar edhe emrat e Ylli Nivicës, Gazmend Shpuzës dhe Përpasrim Seferit, të tre punonjës të ndërmarrjes, dy të parët ekonomistë dhe i treti financier. Në fund të deklaratës ishte nënshkrimi i Ibrahimit.
– Po tani çfarë do të na thuash? – i tha Agronit.
– Mos kujtoni se do të bie aq kollaj në grackën tuaj? Mos u mundoni të më ngatërroni në të tilla dredhira të fabrikuara.
– Po të paralajmëroj se do filloj të përdorë metoda të tjera, që do të bëjnë të bilbilosësh.
– Dua të takoj kryetarin.
– Kryetarin e sat ëme? Ai nuk pranon të bisedojë me armiq të popullit si ti.
– Atëherë bëheni sa më parë atë që mendoni.
Demiri i ra ziles. Në zyrë hyri polic Myfiti.
– Merre dhe ma kij kujdes. Di vetë ti si ta trajtosh. . Po ta lë amanet.
Myfiti i vendosi prangat, e mori për krahu dhe e shpuri në një qeli të bodrumit. E lidhi në ganxhat që ishin vendosur në mur. Ai mbeti i varur për duarsh dhe për këmbësh.
– Kështu do qëndrosh deri sa të pranosh.
U largua duke mbyllur derën. Agroni nuk e kishte kuptuar sa kohë kishte kaluar kur filloi të ndiejë dhimbjet në kyçet e duarve dhe të këmbëve, pikërisht në ato vende ku e kishin lidhur dhe ku qëndronte e gjithë pesha e trupit. Papritmas u ndez drita e prozhektorit që i verboi sytë. I mbylli me shpejtësi. Megjithatë shkëlqimi i dritës bënte që të depërtonte brenda syve të tij. Kjo gjendje zgjati pothuajse një gjysmë ore. Prozhektori u shua dhe errësira mbuloi gjithçka. Nuk vonoi shumë dhe ai u ndez përsëri. Një gjë e tillë vazhdoi në intervale të caktuara kohe. Ishte një torturë mbi tjetrën. Së fundi ndjeu ta linin fuqitë. Koka iu var dhe iu duk sikur po fluturonte për diku. I dukej sikur ndodhej në një botë tjetër. Në një botë ku zjarret ishin sunduesit e vetëm të atij vendi. Ai ndiente djegien, por nuk gjente mundësinë të largohej. I dukej sikur zjarri po e thëthinte gjithmonë e më shumë. Një rënkim i mbytur filloi t’i dalë nga gjoksi.
Befas ndjeu një dhimbje në thonjtë e këmbëve, sikur ta kishte shpuar dikush. Lëshoi një britmë, hapi sytë dhe pa Myfitin që me një gjilpërë i shponte majat e gishtërinjve.
– Do të flasësh? – i fliste ai.
Agroni ndjeu një neveri të thellë për të. Mblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u mundua ta qëllonte me shkelmë. Por harroi që këmbët i kishte të lidhura. Myfiti e kuptoi qëllimin e tij.
– Do të më qëllosh? Ta tregoj unë qejfin.
Mori një kamzhik dhe filloi ta godasë me gjithë fuqinë e krahut. Kamzhiku vringëllinte mbi trupin e tij. Pas çdo goditje dëgjohej një rënkim i thellë.
– Do të më qëllosh? – përsëriste Myfiti.
Kamzhiku vringëllinte më me forcë. Nga gjurmët etij filluantë rridhnin vija gjaku.
Agronit koka iu var dhe rënkimet pushuan.
– Vdiq? – pyeti Myfiti i shqetësuar. – Jo, jo vazhdon të marrë frymë.
E zgjidhi dhe u largua. Pas pak u kthye së bashku me Demirin. Ai e vështroi Agronin dhe pasi e preku me dorë, vuri re se merrte frymë me vështirësi.
– Nuk duhet ta kishe kaluar kufirin, – i tha me zë të ulët Myfitit. – A e di se ç’pësojmë po ta gjejë gjë këtë? Ende nuk ia kemi marrë deponimin. Merre, dhe shpjere në qelinë numër shtatë.
Myfiti e ngriti me vështirësi dhe ashtu, gjysëm të alivanosur, e shpuri në qelinë ku kishte qenë më parë. Isufi kishte shërbimin atje.
– Kije kujdes! Për çdo gjë njofto shokun Demir, – i tha atij.
