Albspirit

Media/News/Publishing

Kostandin Kavafis: SHËNIME POETIKE DHE MORALE

Image result for Kostandin Kavafis

1

Nuk kam jetuar kurrë në fshat. Nuk kam bërë atje, si të tjerë njerëz, as qëndrime të shkurtra. Megjithatë kam shkruar një poezi ku kremtoj fshatin, ku shkruaj se i detyrohem për vargjet e mia. Ajo poezi nuk meriton t’i thuren lavde. Është gjëja më pak e sinqertë që ekziston: një gënjeshtër e përkryer.

Sidoqoftë, tani pyes veten: a është vërtet një mungesë sinqeriteti? A nuk gënjen arti gjithmonë? A nuk ndodh që pikërisht atëherë kur gënjen më shumë, ai është më krijues? Nëse ato vargje u shkruan, a s’kemi të bëjmë këtu me një efekt të artit? (Papërsosuria e atyre vargjeve nuk vjen, pa dyshim, nga mungesa e sinqeritetit: shumë shpesh dështojmë pikërisht atëherë kur na pushton emocioni më i sinqertë). Në çastin kur shkruaja ato vargje, a nuk isha artistikisht i sinqertë? A nuk më punonte imagjinata sikur të kisha jetuar me të vërtetë në fshat?

5.7.1902

2

Brenda vetes ndiej aftësi të jashtëzakonshme. Jam i bindur se, po të kisha dëshirë, do mund të bëhesha mjek i shquar, avokat, financier, inxhinier. Do më duheshin vetëm dy gjëra: kohë për të studiuar dhe vullneti për të hequr dorë prej letërsisë. Mos është ky një iluzion i mendjes sime? Një mbivlerësim i zotësive të mia? Apo diçka e natyrshme, e përbashkët për çdo letrar – dua të them një fuqi që e zotëron çdo letrar? Çdo punë praktike më duket e thjeshtë. Por më duhet ta pranoj: përkundër kësaj bindjeje, jam i pazoti t’ia dal mbanë në jetën praktike nëse nuk më japin kohë. Por kësisoj bie në kategorinë e përgjithshme: duke patur kohë në dispozicion, çdokush, edhe me një talent mesatar, mund t’ia dalë mbanë. E megjithatë nuk është kështu: ajo çka më bën sipëran është fakti, jam i bindur, që unë do të kem nevojë për shumë më pak kohë. Jam, sidoqoftë, i vetëdijshëm se nuk do të mund t’ia dilja në profesione praktike, sepse do ta kisha të pamundur, pa një përpjekje që do më kish plasur shpirtin, të shkulja nga thellësi e vetvetes hankering-un[1] e letërsisë. Një gjë tjetër më vjen në mendje. Kjo aftësi që ndiej në vete, që më është zbuluar nga lehtësia ndaj profesioneve praktike, a nuk rrjedh prej letërsisë, prej përsiatjes së vazhduar, prej sharpening-ut[2] të imagjinatës? Nëse do mund, pa vuajtur, të bëja përpjekje për të mohuar Imagjinatën, ndoshta do t’i kisha humbur forcat dhe zejet praktike do bëheshin për mua po aq të vështira sa edhe për njerëzit e zakonshëm. Por nuk e besoj. Aftësia ekziston. Dobësia – ose forca ime, nëse i japim një vlerë punës artistike – qëndron në pamundësinë e mohimit të letërsisë, apo, më saktë, të trazirës së ëndshme të Imagjinatës.

18.8.1902

3

A ekzistojnë e Vërteta dhe Gënjeshtra? Apo mos vallë është vetëm E Reja dhe E Vjetra – duke qenë se Gënjeshtra s’është gjë tjetër veçse Pleqëria e të Vërtetës?

