Një status miqësor për bashkëpunëtorët e Albspirit dhe jo vetëm
Çerçiz Loloçi
Portali që editohet prej meje dhe që ka përveç të tjerave edhe një numër cilësor bashkëpunëtorësh ka qenë vazhdimisht i hapur për krijime gjithfarësoj, poezi, prozë, ese, kujtime, tregime dhe romane, të cilat janë pasqyruar vijimisht në Albspirit, (thjesht dhe vetëm për bamirësi), por që me thënë të drejtën, lënë shumë për të dëshiruar sepse që të shkruash diçka duhet së pari të kesh lexuar mjaft, të kesh një formim të mirë kulturor (pra të njohësh majat e korpusit universal nga antikiteti e deri në ditët e sotme) dhe pastaj të përpiqesh të krijosh diçka që nuk është shkruar më parë.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan apo në Europë dhe më gjerë, rreth 95 % e letërsisë apo e krijimit letrar është mediokre ose plagjiaturë, konsumiste, pa kurrfarë vlere dhe koha, si e pamëshirshme që është, i fshin këto lloj produktesh ose thënë më drejtpërdrejt i depoziton në qyngjet e ujërave të zeza; shtëpitë botuese apo shtypshkronjat që jetojnë me kësi librash sajojnë gjithmonë kryevepra sepse ju paguani për atë që botoni, por në fakt ju merrni mjerimin tuaj, vargëzoni, shkruani, bejtëzoni dhe tek e fundit nuk merrni kurrfarë kënaqësi estetike.
Personalisht nuk kam bërë asnjë diferencim për ato që më kanë ardhur në postën elektronike, por mendoj se bëhem pjesë e së keqes nëse do vazhdoj t’i publikoj. Po sjell për ilustrim dy moshataret e mia, që për mos krijuar ndonjë përshtjellim, po i quaj thjesht hispanikja ose autorja e librit ‘Harbimi i lopëve’ dhe konteporania ose autorja e sprovave ‘Kapriata dhe fëndyej’.
E para ishte një përkthyese relativisht e mirë nga spanjishtja dhe jo vetëm, (që asnjëherë nuk e kërkoi meritën e saj prej kësaj vlere, por duke u shtirur), ndërsa e dyta kontemporania që mendonte se kishte një lidhje me universin dhe që me trupin e saj thatanik komunikonin yjet e gjithësisë; pra të dyja iu vardisën një përkthyesi të shquar në frëngjisht, i hynin dhe i dilnin lakuriq sa në Tiranë dhe në Paris, thjesht dhe vetëm që ai t’i përkthente në kryeqendrën botërore të letërsisë, por ai, i dërmuar egërsisht nga komunizmi dhe nga krijuesit e para dhe pas nëntëdhjetës, ngaqë nuk gjeti kurrfarë ngacmimi interesant dhe në hakmarrje ndaj të dyjave iu përvesh përkthimit në gjuhën franceze të kujtimeve të Sulo Gradecit, ’30 vjet pranë shokut Enver’, shoqëruesit më jetëgjatë të diktatorit shqiptar, që në fakt nuk ishin shkruar prej tij, por prej Institutit të Studimeve Marksite-Leniniste që drejtohej nga Nexhmije Hoxha.
Natyrisht përkthyesi ishte qenie njerëzore, ishte i martuar, familjar, por edhe dashuronte fshehtas, megjithatë i mësuar me përndjekjen e përjetshme në shtëpi, në hapësirat e zyrës, në shëtitje, në pritje zyrtare, në galerat e burgut, pra në çdo mjedis, kishte marrë vendimin e madh që organet e kënaqësisë t’i mbyllte përfundimisht në një lloj kasaforte më të rëndë se sa bimcat te kalaja e Gjirokastrës apo te kështjella e Krujës prej nga nuk mund të dilnin askurrë, duke mos menduar se pas vdekjes së tij edhe kontemporania, edhe hispanikja do e akuzonin padrejtësisht se ishte pikërisht ai që kishte kërkuar akt intim me to dhe këto të fundit kishin ruajtur fanatisht virgjërinë!
Pak a shumë ndodhi e njëjta gjë edhe më një përkthyese tjetër që u bombardua me mizëri botimesh më shumë se Mazllum Seneja dhe shkrimtarë-shqiptarët që ajo nuk i pa të arsyeshme për t’i përkthyer në Poloni u bënë edhe armiqtë më të mëdhenj të saj, që e akuzuan për afera intime dhe për lloj-lloj marifetesh të tjera që vetëm mediokrit mund t’i bëjnë, pavarësisht nëse shteti është mbretëri, diktaturë, juntë, kalifat apo shoqëri e lirë.
Bashkëpunëtorëve të mi do t’iu lutesha që të lexonin më shumë dhe të krijonin më pak; një sëmundje jote (nuk shikon nga një sy, një dhimbje veshi, prostatë, sëmundjet tumorale, inpotenca apo epshi seksual, lezbizmi, homoseksualizmi, të divorcuar të hershëm apo konservatorë të bashkëjetesës, fshatarë, qytezarë, me dëshmi publike për seksin e fortë apo me kundërdëshmi shpërndarë doras për dashnoret e shumta, qytetarë, tullacë apo qimerënë, etj) nuk është kurrsesi letërsi; një përkthim mjeshtëror prej teje nuk është njësoj si të bësh një krijim; një çmim ballkanik, europian apo botëror që shpesh publikoni dhe akoma më keq detyroheni të paguani për këtë vlerësim janë thjesht sajesa që nuk emocionojnë askënd, madje ju bëjnë më shumë turpërues kur e paraqitni në faqet zyrtare dhe jozyrtare në rrjete sociale.
Nuk ka aspak rëndësi nëse je mbretëror, republikan, demokrat a socialist, nëse bën shumë fëmijë apo nuk krijon dot familje, jeton në fshat apo në qytet; iu ngjitesh pas politikanëve të pushtetshëm apo intelektualëve të mëdhenj, vuan në skutat e burgut apo jeton në kushte ideale, në fund të fundit ajo që të prezanton ty është çfarë shkruan, çfarë krijon për sot dhe nesër dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Shkrimtari që investohet në këtë fushë dhe që nuk mendon për asgjë tjetër, pra që e shikon diçka të shenjtë atë që krijon vërehet qoftë edhe në një pusullë, në një mesazh, në një letër, në një bashkëbisedim, në një ftesë për kafe dhe sidomos kur vë një tullë në krijimin universal!