Isufi u afrua te viktima dhe po e shikonte. I erdhi shumë rëndë. E kishin katandisur si mos më keq. Iu duk sikur edhe ai ishte përgjegjës për atë që ndodhi. Kishte zemër të mirë. Nuk duronte dot kur shihte të tilla tortura. Disa herë kishte vendosur të jepte dorëheqjen, por mendonte se do ta keqkuptonin dhe mund të përfundonte keq. E shtriu në shtrat, e mbuloi me batanie dhe i foli me një zë të butë:
– Pusho i qetë! Gjithçka nuk do të bëjnë më të tilla tortura. Fli dhe do të shohësh se nesër do të gëdhihesh shumë më mirë.
Agroni hapi sytë, e vështroi me mirënjohje dhe desh ta falënderonte. Por nuk mundi. Fjalët nuk i dilnin dot. Isufi e kuptoi.
– Rri i qetë! – i tha. – Nuk është nevoja të flasësh. Ju thashë, nesër do ta ndjesh veten më mirë.
Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Agroni u zgjua në një gjendje më të mirë. Por ende ndiente dhimbje në kyçet e duarve dhe të këmbëve, si dhe në gjurmët që i kishte lënë kamzhiku. Megjithatë, me kalimin e kohës filloi ta merrte veten. Plagët po i mbylleshin dhe kjo falë kujdesit të Isufit që e shikonte herë pas here. Në pyetje nuk po e merrnin më. Kjo e qetësonte më tepër. Mendonte se nuk mbetej gjë tjetër veçse t’i kërkonin të falur dhe ta lironin.
Por nuk ndodhi kështu. Pasi vunë re që e kishte marrë mirë veten, mbi të filloi kalvari i dytë i torturave të tmerrshme. I vendosnin vezë të sapo ziera nën sqetull, e digjnin me cigare të ndezur deri sa më në fund përdorën edhe metodën e fundit të torturës, atë të rrymës elektrike. Dridhja ishte e tmerrshme. Megjithatë nuk foli asnjë fjalë. Sado që u munduan ta detyronin të pranonte fajin, ai nuk u dorëzua.
– Si do veprojmë? – pyeti Ilia që në ato çaste u ndodh aty.
– Do vemë në zbatim planin tjetër, atë që kemi biseduar, – u përgjigj Demiri.
– Mos rrezikojmë?
– E kush do ta marrë vesh? Do të gjejmë çastin kur të mos ketë njerëz. Për shembull, në ditën e festës. Ta kremtojmë edhe ne siç duhet festën e çlirimit.
U larguan duke qeshur me zë të lartë.
VII
29 nëntor 1974, tridhjetëvjetori i çlirimit të atdheut. Kudo të shihte syri parulla dhe flamurë. Ngado dëgjoheshin marshe dhe këngë partizane. Nëpër sheshet zhvilloheshin mitingje madhështore. Të gjithë qytetarët i kishte mbuluar petku i festës.Ishin veshur me rrobat e tyre më të mira. Kryetar Petriti dhe disa funksionarë të tjerë kishin shkuar në kryeqytet, ku ishte zhvilluar një paradë ushtarake madhështore. Në degën e punëve të brendshme kishte mbetur një sasi e vogël personeli. Oficer roje atë mbrëmje ishte hetues Demiri.
Ai po qëndronte në zyrën e tij. Herë pas here vështronte orën. I dukej sikur minutat nuk kalonin. Sytë i shndrisnin si të hienave kur përgjojnë gjahun. Sillte ndër mend gjëra nga më të përbindshmet. Këto i jepnin kënaqësi. Herë pas here qeshte me veten e tij. Kur ora po i afrohej njëmbëdhjetës erdhi Ilia.
– Merr Selimin dhe nisu. Me kujdes që ai të mos kuptojë gjë, – tha Demiri
Selimi ishte shoferi i gazit.
– Demir, a nuk të duket me rrezik një veprim i tillë? – iu përgjigj mëdyshas Ilia
– Në qoftë se nuk do, mund të tërhiqesh. Ka të tjerë që mund të dëfrejnë në vendin tënd.
– Më thuaj, çfarë do të bëjnë ato këtu?
– Do t’i bindim që të detyrojnë Agronin të deponojë.
– Si do t’i detyrojmë?
– Atë ta them kur të kthehesh.
– Mirë or mirë, po këto misteret e tua sikur nuk më pëlqejnë.
– Jam i sigurtë që do të pëlqejnë shumë. Do ta shohësh.