4

Më bie në sy, shpeshherë, rëndësia krejt e vogël që njerëzit u japin fjalëve. Po shpjegohem. Një njeri i thjeshtë (me i thjeshtë nuk nënkuptoj kokëtrashë, por pa veçanti) ka një opinion, dënon një institucion apo një klishe; duke e ditur që shumica dërrmuese mendon të kundërtën, ai hesht, i bindur që është e kotë të flasë përderisa kjo nuk do ndryshojë asgjë. Ky është një gabim i madh. Unë veproj ndryshe. Për shembull, e dënoj dënimin me vdekje. Në rastin më të parë e shpall haptas këtë gjë, jo sepse besoj se deklaratat e mia do të detyrojnë pushtetin që nesër ta anullojë dënimin me vdekje, por sepse jam i bindur që kjo gjë ndihmon në triumfin e opinionit tim. Pak rëndësi ka që askush nuk ka të njëjtin mendim me mua. Fjalët e mia nuk do humbasin. Ndoshta ato do përsëriten dhe do mbërrijnë në veshët e dikujt që do t’i dëgjojë e do t’i mbajë parasysh. Ndoshta njëri prej atyre që sot nuk janë të këtij mendimi do kujtohet më vonë, në të tjera rrethana më të favorshme, dhe do bindet ose, së paku, do t’i tronditet bindja e mëparshme. E njëjta gjë edhe për çështje të tjera sociale që kërkojnë Veprim. E di që jam i ndrojtur, i pazoti të veproj, i zoti vetëm të flas. Por nuk besoj që fjalët e mia janë të kota. Dikush tjetër do veprojë, por fjalët e mia, të ndrojturit, do t’ia kenë lehtësuar atij veprimin. Ato spastrojnë terrenin.

9.11.1902

5

Më erdhi në mendje të shkruaj për dashurinë. Por nuk do ta bëj. Çfarë force paska paragjykimi! Unë për vete jam çliruar prej tij, por mendoj për njerëzit ende skllevër, nën sytë e të cilëve mund të bjerë kjo fletë. Dhe ndalem. Ç’mungesë guximi! Megjithatë dua të shënoj një gërmë – T – si simbol të këtij çasti.

9.11.1902

6

Kush e di ç’ide epshore kryesojnë kompozimin e pjesës më të madhe të veprave letrare! Ide epshore vetmitare, që prishin (ose shformojnë) perceptimin. Dhe ajo çka dënojnë kritikët në romane të ndryshëm (sidomos anglezë) – disa fragmente që i lënë të mëdyshur ngaqë duket se autori shkruan keq qëllimisht – rrjedh aq shpesh nga nënshtrimi i autorit ndaj një ndijimi apo një situate epshore. Ky ndijim është kaq i fortë – e ndonjëherë kaq poetik, kaq i shkëlqyer! – saqë trupëzohet me fjalët me të cilat ka shoqëruar lindjen. Kështu, kur rilexon veten, edhe disa muaj më vonë, shkrimtari është i pazoti të ndryshojë apo korrigjojë, sepse njëkohësisht me fjalët ia beh edhe fantazma e ndijimit të vjetër që e bën si color-blind[3] ndaj një pjese të veprës së tij.

12.11.1902

7

Nuk e di nëse perversioni të jep forcë. Ndonjëherë e besoj këtë. Por jam i sigurt që është burim madhështie.

13.12.1902

8

Vetmitarët shikojnë gjëra që ne të tjerët nuk i shohim; ata kanë një vizion të botës të pakapshëm nga shqisat. Shpirti rafinohet në vetmi, meditim dhe përkore. Ne e dobësojmë atë nëpërmjet frekuentimeve që bëjmë, mungesës së meditimit dhe kënaqësive. Kjo është arsyeja që ata shohin atë çka ne nuk e shohim dot. Ai që qëndron i vetëm në një dhomë të heshtur dëgjon qartaz trokitjen e sahatit. Por kur dikush hyn në atë dhomë dhe fillon biseda, ai resht së dëgjuari trokitjen. Megjithatë trokitja nuk u bë e padëgjueshme.

9

Duhet kohë për të zbuluar të metat e poemave të mëdha. Ndjesia e parë që ato shkaktojnë, mbasi botohen, është admirimi; për aq sa admirimi nuk është zhdukur apo ndryshuar, kritikët më të mprehtë nuk mund t’i vërejnë të metat. Kjo ka të bëjë pa dyshim me natyrën e çuditshme të njeriut, që mund të gjykojë vetëm me kusht që të mos admirojë.

10

Një poet i ri më erdhi për vizitë. Shumë i varfër, që e përballon jetën me punëra letrare. M’u duk paksa i brengosur teksa shihte shtëpinë e bukur ku banoj, shërbyesin tim që ia serviri çajin siç e do rregulli, veshjet e mia të qepura nga një rrobaqepës shumë i mirë. Ai thotë: “Ç’gjë e tmerrshme qenka të të duhet të luftosh për të fituar bukën e gojës, të rendësh pas botuesve për revistën tënde, apo pas blerësve për librin tënd.”