Ilia u mendua pak dhe pastaj vendosi të shkonte.
– Të dalë ku të dalë – tha dhe u largua.
Demiri filloi të fërkojë duart me një kënaqësi të egër.
– Budallai, nuk e kupton se fati një herë të çfaqet në jetë dhe po nuk dite ta çfrytëzosh, aha, laji duart. Si tha romaku: Zaret u hodhën!
I ra ziles dhe në zyrë u paraqit Myfiti që nderoi në qëndrim gatitu.
– Merr të pandehurin Agron dhe lidhe në dhomën speciale. Pastaj shko te qelitë. Isufi të qëndroja te porta e jashtme. Kur t’ju lajmërojë unë të ktheheni..
– Si urdhëron zoti hetues!
Dhoma speciale ishte ndërtuar posaçërisht për të torturuar të burgosurit. Si në birucën, ku vendosën në fillim Agronin, edhe këtu në mur ishin katër ganxha ku lidhej viktima. Pastaj vazhdonin torturat nga më të tmerrshmet. Dhoma ishte në një ndarje të veçantë ku ishin edhe dy dhoma të tjera. Atje vendoseshin të burgosurit që mendohej të torturoheshin. Kjo ndarje ishte izoluar nga pjesa tjetër e birucave në mënyrë që sado të bërtisnin ata që torturoheshin, të mos dëgjohej asgjë.
Ndërkohë Ilia kishte mbritur në apartamentin e Agronit. Trokiti në portë. U dëgjua zëri i nënë Gjylos:
– Kush është?
– Hape! Vijmë nga dega e punëve të brendshme.
Porta u hap dhe Ilia hyri brenda.
– Dua të takoj Lumturinë.
– Përse?
– E kërkon Agroni. Më dërgoi kryetari për këtë qëllim.
Në këtë kohë doli edhe Lumtua me vajzën.
– Agroni kërkon të takohet me ty dhe vajzën.
Lumtua u mendua. I dukej e çuditshme që tani gati në mes të natës ta kërkonte Agroni për takim. Ajo kishte kërkuar disa herë të takohej me të ditën me diell dhe nuk e kishin lejuar. Edhe nënë Gjylën po ashtu. Si ishte e mundur që një gjë e tillë të realizohej tani natën?
– Po tani është natë. Ne mund të vimë nesër në mëngjes.
– Jo, jo duhet të vini sot. Nesër që me mëngjes atë do ta nisin për në Tiranë për në spitalin e burgut.
– Çfarë ka djali i nënës? – pyeti nënë Gjyla e shqetësuar.
– Do shkojë për një kontroll, pasi këto ditët e fundit ka patur një dhimbje në stomak
– Po, ai ka vuajtur nga ulçera, – vazhdoi Lumtua.
– Pikërisht për këtë kryetari, meqënëse e keni kërkuar kaq herë, vendosi t’ju lejojë sonte që është edhe qetësi.
– Një minutë sa të vishemi, – tha Lumtua dhe pasi mori Iridën shkoi në dhomë.
– Do të vij dhe unë, – tha nënë Gjyla dhe vrapoi të vishej.
– Më fal nëno, por kam urdhër vetëm për ato të dyja. Nuk mund të veprojë ndryshe se më heqin veshin.
Ndërkaq Lumtua me vajzën ishin veshur.
– Jemi gati, nisemi.
Ilia i shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai i vështronte sikur do i përpinte me sy. Irida ndjeu frikë dhe kapi të ëmën fort për krahu. Pamja e hetuesit, që buzëqeshte në mënyrë cinike, i tmerronte.
– Ju kemi thirrur për të na ndihmuar që burri juaj të deponojë ato që ka bërë. Për këtë ju garantoj se do të ketë lehtësira për të dhe për juve. Përndryshe…
Demiri e la fjalën në mes. Lumtua e shikonte e habitur. Ilia i kishte thënë tjetër gjë.
– Po ky shoku na tha se do të takonim Agronin?
– Atë fjalë e tha për të mos shqetësuar t’ëmën. Megjithatë Agronin do ta takoni tani, por mos harroni fjalët që ju thashë. Ju porosis që gjatë rrugës për të shkuar tek ai të mos flisni asnjë fjalë.
Si kaluan një korridor të shkurtër, zbritën disa shkallë dhe u gjendën në rradhën e gjatë të qelive. Prej andej nëpërmjet disa shkallëve të tjera, zbritën në ndarjen ku ndodheshin dhomat e torturave. Demiri hapi një portë dhe ato panë Agronin të lidhur për këmbësh dhe duarsh në ganxhat e murit. Të dyja lëshuan nga një britmë dhe filluan të qajnë me ngashërim. Irida u vërsul dhe duke kapur këmbët e të atit filloi të flasë nëpërmjet lotëve që i rridhnin nëpër faqe:
– Babi, ç’të kanë bërë kështu? Përse?
Demiri ndërhyri dhe e tërhoqi. Ilia mbante Lumton.
– Kjo varet vetëm nga ai. Atij duhet t’i vijë keq për lotët tuaja. Mjafton të pranojë ato që ka bërë.
– Ju jeni kriminela shpirtzinj! Unë nuk kam bërë asgjë.
– E moj, e dëgjon? – iu drejtua Demiri Lumtos. – Ende nuk do të tregojë. Foli ti se ndoshta bindet.
Lumtua mendoi se duke i folur ajo, ai mund të pranonte të fliste. Për hir të saj dhe Iridës ai do ishte i gatshëm të bënte gjithçka. Por në çast mendoi karakterin e tij. E njihte shumë mirë atë karakter. E dinte se ai nuk do ia falte kurrë nëse do t’i bënte një propozim të tillë. Vendosi të qëndronte si ai, e paepur.
– Ai ka karakterin e tij. E di vetë nëse ka kryer gjë apo jo. Unë nuk mund ta detyroj të pranojë një gjë që ai thotë se nuk e ka kryer.
– Ashtu? Atëherë po na detyroni të përdorim metodën tjetër. – Dora e tij u fut ndërmjet kofshëve të Iridës, – Paske kofshë të mira!
– Lëshomë! – thërriti Irida duke uluritur
– Lereni vajzën! – thirri Lumturia dhe u nis në drejtim të saj, por u ndalua nga Ilia që fillojë t’i zbërthejë gjokset dhe t’ia shtrëngojë.
– Lëshojini të poshtër! – u dëgjua zëri i mekur i Agronit.
Lumtua e ndjeu veten në një pozitë mjaft të vështirë. Nuk i kishte shkuar ndër mend se mund të arrinin deri këtu. Irida vështronte me sy të zgurdulluar, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte.
– Agron! – thirri Lumtua e mbytur nga lotët.
– Babi, babi, babi, ndihmona! – përsëriste Irida.
– Hë, si thua, të vazhdojmë më?
Agroni përpëlitej në ganxhat ku e kishin lidhur. Mundohej të zgjidhej dhe t’u hidhej sipër atyre dy çakejve, por ishte e kotë. Si e pa që nuk kishte tjetër rrugëdalje, pasi ata mund të bënin çdo gjë, tha:
– Ndaloni! Bjere të nënshkruaj atë që doni.
Krenaria e njeriut fisnik më në fund ishte thyer. U tmerrua nga ajo që do të shihte Ai që deri në ato çaste ishte dikushi, papritur dhe pakujtuar, ishte shndërruar në askushi. Ai po fillonte të binte në humnerë. Nuk mund të quhej më njeri. Ishte shndërruar në një person pa parime, pa moral. Ishte depersonalizuar i tëri.
Demiri hoqi duart nga vajza. Po ashtu edhe Ilia.
– Merri dhe prismi aty, – tha Demiri duke i shkelur syrin Ilias.
Ato dolën. Demiri thirri Myfitin dhe e urdhëroi të merrte Agronin dhe ta shpinte në zyrën e tij.
– Qëndro edhe ti atje sa të kthehem unë.
Myfiti mori Agronin dhe u nis për lart.
Demiri u drejtua te dhoma e parë përbri asaj të torturës. Hapi portën dhe pa Ilian që mundohej të shtrinte në një tavolinë që ndodhej aty Lumton, duke e kërcënuar me kobure.
– Kafshë, kafshë, kafshë! – bërtiste ajo.
– U vaftë mbarë! – tha Demiri dhe u drejtua nga dhoma tjetër.
Hapi derën dhe pa Iridën fare të hutuar, si të përgjumur që fliste me vete.
– Babi, babi, babi, – pastaj shkrehej në vaj.
– Nesër babi do vijë në shtëpi, po hajde ta festojmë sot bashkë.