Nuk desha ta le në gabimin e tij dhe i fola pak a shumë kështu: situata e tij është e vështirë dhe e pakëndshme, por sikur ta dinte sa shtrenjtë e kam paguar unë këtë luks të vogël! Për këto rehati i jam larguar vokacionit tim të natyrshëm, u bëra nëpunës (sa qesharake!) dhe çdo ditë harxhoj më kot orë e orë të tëra të çmuara, që pasohen nga të tjera orë të tëra shkurajimi e lodhjeje. Ç’gjëmë! Ç’tradhti! Ndërsa ai, djaloshi varfanjak, nuk humbet asnjë orë dhe i mbetet besnik vokacionit të tij prej biri të Artit.

Shpeshherë, teksa jam duke punuar, më vijnë në mendje një ide shumë e mirë, një imazh i rrallë, ndonjë varg i përfunduar, të cilat jam i shtrënguar t’i shpërfill, sepse puna e zyrës nuk mund të presë. Kur kthehem në shtëpi mbas pune dhe kur, mbas një kohe të shkurtër çlodhjeje, kërkoj t’i risjell ndërmend, është e kotë. Dhe është e drejtë të ndodhë kështu. Është sikur Arti të më thoshte: unë nuk jam një shërbyes që mund ta përzesh kur të teket e që rikthehet kur e thërret. Unë jam Zonja më e madhërishme e botës. Dhe nëse ti më mohove – o tradhtar i mjerë – për atë palo shtëpi të bukur, për ato palo veshje të bukura dhe ato palo kushte të mira, atëherë kënaqu me to (po si do mundesh vallë?) dhe nëse nuk e kupton se unë mbërrij vetëm në disa çaste të rralla kur ti je i gatshëm të më presësh, qëndro aty te pragu duke më pritur, aty ku duhet të ishe çdo ditë.

Qershor 1905

11

Si një prestar i mirë që bën një xhaketë që i shkon përshtat vetëm një, a ndoshta dy njerëzve, dhe një pardesy që mund t’u shkojë vetëm dy-tre vetëve, ashtu jam unë: poezitë e mia mund t’u shkojnë përshtat (to fit) një rasti, ndoshta dy a tre. Krahasimi mund të duket përulës, por mua më duket, përkundrazi, fort i lumtur e ngushëllues. Nëse poezitë e mia nuk u shkojnë përshtat të gjithëve, ato u përshtaten disave. Kjo nuk është gjë e vogël. Është ajo çka garanton autenticitetin e tyre.

9.7.1905

12

Çka e bën të ftohtë në sytë e mi letërsinë angleze – përveç disa mangësive të gjuhës angleze – është, si të thuash, konservatizmi, vështirësia – apo refuzimi – për t’u shkëputur nga tradita, frika se mos lëndon moralin, pseudomoralin, sepse mu kështu duhet ta quajmë një moral hipokrit.

Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit janë shkruar disa libra francezë – të mirë ose të këqinj – të cilët peshojnë e analizojnë me kurajë aspektin e ri të dashurisë. I ri, jo, por i shpërfillur për shekuj me radhë si rrjedhojë e paragjykimit që e shihte atë si çmenduri (shkenca thotë që nuk është kështu), apo si delikt (logjika thotë që s’është kështu). Asnjë libër anglez, me sa di unë. Përse? Ngaqë kanë frikë mos lëndojnë paragjykimet. Mirëpo kjo lloj dashurie ekziston edhe tek anglezët, ashtu siç ekziston – dhe ka ekzistuar – tek të gjithë popujt, sigurisht jo për të gjithë.

Tetor 1905

13

Ligjet mjerane të shoqërisë – që nuk rrjedhin as nga higjiena, as nga arsyeja – e kanë pakësuar veprën time. Ato ma kanë prangosur shprehjen, duke më penguar t’u sjell dritë dhe emocion atyre që janë si unë. Rrethanat e jetës më kanë shtrënguar të përpiqem shumë për të zotëruar gjuhën angleze. Sa keq! Nëse të njëjtat përpjekje do t’ia kisha kushtuar mësimit të gjuhës frënge – nëse rrethanat do ma kishin lejuar këtë, nëse frëngjishtja do më ish dashur po aq – ndoshta, falë përemrave që në të njëjtën kohë thonë e nuk thonë, do kisha mundur të shpjegohesha më lirisht. Por, tekefundit, si t’ia bësh? Nga pikëpamja estetike, ky është dështim. Kam për të mbetur një objekt i hamendshëm dhe nuk kanë për të më kuptuar plotësisht përveçse duke u nisur nga çka kam mohuar.