I zbërtheu bluzën dhe i nxorri jashtë gjokset e vegjël. Filloi t’ia shtrëngojë fort dhe t’ia kafshojë. Ajo vazhdonte të qante dhe të thërriste të atin. Klithmat e saj mbyteshin brenda mureve të betonta. Ata ishin të plotfuqishëm mbi ato dy viktima të gjora. Egërsirat e kishin kapur gjahun dhe po e coptonin pa mëshirë.
VIII
Isufi po rrinte te porta ku e kishte caktuar Demiri për t’i dhënë përgjigje ndonjërit që mund të pyeste për diçka. Kishte parë Ilian që hyri brenda me dy femra dhe kishte pyetur shoferin e gazit që i solli:
– O Selim, kush ishin ato dyja?
– Janë familjaret e një të burgosuri. Kanë ardhur për një ballafaqim.
Atij iu duk i çuditshëm ky ballafaqim në mesnatë, por nuk u thellua më shumë. Në fund të fundit atje ishte e zakonshme që pyetjet të bëheshin pas mesit të natës. Ajo ishte një praktikë e njohur. Kishte kaluar më shumë se një gjysmë ore nga ardhja e tyre kur në dyert e degës u çfaq një plakë. Isufi njohu atë plakën që kishte ardhur të kërkonte kryetarin një muaj më parë.
– Më fal mor bir, por dua të takoj kryetarin e degës. Thuaji se ka ardhur nënë Gjyla, gruaja e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Bexhet Canaj.
– Po tani është natë, moj nëne! Pastaj kryetari nuk është fare këtu.
– Si nuk është këtu? Mua më tha oficeri juaj që këtu është.
– Cili oficer jua tha?
– Ai që mori nusen dhe mbesën. Tha se me urdhër të kryetarit do bënin takim me djalin tim që ndodhet i mbyllur këtu.
– Si quhet djali juaj?
– Agron Canaj.
Një hije dyshimi kaloi në mendjen e Isufit. Dy femrat që hynë para një gjysmë ore, tani plaka dhe fjala që i paskësh thënë operativ Ilia për kryetarin, që nuk ishte fare në qytet, e bënë të mendohej. Diçka e dyshimtë po përgatitej. Agronin e njihte. E kishte shoqëruar në qelinë numër shtatë. I kishte ardhur shumë keq për të dhe ishte munduar ta ndihmonte. Thirri një polic dhe i tha të qëndronte pak kohë në vendin e tij, se do të shkonte të kërkonte hetues Demirin.
– Nënë, do të shkoj unë ta kërkoj, – i tha plakës.
– Falemnderit, more bir! Zoti ta shpërbleftë për mirë!
– E ku ka zot? – tha polici që sapo mori shërbimin.
– Ka mor bir, ka. Ai ndodhet kudo. Edhe në ndërgjegjen tëndë që thua se nuk ka Zot, ai ekziston. Ishallah nuk e provon të keqen, por po të ndodhesh në vështirësi, do ta kuptosh se ku ndodhet Zoti.
Isufi shkoi në zyrën e Demirit. Atje pa Agronin të ulur në një karrike dhe pranë tij Myfitin.
– Ku është shoku Demir?
– Poshtë në birucat, tani vjen.
Shkoi në qelitë e të burgosurve. Përveç dyerve të mbyllura me lloz, nuk pa njeri tjetër.
– Duhet të jetë në dhomën e speciale, – mendoi.
Zbriti poshtë dhe u drejtua andej. Në dhomën e speciale nuk kishte njeri. Iu duk sikur dëgjoi një rënkim dhe pas tij një zë që qante. Zëri vinte nga dhoma përbri. Nga dhoma tjetër dëgjohej një e qeshur histerike. Dera e dhomës së parë ishte pak e hapur. E shtyu dhe pa hetues Ilian të zhveshur mbi një grua. Ajo qante me ngashërim. Mbylli portën dhe u drejtua nga dhoma tjetër. Nga brenda dëgjohej një zë që qante dhe qeshte. Dëgjoi edhe zërin e një burri që thoshte:
– Ja edhe pak, kënaqu moj kumbull!
Këto fjalë shoqëroheshin me një rënkim. Njohu zërin e Demirit dhe kuptoi gjithçka. U trondit. Poshtërsia e atyre dyve e la pa mend. Ç’të bënte? Të largohej dhe të hiqej sikur nuk kishte parë gjë? Kjo ishte e pamundur. Do të qëndronte. Ta shikonin dhe ata që ai u bë dëshmitar i aktit të tyre të turpshëm. Dera e dhomës së parë u hap dhe doli Ilia me Lumton e përlotur. Kur pa rreshterin ai u trondit.
– Po ti ç’kërkon këtu?
– Dua të takoj shokun Demir. Ka ardhur nëna e Agronit dhe kërkon nusen dhe mbesën.
Ilia ndërroi tonin. Mendoi ta bënte për vete me dredhi.
– Do ta provosh? – i tha duke i shkelur syrin. – Është shumë e mirë. Provoje! Mos humb rastin.
– Falemnderit, nuk kam nevojë, – u përgjigj prerazi Isufi.
Ndërkohë u hap dhe porta tjetër dhe doli Demiri pas tij Irida. Sytë vajza i kishte të çakërdisura. Fytyra i ishte shtrembëruar. Kishte marrë pamjen e një të çmendure. Vazhdonte të qante e të qeshte njëkohësisht dhe belbëzonte:
– Babi, babi, babi…
– Çfarë i keni bërë vajzës? – klithi Lumtua dhe e futi në gjirin e saj.
– Mbylle gojën! Po fole një fjalë dije se ju të dyja dhe ai kokëmushka tuaj do të zhdukeni brenda njëzetekatër orëve. Këtë mbaje në mendje.
Pastaj duke u drejtuar nga Isufi i tha me një ton të ashpër:
– Po ti?
– Përjashta të kërkon nëna e Agronit.
– Përse?
– Atë e dini ju.
– Mirë, mirë. Merri dhe shpjeri përjashta. Lajmëro Selimin t’i çojë në shtëpi. Të marrë edhe plakën.
Ai i mori dhe u nis. Kur i pa në atë gjendje nënë Gjyla u trondit tepër.
– Çfarë ka ndodhur me vajzën?
– Asgjë! U trondit kur takoi të atin, – tha Lumtua duke e mbledhur veten. Nuk donte t’i jepte të kuptonte së vjehrrës.
Hipën në makinë dhe u nisën. Isufi largoi policin që e zëvendësoi dhe po rrinte te porta duke përfytyruar skenat që kishte parë.
Demiri, ndërkohë, ishte kthyer në zyrën e tij dhe kishte nxjerrë jashtë Myfitin. Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori prej andej një shkresë të shtypur në shumë faqe dhe, duke iu drejtuar Agronit, i tha:
– Do të ta lexoj?
Agroni nuk foli. Filloi të ndiejë të ftohtë. Po dridhej i tëri.
– Atëhere nënshkruaje! Shkruaj emrin, mbiemrin dhe vurë nënshkrimin në çdo faqe të procesverbalit.
Agroni vazhdonte të mos fliste.
– Mos harro, ato janë poshtë. Do të lirohen vetëm kur ti të nënshkruash.
Një ngashërim i thellë filloi të dalë nga zemra e tij. Lotët filluan t’i rrjedhin nëpër faqet. Filloi të qajë si një fëmijë. Demiri e la deri sa u qetësua dhe i tha:
– Nënshkruaje!
Mori penën dhe me dorën që i dridhej nënshkroi të gjitha fletët. Si mbaroi, mundi të thoshte me një ton therrës:
– Tashti çdo gjë është e kotë. Agron Canaj ka vdekur.
Demiri thirri Isufin, i cili e mori dhe e mbylli në qelinë numër shtatë. Hetuesi i ndoqi nga prapa.
– Përse erdhe poshtë qëparë? – pyeti Isufin.
– Të thashë, kishte ardhur nëna e Agronit dhe donte të bisedonte me ty.
– Ashtu? E çfarë donte?
– Donte shpjegime përse i kishit marrë nusen dhe mbesën.
– Mua mos më shit mend me të tilla filozofira. Dëgjo, po hape gojën për ato që pe, dije se të piu e zeza. Mos mendo se mund të më bësh gjë mua. I kam aq njerëz sa për të më mbrojtur në çdo rrethanë. Ti nuk ke parë asgjë. Kuptove?
Isufi heshti dhe u largua. Rrugës u shkëmbye me Ilian.
– Po këtë kush na e poftisi sonte? – tha ai. – A nuk të thashë se është një veprim i rrezikshëm?
– Mos u shqetëso, e rregulloj unë atë punë. Ai nuk do të guxojë të flasë. Po më thuaj a u kënaqe ndopak?
– E si të mos kënaqesh me një kumbull si ajo.
Të dy u larguan duke u zgërdhirë me të madhe.