15.12.1905

14

Ç’mashtrim është Arti, kur pretendon sinqeritet. Nisim të shkruajmë – shpeshherë me imagjinatë – për çështje të caktuara e, pastaj, me kalimin e kohës, pyesim veten mos jemi gabuar. Për pleqërinë kam shkruar QirinjtëShpirtrat e pleqve dhe Plaku. Duke iu afruar pleqërisë, a së paku moshës së pjekurisë, kam kuptuar se kjo poezia e fundit nuk përmban asgjë të drejtë. Shpirtrat e pleqve më duket ende e drejtë, por a s’do më duket vallë po aq e rreme kur të jem shtatëdhjetë vjeç? Shpresoj se Qirinjtë është e drejtë!

Poezia përshkruese – ngjarje historike, fotografi (ç’fjalë e tmerrshme!) e natyrës – ndoshta është e sigurt. Por është një gjë e varfër dhe jetëpakë.

1906

15

Ndonjëherë, kur mendohem dhe ngjiz ide të vështira, kur shqyrtoj marrëdhëniet dhe pasojat e gjërave, më duket sikur të tjerët nuk janë të aftë të mendojnë dhe të ndiejnë si unë dhe kjo më bën unconfortable. Sepse them me vete: sa e padrejtë që qenkam një gjeni i tillë e që nuk jam as i njohur, as i mirënjohur. Dhe ideja se ndoshta gabohem e se shumë të tjerë mendojnë në mënyrë aq të drejtë e madhështore, më lehtëson. Ç’fuqi paskan Interesi dhe Dëshira për Shpërblim! Jam më i lehtësuar nga ideja se jam i ngjashëm me shumicën, sesa nga ajo e të qenit sipëran dhe i panjohur.

3.1.1907

16

Pa entuziazëm – dhe tek entuziazmi përfshij mërinë – njerëzimi nuk mund të veprojë. Megjithatë nuk veprohet mirë nën efektin e entuziazmit. Duhet ta tejkalosh atë për të arritur rezultate. Por edhe në këtë rast – i rikthyer te qetësia – ajo çka përmbush janë vepra të lindura tek entuziazmi. Ai që entuziazmohet shumë nuk mund të bëjë punë të mirë; dhe po kështu ai që nuk entuziazmohet kurrë.

24.1.1907

17

Më në fund u mësova në Aleksandri, dhe ka shumë mundësi që këtu do kisha ndenjur edhe sikur të isha i pasur. Por sa më rëndon, ama, e gjitha kjo! Ç’vështirësi, ç’rëndesë ka një qytet i vogël – ç’mungesë lirie!

Do të qëndroja këtu (ende nuk është plotësisht e sigurt), sepse ky qytet është si një atdhe për mua, i lidhur me kujtimet e jetës sime.

Por për një njeri si unë – kaq të ndryshëm – një qytet i madh do kish qenë aq i domosdoshëm!

Londra, për shembull. Qysh kur R.M. u nis, mendoj pa reshur për Londrën.

28.4.1907

18

Një zanat i dytë – ndonjë punë jo shumë e vështirë, as aq rrëmbyese sa t’i marrë gjithë kohën – është favor i madh për artistin. Ajo refreshes him, e pastron, pothuajse e çlodh. Të paktën është kështu për disa.

13.5.1907

19

Po lexoja sonte një libër për Baudelaire-in. Autori i tij ishte si i pataksur nga Lulet e së keqes. U bë shumë kohë tashmë që s’e kam rilexuar Lulet e së keqes. Për aq sa kujtoj, ky libër nuk është edhe aq pataksës. Dhe kam përshtypjen që Baudelaire-i ka qenë i mbyllur brenda një qerthulli fort të ngushtë epshesh. Natën që shkoi, për shembull, apo të mërkurën e kaluar, dhe shumë herë të tjera, kam përjetuar, sendërtuar, përfytyruar e kombinuar në heshtje disa kënaqësi shumë më të veçanta.

22.9.1907

20

Bukuria e popullit, e rioshëve të varfër, më pëlqen e më prek. Shtëpiakë, punëtorë, nëpunës të vegjël, shitës. Do thoshim se është si një shpërblim për atë nga çka ata janë privuar. Gjithë ajo punë, gjithë ajo lëvizje i bën trupat e tyre të hollë e të harmonishëm. Janë pothuajse përherë të shkrydhët. Fytyrat e tyre, të zbardhëta kur punojnë në mjedise të brendshme, apo të nxira kur punojnë përjashtë, kanë një ngjyrë të këndshme e poetike. Krejt e kundërta ndodh me djelmoshët e kamur që janë ose shëndetligj e të squllët, ose të dhjamosur e obezë për shkak të ushqimeve, pijeve dhe shtretërve tepër të butë; a thua se mbi surratet e tyre të mbufatur a rrëgjuar ka shpërthyer gjithë shëmtia e vjedhjes dhe e mujshisë së trashëgimisë së tyre prej fajdexhinjsh.

29.6.1908

21

Shkruajmë një poezi pak a shumë nën goditjen e përshtypjes. Përshtypja – ndijore apo cerebrale – ishte e gjallë dhe e sinqertë: poezia që del prej saj (jo medoemos ngaqë përshtypja qe e tillë, por për shkak të një rastësie të lumtur) është e mirë, e gjallë dhe e sinqertë. Pastaj koha kalon. Dhe kjo përshtypje – nga fakti i rrethanave të tjera, të panjohura deri atëherë, apo i evolucionit të gjërave dhe personave që e kishin ndjellë – duket e kotë e qesharake. Sakaq, edhe poezia. Megjithatë nuk e di nëse kjo është e drejtë. Përse vallë ta zhvendosësh poezinë nga atmosfera e 1904-s në atë të 1908-s? Fatmirësisht, poezitë janë më së shpeshti të errëta dhe, për rrjedhojë, të afta për t’iu përshtatur ndjenjave të tjera, situatave analoge.

11.7.1908

22

E di që duhet të jesh serioz për t’ia dalë mbanë në jetë e për të imponuar respekt. Mirëpo e kam të vështirë të jem serioz; nuk e çmoj seriozen.

Po shpjegohem: në gjërat serioze dua vetëm seriozen përgjatë një gjysmë ore; apo një, dy a tri orësh në ditë. Shpeshherë pothuajse gjithë ditën.

Pjesën tjetër të kohës, ajo çka dua janë hokat, shakatë, ironia, humbugging.

Por kjo gjë nuk shkon shumë.

E kompromenton punën.

Sepse kam të bëj sidomos me njerëz budallenj e injorantë. Këta lloj njerëzish janë gjithmonë seriozë. Surretër shtazërisht seriozë; si do mund të bënin shaka duke qenë se nuk kuptojnë? Surretërit e tyre seriozë janë pasqyrimi i kësaj. Për injorancën dhe budallallëkun e tyre, gjithçka përbën problem dhe vështirësi, kjo është arsyeja që serioziteti është përhapur në tiparet e tyre si mbi tiparet e qeve dhe të deleve (kafshët kanë një fizionomi tejet serioze!).

Hokatari përgjithësisht përçmohet; më e pakta, ai shpërfillet dhe nuk ngjall besim.

Ja përse edhe unë sforcohem t’u paraqes njerëzve një fytyrë serioze. Vura re që kjo gjë m’i lehtësonte shumë punët. Por brenda meje unë qesh e shpotit pa masë.

26.10.1908

23

Stina që pëlqej më shumë është vera. Vera e vërtetë, ajo e Egjiptit a Greqisë, me diell dërrmues, me mesdita ngadhënjimtare, me netë gushti rraskapitëse. Por nuk mund të them se punoj më shumë (në aspektin artistik) në verë. Imazhet dhe ndjesitë e verës më sjellin shumë mbresa, por nuk besoj se këto mbresa përkthehen përnjëherësh në punë letrare. Them përnjëherësh, ngaqë mbresat artistike mbeten njëfarë kohe të papërdorura, ngjizin mendime të tjera, ndryshojnë nën të tjera ndikime dhe kur, më pas, kristalizohen në fjalë të shkruara, nuk është e lehtë të kujtosh se në cilin çast filluan të lindin dhe nga dalin vërtet fjalët e shkruara.

(verë 1909)

24

Jeta ime rrjedh në lëkundje epshore, në ëndërrime dashurore – herë-herë të sendërtuara.

Vepra ime është kthyer drejt mendimit.

Pa dyshim që kështu është e drejtë.

Në fakt, vepra ime është si ajo amfora, për të cilën kam folur gjetiu, që mund të marrë interpretime të ndryshme.

Dhe jeta ime dashurore gjen kësisoj shprehjen e saj – të errët vetëm për kaqolët. Nëse do të isha shfaqur më publikisht se kaq, ndoshta s’do më kish mbetur më vend për artin.

Punoj si antikët. Këta shkruanin histori, filozofi, drama plot mite tragjike – të frymëzuar nga dashuria – krejt si unë.

20.6.1910

25

Çfarë tmerri këto idetë e reja filozofike mbi fortësinë (ashpërsinë), dominimin e më të fortëve, shëndetshmërinë e pretenduar të luftës që eliminon të vegjlit e të dobëtit, etj.

Përderisa na duhet të jetojmë në shoqëri, përderisa qytetërimi varet prej saj, përderisa në këtë mënyrë kemi mundur t’u bëjmë ballë rrethanave më të vështira që kërcënonin njerëzimin në zanafillën e tij – ç’kuptim kanë këto marrëzira mbi fortësinë, dominimin… Nëse do t’i praktikonim vërtet, do ta shihnim se ato shpien drejt shfarosjes. Këndej, një i fortë do të shkatërrojë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, dhjetë të dobët; andej, një tjetër do të shkatërronte dhjetë të tjerë, e kështu me radhë. Do mbeten vetëm të fortët. Midis këtyre të fundit, disa do të jenë më pak të fortë. Dhe me t’u harruar e eliminuar të dobëtit e parë, do të jenë ata vetë të dobëtit: edhe këta do të duhet të shkatërrohen, dhjetë e nga dhjetë, pesë e nga pesë, dy e nga dy… Derisa të ngelet vetëm më i forti, apo vetëm disa syresh me të njëjtën forcë.

Por si do të mund të jetojnë kështu? Nuk është fortësia, por Dashamirësia, Dhembshuria, Zemërgjerësia, Mirësia (me masë, sigurisht, e pa tepri) që përbëjnë Forcën dhe Urtësinë.

10.9.1910

26

Ne punojmë, në mënyrë të vetëdijshme, për ata që do të vijnë pas nesh. Për të përgatitur një disiplinë jetese, një rend; dhe ndoshta sa më e gjatë të jetë jeta e tyre, aq më e dobishme do të jetë kjo gjë.

1.4.1911

27

— ∪ ∪ —             ∪ ∪ — ∪
— ∪ ∪ —             ∪ ∪ — ∪
— ∪ — ∪             ∪ — ∪

Diçka e tillë ishte. Kështu e shënova, pardje, mbi paketën e cigareve, prej nga po e transkriptoj tani.

Duke e shënuar – ritëm i këngës së dy kalimtarëve rioshë – besoja se kjo do mund të hynte në punë. Por nuk bëra asgjë. Melodia s’ishte kushedi çfarë, e kuptoj tani, por zërat ishin të këndshëm. Dhe kur ata zëra më nxorën në dritare, melodi dhe zëra zbukuruan sërish, sepse dy të rinjtë – djem njëzet e dy, njëzet e tre vjeçarë – ishin një vegim bukurie.

Ç’trupa, ç’flokë, ç’fytyra, ç’buzë! Nuk ndenjën më shumë se një çast. Dhe unë, artisti, besova se diç bëra duke shënuar një melodi. Tani kjo më duket pako gjë dhe, pa dyshim, krejt e kotë. E vetmja poezi që më kaloi pardje para syve është bukuria e dy të rinjve. Nëse kujtesa arrin të ma ruajë gjurmën e saj dhe të ma rikthejë në një çast emocionin krijues, ndoshta do të lërë në artin tim diçka nga kalimi i saj jetëshkurtër.

7.10.1911

 

Përkthyer nga Alket Çani

 

[1] Anglisht në origjinal: etje.

[2] Anglisht në origjinal: mprehje.

[3] Anglisht në origjinal: që nuk i dallon ngjyratdaltonian.

Please follow and like us: